Flet për “Telegraf” ish-kapiteni kuqezi, Kreshnik Çipi: Silvinjo nuk ka bërë progres, sot pres një rezultat pozitiv

INTERVISTA/ Nga Çekia te Gjeorgjia, flet për “Telegraf” ish-kapiteni kuqezi, Kreshnik Çipi

 

Agron KAJA

Sigal

E premtja e 11 tetorit, mund të quhet figurativisht edhe “E premtja e zezë” e Kombëtares?

Në opinionin tim, luajtëm me një ekip që nuk e kemi quajtur të fortë, por them se ata janë me një kampionat të fortë që te ne mungon. Kështu që lojtarët e tyre kishin edhe titullarë që luajnë në Premier Ligë dhe ishin maksimalisht të angazhuar.

Në këndvështrimin tuaj si ish-futbollist kuqezi, e kishit pritur një humbje të tillë të Kombëtares sonë në Çeki?

Jo, nuk e mendoja një kombëtare kaq naïve në Çeki. Ata që në start e zeruan distancën me kundërshtarin, ishin shumë luftarakë, por iu dha një mbështetje nga arbitri. Këtë e pashë në raport me faullat e njëjtë që i jepte skuadrës sonë.

Mendoni se përbërja e futbollistëve tanë dhe trajneri, në raport me Çekinë treguan diferenca?

Një kampionat i mirë në Shqipëri hedh bazat e një ekipi kombëtar, këtë e kishte Çekia. Ne duhet të kishim më shumë produkt vëndas, dhe kështu Silvinjo kërkon më shumë kohë që ta ndërtojë një skuadër të mirë. Por ai nuk ka bërë progres, e kam me dyshim.

 

Ku mendoni se Kombëtarja jonë nuk tregoi vlera: në mbrojtje, në mesfushoshë apo në sulm?

Nuk mendoj se pse Silvinjo luan ende me Hysajn që nuk ka skuadër! Fatkeqësisht këtë herë dy mbrojtësit e krahut ishin shumë dobët dhe repartet e tjera ishin problematikë. Ramadani dhe Asllani nuk u panë në fushë, Daku ishte i pa orientuar me lojën.

Si funksionoi organizimi i skuadrës sonë në raport me presionin që ushtroi skuadra çeke që në start?

Dobët! Daku ishte një dështim në sulm, ku në të gjitha topat që morri nuk krijoi situatë të favorshme. Silvinjo duhet të reagonte dhe në mesfushë, se sulm thuajse nuk kishim fare. Ishte një ndeshje e dobët dhe e shpërfytyruar te skuadra jonë.

Ju mendoni se Silvinjo, duhet të ndërhynte që në pjesën e parë me ndonjë ndryshim taktik, apo edhe të ndonjë futbollisti?

Sigurisht që duheshin bërë ndryshime taktike që në pjesën e parë, edhe pse çekët nuk kishin ndryshuar taktikë. Ata më shumë bënë presion fizik e psikologjik, dhe Silvinjo këtë duhet të bënte që ti kundërvinte vlerat e skuadrës sonë. Nuk kuptova pse hezitoi!

Koha është e shkurtër, po ju çfarë mendoni se duhet të ndryshojë trajneri ynë për ndeshjen në Gjeorgji?

Për mendimin tim, sot ndaj Gjeorgjisë duhen bërë ndryshime në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe në vijën e sulmit. Sepse nëse nuk arrijmë rezultat pozitiv, nuk qëndrojmë në garë. Edhe barazimi na bën punë, por edhe të ruajmë dinjitetin tonë.

Bilanci negativ që kemi me gjeorgjianët, do ndikojë në psikologjinë e lojës te Kombëtarja jonë?

Kjo ka të bëjë me lojtarët. Ata luajnë në klube europiane dhe e dinë fare mirë se historia ka poeshën e vet, por nuk do të ndikojë. Kjo do varet edhe nga përgatitja që do të bëjë trajneri. Gjeorgjia është skuadër e fortë, e tregoi edhe në Europian.

Po për dy sfidat e nëntorit, duhet folur pas ndeshjes me Gjeorgjinë?

Patjetër që kështu duhet, sepse logjika e parashikimeve shkon hap pas hapi. Nëse marrim një rezultat pozitiv në Gjeorigji, shpresat janë. Në futboll ndodh gjithçka. Nuk kemi diferenca me Gjeorgjinë, jemi në një nivel me ta, ndaj pres një rezultat pozitiv.

