Hyri i armatosur në fushë, reagon për herë të parë presidenti i PAOK

523
Presidenti i klubit të PAOK, Ivan Savvidis, ka reaguar për herë të parë lidhur me ngjarjet e ditës së dielë në ndeshjen kundër AEK ku ai hyri i armatosur në fushën e lojës.
Si rrjedhojë e këtij incidenti të rëndë qeveria greke mori vendimin për pezullimin e kampionatit pa afat.
Savvidis ka kërkuar falje duke thënë se qëllimi i tij ishte të mbronte tifozët e PAOK dhe se reagimi ishte emocional.
“Të nderuar zotërinj, dëshiroj të kërkoj falje ndaj të gjithë tifozëve të PAOK-ut, të gjithë tifozëve grekë, komunitetit të futbollit. Më vjen keq për atë që ka ndodhur. Natyrisht, nuk kam të drejtë të dal në fushë në atë mënyrë. Reagimi im emocional është shkaktuar nga gjendja e përgjithësuar negative, që mbizotëron në futbollin grek kohët e fundit dhe nga të gjitha ngjarjet e papranueshme që ndodhën në fund të ndeshjes PAOK-AEK.
Veprimet e gjyqtarit, ndërprerja e ndeshjes, protestat dhe hyrja në fushë e dhjetëra njerëzve të të dy ekipeve. Të gjitha këto mund të bënin që situate të degradonte dhe qëllimi im i vetëm ishte të mbroja tifozët e PAOK-ut nga provokimet.
Nuk kisha ndërmend të ndërhyja te skuadra kundërshtare apo gjyqtarët. Nuk kam kërcënuar askënd. Unë dhe kolegët e mi jemi peng i institucionit të futbollit, që është krejtësisht i sëmurë. Po luftoj dhe do të vazhdoj të luftoj kundër sulmeve të vazhdueshme në të gjitha nivelet për një futboll të ndershëm, me arbitrim të ndershëm.
Përsëri kërkoj falje! Presidenti i PAOK-ut, Ivan Savidis”
Sigal