Sigal

Trajneri i Kombëtares së Brazilit, Tite ka emëruar kapitenin e ri Neymar, duke hequr rrotacionin me shiritin. Sulmuesi brazilian i PSG, ndihet gati për të bërë rolin e liderit, duke shpjeguar edhe formën e dobët në Kupën e Botës.

“Jam kritikuar shumë gjatë Botërorit. Kisha shumë presion, por jam rritur shumë si njeri dhe e ndiej se mund të jem kapiten. Mendoj se kjo përgjegjësi do të më bëjë mirë”, tha ylli brazilian.

Kritikat për Neymar u shtuan shumë gjatë përvojës në Botërorin rus, për shkak se ai rrëzohej shumë në fushë. Për këtë braziliani tha se sulmohet vazhdimisht nga kundërshtarët, që përdorin ndërhyrje të rënda për ta ndalur.

“Jam një lojtar që kur ka njëmbëdhjetë herë topin nën kontroll, arrin ta kalojë kundërshtarin 10 herë. Nuk më lënë të kaloj pa më goditur. Edhe në Rusi, më kanë shkaktuar shumë faulle, por tani ka kaluar”, u shpreh Neymar.