Flet për “Telegraf” ish-mesfushori i Kombëtares Eduard Zhupa: Hamburgu e vërtetoi dinjitetin, barazim me shpirt e shpresë

“EURO 2024”/ Shqipëria luajti dje ndeshjen e dytë në Europian, për “Telegraf” flet ish-mesfushori i Kombëtares Eduard Zhupa analizon barazimin: I zhgënjyer me sulmin

 

Agron KAJA

Dje ishte një ëndërr e bukur vere, ku qeshëm, qamë dhe barazuam. Shpresat mbeten të gjalla për kualifikim. Rregullorja e UEFA-s që kualifikon 6 skuadrat e treta më të mira na jep guximin që ndaj Spanjës të realizojmë ëndrrën

Sigal

Dje e mbyllëm ndeshjen e dytë në këtë Europian me barazim 2-2, si e përshkruani atmosferën?

Ka qënë një atmosferë e shkëlqyer në stadiumin e Dortmundin, si në fushë ashtu edhe në shkallët e stadiumit. Kombëtarja jonë tregoi karakter e shpirt gare, edhe pse u ndëshkua me një autogol. Do thoja se meritonimin më shumë, fitoren.

Udhëhoqëm për 72 minuta dhe u shkujdesëm në mbrojtje, kështu ishte situata te goli i barazimit?

Barazimi 1-1 ishte një rast që mbetet si pjesë e lojës. Por do thoja se ishte një situatë normale në një ndeshje si kjo, me atë ngarkesë emocionale. Duhet të jemi të sinqertë me veten, sepse kishim përballë një skuadër shumë të fortë, me emra të mëdhenj.

Avantazhi i kroatëve erdhi me autogolin e Gjasulës, mos ndoshta zëvendësimi i Silvinjos nuk duhet të bëhej?

Me presionin që po bënte Kroacia, zëvendësimi i Gjasulës ishte normal, unë nuk e quaj mangësi të trajnnerit. Por fati nuk ishte për Gjasulën, i cili rikuperoi me shënimin e golit. Ai bëri gjithçka me eksperiencën që ka, duke i dhënë impuls skuadrës.

Gjasula bëri protagonistin edhe me golin e barazimit, ishte sulmi faktor negativ në këtë pikë?

Manaj si sulmues luajti shumë mirë dhe i mbajti në tonus mbrojtësit kroatë. Zëvendësimet që bëri Silvinjo ishin efikase, por duhet që të ishin bërë më shpejt, sepse do kishim më shumë kohë dhe mundet të fitonim me freskinë fizike të zëvendësuesve.

Ku mendoni se çaloi loja e Kombëtares sonë në përballjen e djeshme me Kroacinë?

Mendoj më shumë se është një ndeshje pozitive dhe me karakter, sepse luajtëm me një kundërshtar që është më lart nga ne. Kombi ynë merr bonuse të mëdha me këtë performancë dhe të thuash se çaluam, nuk është fjala e duhur.

Pse u mbajt Broja në stol në përballjen e djeshme, ku ka menduar trajneri ta përdorë?

Kjo ishte një zgjidhje taktike e trajnerit, duke ndryshuar sistemin e lojës në 1-4-3-3. Dhe rezultoi efikas, kryesisht në pjesën e parë, ndërsa po të ishin më të qetë e të kujdesshëm në minutat e tjera, e kishim mbyllur që në pjesën e parë.

Portieri kroat e shpëtoi skuadrën e tij nga humbja.

Çfarë mund ti thotë ky barazim tifozerisë kuqezi, që edhe dje në Hamburg ishte e magjishme?

Unë mendoj se ky barazim i ka thënë shumë Europës së futbollit. Së pari i ka dhënë bindjen se ishte një skuadër dinjitoze, nuk kishte ardhur në Europian për të kaluar kohën. Shanset për fitoren i kishim, por fatin jo! Kjo është mangësia e vetme.

Kemi ndeshje e fundit me Spanjën, nisur nga Rregullorja që kualifikon 6 skuadrat e treta më të mira, kemi shpresë për kualifikim?

Po, kemi shpresë dhe shanset janë, duke ju referuar Rregullores së UEFA-s që përcakton 6 skuadrat e treta më të mira të kualifikuara. Do luajmë me Spanjën ku nuk kemi se çfarë të humbasim, edhe pse është një skuadër e madhe. Nuk do jetë ëndërr.

SKEDA E NDESHJES

E mërkurë 19 qershor 2024, ora 15:00 në stadiumin “Volksparkstadion” të Hamburgut

KROACI-SHQIPËRI 2-2

Shënues: Kramariç74’/ Laçi 11’, Gjasula (Aut) 76’, Gjasula 90+3’

Kroacia (1-4-3-3): Livakoviç; Juranoviç, Sutalo, Gvardiol, Perisiç (Sosa 84’); Modriç, Brozoviç (Pasaliç 46’), Kovaçiç; Kramariç (Buturina 84’), Petkoviç (Budimir 69’), Majer (Suçiç 46’). Trajner: Zllatko Daliç

Shqipëria (1-4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Ramadani (Hoxha 85’), Asllani, Laçi (Gjasula 73’); Bajrami, Asani (Seferi 64’); Manaj (Daku 85’). Trajner: Silvinjo

Arbitrat: Kryesor: Fransua Leteksie; Asistentë: Kuril Mugnier dhe Mehdi Rahmonui (Francë); Asistent i katërt: Sandro Sharer (Zvicër). Arbitër në VAR: Vili Delajod (Francë)

Kartonë të verdhë: Ivusiç 87’ (tr) / Hysaj 76’, Daku 90+4’, Gjasula 90+6’

Kartonë të kuq: Nuk ka

Shikues: 47 mijë

Pas Italisë, Shqipëria merr gjobë 37,375 euro

Një ditë para ndeshjes me Kroacinë, Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka vendosur të gjobisë FSHF-në me shumën 37,375 euro, për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes së parë në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” ndaj Italisë, Grupi B, e cila u luajt në stadiumin e Dortmundit më 15 qershor 2024. Penalizimi financiar erdhi pas problematikave tëe shkaktuara nga disa tifozë shqiptarë që ndezën flakadanë gjatë ndeshjes, hodhën sende në fushë, transmetuan mesazhe të papërshtatshme në këtë ngjarje të madhe sportive për ekipin tonë kombëtar, si edhe për ndërprerjen e ndeshjes nga një tifoz gjatë pjesës së dytë të lojës.