Basti i Mujo Targajt: “Fitojmë me Norvegjinë!”

792
Sigal

Ish-legjenda e Dinamos dhe ish-kapiteni i Kombëtares: “Na presin pesë finale të mëdha”

 Ish-kapiteni i Dinamos dhe i Kombëtares shqiptare, Muhedin Targaj, mendon se, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të fituar me Norvegjinë, më 7 qershor, një ndeshje kyçe dhe ku varen shanset e Kombëtares për të vazhduar ëndrrën për një vend në finalet e Botërorit të Brazilit. “Pavarësisht faktit që, fituam takimin e parë në Olso, unë mendoj se duhet të ruhemi shumë nga euforia. Nëse ne do të fitojmë ndaj Norvegjisë, edhe mund të kualifikohemi”, – tha Targaj për “Telegraf”. Muhedin Targaj konsiderohet si një nga futbollistët më të mirë të Shqipërisë, dhe një nga qendërmbrojtësit më cilësorë që ka pasur Kombëtarja jonë. Në kohën kur Mujo mbërriti te Dinamo në vitin 1973, te blutë ishin lotjarë të tillë si Sejdini, Zëri, Çiraku, Ballgjini, Përnaska, etj. Dinamo ka nxjerrë emra të tillë si Zihni Gjinali, Skënder Jareci, Skënder Begeja, Hamdi Bakalli, Stavri Lubonja, Muhamet Vila, Mehdi Bushati, Faruk Sejdini, Medin Zhega, Kujtim Çoçoli, Torez Çiraku, Ilir Përnaska, Vasillaq Zëri, Shyqyri Ballgjini, Andrea Marko, Sulejman Demollari, Agim Canaj, etj..  Muhedin Targaj ka luajtur për fanellën e Dinamos nga viti 1973 deri 1987, duke fituar pesë tituj kampionë. Me Kombëtaren është aktivizuar në vitet 1980-1985, ka luajtur 22 ndeshje dhe ka realizuar 3 gola: kundër Finlandës, Gjermanisë Perëndimore dhe Austrisë.

  -Zoti Targaj, pas dy javësh Shqipëria do të përballet me Norvegjinë, për eliminatoret e Kampionatit Botëror. Si e parashikoni?

– Është një ndeshje shumë e rëndësishme, për vetë pozitat që ka skuadra jonë, por dhe vlerave që ka kundërshtari. Jemi në vend të dytë pas pesë ndeshjeve të para, gjë që s’ka ndodhur më parë me ekipin tonë. Pavarësisht faktit që, fituam takimin e parë në Olso, unë mendoj se duhet të ruhemi shumë nga euforia.

– Takimin ndaj Norvegjisë, thuajse të gjithë e konsiderojnë si një ndeshje kyçe në lidhje me një kualifikim të mundshëm në Botëror. Ju si një njohës i mirë i Kombëtares, si e vlerësoni?

 – Edhe unë u bashkohem këtij mendimi se, kjo është ndeshja kyçe e edicionit. Nëse ne do të fitojmë ndaj Norvegjisë, edhe mund të kualifikohemi, pasi nga grupi ynë një do të dalë direkt dhe vendi i dytë do të luajë në ndeshje “play-off”-i.

– Nga përfundimi i eliminatoreve kanë mbetur edhe pesë ndeshje…

– Unë mendoj se, ne duhet të shohim këtë ndeshje, dhe më pas të mendojmë për takimet e tjera. Duhet të jemi të përqëndruar vetëm në këtë takim.

– Me trajnerin De Biazi në bankinë, Kombëtarja ka pësuar një rinovim të thellë të grupit. Sa po ndikon ky ristrukturim i ekipit?

– Po, ka një grup të mirë lojtarësh. Janë gati 25 lojtarë cilësorë, kur në kohën time kanë qenë vetëm 14-15 të tillë. Ka futbollistë shumë të mirë dhe të talentuar, përfshirë dhe ata që qëndrojnë në stol. Thuajse të gjithë luajnë në Europë dhe kanë eksperiencë ndërkombëtare me ekipet e tyre. Prandaj, kam dhe besim te ky ekip.

– Si e vlerësoni Norvegjinë si kundërshtar?

