Sigal

Kapiteni i Kroacisë Luka Modric dhe mbrojtësi Dejan Lovren mund të përfundojë në burg për maksimumi pesë vjet pasi janë akuzuar për dëshmi të rreme gjatë deponimit që kanë bërë në gjyqin e ish-drejtuesit të Dinamo Zagreb Zdravko Mamic.

Mbrojtësi i Liverpool dëshmoi në gjyq për marrëveshjet e tij me Mamic, i cili më parë është dënuar për gjashtë vjet e ghysmë për përvetësim dhe mashtrim me taksat. Në mars, edhe Modric u akuzua për të njëjtën vepër penale dhe tani nga Kroacia vijnë lajme se të dy nënkampionët e botës mund të përfundojnë në pranga.

Gjykata kroate dënoi Mamic, vëllain e tij dhe dy persona të tjerë, për përvetësimin e 15 milionë eurove nga paratë e klubit që prej vitit 2008, nga transferimet e lojtarëve të ndryshëm nga Dinamo në klube jashtë Kroacisë. Gjithashtu ata u akuzuan për mospagim taksash në vlerën 1,6 milionë euro.

Një prej këtyre transferimeve ishte ai i Lovren te Lyon në vitin 2010, ku Mamic ka marrë 50% të vlerës së shitjes së lojtarit. Qendërmbrojtësi u shit për një shifër total prej 8,3 milionë paund dhe gjatë gjyqit u pretendua se në kontratë u shtua një aneks që i jeptë të drejtën mbrojtësit të merrte 50% të shumë së shpenzuar për këtë lëvizje.