Durrës e Korçë, “luftë” për kreun

531
Sigal

JAVA E 10-të/ Teuta përballet sot me Kastriotin. Skënderbeu do të presë të shtunën Partizanin

 Java e 10-të e Kategorisë Superiore nis sot me sfidën Teuta-Kastrioti në “Niko Dovana” (14:00), ndërkohë që kryendeshja  Skënderbeu-Partizani do të luhet në Korçë ditën e shtunë (17:00). Dy bashkëkryesuesit e kampionatit, të cilat barazuan 1-1 midis tyre dy javë më parë (në Korçë), kanë sfida relativisht të vështira, kjo për faktin se Partizani vjen pas dy humbjeve radhazi, dhe po kështu Kastrioti, i mundur në shtëpi pikërisht nga kampionët në fuqi. Nga përfundimi i fazës së parë kanë mbetur edhe 180 minuta lojë dhe synimi i të gjitha skuadrave është t’i bëjnë një mbyllje sa më dinjitoze kësaj faze, për të bërë më pas bilancin dhe vendosur objektivat për pjesën e mbetur të sezonit. Takimi i parë i javës së 10-të është ai i “Niko Dovanës” mes Teutës dhe Kastriotit, me formacionin durrsak që luan ndeshjen e dytë radhazi në shtëpi në tapetin e ri të këtij impianti. “Djemtë e Detit” të vetmit që nuk e kanë provuar shijen e humbjes në këtë sezon, synojnë që me një fitore të mundshme të vënë sërish nën presion Skënderbeun, që do të presë 24 orë më pas Partizanin. Ne letër konsiderohet një sfidë e lehtë për kampionët në fuqi, por statistikat tregojnë se të kuqtë janë me efektivë kur luajnë në mbrojtje. Të shtunën Tirana do të presë në kryeqytet Flamurtarin me dëshirën e madhe për të marrë tri pikët e para me trajnerin e ri Alpin Gallo. Situata në kampin bardheblu paraqitet më tepër se serioze, pasi në 9 javë kampionat kanë shënuar vetëm 3 gola, që në fakt kanë rezultuar me vlerë trepikëshi. Nuk ndodhet në një situatë më të mirë Flamurtari, që pavarësisht suksesit me Kukësin javën e kaluar ka nevojë për shumë pikë për t’iu shmangur zonës së ftohtë. Takimi tjetër i së shtunës është Lushnja–Besa, që për nga rezultatet që kanë arritur këto dy skuadra javët e fundit mbetet i paparashikueshëm. Kategoria Superiore mbyllet të dielën me Laçi–Kukësi dhe Vllaznia–Bylis, dy sfida mjaft interesante nëse I referohesh ecurisë së rezultateve të javëve të fundit. Laçi mbetet një kundërshtare e pathyeshme në fushën e tij, por nënkampionët e Shqipërisë janë të dënuar të kërkojnë maksimumin, pas tri ndeshjeve pa fitore nën drejtimin e Shensojt. Në Shkodër i tremben vetëm euforisë së Vllaznisë pas suksesit më se të merituar me Partizanin në “Qemal Stafa” (0-1, gol i Shtubinës) aq më tepër përballë Bylisit, që ka ditur gjithmonë të ringrihet pas situatave të vështirë.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA 10

E PREMTE,  01.11.2013

Teuta-Kastrioti            14:00

E shtunë, 02.11.2013

Tirana-Flamurtari    14:00

Lushnja-Besa         14:00

Skënderbeu-Partizani 17:00

E diel, 03.11.2013

Vllaznia-Bylis       14:00

Laçi-Kukësi          14:00

RENDITJA

1    Teuta           9    19

2    Skënderbeu      9    19

3    Vllaznia        9    16

4    Partizani       9    14

5    Laçi            9    13

6    Lushnja         9    12

7    Bylis           9    10

8    Tirana          9    10

9    Kukësi          9    9

10   Kastrioti       9    9

11   Besa Kavajë     9    8

12   Flamurtari      9    8

– Flamurtarit i janë zbritur 3 pikë nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së

 Velaj: “Golin ia dedikoj skuadrës”

