Goditi portierin kundërshtar se i dëmtoi djalin, Italia merr masën ekstreme ndaj babait të Stiven dhe Kristian Shpendit

Babai i futbollistëve binjakë shqiptarë, Stiven dhe Kristian, Liman Shpendi u bë i njohur jo për mirë, ndërsa u fut në fushë dhe goditi me grusht portierin e Olbias, Filipo Rinaldi. Video e kësaj ngjarjeje u bë menjëherë virale.

Portieri gjatë ndeshjes dëmtoi në kokë lojtarin shqiptar Kristian Shpendi dhe babai i 20-vjeçarit nuk mundi t’i përmbante nervat.

NOA

Edhe pse kërkoi falje për gjestin e shëmtuar, Liman Shpendi nuk i ka shpëtuar drejtësisë italiane që ka vendosur ta përjashtojë për tre vite nga impiantet sportive.

Në këtë formë, për tre vitet e ardhshme Liman Shpendi është i detyruar që djemtë e tij, Kristian Shpendi pjesë e Çezenas dhe Stiven Shpendi pjesë e Empolit në Serie A, t’i ndjekë vetëm nga televizioni, pasi në tribuna do ta ketë të ndaluar.

Babai i binjakëve Shpendi ka kërkuar ndjesë publikisht për gjestin e shëmtuar, që me siguri do ta privojë nga stadiumi për ca kohë.

“Ju kërkoj falje të gjithëve, – tha Liman Shpendi pas daljes nga komisariati, – gjithë Italisë dhe klubit të Çezenës për gjestin tim të shëmtuar. E di që kam zhgënjyer shumë persona dhe për këtë arsye kërkoj ndjesë 100 mijë herë. Pashë djalin tim në tokë të gjakosur, me lojtarin tjetër që i dha një goditje nga prapa, duke menduar se nuk kishte bërë asgjë. Si baba, më iku mendja, por absolutisht nuk kam goditur askënd”.

Pas ndeshjes mes Çezenës dhe Olbias, babai i Kristian Shpendit la tribunën dhe tentoi të godiste portierin Rinaldi. Ky i fundit kishte dëmtuar djalin e tij gjatë ndeshjes, duke e detyruar të linte fushën, pas plagës së marrë në kokë.

Mëngjesin e sotëm edhe klubi i Çezenës dënoi gjestin e shqiptarit me një komunikatë zyrtare. “Çezena dënon ashpër sjelljen e familjarit të lojtarit tonë dhe distancohet nga çdo lloj forme dhune e çdo gjest antisportiv, që nuk ka të bëjë me principet e ‘fair-play’-it, që gjithmonë karakterizojnë klubin”, – shkruhej mes të tjerash në qëndrimin e Çezenës.