Mund të themi se ndaj Vllaznisë bëtë ndeshjen perfekte në tërësi si skuadër?
Po kalojmë një moment shumë të mirë, duke marrë fitore njëra pas tjetrës, por e rëndësishme është ta mbajmë ritmin dhe të vazhdojmë me rezultate pozitive deri në fund, për të pasur gjithçka në dorën tonë në fund të kampionatit.
Mendoni se jua bëri më të lehtë Vllaznia me paraqitjen e saj të dobët?
Nuk di të them për këtë, por ne pasi shënuam golin e parë fituam shumë besim. Pavarësisht se na barazuan, ishim të bindur dhe kishim shumë besim se do të shënonim sërish për ta fituar këtë ndeshje. Ia dolëm në mënyrë bindëse dhe kjo është ajo edhe çka na kënaq më shumë, pasi në sfidat e tjera kemi hasur vështirësi dhe i kemi zgjidhur kryesisht në minutat e fundit.
Shënuat golin e parë me Partizanin, por nuk e festuat. Përse?
Jam shumë i lumtur për golin. Pavarësisht se unë jam mbrojtës dhe goli nuk është detyrë primare për mua, kur shënon të jep një ndjenjë çlirimi dhe vetëbesim më të madh. Do të mundohem që këtë ta shfrytëzoj në vazhdimësi. Nuk zgjodha të festoj në shenjë respekti ndaj qytetit tim, Shkodrës.





















