Gentiana Bleta, delfinistja rekordmene dhe maratonistja kampione

PROFIL/ Në rrëfimin e historisë të karrierës së saj, ish-notarja e Lokomotivës së Durrësit tregohet nostalgjike. Flasin Mjeshtri i Madh, Sadik Mema, dhe Vjollca Spahiu e Mimoza Xhoi

Agron KAJA

Sigal

Jeni një nga notaret e elitës në notin shqiptar, si e mbani mënd një shkrim apo kronikë sportive që është folur për ju?

Në çdo aktivitet që unë kam garuar në sportin e Notit, gazetat kanë shkruajtur shumë, kryesisht Bujar Qesja, gazetar i Durrësit, i cili në çdo garë ishte prezent. Por edhe nga Tirana kanë ardhur duke na filmuar e inçizuar, kanë qënë shumë.

Gjatë karrierës suaj, e keni ndjerrë veten si pjesë e notareve që kanë ditur të notojnë dhe të fitojnë si kampionë?

Unë e kam nisur notin në moshë të vogël, dhe ai është bërë pjesë e jetës sime. Natyrisht që në Durrës, të gjithë notarët respektoheshin në çdo ambient qytetar. Jashtë ujit isha Gentiana që merresha me gjithçka, gjithmonë me këmbë në tokë.

Në cilën moshë e kujtoni startin e rrugëtimit tuaj sportiv dhe ekipin që keni përfaqësuar?

Në vitin 1978 ka qënë përfaqësimi im i parë në garën e Pionierëve në pishinën e Elbasanit. Lokomotiva e Durrësit në atë garë konkurroi me disa vajza, por unë garova në 50 m Delfin dhe u rendita në vëndin e tretë. E kujtoj me nostalgji!

Karriera juaj që të notonit me një ekip të elitës në Shqipëri, kur ka nisur dhe cilin ekip përfaqësuat?

Me pionieret e Lokomotivës e kam nisur në vitin 1978, garën e parë në vitin 1979. Në vitet 1979-1980 unë kam garuar njëherësh me të Rejat 1982, dhe me të Rriturat nisa në vitin 1984. Kam garuar njëherësh edhe me të rejat, por edhe me të rriturat.

Cila është periudha e kohëzgjatjes së karrierës tuaj si notare, dhe ekipet që garuat?

Në periudhën e viteve 1978-1995 unë garova me Lokomotivën, e cila pas vitit 1990 u quajt Teuta e Durrësit. Në këtë periudhë garimi kishte pjesëmarrje të madhe të notareve femra në Durrës, çka solli edhe një zhvillim të madh të notit durrsak.

Në kujtesën tuaj, cili ka qënë trajneri i parë, dhe a mbeti ai një shembull për rezultatet tuaja?

Trajneri im i parë ka qënë Kristaq Bekridheli me pionieret. Më pas me Bardhyl Çikalleshin, i cili më përcaktoi edhe stilin ku unë duhet të garoja si delfiniste. Për të vazhduar me Dino Kurani dhe Koço Afezollin, të gjithë mjeshtra të trajningut.

Si e kujtoni thyerjen e rekordit të parë kombëtar që keni thyer në karrierën tuaj, në pishinë apo në det?

Rekordin e parë e kam thyer kur garoja me të rejat e Lokomotivës. Në garat e 50 m e 100 m Delfin, në pishinën e Durrësit, sot pishina “Taq Dafa”. Sepse kampionatet e notit atëhere zhvilloheshin kryesisht në pishinën tonë në Durrës.

Keni garuar në Stilin Delfin, Katërnotim dhe në stafeta, cilat ishin rivalet tuaja në gara dhe në rekordet kombëtare?

Kujtoj se me pionieret unë nuk kishte rivalë, si dhe nga viti 1986 nuk kam pasur konkurrente në garat e stilit Delfin. Ndërsa në katërnotim ishte notarja Elida Xhindi ku rivalizonim njëra-tjetrën, në Delfin unë isha absolute pa rivalë të fortë.

Po me Kombëtaren e Notit, si i kishte marrëdhëniet Gentiana Bleta në periudhën e karrierës si notare e elitës?

Në grumbullimin tim të parë me Kombëtaren, kemi qënë në Vlorë me trajner Pavllo Kisi. Ndërsa në vitin 1991 kam qënë në Selanik në Mitingun Ndërkombëtar të Seres. Në 50 m e 100 m Delfin, aty përmirësova rekordin kombëtar në 200 m Delfin.

Ju garuat në një periudhë rreth 20 vjeçare, si erdhi ky largim në një moshë shumë të re?