 Kombëtarja Shqiptare e femrave në futboll ka fituar dje ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Kanada 2015″. Në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit vajzat shqiptare kanë mposhtur Greqinë me rezultat minimal 1-0. Sulmuesja më e spikatur e ekipit të femrave Furtuna Velaj që ishte golshënuesja është shprehur shumë e kënaqur që ka arritur të shënoj golin e parë në kualifikime. “Jam shumë e kënaqur që kam arritur të shënoj kundër Greqisë. Ky ishte goli im i parë në eliminatore. E dija se do të shënoja ndaj Greqisë, mënyra se si zhvillohej ndeshja më bënte që vetëm të gjeja hapësirë për ta goditur topin mirë drejt portës” ka thënë Velaj. Ajo ka thanë se ekipi ka besuar se shanset kundër Greqisë do të jenë më të mëdha për fitore përkundër ekipeve shumë më të forta sesa që ishin Norvegjia dhe Holanda. “Golin e shënuar do t’ia dedikoj ekipit” ka thënë me modesti ajo. Velaj ka shtuar se pret ta mbyll aventurën me klubin finlandez PK-35 me të cilin mori pjesë në Ligën e Kampionëve, ndërsa që së shpejti pritet të largohet në drejtim të Gjermanisë ose Norvegjisë, por që diçka më tepër do të mësohet javët në vazhdim.

“Djemtë e detit” kanë në bilancin e tyre: pesë fitore dhe katër barazime

 Teuta, e vetmja skuadër pa humbje

 Teuta është skuadra e vetme e Superligës, që nuk njeh humbje në këto nëntë javë të para, duke kryesuar së bashku me Skënderbeun (me nga 16 pikë).  Durrsakët e drejtuar nga trajneri ambicioz Gugash Magani janë të vetmit nga 12 skuadrat e Superligës, që nuk kanë humbur asnjë takim në katër ndeshjet e para, duke koleksionuar 5 fitore, 4 barazime, 0 humbje, si dhe një golaverazhi pozitiv 15-9 (+6). Teuta ka fituar me Bylisin (2-1), Flamurtarin (2-1), Tiranën (2-0), Vllazninë (3-2) dhe Laçin (2-1), ndërkohë që ka barazuar me Besën (2-2), Kukësin (0-0), Lushnjën (1-1) dhe Skënderbeun (1-1). Teuta ka fituar vetëm një titull kampion, edhe pse është pjesëmarrëse qysh në kampionatin e parë kombëtar, atë të vitit 1930. Durrsakët kanë fituar në sezonin 1993-1994, kur në bankinë kanë pasur mesfushorin e fuqishëm, Haxhi Ballgjini. Por, tashmë, pasi e kanë provuar pesë herë “shijen” e nënakampionit (1992-1993, 1994-1995, 1995-1996 2006-2007 dhe 2011-2012), tani në Durrës mendojnë se është momenti i duhur që trofeu të vijë sërish në “Niko Dovana”. Teuta është një skuadër shumë e stabilizuar dhe ka ekuilibra të qëndrueshëm midis reparteve, kjo edhe pasi ka gërshetuar më së mirë përvojën e lojtarëve me eksperiencë si Daniel Xhafaj (36 vjeç), Julian Ahmataj (34 vjeç), Bledar Mancaku (31 vjeç), Akil Jakupi (31 vjeç), Tefik Osmani (29 vjeç), apo  portieri Bledian Rizvani (28 vjeç), me grintën dhe freskinë e futbollistëve të rinj dhe tepër ambiciozë si Idrizaj (24), Mustafaj (24), Dosti (22), Deliallisi (21), apo disa 19-vjeçarë. Ia vlen të kujtojmë se, durrsakët e kanë fituar tri herë Kupën e Shqipërisë. Teuta ka fituar për herë të parë në vitin 1995, duke e përsëritur atë pas pesë vjetësh në 2000. Suksesi i tretë i bluve bregdetarë u regjistrua përsëri pas pesë vjetësh, në vitin 2005. Ndoshta, sezoni 2013-2014 do të jëtë i mbarë për durrakët.

KATEGORIA SUPERIORE

Ndeshjet e Teutës

 Java 1: Teuta-Bylis 2-1

Java 2: Besa-Teuta 2-2

Java 3: Teuta-Flamurtari 2-1

Java 4: Kukësi-Teuta 0-0

Java 5: Tirana-Teuta 2-0

Java 6: Lushnja-Teuta 1-1

Java 7: Teuta-Vllaznia 3-2

Java 8: Skënderbeu-Teuta 1-1

Java 9: Teuta-Laçi 2-1

Bilanci

5 fitore, 4 barazime, 0 humbje. Golaverazhi 15-9 (+6)

 

