Sigal

Pas rastit me shpalosjen e banderolës raciste në ndeshjen Partizani-Skënderbeu, drejtuesit e të kuqve, kanë kërkuar sistem monitorimi me kamera në stadium, për të evidentuar e ndëshkuar edhe penalisht individë të veçantë, prej të cilëve dënohet krejt tifozeria.

Por, “Ultras Guerrils”, nuk janë aspak dakord me qëndrimin e klubit të tyre, duke e konsideruar po aq të turposhëm, sa vendimin e Komisionit të Disiplinës. Përmes një reagimi publik, tifo-grupi i njohur nënvizon:

“Thirrjet e klubit tonë për të ndërtuar sistem vëzhgimi dhe skedimi të personave që hyjnë në stadium është po aq i turpshëm sa çdo vendim i komisioneve për të dënuar një ndeshje pa tifozë. Thirrjet për të dënuar individualisht tifozë të ndryshëm penalisht dhe etiketimet si rrugaçë nuk i kanë hije klubit, që frymon bashkimin e njerëzve. Ne si grupim dënojmë veprimin, por nuk mendojmë se dënimi i individëve është përbashkues, por një mënyrë për të larguar vëmendjen nga humbja dhe përgjegjësitë. Arroganca dhe sulmet etiketuese e paragjykuese nuk i kanë hije klubit të Partizanit e gjithashtu, as dëshira e censurës, vëzhgimit dhe përzgjedhjes së tifozëve!”