SUPERIORE/ Ish-sulmuesi i bluve, Artur Çobani, skanon për “Telegraf” pesë javët e para
Agron KAJA
Superiorja luajti dy javë në gjashtë ditë, kishte ndonjë ndryshim në performancën e skuadrave?
Sigurisht që kishte ndryshim, sepse u rilind Dinamo pas javëve të para pa rezultate. Me ndryshimin e bankinës, ndryshimi ishte edhe në lojë e në rezultat. Edhe Vllaznia vazhdon të rritet me 6 pikë, e po kështu Elbasani që nga ngritje në lojë.
Në këto pesë javë, çfarë veçoni më shumë: Lojën e skuadrave apo golat e shënuar?
Të dyja, por nuk mund të them se ka ndonjë ngritje që ka spikatur. Por unë shikoj më shumë rivalitetin, sepse ende nuk është krijuar një shkëputje si në kampionatin e kaluar me Egnatian e Partizani. Në këtë kampionat është një grup skuadrash që po spikatin.
Skuadrat e kryeqytetit po luajnë në transferta të detyruara nga stadiumet, ndikon ky “emigrim” edhe tek rezultatet e tifozeria e tyre?
Si Dinamo, ashtu edhe Tirana, nuk kanë fushën e tyre ku të luajnë dhe kjo situatë po u mban larg edhe tifozerinë. Sepse në kryeqytet vijnë shumë tifozë dhe shtohet morali. Pa tifozë nuk mundet ta mendojmë, dhe le të shohim Elbasanin ku është investuar dhe tifozët po e mbështesin.
Janë shënuar 62 gola me një mesatare 12 gola për javë, është shifër e mirë kjo?
Shënimi i golave e rrit spektaklin, apo bukurinë e ndeshjes. Sepse një ndeshje futbolli pa gola mbetet si një film pa zë. Gjithsesi, golat i kanë dhënë bukurinë e munguar ndeshjeve dhe uroj që kjo mesatare të jetë në këto parametra më të lartë.
Nëse i referohemi “Derbit” Partizani-Dinamo, u ngjit në nivelin e pritshmërive të duhura si në kohën tuaj?
Në “Derbin” me Partizani loja ishte më e mirë nga java pasardhëse. Referuar Dinamos, me Partizanin luajti më mirë se sa me Skënderbeun. Me korçarët u zgjua vetëm pas barazimit, e këtu ndikojnë afrimet e fundit të merkatos.
Renditja në pesë javë ka ndryshuar shpesh, tregon kjo situatën reale të skuadrave?
Nuk mund të themi se kjo është situate reale, sepse vetë rezultatet tregojnë ulje e ngjitje të skuadrave. Jo vetëm nga pikët që kanë grumbulluar skuadrat, por nuk mund të them se do ketë ndryshime, sepse deri tani situata është e barabartë për skuadrat.
Nisur nga situata në Laç, mendoni se skenat e “familjes” së dhunës po rishfaqen?
Nuk më vjen mirë që rikthehen këto lloje skenash, nuk lë shije të mirë. Besoj se Komisioni i Disiplinës do “godasë” në shenjë, se po na u rikthyen këto skena, do prishet futbolli. Duhen masat e domosdoshme, nuk duhet neglizhuar nga FSHF-ja.
Çfarë mangësi janë konstatuar në organizimin e garës, apo edhe në drejtime të tjera në këto pesë javë?
Po t’i rikthehemi anës administrative, unë këmbëngul që në Superiore të shtohen skuadrat dhe të ndryshojë formula. Ka ardhur moment që të bëhet me 12 ose me 14 skuadra, pa shpikjet e tjera si ajo me “Final 4”. Skuadrat të luajnë në qytetet e tyre, jo në “emigrim”.
Janë luajtur vetëm pesë javë. Keni një parashikim për “Final 4” dhe skuadrat, që mund të zbresin nga Superiorja?
Jo, se është shpejt. Por mund të them se Egnatia e Partizani do jenë në katërshe, ndoshta edhe Vllaznia, Dinamo e Tirana, pa përjashtuar ndonjë surpizë. Është shpejt për të thënë se kush mund të zbresë, por Bylis, Laçi e Skënderbeu duhet të ndryshojnë.
Një Balaj për Skënderbeun, përforcohet sulmi
Nga dje, klubi i futbollit Skënderbeu konfirmon se sulmuesi Liridon Balaj është zyrtarisht futbollisti i tyre më i ri. Burime zyrtare pranë klubit korçar konfirmuan se 25 vjeçari ka luajtur edhe në kampionatin belg, në Zvicër dhe në Kosovë. Në vitin 2021 ka luajtur në një ndeshje me ekipin kombëtar të Kosovës.

ABISSNET SUPERIORE
Ndeshjet-Java 5
Datë 15 shtator 2024
Egnatia-Bylis 4-0
Teuta-Vllaznia 1-2
Datë 16 shtator 2024
Laçi-Partizani 1-1
Tirana-AFElbasani 1-1
Dinamo-Skënderbe 2-1
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Egnatia 5 10
2.Vllaznia 5 10
3.AF Elbasa 5 8
4.Partizani 5 8
5.Dinamo C 5 7
6.Teuta 5 6
7.Tirana 5 5
8.Bylis 5 5
9.Skënderbe 5 4
10.Laçi 5 3
DY FJALË PËR RIKTHIMIN!
Dhuna në Laç, a do “godasë” në shenjë Disiplina?

Në këtë sezon të ri, skuadra e Laçit nuk e ka nisur mirë kampionatin. Ka “salduar” vëndin e fundit të renditjes dhe nisur nga kjo gjëndje që ndoshta nuk e kishin menduar, kanë nisur “altenativat” e dikurshme me presione e dhunë. Në sfidën Laçi-Partizani u rishfaqën episodet e dhunës, të cilat u panë kryesisht kur arbitri Juxhin Xhaja e ndëpreu për disa minuta ndeshjen. Por duke e nisur që në fillim, situata ka qenë e nxehtë me ofendime në shkallët e stadiumit e në fushë, ndërsa në pjesën e dytë tensioni kaloi në tjetër nivel. Laçianët e “sëmurë” hodhën sende të shumta drejt lojtarëve, gjyqtarëve dhe stafit të Partizanit. Këpucët dhe atletet “firmato” e lënduan menaxherin e Partizanit. Ishte një shishe ujë apo një atlete, nuk ka rëndësi për mjetin. E rëndësishme mbetet ana e dobët organizative dhe siguria që merr notë pakaluese. Se ku ishte siguria kur në pushimin mes pjesëve drejtuesit e Laçit kanë kërcënuar dhe ofenduar arbitrat, kjo nuk dihet. Madje xhaketat e zeza kanë marrë në konsideratë edhe pezullimin e sfidës, pas situatës kërcënuese në të cilën janë ndodhur. Kjo ishte kronologjia e shkurtër e situatës së dhunës në stadiumin e Laçit. E rëndësishme është që sytë e veshët të mos mbyllen, të veprojnë ashpër dhe Displina duhet të godasë në shënjë. Laçi po firmos rënien!




















