Agron Kaja
Ditën e shtunë dhe të dielën, më 10 e 11 shkurt 2024, do të luhen ndeshjet e javës së 23-të të Abissnet Superiore. Në kalendar, mes pesë ndeshjeve spikat “derbi” i kryeqytetit Dinamo City-Partizani. Në fazën e parë ndeshja mes tyre ka dalë në barazim 0-0, ndërsa në fazën e dytë Partizani fitoi 3-1. Kjo është përballja e tretë në këtë sezon, ndërkohë që për atmosferën në këtë prag të “derbit”, parashikimin dhe situatën e dy skuadrave, flasin për “Telegraf”, Leko Bregu ish-futbollist i Dinamos, dhe Klevis Dalipi ish-futbollist i Partizanit.
Leko Bregu: “Derbi”, test i Dinamos për renditjen

“Parashikimi për këtë “derbi” është shumë e vështirë, por anoj nga Dinamo.”

Java e 23-të e Abissnet Superiore luan një sfidë të veçantë, ta quajmë e shtuna e “derbit” Dinamo City-Partizani?
Patjetër që po, sepse luajnë dy skuadrat më të mëdha të futbollit shqiptar që kanë rivalizuar. Për Dinamon e mendoj si një test për “Final 4”, sepse ka shumë ndryshim nga faza e dytë e deri tani.
Ju keni veshur fanelën e Dinamos, e kujtoni sa ndeshje “derbi” keni luajtur kundër Partizanit?
Janë rreth 20 ndeshje “derbi” kundër Partizanit dhe në statistika kujtoj se rivalizimi ishte shumë i madh me Partizanin me shumë lojtarë cilësorë. Nuk gaboj të them se statistikat mund të jenë të barabarta mes nesh.
Çfarë emocionesh mendoni se do ketë kjo ndeshje, sepse do luhet në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit?
Mendoj se kjo vjen nga fakti se Dinamo nuk ka ende një stadium të saj, por edhe pse në Durrës ka zgjedhur t’i luajë të gjitha ndeshjet e këtij sezoni. Sa emocione e tifozë do të sjellë? Kjo vlen ta shohësh, por nuk besoj në zhgënjim.
Cilën skuadër e quan më të kompletuar para kësaj përballjeje?
Po të shohësh, kompletimin të dyja skuadrat e kanë të mirë. Kanë grupe cilësorë, por besoj se nuk janë shprehur tërësisht. Por me këtë “derbi” nuk ka nevojë për motivim, rivaliteti mes tyre do japë më të mirën.
Ku mendoni se Dinamo do të gjejë pikat e dobëta për ta mposhtur Partizanin?
Pikat e dobëta do shikohen në fushë, por me Skukën në sulmin e Partizanit, duhet të kenë kujdes. Nuk duhet të themi se si dolën në ndeshjen e kaluar, “derbi” ka tjetër adrenalinë dhe skuadrat duhet ta quajnë test mes tyre.
Si e parashikoni këtë përballje, ku dinamovitët vijnë pas 15 ndeshjeve pa fitore ndaj të kuqve?
Mendoj se parashikimi për këtë “derbi” është shumë e vështirë, por anoj nga Dinamo. Një fitore do e konsolidojë më shumë grupin dhe nga ana psikologjike do ta ngrejë shumë. Nuk mendoj se do kemi lojë, por më shumë taktikë.
Klevis Dalipi: Partizani është më komod, mbetet favorit

“Do jetë një “derbi” i vështirë, por nisur nga pikët, Partizani më komod.”

Java e 23-të e Abissnet Superiore luan një sfidë të veçantë, ta quajmë e shtuna e “derbit” Dinamo City-Partizani?
Patjetër që po, sepse edhe ky është një “derbi” në të cilin skuadrat vijnë me ecuri ndryshe. Dinamo vjen pas disa luhatjeve, ndërkohë që Partizani vjen pas barazimeve në Shkodër dhe Egnatian dhe pas një loje jo shumë bindëse.
Ju keni veshur fanelën e Partizanit, e kujtoni sa ndeshje “derbi” keni luajtur kundër Dinamos?
Te Partizani nuk qëndrova shumë gjatë, por ka qënë gjithmonë një ndeshje e veçantë ndaj Dinamos. Nuk ishte skuadër me presion të madh si Partizani e Tirana, edhe pse kishte në përbërje lojtarë të mëdhenj.
Çfarë kujtoni më shumë në këto sfida që ju keni luajtur?
Ka qënë gjithmonë një përballje interesante, sepse në atë periudhë edhe Dinamo ishte skuadër që rivalizonte shumë Tiranën e Partizanin. Ndaj them se të shtunën do jetë një “derbi” i fortë, edhe pse Partizani vjen më komod.
Çfarë emocionesh mendoni se do ketë kjo ndeshje, sepse do luhet në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit?
Një ndeshje “Derbi” mbetet e tillë kudo që të luhet. Besoj se tifozët e Partizanit nuk do ta kenë problem këtë zhvendosje, e cila mendoj se vjen nga fakti që Dinamo nuk ka një stadium në kryeqytet.
Ku mendoni se Partizani do të gjejë pikat e dobëta për ta mposhtur Dinamon?
Problemi i vetëm që ka aktualisht Partizani është fakti se ka dy qëndërmbrojtësit të dëmtuar. Ndërsa Dinamo, me Mehmetin në bankinë ka patur rritje, por nuk është e lehtë të bësh mrekulli në sfida të tilla.
Aktualisht, si e parashikoni këtë përballje, ku të kuqtë vijnë pas 15 ndeshjeve pa humbje ndaj dinamovitëve?
Për vetë emrin që kanë të dyja skuadrat, unë besoj se do jetë një sfidë shumë e vështirë. Partizani më komod nisur nga pikët, ndërkohë që Dinamo vjen shumë më e urritur, sepse do “Final 4”.

E para
Ndeshja e parë në vitin 1950, rezultati 2-2.
E fundit
Ndeshja 137-të në vitin 2023, rezultati 0-0.
ABISSNET SUPERIORE
NDESHJET, JAVA 23
Të shtunën, 10 shkurt 2024
Egnatia-Laçi 13:30
Vllaznia-Teuta 17:00
Dinamo City-Partizani 17:00
(Luhet në “Niko Dovana”)
Të dielën, 11 shkurt 2024
Tirana-Erzeni 17:00
(Luhet në “AIR Albania”)
Skënderbeu-Kukësi 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Egnatia 22 47
2.Partizani 22 37
3.Vllaznia 22 34
4.Tirana 22 33
5.Dinamo City 21 28
6.Laçi 22 27
7.Skënderbeu 21 25
8.Erzeni 22 22
9.Teuta 22 21
10.Kukësi 22 19
“Derbi” kryeqytetit po luhet jashtë Tiranës!
Në fazën e parë
Në “Elbasan Arena”
Dinamo City-Partizani 1-3
Në fazën e dytë
Në “Arena e Demave”
Partizani-Dinamo City 0-0
Në fazën e tretë
Dinamo City-Partizani ???




