Largimi im nga Noti erdhi për arsye të ndryshme. Pas vitit 1991, nga Durrësi u larguan shumë notarë e notare, ndërsa unë mbeta si e vetme, në pamundësi stërvitore të përbashkët. Por edhe problemet e tjera e sollën këtë largim.

Pas vitit 1991, në cilat gara ndërkombëtare keni marrë pjesë, dhe cila ka qënë paraqitja juaj?

Në vitin 1991 kam garuar në Lojrat Mesdhetare në Athinë, ku në stilin Delfin unë përmirësova rekordin kombëtar në 100 m. Po atë vit kam marrë pjesë në Maratonën Europiane 16 km në Starigrad të Kroacisë, me pjesëmarrjen e më shumë se 20 shteteve. Aty u rendita në vëndin e 4-ët.

Keni garuar në det të hapur, pishinë dhe në maratonë, ku e keni patur më të lehtë garimin?

Nuk kam patur vështirësi kudo ku garoja, dhe si durrsake në ujrat e ëmbla unë nuk kam patur problem, po ashtu edhe ne det. Atëhere e them me pak vështirësi, pasi   edhe kushte të mira notimi nuk kishim, ndërsa unë mundohesha të përshtatesha.

Në mamorrien tuaj, si mbahet mënd gara e fundit që keni bërë si notare e elitës?

Gara e fundit ka qënë Kampionati Kombëtar në pishinën e Akuadromit të Tiranës, në vitin 1993. Unë garova edhe në 100 m Bretkocë dhe zura vëndin e parë, ndërsa në Delfin garova në 100 m. Dhe këto ishin garat e fundit në karrierën time.

Në kohën kur ju keni garuar, si ka qënë infrastruktura në sportin e notit?

Ishte një infrastrukturë shumë e varfër, kryesisht pas vitit 1990 ku gjithçka në sportin e notit sikur u shpërbë, edhe pse çdo qytet ka bërë të pamundurën që ato ti mbanin në funksion. Ndërmjet pishinës dhe detit, kishte ndryshime në garim.

Po numrin e rekordeve kombëtare që keni thyer gjatë karrierës, mundet ta kujtoni?

Janë shumë rekorde kombëtare në memorrjen time, por të gjitha vijnë si të “gjalla”. Numri i tyre është i lartë, të cilat them se janë dyshifrorë. Përpos numrit, do të thoja se rekordet kombëtare vinin si shpërblim i punës sime stërvitore.

Pasi u larguat nga aktiviteti si notare, e ndoqët ritmikën e garave të notit në Shqipëri?

Pak ose aspak me notin në Shqipëri, sepse unë u largova në Itali në vitin 1996. Në vitin 2000, në shtetin italian bëra një kurs për shpëtimin në pishina, dhe më pas, bëra Kursin e FINA-s për Primo Nivello. Me notin shqiptar mbaj kontakte.

Duke qënë vetëm një ish-notare që nuk jeni marrë me trajningun e notit, si jeni ndjerrë?

Në Itali, gradualisht e ushtrova edhe mësimdhënien me të gjitha moshat dhe njerëzit në nevojë. E kam ushtruar këtë deri në vitin 2007, ku në pishinë kam trajnuar me qindra individë të moshave e profesioneve të ndryshme.

Në këtë moshë që jeni sot, përpos problematikave të tjera që sjell jeta, e keni dëshirën që të trajnoni një ekip noti?

Dëshira është e madhe, bashkë me pasionin dhe nostalgjinë. Brënda vetes është kasaforta që mban shumë e shumë mbresa e kujtime nga karriera ime 20 vjeçare. Por unë i jam përshtatur kushteve ku jetoj dhe punoj, këtu në Modena të Italisë.

Në Shqipëri ka disa vite që funksionon Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit, ju si e vlerësoni?

Është diçka e bukur kjo Shoqatë, edhe pse nuk kam patur mundësinë të jem në  veprimtaritë e saj, pasi më kanë njoftuar disa here. Këtu në Itali janë në kufizuara pushimet, apo largimet. Por shoqata sjell nostalgjinë e viteve të karrierës sonë. Kam shumë dëshirë të jem përsëri e të garoj edhe një Maratonë në Shqipëri.

