Gentian Begeja: Cilësinë në futboll nuk rrit skema, por futbollistët e trajnerët

34
Sigal

INTERVISTA/ Specialisti i futbollit Gentian Begeja analizon rrugëtimin e Superiores që u mbyll

 

Agron KAJA

Jeni një ish-futbollist dhe ish-trajner në Superiore, si ndjeheni sot kur futbolli  shqiptar ka marrë pushimet?

Është një periudhë që varet nga skuadrat si e ndërtojnë programin e tyre. Në përgjithësi, kjo është periudhë e dmosdoshme pushimi, ndërkohë që stafet punojnë për merkaton, për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ri.

Ndeshjet finale të Kampionatit Europian U17 “Shqipëria 2025”, e kanë plotësuar këtë boshllëk?

Besoj se po, sepse është një event që për Shqipërinë si vënd i vogël është kënaqësi. Ndoshta këtu në rinjtë e futbollit shqiptar duhet të kenë parë diçka për t’u motivuar, sepse është edhe reklamë shumë e mirë për futbollin në vëndin tonë.

Po rrugëtimin e skuadrave të Abissnet Superiore për sezonin që u mbyll, si e përshkruani?

Unë mendoj se të gjitha skuadrat kanë marrë atë që kanë merituar në kampionat. Sigurisht që Egnatia e meritoi titullin kampion, ndërsa luftë e fortë ishte në fundin e tabelës. Me keqardhje për Laçin e Skënderbeun, por ishte kampionat i fortë.

Skema “Final 4” që u aplikua edhe në këtë sezon, është skemë e vlefshme për futbollin shqiptar?

Me thënë të drejtën, unë mendoj se nuk e rrit skema cilësinë e futbollit, por atë e risin skuadrat, futbollistët e trajnerët e tyre. Do thoja se nuk ndikoi skema në ecurinë e skuadrave në renditje, ndaj them se ishte e papërfillshme.

Po ndeshjet e “Final 4”, çfarë risie i dhanë Superiores shqiptare?

Unë prisja më tepër në këto ndeshje nga Vllaznia e Dinamo, ndërsa te Partizani them se nuk prisja ndonjë risi, pasi bëri shumë ndryshime në merkaton e janarit. Gjithsesi, Egnatia ishte skuadra më e mirë, e mirëorganizuar dhe me vizion.

Në cilën fazë të tij kampionati i Superiores ishte më interesant, apo edhe me rival mes skuadrave?

Unë mendoj se kampionati i Superiores u bë më interesant nga skuadrat që luftuan për mbijetesë, sepse skuadrat e “Final 4” u vendosën që në fazën e dytë, edhe pse Elbasani e bëri më të fortë luftën. Pra, në fund ishin ndeshjet më reale, më të luftuara mes Teutës, Bylisit, Skënderbeut e Laçit.

Po tifozeria shqiptare, ka marrë “mungesë me arsye” në shkallët e stadiumit në sezonin që u mbyll?

Mungesa e tifozerisë është komplekse, sepse ka disa faktorë. Së pari, është cilësia e dobët e kampionatit, edhe pse infrastruktura ka ndryshime të dukshme. Por që këtu në Shqipëri, futbolli duket si në dorë të dytë për jetesën jo të mirë të qytetarëve.

Po largimet e trajnerëve gjatë zhvillimit të garës së këtij sezoni, sa ndikuan në skuadra?

Largimet e trajnerëve janë bërë si një sëmundje e keqe, sepse largohen trajnerët pa asnjë rregull e respekt për punën e tyre. Nuk ka objektiva afatgjatë, e këtu bëri mirë Egnatia, e cila i qëndroi besnik trajnerit. Largimet varen edhe nga vizioni i drejtuesve.

Ishin arbitrat dhe VAR faktorë në ndeshjet e Superiores, apo kishte përmirësim në gjykimet e tyre?

Me bindje të plotë e them se, arbitrat kanë përmirësime të dukshme në gjykimet e tyre, ndoshta edhe falë punës së FSHF-së dhe VAR-it. Ka qënë një sezon me notë pozitive për ta, pasi janë bërë më profesionista, pa përjashtuar edhe gabimet e tyre njerëzore.

Egnatia, Vllaznia, Dinamo City e Partizani do luajnë në Europë, çfarë duhet të përmirësojnë për paraqitje më dinjitoze nga sezoni i kaluar?