– Pavarësisht lojtarëve aktualë, Norvegjia ka një emër të respektuar në Europë. Ka emër. Nuk duhet të harrojmë faktin se, ata do të vinë në Tiranë shumë të mobilizuar, nisur edhe nga humbja që pësuan në Norvegji. Gjithsesi, unë kam shumë besim se do të fitojmë.

Mujo, ju keni qenë ish-lojtar dhe ish-kapiten i Kombëtares. Duke i parë grupin e lojtarëve të kohës suaj, a mund të na bëni një krahasim?

– Ka një ndryshim të madh sigurisht, pasi unë kam luajtur para viteve 1990. Ne maksimumi kemi bërë 20-25 ndeshje, ndërkohë që lojtarët titullarë kanë më shumë se 30 ndeshje. Atëherë ne kemi pasur shumë pak takime ndërkombëtare, rrallë bëhej fjalë për miqësore. Të mos harrojmë se në vitet 1972-1980 nuk pati takime ndërkombëtare. Në kohën tonë kishte tjetër mentalitet, me këtë të tanishmin. Sot ka shumë lojtarë cilësorë dhe të kompletuar.

– Sa do të ndikojnë tifozët?

– Absolutisht, shumë. Janë lojtari i 12-të. Të mos harrojmë se, ndeshja kundër Norvegjisë është si një finale. Më pas vijnë të tjerat. Kemi shumë lojtarë. Sidomos, kemi katër-pesë sulmues të mirë.

– Federata Shqiptare po tregon një kujdes të veçantë në lidhje me ekipet kombëtare. A po i marrim frytet e saj?

– Pa dyshim. Kemi pesë-gjashtë vjet që, janë ngritur zyrat në Zvicër, Greqi apo Itali. Po zhvillojmë grumbullime jashtë, për të thithur lojtarët më të mirë. Kanë kushte fantastike, njëlloj si Gjermania, Franca, Italia. Edhe ekipet U-21, U-19, U-17 kanë ecuri të mirë.

– A e vini një bast për fitoren?

– Po, unë them se do të fitojmë.

  VLERËSIMI

“Xhani De Biazi, një trajner taktik”

 Muhedin Targaj ka qenë nën urdhrat e trajnerëve shqiptarë të Kombëtares, pasi i pari i huaj që ka punuar pas viteve 1990 ka qenë italiani Xhuzepe Dosena, ky i fundit mbërriti në Shqipëri në vitin 2002. Targaj ka pasur trajner Zyber Konçin, Shyqyri Rrelin, Agron Sulajn. Por, si mendon Mujoja për italianin De Biazi, trajneri e gjashtë të huaj pas vitit 2002. “Xhani De Biazi është një trajner shumë taktik. Më pëlqeu shumë sesi ai e vendosi skuadrën kundër Norvegjisë në Oslo. Për mendimin tim, ishte merita e De Biazit që fituam atje. Taktikisht luajti më mirë se homologu i tij kundërshtar”. De Biazi ka fituar tri nga pesë ndeshjet e deritanishme zyrtare.

 KONSIDERATA

“Mërgim Mavraj, lojtar i kompletuar”

 Muhedin Targaj vlerësohet si një nga qendërmbrojtësit më të mirë që ka pasur ekipi Kombëtar, madje ai ka pasur edhe shiritin e kapitenit, në shenjë vlerësimi. Aktualisht, Kombëtarja e ka disi të improvizuar qendrën e mbrojtjes, ku kapiteni Lorik Cana (do të mungojë në ndeshjen kundër Norvegjisë) është një mesfushor shkatërrues i spostuar në zemër të mbrojtjes. Qëndërmbrojtësi tjetër është Mërgim Mavraj, kapiteni i Grojther Fyrthit në Bundesligën gjermane. “Personalisht, e pëlqej shumë Mavrajn. Për mua është lojtari më i mirë që, ne kemi sot për sot”. Mavraj dallohet për qetësinë e tij, dhe për ndërhyrje shumë të sigurta, duke qenë një vlerë më shumë.

 Ndeshja ishte vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Meksikë 1986”. Shënuan Mirel Josa dhe Arben Minga

 Kapiten i skuadrës që, mposhti 2-0 Belgjikën

 Muhedin Targaj ka qenë kapiteni i skuadrës Kombëtare që, mposhti 2-0 Belgjikën, në një nga fitoret më të mëdha të Shqipërisë. Një ndeshje e madhe e Kuqezinjve, të arritur me golat e Mirel Josës dhe Arnben Mingës, në një stadium “Qemal Stafa”, tërësisht të elektrizuar. Një ndeshje e zhvilluar, më 22 dhjetor 1984, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Meksikë 1986”.