Në vitin 1978 ka qënë përfaqësimi im i parë në garën e Pionierëve në pishinën e Elbasanit. Gjatë garave nuk kam patur ndonjë problem,edhe në ujrat e ëmbla, por edhe në det kisha lirshmëri. Gara e fundit ka qënë Kampionati Kombëtar në pishinën e Akuadromit të Tiranës, në vitin 1993 . Sot, brënda vetes është kasaforta që mban shumë mbresa e kujtime nga karriera ime 20 vjeçare

Në Spartakiadën e 5-të Kombëtare me 5 Medalje të Arta

Gjatë bisedës me Gentiana Bletën, nuk mund të anashkalohej edhe një tjetër fakt. Në Spartakiadën e 5-të Kombëtare në vitin 1984, ku edhe ka thyer 5 rekorde kombëtare. “E kujtoj me nostalgji atë Spartakiadën e 5-të Kombëtare, ku unë garova në garat e Delfinit, por edhe në stafeta. Së bashku me ekipin e Femrave të Lokomotivës, kemi marrë 5 medalje të Arta në këtë Spartakiadë. Unë thyeva edhe rekordin kombëtar në 200 m Delfin”, kështu e kujton Gentiana këtë veprimtari kombëtare. Nga viti 1959 e deri në vitin 1984, në Shqipëri janë zhvilluar 5 Spartakiada sportive Kombëtare.

 

Mimoza Xhoi

Gentiana mbetet krenaria e notit në Durrës, e gjithë Shqipërinë

Mimoza Xhoi është një nga notaret e Lokomotivës, e cila së bashku me koleget e tjera, mes tyre edhe Gentiana Bleta, kanë shkruar histori positive në notin durrsak dhe atë shqiptar. Për Gentianën, Mimoza shpreh konsideratat më të mira, si notare, por edhe si një vajzë dhe shoqe e mirë. “Unë për Gentianën kam fjalët më të mira si shoqe, si notare, por edhe si një kolege shumë e kulturuar, sepse kemi qënë të pa ndara me njëra-tjetrën. Për notin, Gentiana ishte si një “kafshë”, e bënte stilin Delfin me shkathtësi e shpejtësi të admirueshme. Ajo e kishte pasion notin dhe kërkonte gjithmonë rezultate të mira. Kur bënim garë, Gentiana dukej sikur nuk kishte kundërshtarë, kryesisht kur ajo garoi me të rejat e të rrirurat e Lokomotivës. Kur hynte në garë, ajo ishte fituese, ndërkohë që në jetë ishte edhe një vajzë e shkëlqyer. Gentiana mbetet krenaria e notit në Durrës e gjithë Shqipërinë”.

1

Gara më e mirë

Gjatë karrierës sime si notare, unë kujtoj se kisha shumë gara të mira, si kampione dhe rekordmene. Por në Maratonën 26 km që u zhvillua në Ohër në vitin 1993 ku morrën pjesë shumë maratonistë nga Ballkani, për femra arrita renditjen më të mirë.

2

Gara më e dobët

Në garat që kam zhvilluar në pishina, liqen e det, në njërën prej tyre kam ndjerrë shumë vështirësi. Ka qënë në pishinën e Shkodrës, ku mendoj se uji i nxehtë më bllokoi në frymëmarrje. Gjithsesi, garova në stilin Delfin dhe e vetme në garën e femrave.

 

KONSIDERATA DHE VLERËSIME NGA ISH-KAMPIONË

VJOLLCA SPAHIU, ISH TRAJNERE E LOKOMOTIVËS

Gentiana ishte notarja që mposhti çdo vështirësi në stërvitje e gara

Një nga trajneret e para të Gentiana Bletës, është edhe Vjollca Spahiu. Në vlerësimin e saj, zonja Spahiu tregon se që në rininë e saj në sportin e Notit, Gentiana tregoi vlerësim e përkushtim, nga stërvitja në gara. “Unë kam qënë trajnere e ekipit të të Rejave dhe të Rriturave të Lokomotivës, sot Teuta e Durrësit. Në këto ekipe kam trajnuar edhe Gentiana Bletën, e cila punonte shumë në seancat stërvitore në çdo stinë, si dhe dallohej për përkushtimin e saj. Nuk kujtoj asnjë rast që Gentiana të tërhiqej nga vështirësitë përgatitore, dhe çdo gjë e që e bënte në stërvitje, e transmetonte edhe në gara, ku ishte një kampione e padiskutuar, fillimisht në Stilin Delfin, dhe më pas u kthye në një maratoniste e ujit, edhe aty kampione. Në ditët që kishim garat, kryesisht gjatë muajve të verës, ajo edhe në shtëpi nuk shkonte për të pushuar, kishte shumë emocion. Por Gentiana dhe familja e saj ishin notarë të shquar, ndërsa ajo ishte e talentuar në këtë sport, ku prioritet kishte stilin Delfin. Ishte një vajzë e edukuar dhe me kurajo, e veçantë në të gjitha aspektet”.