E para, që të kesh ecuri të mirë në Europë, duhet të konsolidosh skuadrën me një plan afatgjatë. Ndryshe nuk ka shance të konkurrosh me Europën. Nga skuadrat tona e shoh të vështirë kalimin e turit të parë, duke përjashtuar Egnatian.

Vllaznia e do në Shkodër, Nikaj “peng” për 100 mijë euro

Ardit Nikaj mund të jetë një nga afrimet e Vllaznisë në merkaton e verës. Nikaj do të largohet nga Skënderbeu, skuadër e cila ka rënë në Kategorinë e Parë dhe mund të rikthehet në vendlindje. 23-vjeçari shkodran pëlqehet shumë nga kuqeblutë, të cilët po përgatisin ofensivën për ta afruar në verë. Skënderbeu kërkon të paktën 100 mijë euro për kartonin e tij dhe mbetet të shihet nëse Vllaznia do e paguajë këtë shumë, apo do të tentojë një huazim.

ABISSNET SUPERIORE

    VERDIKTET

SEZONI 2024-2025

Kampione                      Egnatia

N/Kampione              Vllaznia

Kryegolashënues

Bekim Balaj                19 gola

Dinamo                       Kupën

Luajnë në Europë

Egnatia, Vllaznia,

Partizani, Dinamo City

Zbritën në Kat. e Parë

Skënderbeu dhe Laçi

U ngjitën në Superiore

Vora dhe Flamurtari

    SEZONI 2025-2026

Skuadrat pjesëmarrëse

1.Egnatia                     Rrogozhinë

2.Vllaznia                    Shkodër

3.Partizani                   Tiranë

4.Dinamo City             Tiranë

5.AF Elbasani              Elbasan

6.Teuta                        Durrës

7.Bylis                         Ballsh

8.Tirana                       Tiranë

9.Vora                         Vorë

Taipi dhe Osmanllari e mbyllin rrugëtimin me Partizanin

Të dielën ishte mesfushori Gjelbërim Taipi, ndërsa të hënën mbrojtësi Anteo Osmanllari, të cilët e mbyllën me skuadrën e Partizanit në Abissnet Superiore. Skuadra e kuqe e mbylli sezonin e Abissnet Superiore 2024-2025 në vëndin e 4-t, por edhe në fazën “Final 4” kjo skuadër zhgënjeu me rezultatet e saj, duke sjellë për pasojë edhe disa largime, të cilat duke iu bashkuar edhe ato gjatë muajit janar, kapin shifrat e një skuadre të plotë. Taipi konsiderohej lider i mesfushës në disa ndeshje, ndërsa pas përfundimit të kontratës palët nuk kanë preferuar vazhdimin e saj. Mesfushori u afrua te të kuqtë në verën e vitit 2023, pasi kishte mbyllur bashkëpunimin me Kukësin. 32-vjeçari luajti në 81 ndeshje gjatë kësaj kohe duke shënuar 3 gola dhe asistuar 6 të tjerë. Ndërsa mbrojtësi Anteo Osmanllari erdhi te Partizani një sezon më parë, pasi ishte në përbërje të skuadrës së Erzenit në Superiore, por pa lënë gjurmë te “demat” e këtij sezoni në vetëm 8 ndeshje.

Redon Xhixha i “shkel” syrin Tiranës, mendohet goditja e verës

Pasi dështoi në sezonin e kaluar në Abissnet Superiore, madje duke rrezikuar edhe mbijetesën, Tirana kërkon që të riparojë problemet që ka në skuadër duke menduar që t’i shtojë grupit aktual futbollistë cilësorë. Prej javësh drejtuesit janë duke planifikuar afrimin e lojtarëve, të cilët edhe e njohin kampionatin shqiptar, por që të jenë edhe “gjahtarë” të golit. Në skenë ka dalë sulmuesi Redon Xhixha, i cili e mbylli si kampion me skuadrën Karabak në Azerbaixhan. Lëvizja e Xhixhës mund të jetë në një kohë me lëvizje të tjera në skuadër, siç është shitja e Ualid Zharmunit. Futbollisti mund të shkojë në një ekip tjetër dhe kjo do të sillte jo vetëm paratë, por edhe afrimin e Redon Xhixhës. Gjatë janarit, Xhixha u përfol për të veshur fanellën e Tiranës, Partizanit, Egnatias dhe Elbasanit, ku bardheblutë i ofruan 50 mijë euro, por ai nuk pranoi që të transferohej në Shqipëri. Xhixha ka shënuar 5 gola në 21 ndeshje gjatë këtij sezoni, duke qenë në fushë 729 minuta.