Sigal

Boksieri që njeh vetëm fitore. Kjo ishte e 10-ta si profesionist

Parku Olimpik “Feti Borova” në Tiranë ka përjetuar këtë të shtunë një nga fitoret historike të boksit shqiptar dhe jo vetëm. Kampioni i Botës, Jurgen Uldedaj ka mposhtur përballë një tifozerie të ndezur një rival të klasit botëror siç ishte argjentinasi Nikolas Leandro Alganaraz. Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj ia ka dalë të shpallet Kampion Bote në boks për të rinj duke fituar ndeshjen dhe njëherazi duke ruajtur të paprekur rekordin e ri në peshën “cruiserweight” ku deri tani është 10-0 Boksieri lezhjan mbante rekordin me 9 fitore dhe asnjë humbje në karrierën e tij si profesionist, ndërsa ndeshja e mbrëmjes së të shtunës është e para në karrierën e tij si profesionist, në Shqipëri dhe regjistron fitoren e 10-të të radhës për të.

Në ndeshjen e zhvilluar në Parkun Olimpik “Feti Borova” , lezhiani ia ka dalë të triumfojë pas 10 raundeve shumë të luftuara përballë rivalit të tij, i cili gjithashtu kërkonte me çdo kusht të merrte brezin e një Federate prestigjioze si ajo WBO. Boksieri ynë tregoi vazhdimisht superioritetin e tij, duke arritur edhe të hidhte në “knock down” kundërshtarin argjentinas në një nga raundet e takimit (raundi i 4), ndërsa nuk u duk asnjëherë sikur rrezikonte të humbte ndeshjen. Ka qenë një nga boksimet më të bukura dhe më me rivalitet që ka përjetuar Parku Olimpik, në një ndeshje që boksierët kanë treguar qëndrueshmëri dhe karakter. Raundi i parë ishte intensiv, me të dy boksierët që grushtonin, me një epërsi të lehtë të argjentinasit. Edhe i dyti dukej si një raund i barabartë, ku Uldedaj ishte më mirë në gjuajtje në distancë ndërsa argjentinasi kishte epërsi në gjuajtjet afër. Lufta në ring ka vijuar e fortë, me agresivitet, raundi i tretë mund të ketë sjell një epërsi të lehtë për shqiptarin, por sërish sfida ishte e ekuilibruar. Raundi i katërt do të sillte “knock down-in” e parë në favor të boksierit shqiptar, por kjo nuk uli intensitetin e agresivitetit e kundërshtarit. Raundi i pestë rezultoi po aq i fortë dhe agresiv sa të gjithë raundet e tjera dhe shenjat e lodhjes nuk u ndjenë tek asnjëri nga boksierët. I gjashti ishte në favor të Leandro Arganaraz, i cili nxori në pah shpirtin argjentinas të boksimit. I shtati solli më superior 21-vjeçarin shqiptar. Raundi i 8 rezultoi një luftë e ekuilibruar, por Uldedaj pati një rritje të intensitetit të gjuajtjeve. Ndeshja ishte e fortë, vijoi e tillë edhe në raundin e parafundit, duhet rikujtuar se asnjë nga dy boksierët nuk kishte marrë asnjë humbje deri tani. Raundi i fundit ishte raundi vendimtar që i dhuroi titullin Kampion Bote për të rinj boksierit shqiptar Jurgen Uldedaj, pasi fitoi me pikë 98-91 ndaj rivalit Nicolas Leandro Arganaraz. Ndaj në fund, pak kush kishte dyshime dhe të tre gjyqtarët dhanë vlerësimin 98-91 për shqiptarin, duke i dorëzuar brezin e WBO

Jurgen Uldedaj mendon se titulli Kampion Bote i WBO për të rinjtë është vetëm hapi i parë i rëndësishëm në karrierën e tij, pasi objektivi është të shikojë gjithnjë e më shumë para dhe të ngjitë shkallë në renditjen botërore për të synuar të arrijë në majë, te gjerdani për të rritur. “Jeni një publik i mrekullueshëm, ju dua të gjithëve, faleminderit për pjesëmarrjen! Ky titull u dedikohet të gjithëve”, tha Uldedaj menjëherë pas suksesit i pushtuar nga emocione të shumta. Më tej Kampioni do të shprehej – “Ky është një motivim i vogël, shumë i vogël për mua, për të arritur qëllimin kryesor që kam për t’u shpallur Kampion Bote në këtë Federatë për të rritur. Ishte një ndeshje e fortë, siç e patë kundërshtari nuk kishte ardhur kot, ishte ndeshje më se reale. Ishim në ring për ta fituar dhe më i miri fitoi. Përderisa kam hipur në këtë ring, frika nuk ekziston dhe gjatë gjithë kohës kam qenë i ndërgjegjshëm që do të kthehem në shtëpi me këtë titull”.

Ajo që e bën edhe më bindëse dhe të bukur këtë fitore është unanimiteti i gjyqtarëve, të cilët e vlerësuan këtë fitore me realizëm dhe profesionalizëm. Vlerësimi i gjyqtarisë ishte: Gjyqtari i parë, Mateo Montela, dha rezultatin 98-91. Gjyqtari i dytë, Hoze Martinez 98-91, po të njëjtin vlerësim dha edhe gjyqtari i tretë, Piter Adam 98-91. Kështu, boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj fitoi me vendim unanim nga gjyqtarët. Kjo bëri që edhe nga stafi i argjentinasit mos të kishte kontestime.

21-vjeçari Jurgen Uldedaj ka lindur, në 26.08.1977, në Lezhë dhe e ka filluar karrierën në Shqipëri duke u shpallur kampion Evrope në kategorinë amatore. Ka fituar dy medalje të bronzta për Shqipërinë, në vitin 2013, në Rusi dhe në Kroaci në kampionatin Evropian. Në kampionatin Botëror në Bullgari zuri vendin e 5-të, kjo ishte një fitore që i parapriu fitores së Kupës së Botës në Azerbajxhan. Emigron 17 vjeç për në Gjermani për të kaluar si profesionist në moshën 18 vjeç. Trajneri i lezhianit pas trajnerit nga Lezha, Rigels Nica dhe tiranasit Suad Bushati është Dirk Dzemaski, një ish-kampion Olimpik, që e ka trajnuar lezhjanin, duke e shpallur edhe kampion të Gjermanisë, në peshën 90 kg. Modeli i boksierit që kërkon të bëhet është Luan Krasniqi, me të cilin ka pasur ëndërr të ndeshej. Në karrierën e tij profesioniste 10 fitore i ka arritur në 10 takime, ndërsa prej tyre 2 fitore i ka me knock out.