 

Silvinjo kërkon rezultat pozitiv, Ismajli e mbështet

 

Dje kanë dalë në konferencë shtypi trajneri Silvinjo dhe mbrojtësi Ismajli. Për teknikun: Gjeorgjia nuk është ekip i thjeshtë, ekip i fortë. Jemi për rezultat pozitiv …”. Ndërkohë që Ismajli zbulon përse kanë ardhur në Gjeorgji. “Natyrisht që kemi ardhur këtu vetëm për tri pikët …”. Ndeshja luhet sot në ora 18:00 në Tbilisi.

KOMBËTARJA

Ekspertët e statistikave e çojnë Shqipërinë në Ligën C

 

Pas dy ndeshjeve humbëse, me Gjeorgjinë dhe Çekinë, Kombëtarja e Shqipërisë është përcaktuar nga ekspertët si skuadra me më pak mundësi për të qënë fituese, apo e renditur në vendin e 2-të të Grupit B1 në Ligën e Kombeve. madje Ekspertët e “Football Meets Data” kanë bërë mbi 10 mijë simulime të ndeshjeve të mbetura në këtë grup, dhe parashikojnë se Shqipëria ka mundësi shumë të pakta për të shkuar si fituese e grupit në Ligën A. Ata parashikojnë se ka vetëm 5% mundësi që kjo të ndodhë, ndërsa 13% është mundësia që Shqipëria të dalë e dyta në grup dhe të shkojë në play-off kundër një prej skuadrave që dalin të tretat në Ligën A. Simulimet parashikojnë 31% mundësi që Shqipëria të dalë e treta në grup dhe të shkojë në play-out për rënien në Ligën C, si dhe 50% mundësi që kuqezinjtë bien direkt një Ligë më poshtë në fund të këtij edicioni. Me këtë atmosferë i drejtohen ndeshjes me Gjeorgjinë.

Në Gjeorgji me arbitër holandez, “fatsjellësin” Makeli

Ditën e hënë në ora 18:00, Shqipëria luan në Tbilisi ndeshjen e katërt në Ligën e Kombeve, me Gjeorgjinë. Nisur nga pozitat e të dyja skuadrave në Grupin B1, UEFA i ka dhënë rëndësi takimit ndaj edhe ka caktuar një gjyqtar të njohur, holandezin Dani Makeli. Holandezi Dani Makeli drejton prej shumë vitesh në kompeticione të rëndësishme ndërkombëtare, dhe nën drejtimin e tij Shqipëria njeh tre fitore. Ka qenë i katërt në takimin Shqipëri-Norvegji 1-0, mars 2013; si arbitër kryesor në Shqipëri-Hungari 1-0, shtator 2021; takimi i tretë ishte në fitoren tonë 3-0 ndaj Çekisë. Asistentë të tij do të jenë holandezët Hesel Stegstra dhe Jan de Vries, gjyqtar i katërt Allard Lindhout, në VAR Rob Dieperink dhe në AVAR, Ervin Blank. Arbitri Makeli është një emër i cili i ka sjellë fat Shqipërisë.

0 MUNGESA

Në ndeshjen e sotme ndaj Gjeorgjisë, skuadra jonë nuk ka mungesa për dëmtime dhe skualifikime të lojtarëve

 

Liga e Kombeve

SHQIPËRIA

LIGA B-GRUPI B1

Ndeshjet e luajtura

Ukrainë-Shqipëri         1-2

Shqipëri- Gjeorgji       0-1

Çeki-Shqipëri              2-0

RENDITJA

Skuadrat        Nd       Pikë

1.Gjeorgjia      3          6

2.Çekia            3          6

3.Shqipëria      3          3

4.Ukraina        3          3

Ndeshjet që do luhen

Datë 14 tetor 2024

Gjeorgji-Shqipëri         18:00

Datë 16 nëntor 2024

Shqipëri-Çeki              20:45

Datë 19 nëntor 2024

Shqipëri-Ukrainë         20:45

 

Përballjet me Gjeorgjinë

BILANCI HISTORIK

06.09.2003/ Europiani

Gjeorgji-Shqipëri         3-0

10.09.2003/ Europiani

Shqipëri-Gjeorgji         3-1

08.09.2004/ Botërori

Gjeorgji-Shqipëri         2-0

04.06.2005/ Botërori

Shqipëri-Gjeorgji         3-2

10.06.2009/ Miqësore

Shqipëri-Gjeorgji         1-1

29.02.2012/ Miqësore

Gjeorgji-Shqipëri        2-1

06.02.2013/ Miqësore

Shqipëri-Gjeorgji         1-2

16.11.2015/ Miqësore

Shqipëri-Gjeorgji         2-2

29.03.2022/ Miqësore

Shqipëri-Gjeorgji         0-0

10.09.2024/ Nations Ligë

Shqipëri-Gjeorgji         0-1

Nd 10, F 2, B 3, H 5, G 11:16