Flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi kuqezi, Faruk Sejdini: Me Kroacinë humbëm dy pikë, me Spanjën t’i marrim tri pikët

44

“EURO 2024”/ Shqipëria ka mbyllur dy ndeshjet e para në Grupin B me 1 pikë, kuqezinjtë i luajnë të gjitha ndaj Spanjës. Flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi kuqezi, Faruk Sejdini

Sigal

 

Agron KAJA

Edhe Gjasula hyn në historinë e Europianëve. Është i vetmi lojtar shqiptar i futur nga stoli që ka realizuar autogol dhe gol, ka marrë KV. Më parë, Nedim Bajrami hyri në historinë e Europianëve me golin më të shpejtë në histori, të shënuar kundër Italisë në sekondën e 23-të.

Dy ndeshjet e para në Grupin B në këtë Europian, i mbyllëm me 1 pikë në vëndin e 3-të, kishim mundësi për më shumë?

Në rast se do ta fillojmë që nga shorti, është e natyrshme të mos e mendonim një përfaqësim më të mirë, dhe shpresat për kualifikim të ishin të vështira. Por t’i referohemi realitetit, kishim mundësi për më shumë pikë. Mundësitë na u krijuan.

Nga Italia te Kroacia, në cilën prej këtyre sfidave meritonim fitoren?

Unë mendoj se Italisë, me pak kujdes dhe me besim në vetvehte i merrnim 1 pikë, ndërsa Kroacisë duhet t’i merrnim të tre pikët. Sepse futbollistët tanë zhvilluan një lojë shumë të mirë ndaj një ekipi me individualitet cilësorë që luajnë në skuadra të mëdha në Europë.

Si me Italinë, ashtu edhe me Kroacinë, shënuam të parët dhe pësuam nga dy gola, çfarë tregon kjo për skuadrën tonë?

Gjithë zhurma bëhej tek sulmi te Broja, Daku apo Manaj me Hoxhën. Por i mëshuam sulmit dhe skuadra në sulm e justifikoi, ku shënuam kundër Italisë dhe kundër Kroacisë. Te Hysaj, Silvinjo u tregua i pjekur si trajner me horizont e respekt ndaj lojtarit.

Specialistë të ndryshëm, por edhe mediat kombëtare e ndërkombëtare, kanë kritikuar zëvendësimet e vonuara nga Silvinjo, ju si mendoni?

Silvinjo ende nuk e ka eksperiencën e duhur për Europianë. Është trajner  pasionant, por ka edhe ai mangësitë e tij. Nëse do tregoheshim më pragmatistë me Kroacinë, i merrnim tre pikët. Trajneri duhet ta freskonte më shpejt skuadrën, ky është konkluzion im.

Tashmë jemi një skuadër me individë që kapën rekorde në historinë e Europianëve, e vlerësoni këtë si një tregues pozitiv të historisë sonë?

Dakord jam për rekordet, sepse ato janë shumë të mira dhe mbeten në histori. Por mua këto nuk më interesojnë për momentin sepse janë për statistika. Më shumë na duhet realiteti i skuadrës në fushën e lojës, dua që Kombëtarja të fitojë dhe të kualifikohet.

Sfida me Spanjën është e fundit në Grupin B, nisur nga rregullorja e UEFA-s, e kemi mundësinë ta shpresojmë kualifikimin?

Problemi është se Rregullorja nuk thotë se do futemi në fushë vetëm për 1 pikë. Por më shumë na hapet mundësia e një kualifikimi, dhe ne duhet të bëjmë maksimumin, edhe pse është shumë e vështirë me Spanjën, e cila fitoi edhe me Italinë.

Si e mendoni formacionin anti-Spanjë, me Manajn e Brojën bashkë në vijën e sulmit, apo keni tjetër mendim?

Unë të them të drejtën jam për Hoxhën edhe Manaj, ose Hoxhën me Dakun, dhe pastaj pjesa tjetër të organizohet. Me një sulmues në krye të sulmit, skuadra jonë e ka patur të vështirë të organizohet në dy ndeshjet e para dhe një dyshe e tillë në sulm bëhet më efikase.

Referuar renditjeve në të gjitha grupet kualifikuese, ku mendoni se mund të ketë surpriza pas ndeshjeve të treta?

Situatat janë bërë shumë interesante në të gjitha grupet, dhe le të kujtojmë vetëm  Belgjikën që në ndeshjen e parë humbi me Sllovakinë. Të gjitha këto sfidat në grupe mbetet ndeshje më shumë të paparashikueshme. Surprizat vijnë gjatë lojës.

Një parashikim për fituesin e këtij Europiani, mund të shprehni për gazetën “Telegraf”?

Unë jam se, midis Gjermanisë e Spanjës mundet të ndahet fituesi i këtij Kampionati Europian. Gjithsesi, duhet të presim të mbyllen të gjitha ndeshjet në grupe, pastaj mundet të kemi një mendim të përafërt, por që mbetet një prognozë personale.

Mundësitë për kualifikim

Në Grupin B kualifikues të Kampionatit Europian “Gjermani 2024” janë luajtur dy ndeshjet e para, të hënën luhen ndeshjet e treta e të fundit në këtë grup. Shqipëria ka bilancin: 1 humbje, 1 barazim, golat 3-4, renditet në vëndin e 3-të me 1 pikë. Me Rregulloren e UEFA-s, ku mes 6 skuadrave të treta kualifikohen 4 më të mirat, kjo është mundësia e vetme e Shqipërisë, edhe nëse barazon me Spanjën. Në rast fitore me spanjollët, kualifikohet nëse barazojnë Itali-Kroaci, ose fitojnë kroatët.