ANALIZA/ Specialisti i futbollit Dorian Bubeqi, parashikon situatë delikate në fundin e renditjes
Agron KAJA

Kampionati i Kategorisë së Parë do të rinisë pas dy javëve ndërpreje zyrtare. Edhe pse skuadrat kanë zhvilluar përgatitje, apo edhe e kanë shfrytëzuar me ndeshje miqësore në këtë hapësirë, specialist i futbollit Dorian Bubeqi, mendon se kjo ndërprerje do ketë ndikim të ndryshëm për skuadrat. Për gazetën “Telegraf”, goleadori kavajas theksoi se të gjitha i kanë zhvilluar përgatitjet në interes të synimeve të tyre deri në mbylljen e kampionatit. “Në këto dy javë pa ndeshje zyrtare, të gjitha skuadrat kanë patur mundësinë që të zhvillonin përgatitjet e tyre me ngarkesë fizike me nga dy séanca stërvitore në ditë, por edhe me ndeshje miqësore. Kështu që, mos zhvillimi i ndeshjeve zyrtare në këto dy javë nuk i ka lënë trajnerët në rutinën e javëve të kaluara. Dhe kjo nuk mendoj se do të ndikojë në vazhdimësinë e kampionatit, si për ekipet që kishin ritëm, edhe tek ato që nuk rrezikohen. Ndërsa për të gjitha ato skuadra që kërkojnë mbijetesën, ka shërbyer për të parë defektet dhe për të rikuperuar dëmtimet”, kështu e nisi dje bisedën specialisti i futbollit Dorian Bubeqi, i cili analizën e tij për ecurinë e Kampionatit të Kategorisë së Parë deri në mbylljen e tij, pesë javët në vazhdim i quan shumë vendimtare për synimet e çdo skuadre. “Në ndeshjet e javës së 29-të, kalendari duket se u jep prioritet skuadrave pritëse. Tre kryesuesit, Skënderbeu, Laçi e Pogradeci mbeten favorite, dhe në rast gabimesh prej tyre, do ti komplikojnë situatat në renditje. Ndërsa në pozicionet e tjera të renditjes, tre janë sfidat më delikate: Kukësi-Apolonia, Lushnja-Korabi dhe AF Luftëtari-Besa. Madje në Kukës mendoj se për të dyja skuadrat luhet sfida e sezonit”. Në javët e mbetura deri në mbylljen e kampionatit, Bubeqi mendon se do ketë presion maksimal te skuadrat, duke analizuar se versionet e pa papashikuara janë ato për katër skuadrat në fundin e renditjes. “Në këto pesë javët e fundit, një gjë është e sigurt, ku presioni do jetë i madh tek të gjitha skuadrat. Kësisoj, çdo ndeshje mund të ndryshojë fatet e një sezoni të tërë. Diferencat janë të vogla mes skuadrave në të gjithë shtrirjen e renditjes, dhe në këtë javë të 29-të surprizat priten vetëm në këto tre ndeshje. Por Kukësi-Apolonia është sfida më e nxehtë dhe më delikate e kësaj jave”, ishte kjo analiza e specialistit të futbollit shqiptar Dorian Bubeqi, në përshkrimin e tij për rrugëtimin e të gjitha skuadrave deri në mbylljen e kampionatit.
KATEGORIA E PARË / SKUADRAT NË PRAG TË JAVËS SË 29-të
Lushnja me sytë nga renditja, ndaj Korabit fitorja e kushtëzuar

Do luhet 5 javët e fundit të sezonit 2025-2026 në Kategorinë e Parë, dhe ato kanë marrë një rëndësi të veçantë për skuadrën e Lushnjës, e cila renditet e fundit në tabelë pas javës së 28-të. Ekipi lushnjar rrezikon seriozisht mbijetesën, por që gjithçka mbetet ende në dorën e tyre, pasi janë edhe 15 pikë në dispozicion. Këtë javë, trajneri Artan Bano e ka përgatitur skuadrën me synim reagimin pozitiv ndaj Korabit, një sfidë për të shpëtuar sezonin dhe për të mbrojtur nderin e klubit. Ky mision nis sot kur Lushnja pret Korabin në stadiumin “Roza Haxhiu”, ku skuadra pritet të jetë pothuajse e plotë, me përjashtim të mbrojtësit Franci Lala i pezulluar për shkak të plotësimit të numrit 4 të kartonëve të verdhë. Lushnja nuk e njeh fitoren që nga përballja e fazës së dytë, pikërisht ndaj Korabit, të cilin e mposhti me rezultatin 2-0, në ndeshjen ku debutoi trajneri Artan Bano.
Në Laç udhëton me mungesa, Burreli nuk shkon i dorëzuar

Në javën e 29-të, kalendari e ka zhvendosur skuadrën e Burrelit në fushën e vështirë të Laçit, ku do të ndeshen dy skuadra që mbajnë emrat e qyteteve që përfaqësojnë. Por skuadra e Burrelit do të jetë sot në fushë me disa mungesa të rëndësishme në formacionin bazë. Për këtë përballje, matjanët nuk do të kenë në dispozicion Donald Mëllugjën, Silas Mensah, Ildi Xhakën, Albi Xhabrahimin, Patrik Fetajn dhe Jurgen Pasmaçiun. Kjo ndeshje ka rëndësi të madhe për Burrelin, pasi një hap fals ndaj bardhezinjve mund të “minojë” dukshëm objektivin e skuadrës për të përfunduar në gjashtëshen e parë të klasifikimit. Pas kësaj përballjeje, kalendari i Burrelit rezervon sfida të forta, ku presin e Skënderbeun dhe më pas transfertat e vështira, ku në atë të Gjirokastrës skuadra do të luftojë për të mbajtur vendet e larta në renditje.
Për Apoloninë, transferta në Kukës si finale e sezonit
Përballja e Apolonisë me Kukësin në javën e 29-të të Kategorisë së Parë, konsiderohet një “finale mbijetese”. Të dy ekipet ndodhen në zonën Play-out dhe rreziku për rënie direkte është më pranë. Vështirësia e kësaj sfide, për fierakët shtohet edhe nga fakti se luajnë në transfertë, përballë Kukësit në formën më të mirë të këtij sezoni. Problemet me mungesat kanë shoqëruar fierakët gjatë këtij kampionati, që edhe në këtë sfidë do jenë të pranishme.

VERDIKTE SIPAS DORIAN BUBEQIT
KREU
Skënderbeu, Laçi dhe Pogradeci, këto janë tre skuadrat që do luftojnë ngjitjen direkte në Abissnet Superiore.
MESI
Iliria, Kastrioti, Burreli dhe Besa, do jenë skuadrat që do kërkojnë një biletë për renditjen në zonën Play-off.
FUNDI
Apolonia, Kukësi, AF Luftëtari dhe Lushnja, janë skuadrat që do renditen në zonën Play-out dhe për mbijetesë
KATEGORIA E PARË
SEZONI 2025-2026
Ndeshjet-Java 29
E shtunë, 4 prill 2026
Skënderbeu-Iliria 15:00
Laçi-Burreli 15:00
Pogradeci-Kastrioti 15:00
Lushnja-Korabi 15:00
Kukësi-Apolonia 15:00
E dielë, 5 prill 2026
AF Luftëtari-Besa 15:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 28 67
2.Laçi 28 64
3.Pogradeci 28 61
4.Iliria 28 38
5.Kastrioti 28 36
6.Burreli 28 33
7.Korabi 28 32
8.Besa 28 31
9.Apolonia 28 26
10.Kukësi 28 24
11.AF Luftëtari 28 22
12.Lushnja 28 22






















