Bashkia dhe risitë e Maratonës së Tiranës

527
Sigal

Bashkia e Tiranës ndjek pa u lodhur programin e vet të punëve “maratonomake”

Risitë e  Maratonës së Tiranës

Nasho Bakalli

Ishte një ditë feste sportive që u përsërit për të katërtën herë, paprerë, në Tiranë. E bollshme për nga pjesëmarrja; pa stërhollime; pa bujë.

Bashkia e Tiranës ndjek pa u lodhur programin e vet të punëve “maratonomake” duke, mos i bërë aspak dredha mbajtjes së premtimeve që i ka ngarkuar vetvetes; domethënë se, ajo po i zhvillon problemet e kryeqytetit në përputhje me gjendjen e interesat reale të banorëve dhe, duke mbajtur gjithmonë parasysh të tashmen si dhe, të pritmen e Tiranës e të gjithë Shqipërisë. Kjo, sepse sot, jo pak njerëz kanë nevojë të dalin plotësisht nga errësira në dritë; të shkëputen nga dogmat ideologjike partiake; dhe të përqafojnë me bindje vetjake lirinë e mendimeve të mirë ajrosura.

Bashkia, me vepra qartësisht të dukshme, po e mbush humnerën e gjithkahshme që i la Bashkia e ish-kryetarit Lulëzim Basha, Ajo këmbëngul të krijohet te qytetarët, sidomos te rinia, një mentalitet i ri duke inkurajuar tiparet, sjelljet, shpërfaqjet moderne bashkëkohore kundrejt punës; investimeve publike; jetesës në komunitet; kalimit të kohës së lirë.

 

Dhe në këtë kuadër nëpunësit e zellshëm të Bashkisë gjykuan, katër vite më parë, se ishte koha të ndërmerrnin një veprimtari madhore e sistematike me karakter kulturor, fizik e sportiv në interes të kënaqjes drejtpërdrejt të qytetarëve të Tiranës, Kështu, nismuan Institucionin e Maratonës. Që sendërtohet edhe në praktikë jo vetëm si një garë masive sportive po edhe, si një ngjarje festive gjigante, e cila i fton njerëzit e të gjitha moshave, feve, bindjeve politike, gjinive, niveleve ekonomike, arsimore, kulturore, dhe shtresave sociale etj., të mblidhen tok. Tërë qytetarët e pëlqejnë maratonën, paçka se nuk garojnë të gjithë, dhe e mbështesin atë për prurjet e saj fizike dhe sportive të shëndetshme për trupin dhe mendjen.

Maratona e katër ditëve, edhe ajo, t’iu riqëndrojë më së miri kërkesave të njeriut, kohës, vendit. Lënda përbërëse e saj, në të gjitha hallkat e veta, ishte edhe më fine se e tre të parave. Këtë arritje unë e çmoj si meritë të drejtpërdrejtë të nëpunësve të sërës së mesme e të ulët të Bashkisë dhe të agjencive të saj. Nga ana tjetër, që nuk ka nevojë për diskutim, jemi të vetëdijshëm se Tirana nuk e ka ‘takatin’ të realizojë një maratonë si ajo e New York-ut, për shembull. Por një maratonë si ajo e New York-ut – në miniaturë – po themelohet edhe në Tiranë.

Po duhet edhe shumë punë?! Po, duhet. Punoni edhe më fort. Po t’iu rëndet puna, hapni krahun se ka me mijëra djem e vajza të mrekullueshëm që theken në diell papunë. Mos u dekurajoni nga vështirësitë e rritjes; dhe as nga deklaratat patetike të zëdhënësve të SHQUP-it, të cilët pa pikë sqime për mençurinë e qytetarëve të Tiranës iu përcollën këtyre, nëpërmjet mediave dhe rrjeteve sociale, sapo mbaroi Maratona e katër e Tiranës, mesazhe idiote, si për shembull: … Maratona e Tiranës i shërben Bashkisë si fasadë për të mbuluar punët e saj të mbrapshta … .

Në këtë kuadër, kam të drejtë edhe unë t’iu bëj një vërejtje organizatorëve të Maratonës – vërejtje, e cila përbën tërthorazi nderim për ata – dhe që është se: Niveli i mbarëvajtjes së Maratonës të katërt ishte shumë i fisëm për botëkuptimin e vobektë të argatëve politikë të SHQUP-it. Këta, me zëdhëniet e tyre publike, treguan se e patën të vështirë të heshtnin (Heshtja është flori.) përballë, thirrjes gjithë bashkuese që përçoi te qytetarët Maratona. Ngaqë ajo zbriti rrëmbyeshëm në shpirtrat e atyre që: morën pjesë; e panë, e dëgjuan dhe që e mësuan nga të tjerët.

Përfundim. Druaj se përvoja e gjallë krijuese e bashkisë të Tiranës do shkojnë kot. PD nuk diti dhe ende nuk po di si t’i harmonizojë veprat e dobishme të të tjerëve në favor të interesave të saj politike. Mjerë qytetarët tiranas, nëse PD-së do t’i bjerë rasti ta kryesojë Bashkinë e Tiranës edhe një herë tjetër.