Bujar QESJA/ Teuta përfaqëson Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare të Stambollit

1109
Sigal

Ekipi kampion i Teutës , nga e majta Emirjeta Isufi, Albas Xhupi, trajneri Musa Tërniqi dhe kampionia Liridona RexhajTeuta, mbretëreshë e topit të vogël

Më në fund Teuta e Durrësit qëllon në shenjë. Rikthehet bujshëm tek titulli kampion, duke ndërprerë mbretërimin e vajzave elbasanase të përbëra nga motrat Tosuni (Besjana dhe Sabina), si dhe Adeljada Isaku. Topi në formën e vezës, iu bind talentit dhe mjeshtërisë së tri vajzave durrsake: Liridona Rexha, Emirjeta Isufi dhe Alba Xhufi. Me 20 shtator në mesditë, në kryeqytetin e vendit, Tiranë, Teuta e Durrësit konfirmon supremacinë e saj ndaj ekipeve simotra të Partizanit, Elbasanit, Studentit, Flamurtarit dhe Tomorit. Fitoret e bujshme dhe të thella 3-0, duke humbur vetëm 1 set me Elbasanin, e vendosin Teutën me meritë në podin e titullit kampion, duke besuar se këtu rifillon mbretërimi i saj në pingpongun shqiptar. Këtë bindje dhe besim bart trajneri i njohur i Teutës dhe i ekipit kombëtar 55-vjeçari Musa Tërniqi, i cili u shpreh -“Më gëzon fitorja jo vetëm se rikthyem titullin kampion në Durrës pas 11 vitesh, por se këtej e tutje Teuta do të jetë gjithnjë në krye të të gjitha ekipeve. Puna shumëvjeçare më në fund dha frytet e veta dhe ne me të drejtë i gëzohemi këtij suksesi të bujshëm”. Dhe historia e re e pingpongut durrsak, është plotësisht në dorë të një grupi vajzash shumë të reja, por tre ishin përfaqësueset e saj në Tiranë: Liridona Rexhaj, Emirjeta Isufi dhe Alba Xhupi. Rexhaj është e datëlindjes 1999, Isufaj 1998 dhe Xhupi 2001. Mesatarja e moshës është 14.5 vjeç. Kurrë më parë një ekip kampion, nuk i ka takuar kësaj moshe çka tregon se durrsaket e reja prenë shiritin e titujve, që një zot e di se kur do të ndalen. Pingpongu në Durrës është me shumë traditë, aq sa edhe tani po të përmendësh motrat Lejla dhe Verushe Myshketa, Diktere Mustafaraj, Lindita Popa, Teuta Kalakula, Elda Zuriqi, Esmeralda Morava, Fatbardha Kumbulla dhe Elona Mustafa, vëmendja mbetet hipnotizuese. Janë emra të mëdhenj dhe shoqëruar me suksese të ndjeshme dhe të bujshme. Durrësi ia ka bërë hyzmetin topit të vogël, i cili i mbuloi me ndere dhe krenari. Teksa pas viteve 90-të koha e tranzicionit i lëkundi traditën, tashmë fillimi i dekadës së dytë të shekullit në vazhdim, po ia rikthen lavdinë e dikurshme. Dhe nxitës i tërë kësaj aventure të këndshme është i njëjti, ai i fillimit të viteve 90-të. Quhet Musa Tërniqi, që tërë familjen e tij ia fali pingpongut, ku veçojnë Klajdi dhe Erjoni. Vetë Musai është mjeshtër sporti dhe mjaft i njohur në botën e sportit të topit të vogël. Është 5 herë kampion i vendit (1985, 1987, 1989, 1992, 1997) dhe 2 herë fitues në spartakiadat kombëtare (’84 dhe ’89). Dhe Teuta me djemtë është po kaq e frikshme në traditë sa edhe femrat. Kujtoni emrat legjendë Petrit Turkeshi, Agron Reka, Ismail Beshiri, Agim Popa, për të vazhduar me Selim Pumin, Dhimitraq Papain, Azem Kapedanin, Flamur Bakon, Kujtim Macukullin, Eduard Llançarin e plot të tjerë. Tifozeria e durrsakëve në pingpong mund të krahasohet me futbollin, ku masiviteti arrinte kulmin. Luhej kudo, në shkolla, lagje, mjedise të lojërave dhe emri i Lokomotivës (Teuta e sotme) lakohej në veprimtari kombëtare me potencën e titujve kampionë. Dhe tani si një esencë e kësaj garde të njohur pingpongistësh, ngrihet puna e Musa Tërniqit, pasioni dhe zelli i të cilit për pingpongun jo vetëm që nuk  është shuar por ndezur edhe më tej. Sapo bëhet i njohur suksesi, vjen edhe një reagim nga Italia nëpërmjet faqeve të Facebook. Është 9 herë kampionia e vendit Elda Zuriqi, e cila emigroi në Italinë fqinje në fillim të viteve 90-të. Ja dhe shënimi i saj:-“Shumë bukur vajzat durrsake, që janë krenaria ime së bashku me trajnerin e palodhur, i cili nuk rreshti të më stërviste edhe mua për shumë vite, shokun tim Musa Tërniqi”. Dhe reagimi i Tërniqit ishte i menjëhershëm: -“Të faleminderit Elda. Ti vazhdon të jesh pjesa më e mirë e jona. Vajzat janë të reja dhe kanë dëshirë të të njohin, pasi unë gati u flas për ditë për shembullin tënd të shkëlqyer në pingpong”.
