Sigal

Trajneri i skuadrës përfaqësuese të futbollit, Christian Panucci ka shpallur sot listën e 25 lojtarëve që do të grumbullojë në vigjilje të dy ndeshjeve të tetorit të ekipit kombëtar, fillimisht në miqësore me Jordaninë, të mërkurën, në datë 10 tetor, në “Elbasan Arena”, dhe më pas takimin zyrtar eliminator me Izraelin në Ber Sheva, në datë 14 tetor, i vlefshëm për raundin e tretë të Grupit C1 për Ligën e Kombeve.

Spikasin në këtë listë të teknikut kuqezi, katër futbollistë që vijnë për herë të parë në skuadrën kombëtare: mbrojtësi Egli Kaja, që aktivizohet në radhët e skocezëve të Livingstone, Kastriot Dermaku, që luan në radhët e ekipit të Cosenzas, si dhe dy sulmues, të cilët kanë marrë ftesën e trajnerit Panucci për këto dy ndeshje, ish-sulmuesi i Laçit, Myrto Uzuni, i cili që nga ky sezon luan në kampionatin kroat me Lokomotivën e Zagrebit, si dhe Giaccomo Vrioni, që vjen nga Venezia.

Kastriot Dermakut ka qenë i grumbulluar me Kosovën në ndeshjen me Ishujt Faroe, por një ditë para takimit u largua nga grumbullimi. Trajneri i Kosovës, Callandes e ka justifikuar largimin si një problem personal të futbollistit.

Vijojnë ndërkaq të jenë të dëmtuar dhe në fazën e tyre të riaftësimit futbollistët Roshi e Sadiku, në një kohë që skuadrës i është bashkuar edhe Eros Grezda, i cili në grumbullimin e fundit, për probleme fizike nuk ishte në dispozicion të grupit.

Skuadra përfaqësuese e futbollit do të nisë seancat stërvitore ditën e hënë në kompleksin “Tropikal”, ku dhe do të grumbullohet në vigjilje të këtyre dy ndeshjeve