Curri: “Kundër Islandës vlejnë vetëm tri pikët”

482
Sigal

Mbrojtësi prishtinas mungonte në Kombëtarja nga ndeshja me Francën, në shtatorin e vitit të kaluar

Debatik Curri është thirrur për herë të parë nën urdhrat e trajnerit Xhani De Biazi, por mbrojtësi kosovar që luan kampionatin turk me Gençlerbirligi, duket se ia ka fituar zemrën italianit, të paktën me atë që ka treguar në tri seancat e para stërvitore. Vetë tekniku De Biazi tha se ka shumë besim tek ish-lojtari i Vorskla Poltavës, pasi sipas tij, Curri ka shumë eksperiencë dhe ka një motiv të madh. “Ndihem shumë mirë dhe më ka munguar atmosfera që krijohet në grumbullimet e Kombëtares. Kam filluar që dy muaj më parë të stërvitem në 100% dhe jam i gatshëm që të jap më të mirën  me ekipin”, – tha Curri në konferencën e tij për shtyp. 27-vjeçari mungonte në kombëtare nga shtatori i vitit të kaluar, kur u dëmtua në ndeshen Shqipëri-Francë 1-2, për eliminatoret e Euro 2012. Në fakt, Debatiku ka pësuar një seri dëmtimesh, që e kanë mbajtur larg edhe ekipit të tij, Gençlerbirligi, ku nga shtatë javët e para të kampionatit turk ai ka ka luajtur në total vetëm 42 minuta, në të tri ndeshjet në të cilat ai është aktivizuar si zëvendësues, ndërsa në Kupën e Turqisë, në takimin kundër Dersim Sporit ai luajti 90 minuta të plota.

– Curri, rikthehesh  në Kombëtare pas thuajse një viti, qysh kur u dëmtuat në ndeshjen me Francën, në shtator të vitit të kaluar. Si ndihesh?

– Ndihem shumë mirë dhe më ka munguar atmosfera që krijohet në grumbullimet e Kombëtares. Kam filluar që dy muaj më parë të stërvitem në 100% dhe jam i gatshëm që të jap më të mirën  me ekipin.

– Në grupin aktual të Kombëtares ka shumë fytyra të reja, me të cilët takoheni për herë të parë. A u ambientuat shpejt?

– Sigurisht që Kombëtarja ka pasur disa ndryshime të lidhura me futbollistët e rinj që kanë ardhur dhe jam i kënaqur me ata. U takova me të gjithë dhe isha entuziast për këtë rifillim pas dëmtimit. Që grupi ka harmoni u duk edhe në dy ndeshjet e shkuara, ku u pa qartë në fushë se jemi të bashkuar dhe të gjithë drejt një qëllimi.

– Me rikthimin tuaj duket se ka ardhur momenti që Lorik Cana të kalojë në mesfushë, duke qenë se Mërgim Mavraj tashmë është bërë titullar i padiskutueshëm. A mund të shohim këtë ndryshim në formacion dhe skemë?

– Ne dje (të hënën) kemi filluar grumbullimin dhe kemi kohë të bisedojmë, kemi stërvitje ku do të provojmë disa skema dhe nëse trajneri e sheh të arsyeshme të bëjë ndonjë ndryshim për të luajtur unë në mbrojtje dhe të kalojë Lorikun përpara apo ndonjë spostim tjetër, unë do të jap maksimumin sido qoftë. I mbetet trajnerit të vendosë.

– Në kampionatin e turk keni luajtur në ndeshjet e fundit, edhe pse jo me minuta të plota në këmbë. A ndiheni gati për të luajtur dhe dhënë maksimumin në këto dy ndeshjet e ardhshme?

– Sigurisht që ndihem gati, ndryshe s’do të kisha ardhur këtu.

– Trajneri Xhani De Biazi tha se na pret një ndeshje e vështirë ndaj Islandës. Në lojën ajrore, ata janë një skuadër tepër fizike dhe do të përdorin pikërisht shtatlartësinë për të na shënuar. Cili është gjykimi juaj?

– Nuk kemi parë Islandën dhe nuk e njohim aq sa duhet, por kemi nisur që ta dallojmë me nëpërmjet videove. Sigurisht, ashtu si thoni edhe ju, ata kanë shtatlartësinë armën e tyre të fortë, por mendoj se edhe ne nuk jemi mbrapa në këtë aspekt, pasi dhe në mbrojtje jemi të gjithë të gjatë (Mavraj, Dallku, Curri, Cana).

– Ndeshjen e parë ndaj Qipros, Shqipëria fitoi me vështirësi, teksa rezultati u zhbllokua në minuta e fundit falë golave të Edgar Çanit dhe Erjon Bogdani. Si e parashikoni ndeshjen ndaj Islandës?

– Sigurisht që do të jetë një ndeshje tepër e vështirë dhe, ashtu si ndaj Qipros, duhet të bëjmë kujdes, edhe pse duhet thënë se Qipro nuk është se na vuri në vështirësi, të paktën nga ajo që unë pashë. Sigurisht, ne duhet të përpiqemi që të japim më të mirën dhe që të marrim tri pikët, të cilat janë edhe më të rëndësishmet.

– Pavarësisht se, në përgjithësi ka një opinion pozitiv në lidhje me repartin e mbrojtjes, ku luajnë kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana dhe Mërgi Mavraj, kapiten i Grojther Furthit në Bundesligën gjermane, si ndaj Zvicrës në humbjen 2-0, ashtu edhe me Qipron në fitoren 3-1, u pa që mbrojtja kuqezi ka bërë gabime foshnjarake. A mendoni se problemi ynë pikërisht në këtë repart?

– Nuk mund t’ia vëmë fajin vetëm mbrojtjes për golat e pësuar, pasi e gjithë skuadra është ajo që ka përgjegjësi, duke qenë se në fushë luajmë 11 vetë. Sigurisht, duhet të përmirësohemi në këtë aspekt, ashtu si edhe në të tjerë.

– Debatik, a janë dy ndeshjet e radhës me Islandën e Slloveninë deçizive për të përcaktuar fatet e Shqipërisë në këto eliminatore?

– Nuk mund të them se janë kryesoret, por janë një pikë shumë e rëndësishme, pasi nëse i fitojmë këto dy takime do të rritet dhe skuadra, do të ketë më tepër mbështetje për ndeshjet e tjera që do të zhvillojmë. Gjithsesi të gjithë lojtarët në këto dy ndeshje do të mendojnë e do të luajnë vetëm për fitore. I kemi të gjithë mundësitë për të marrë pikët e plota.