Euro 2024/ Gati për përballjen e madhe ndaj Polonisë, Silvinjo i beson shpirtit luftarak të kuqezinjve

82
Sigal

Polonia do të mirëpresë Shqipërinë në Varshavë për një ndeshje tepër të rëndësishme kualifikuese për Euro 2024 mbrëmjen e sotme.

Silvinjo do të debutojë sot në krye të stolit kuqezi në një sfidë të vështirë, por trajneri brazilian është shprehur disa herë optimist për këtë grup lojtarësh të cilët ai i konsideron si tepër të rëndësishëm. Silvinjo ka kërkuar nga lojtarët e tij që të luajnë me shpirt dhe vetëm kështu mund të arrihet rezultati pozitiv.

Shqipëria do të bëjë pa disa lojtarë të rëndësishëm, si Xhuliano Skuka i cili nuk u grumbullua nga trajneri brazilian. Ardian Ismajli është dashur të tërhiqet nga skuadra për shkak të një dëmtimi, por dyshja tepër e rëndësishme si Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami do të jenë në dispozicion të plotë. Armando Broja, Keidi Bare dhe Berat Djimsiti gjithashtu janë mungesa shumë të rëndësishme për kombëtaren tonë të Shqipërisë.

Megjithatë, një besim i plotë mbizotëron në shtëpinë tonë, pasi lojtarët e grumbulluar nga Silvinjo janë në një gjendje shumë të mirë fizike dhe vijnë nga suksesi në ligat përkatëse të cilët luajnë me klubet e tyre.

Qendra e vëmendjes momentalisht bie mbi Myrto Uzunin. Sulmuesi shqiptar që aktivizohet me Granada në La Liga 2 është në një formë të jashtëzakonshme këtë sezon. Në 30 ndeshje të luajtura këtë sezon deri më tani, Uzuni ka mundur të shënojë 20 herë dhe të asistojë 4 herë. Shifra tepër të larta për sulmuesin kuqezi i cili edhe sot pritet të jetë deciziv në këtë ndeshje të vështirë.

Sytë janë edhe nga ish-dyshja e Empolit, Asllani dhe Bajrami. Fantazia e tyre është tepër e spikatur dhe nëse mbrëmjen e sotme ata janë në formën e duhur, gjërat priten të shkojnë mirë në mesfushë dhe në sulm.

Në rast fitoreje mbrëmjen e sotme, Shqipëria do të merrte një shtysë të madhe për të ecur përpara në këtë rrugëtim, për ta përsëritur edhe një herë ëndrrën e arritur për herë të parë para pak vitesh.

Rreth 600 tifozë shqiptarë priten të jenë në stadiumin e Varshavës për të mbështetur kombëtaren e Shqipërisë, të paktë në numër, por mjaftueshëm për të dhënë shkëndija emocionale mbi 11 lojtarët tanë.