Edhe në këto raporte njerëzore suksesi i ndjeshëm i Teutës, trondit dhe risjell në skenën sportive dukuritë më të mira të saj. Pa dashur të bëhen diferenca tek kampionet e reja, ajo që meriton të flitet me zë të lartë është prezenca në ekip i një rakete shumë të talentuar. Në moshën 10 vjeçare për herë të parë Liridona mban në duar raketën dhe brenda 5 viteve ajo po bën kërdinë mbi rivalet e saja. Lan me të dyja duart. Kryen një shërbim për t’ia pasur zili, mbrohet mirë dhe godet në përmasat e pikës. Punon shumë, disa orë në ditë duke ndërtuar një regjim sportiv model. Shumë e mirë në mësime, e sjellshme dhe shumë e respektuar edhe në sport. Tërniqi, megjithëse i rezervuar në vlerësimet e tij, nuk mund të anashkalojë fakte të tilla që flasin për një talent të jashtëzakonshëm të pingpongut shqiptar: “Megjithëse e re, fitoret e saj janë të sigurta duke mos humbur asnjë set. Liridona është kampione kombëtare me paratërejat, të rejat, me 21- vjeçarët dhe tani së fundmi edhe me të rriturat. Forma sportive që manifeston është e përmasave të tilla, që do të jetë me fat ajo lojtare pingpongu që mund ti marrë qoftë edhe një set të vetëm. Është e papërballueshme”. Këto më flet Musa Tërniqi, teksa i shkela ditët e fundit në vendin komod, ku ekipi kryen stërvitjet e përditshme. Opinioni pozitiv është i fituar edhe për Emrjeta Isufin, “veterania” 16- vjeçare e ekipit. Isufi e njeh raketën e pingpongut para 6 viteve dhe tani nuk e lëshon nga dora. Edhe kur bën detyrat e shkollës, i duket se njërën dorë ia ka zënë raketa. Por shumë interesante po bëhet 13- vjeçarja Alba Xhupi. Më pak se dy vite nga frekuentimi i topit të bardhë e të vogël të pingpongut ajo vendosi emrin e saj në listën e kampiones më të re të vendit. Dhe ky grup paraqitet i mbarë edhe me prezencën e pingpongistëve të tjera në moshë shumë të re. Tërniqi na tregon rastin e Samanta Agollit. Është 8 vjeçe dhe zbulova krejt rastësisht duke parë temperamentin e veçantë të saj. Ajo që të gëzon në tërë këtë histori suksesi, është objektivat që shfaq Teuta në pingpong. Duke i mbyllur mirë e bukur punët e saj në pingpongun shqiptar, Musa Tërniqi kërkon të rivalizojë edhe në raportet ndërkombëtare, aq sa nuk është parë kurrë më parë.-“Suksesi pa dyshim më gëzoi-, nënvizon ndër të tjera mjeshtri i raketës durrsake Musa Tërniqi- por nuk më vetëkënaq”. Puna shumë vjeçare po jep rezultatet, por duam që kur të konkurrojmë me botën, të mos mbetemi vulë e humbur. Nuk premtohet të udhëheqim botën në pingpong, por edhe shëtitje si deri tani të mos bëjmë. Duam të dallohemi, për ti bërë nder vetes, Teutës dhe natyrisht edhe sportit shqiptar”. Dhe argumenti më i fundit mbeten lojërat mesdhetare që zhvillohen në Stamboll të Turqisë me 11-12 tetor 2014. Në këtë eveniment Shqipërinë e përfaqëson Teuta e Durrësit si ekip kampion. Më pas në Shqipëri, me 15 tetor 2014 zhvillohet kampionati ballkanik me 21- vjeçarët në nivele ekipore. Dhe Tërniqi është prezent këtu si trajner i ekipit përfaqësues. U larguam nga mjedisi magjik, i pingpongut të kampiones më të re
të Shqipërisë Teutës së Durrësit, me bindjen e plotë se ky ekip avancimin dhe ecurinë i ka prioritetet e saja. Vajza të reja, simpatike por shumë kurajoze drejt çudisë sportive. Dhe nxitësi i ëndrrave të tyre është po i njëjti, Musa Tërniqi.