Dje u formatua skuadra e 32-të e Botërorit, Peruja e fundit për Rusi 2018

642
Nga Agron KAJA
BOTËRORI “RUSI 2018”/ Në mëngjesin e djeshëm, bota e futbollit mësoi finalisten e fundit, ja vazot e shortit të 1 dhjetorit
Mëngjesi i djeshëm, për Botën e futbollit u zgjua me skuadrën e 32-të të kualifikuar në finalet e Kampionatit Botëror “Rusi 2018”. Në orën 05:00 me orën e Evropës, në stadiumin “Nacional” të Limas, pikërisht arbitri francez Klemente Turpin, ka sinjalizuar përfundimin e ndeshjes së dytë play-off mes Perusë e Zelandës së Re, e cila u mbyll me fitoren e skuadrës peruane me rezultatin 2-0. Duke qenë se ndeshja e parë mes tyre ishte mbyllur në barazim 0-0, fitorja 2-0 e çoi Perunë në Rusi. Kështu, Peruja bëhet skuadra e 32-të e finaleve të Botërorit “Rusi 2018”, duke formatuar njëherësh edhe vazot e shortit që do të hidhet në datën 1 dhjetor 2017. Në bazë të renditjes së FIFA-s, kanë përcaktuar edhe 4 vazot në shortin e muajit të ardhshëm. Bie në sy se Spanja është në vazon 2 dhe rrezikon një short mjaft të vështirë, ndërsa në vazon 1 është Polonia, kombëtare që ka pasur rezultate shumë të mira vitet e fundit, por vetëm në kualifikuese dhe është e çuditshme ta shohësh një vazo më lart se Spanja, Anglia e Kroacia, apo dy vazo më lart se Danimarka e Suedia. Kështu, këtij Botërori që finalet e tij do ti luajë në muajt qershor-korrik 2017, do ti mungojnë disa skuadra të mëdha, duke filluar me Italinë 4 herë Kampione e Botës dhe Holandën e yjeve që këtë herë dështuan në këtë rrugëtim. Ka qenë një rrugë e gjatë, e cila në Evropë nisi në shtatorin e vitit 2016, për tu mbyllur në fundin e muajit tetor 2017. Por, ndërsa skuadrat e kualifikuara bëjnë llogaritë e tyre, ka edhe të tjera që “hipnotizojnë”, ndoshta si ngushëllim nga dështimi. Dhe është pikërisht ideja amerikane, për një Botëror “dështakësh”, një ide e çuditshme nga SHBA-ja, vend i cili ka propozuar organizimin e një kampionati botëror me të gjithë ekipet që dështuan të kualifikoheshin në “Rusi 2018”! Vetë SHBA-ja është një nga vendet që nuk arriti të kualifikohej për në Botëror, dhe ndoshta ka qenë arsyeja e kësaj ideje, ku veç SHBA-së do të merrnin pjesë dhe kombëtare të tjera të rëndësishme si Holanda, Italia, Kili, Gana e të tjera. Për momentin bëhet fjalë vetëm për një ide, por që nuk duhet anashkaluar, pasi në SHBA i bëjnë llogaritë ndryshe, duke menduar se me organizimin e një “Botërori dështakësh”, do të fitoheshin disa miliona të humbura nga dështimi për të qenë pjesë e Botërorit të vërtetë në Rusi. 
Mëngjesi i djeshëm, për Botën e futbollit u zgjua me skuadrën e 32-të të kualifikuar në finalet e Kampionatit Botëror “Rusi 2018”. Fitorja 2-0 me Zelandën e Re e çoi Perunë në Rusi, duke u bërë kështu skuadra e 32-të e finaleve. Në bazë të renditjes së FIFA-s, dje janë formatuar edhe vazot e shortit që do të hidhet në datën 1 dhjetor 2017
32 skuadrat e kualifikuara në Botë
Evropa (14): Rusia (vendi organizator), Franca, Portugalia, Gjermania, Serbia, Polonia, Anglia, Spanja, Belgjika, Islanda, Kroacia, Zvicra, Suedia, Danimarka.
Afrika (5): Egjipti, Nigeria, Senegali, Tunizia, Maroku
Azia (4): Irani, Japonia, Koreja e Jugut, Arabia Saudite
Amerika e Veriut (3): Kosta Rika, Panamaja, Meksika
Amerika e Jugut (4): Brazili, Argjentina, Kolumbia, Uruguaji
Oqeania: Australia, Peruja (2)
NDARJA E VAZOVE
VAZO 1: Rusi, Gjermani, Brazil, Portugali, Argjentinë, Belgjikë, Poloni, Francë
VAZO 2: Spanjë, Peru, Zvicër, Angli, Kolumbi, Meksikë, Uruguai, Kroaci
VAZO 3: Danimarkë, Islandë, Kosta Rika, Suedi, Tunizi, Egjipt, Senegal, Iran
VAZO 4: Serbi, Nigeri, Australi, Japoni, Marok, Panama, Koreja e Jugut, Arabia Saudite
Sigal