Hysaj drejt Premier Ligës? Totenhemi e kërkon në vend të mbrojtësit më të shtrenjtë në histori

443
Pavarësisht se Napoli e konsideron të paprekshëm dhe ai ka premtuar besnikëri për ekipin italian gjatë këtij sezoni, kjo nuk e ndalon Totenhemin ta mendojë Elseid Hysajn si zëvendësuesin e mbrojtësit Kajl Uollkër. Ky i fundit u transferua te Mançester Siti duke u bërë mbrojtësi më i shtrenjtë në historinë e futbollit dhe tani skuadra e Poçetinos është hedhur në sulm për të gjetur zëvendësuesin ideal të tijin.
Hysaj del në listë si një alternativat e mundshme dhe si më i besueshmi, pasi trajneri argjentinas i Totenhemit e pëlqen shumë dhe mendon që do të përshtatet menjëherë në futbollin anglez. Si fillim është duke u kryer thjesht një sondazh nga ana e ekipit londinez për të siguruar shërbimet e shqiptarit, por nuk përjashtohet mundësia që në ditët e ardhshme të ketë një sulm për të bindur lojtarin dhe presidentin De Laurentis.

Në fakt, Sarri nuk ka ndër mend të privohet nga Hysaj sepse e konsideron si një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së tij dhe të pazëvendësueshëm në krahun e djathtë.

KLAUZOLË 50 MILIONË
Hysaj rinovoi kontratën me ekipin e Napolit në fundin e vitit 2016 për të qëndruar edhe 5 vite në skuadrën italiane dhe presidenti De Laurentis i vuri një klauzolë për të larguar skuadrat e tjera që shfaqën interes për të. Nëse një klub vendos të paguajë 50 milionë euro, atëherë mund të transferojë Hysajn, në të kundërt duhet të bisedojë me De Laurentisin për ta blerë me çmim më të lirë.

Hysaj ka një rrogë 1.5 milionë euro në sezon, e cila pëson rritje deri në 2.3 milionë. Napoli e bleu vetëm 5 milionë euro kartonin e tij nga Empoli dhe vlera e shqiptarit ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme në dy sezone, aq sa konsiderohet mbrojtësi më i shtrenjtë në Itali (42 milionë euro).
Sigal