 

SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH

Gentiana notonte shumë bukur delfinin, spikati në shkallë kombëtare

Edhe për Mjeshtrin e Madh, Sadik Mema, ish-notarja e Lokomotivës e më pas Teutës, si edhe e Kombëtares, Gentiana Bleta, ka shkruar histori në notin shqiptar. “Njohja ime me Gentiana Bletën është që në vogëlinë e saj. E kujtoj si një fëmijë të jashtzakonshëm që nonote Delfin dhe spikaste tek të gjitha femrat, sepse bënte një mënyrë notimi shumë ndryshe nga paraardhëset e saj. E notonte shumë bukur delfinin, dhe me kalimin e kohës spikati në shkallë kombëtare, njëherësh ishte e pa diskutueshme në Delfin e Katërnotim. E kam njohur shumë mirë Gentianën në vitet 1993-1994 kur ajo morri pjesë në Maratonën e Ohrit, së bashku me Ronilda Petrela, Anila Egërçi dhe Pano Xhixhon, që kaluan 26 km me not, për herë të parë nga notarët shqiptarë. Ka qënë pjesëmarrëse edhe në Maratonën e Starigradit në Kroaci, ku edhe aty, të katërt notuan Maratonën 16 km në det. Për gjithçka që ajo ka lënë në sportin e Notit në Shqipëri, ruaj respekt për Gentianën, por edhe për vëllain e saj Dritan Bleta, si notarët që i dhanë ngritje nivelit të notit në Durrës dhe atij kombëtar”.

 

CV Sportive

GENTIANA BLETA

Datëlindja: 9 dhjetor 1970

Vendlindja: Durrës

Vendbanimi: Itali-Durrës

Arsimi: Shkolla e Masme e Përgjithme “Gjergj Kastrioti” Durrës

Profesioni: Teknike në repartin e biskotave

Sporti që ka ushtruar: Notin

Stili i preferuar në gara: Stili Delfin, Stil i Lirë dhe Katërnotim.

Starti i karrierës: Në vitin 1978 te Currilat me Pionieret e Lokomotivës.

Gara e parë: Në pishinën e Elbasanit në vitin 1979.

Skuadra e parë elitare në karrierë: Me Lokomotivën në vitin 1979 .

Gara e parë kombëtare në karrierë me të Rriturat: Në vitin 1985 në 100 m dhe 200 m Stil Delfin dhe në Katërnotim.

Rekordi i parë kombëtar: Në vitin 1983 në garën 50 m Stil Delfin.

Gara e fundit kombëtare në karrierë: Në vitin 1993, Maratona e Ohrit 26 km.

Rekordi i fundit kombëtar: Në vitin 1991 në Lojrat Mesdhetare në Athinë.

Me Kombëtaren: Në vitin 1986-1987 dhe në vitet 1990-1993.

Fituese në garat: Në të gjitha garat e Stil Delfin kampione dhe rekordmene.

Kohëzgjatja e karrierës: Në vitet 1978-1995

Tituj e trofe si notare: Mjeshtre e Sportit; Tre herë fituese e Anketës Sportive “10 Sportistët më të mirë të Durrësit.”

Të tjera me sportin: Në Itali, Kursi i nivelit të Lartë FINA “Primo Grado”, kurs si vëzhgues në pishinë publike.

Aktualisht: Në Itali, Operatore Soçhe Sanitary

Maratonat e notit, “dashuaria” e Gentianës

Jo vetëm notare në pishinë, por Gentiana Bleta ka qënë edhe një maratoniste e ujit. Ajo tregon se në karrierën e saj ka marrë pjesë në disa maratona, në Shqipëri dhe Europë. “Kam garuar fillimisht në Maratonën Karaburun-Vlorë 12 km, ku nga Karaburuni e përfunduam në plazh, në vitin 1987. Unë për femra kisha renditje të mirë. Në vitin 1989 garova në Maratonën Dimërore në pishinën 25 m në Shkodër, ku rivale kisha vetëm Vasilika Bejo. E nisa maratonën me shumë ritëm dhe e munda Vasilikën, me një adrenalinë gare nga starti deri në fund. Po këtë vit (1989), kam marrë pjesë edhe në Maratonën 10 km e zhvilluar në Liqenin e Kukësit, ku për femra u rendita në vëndin e parë. E veçantë ka qënë edhe Maratona në Liqenin e Ulzës në vitin 1990, ku në 15 km kam garuar me shumë ritëm duke e fituar nga femrat. Ndërsa në vitin 1993, kam garuar te Maratona e Ohrit 26 km, dhe po atë vit garova në Maratonën e Starigradit në Kroaci në 16 km në det, ku edhe aty u rendita në vëndet e kreut për femrat”. Ndaj Gentiana duket e “dashuruar| me maratonën e notit.