Ekipin e drejtonin trajnerët Shyqyri Rreli dhe Mehdin Zhega (ndihmës). Në skuadër në atë kohë ishin emra të tillë si Agustin Kola, Muhedin Targaj, Haxhi Ballgjini, Arben Minga, Ferid Ragami, etj. Në Belgjikë (17 tetor 1984), Shqipëria humbi 3-1, por me të vërtetë zhvilloi një lojë të mirë, me një pjesë të parë të mbyllur 0-0. Belgët shënuan të parët (Klasen), por (Bedri) Omuri realizoi golin e barazimit. Belgët humbën një penallti (Klasen), por Shifo dhe një lojtar tjetër (Vurdekers) fiksuan shifrat 3-1. Shqipëria, kishte barazuar 2-2 me Poloninë në Mielec (31 tetor 1984), me një lojë shumë të mirë, me golat e Omurit dhe Augustin Kolës dhe ndeshja e kthimit me Belgjikën, u zhvillua dy muaj më pas. Belgjika, përpara se të luante në “Qemal Stafa” kishte luajtur tri ditë më parë në Greqi (0-0, 19 dhjetor 1984), dhe nuk e kishte llogaritur Shqipërinë si një “kockë të fortë”. “Ishte vërtetë një ndeshje e madhe ajo kundër Belgjikës. Bëmë një lojë të mrekullueshme. Jam i bindur se, ndaj Norvegjisë, mund të bëjmë një ndeshje të madhe, ashtu siç edhe bëmë ndaj Greqisë. Tifozët do të ndikojnë shumë në ndeshjen kundër Norvegjisë, pasi ata i nxisin jashtë mase futbollistët”, – tha Targaj. Golat e Shqipërisë ishin shumë të bukur ndaj Belgjikës. Tek i pari, Sulejman Demollari nisi një top të gjatë për Augustin Kolën, ky i fundit goditi me kokë, portieri belg Pfaf e grushtoi, por topi u rikthye te Mirel Josa, që shënoi me kokë (në minutën e 69-të). Golin e dytë e shënoi Arben Minga, pas një pasimi të Agustin Kolës, në minutën e 86-të. Më pas humbëm me Greqinë (2-0), barazuam 0-0 me Turqinë dhe humbëm 1-0 në Tiranë me Poloninë, me atë gol të realizuar nga Bonjek i Juventusit.

 Kur i shënoi gol Gjermanisë

  Muhedin Targaj e ka veshur 22 herë fanellën e Kombëtares, në periudhën 1980-1985, duke shënuar tre gola, që të tre me penallti. “Po, kam shënuar tre gola, pikërisht kundër Finlandës (në humbjen 2-1, 2 shtator 1981), Gjermanisë Perëndimore (në humbjen 2-1, më 30 mars 19982, në Tiranë) dhe Austrisë (në humbjen 2-1, më 8 qershor 1983, në “Qemal Stafa”). Kemi bërë vërtet ndeshje të mira me Gjermaninë. Unë mendoj se, ne bëjmë ndeshje shumë të mira me skuadra të forta, por lëshohemi ndaj atyre të dobëta. Unë e kam frikën te skuadrat e barabarta, – tha ish-kapiteni i Kombëtares. Ndeshja e tij e parë është ajo kundër Finlandës, më 3 shtator 1980, në “Qemal Stafa”, në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Spanjë 1982”. Një takim i fituar 2-0, me golat e Sefedin Brahos dhe Millan Baçit dhe me trajner Zyber Konçin. Ndeshja e fundit ishte ajo kundër Greqisë, në barazimin 1-1, më 30 tetor 1985, në “Qemal Stafa”, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Meksikë 1986”, me trajner Agron Sulajn. Targaj ka luajtur kundër Finlandës (2 herë), Bullgarisë, Austrisë (3 herë), Gjermanisë Federale (3 herë), Turqisë (3 herë), Belgjikës (2 herë), Polonisë (2 herë) dhe Greqisë (2 herë). Mujo ka punuar me trajnerët Zyber Konçi, Loro Boriçi, Shyqyri Rreli dhe Agron Sulaj.