Golashënuesit

Daniel Xhafaj (7), Tefik Osmani (2), Bledar Mancaku (2) Julian Ahmataj (1) Valmir Murriqi (1), Ansi Nika (1), Erjon Mustafaj (1)

 Daniel Xhafaj, kur goli nuk njeh moshë

 Edhe pse është 36 vjeç, Daniel Xhafaj nuk ndihet aspak i lodhur përpara portave kundërshtare, dhe vazhdimisht i “ndëshkon” portierët e skuadrave rivale të Teutës. Xhafaj nuk e ka humbur nuhatjen e golit, ashtu siç ka bërë edhe më parë me shtatë ekipet që ai ka luajtur në karrierën e tij, teksa ka mundur ta fitojë dy herë trofeun e “Këpucës së Artë”, pra të golashënuesit më të mirë, pikërisht me Besën në sezonin 2010-2011 (18 gola) dhe Flamutarin në sezonin 2011-2012 (19 gola). Shtatë gola në nëntë  javët e para (794 minuta lojë) të këtij sezoni i japin të drejtë lojtarit më të moshuar të kampionatit, për të qenë ai “zbulimi”i madh i sezonit. Xhafaj ka shënuar ndaj Bylisit, Flamurtarit, Tiranës, Lushnjës, Vllaznisë (2) dhe Skënderbeut. Sulmuesi i palodhur vlonjat është ngjitur në kuotën e 215 golave në kampionat, duke qenë ai goeladori i dytë më i mirë i të gjithë kohërave në kampionat, pas ish-sulmuesit të Vllaznisë, Vioresin Sinani (254 gola). Por, nëse Sinani ka fituar tri herë “Këpucën e Artë’, si golashënuesi më i mirë – 2 herë me Vllazninë dhe 1 herë me Tiranën; Danieli e ka fituar dy herë: me Besën dhe Flamurtarin. Për Flamurtarin ishte hera e pestë që një lojtar i tij ka fituar “Këpucën e Artë”, pas Vasil Rucit (dy herë), Viktor Paços, Daniel Xhafajt dhe sezonin e kaluar, Migen Memelli.

Në pesë sezonet e fundit, Daniel Xhafaj ka ndryshuar pesë skuadra: Tirana, Besa, Flamurtari, Skënderbeu dhe tani Teuta, por kudo që ka luajtur ka qenë protagonist i golave, sidomos me kavajasit dhe vlonjatët, ku ka qenë edhe shënuesi më i mirë i edicionit, respektivisht në sezonin 2009-2010 (18 gola) dhe 2010-2011 (19 gola). Danieli është një sulmues tipik dhe një goleador i lindur, duke lënë gjurmë me çdo fanellë: Flamurtarit (ku dhe nisi karrierën e tij), Bylisin, Dinamon, Elbasanin, Tiranën, Besënm Skënderbeun, apo dhe Teutën, me të cilën është aktivizuar në tri periudha të ndryshme dhe ka fituar një Kupë të Shqipërisë (2005). Në karrierën e gjatë të tij 18-vjeçare, Danieli ka dalë tri herë kampion: 2001-2002 (Dinamo), 2008-2009 (Tirana), 2011-2012 (Skënderbeu), si dhe ka fituar edhe një Kupë me Flamurtarin (2009-2010).

 Xhafaj-Shehi, “pleqtë” e Superligës

 Xhafaj është lojtari më i vjetër në moshë në kampionat, 36 vjeç (është lindur, më 1 maj 1977), ndërkohë që i dyti më i moshuar është portieri i Skënderbeut, Orges Shehi, por 36 vjeç, por durrsaku është lindur, më 25 shtator 1977, pra është 148 ditë më i vogël se Danieli.

 “Këpuca e Artë”, rival me të huajt

 Daniel Xhafaj duket se do të jetë në duel më dy lojtarë të huaj, për trofeun e “Këpucës së Artë”: kroatin Tomislav Bushiç të Vllaznisë (6 gola) dhe nigeiranin Izuçuku të Bylisit (4 gola). Sulmuesi kroar i Skënderbeut, Pero Pejiç është në kuotën e 3 golave.

GOLASHËNUSIT

D. Xhafaj (Teuta)        7

T. Bushiç (Vllaznia)     6

S. Izuçuku (Bylis)       4

E. Malindi (Kastrioti)   3

A. Meto (Bylis)          3

Gj. Muzaka (Skënderbeu) 3

P. Pejiç (Skënderbeu)    3

N. Shtubina (Vllaznia)   3