Artur Lekbello: Europiani i merituar, koha për ekip më të konsoliduar

31

ATMOSFERË/ Pas kualifikimit, flet për “Telegraf” ish-portieri i Kombëtares, Artur Lekbello

Sigal

 

Agron KAJA

“Ndryshe nga Euro 2016, këtë herë kishim një ekip më të konsoliduar, por kemi edhe një trajner me më shumë kualitet. Është shtuar bashkërendimi kolektiv në lojë e ka progres të admirueshëm në goditjet në portë.”

Stadiumi Air Albania përjetoi festën kombëtare të kualifikimit në Euro 2024, si ishte atmosfera?

Sigurisht që ishim të entuziastë, por do na lumturonte më shumë goli që ta bënte atmosferën më të zjarrtë, sepse çdo gjë ishte në parametrat e bukurisë e kënaqësisë. Të gjithë shqiptarët besoj se janë bërë krenarë për këtë arritje.

Edhe pse me Ishujt Faroe modestë, si luajti Kombëtarja jonë në këtë sfidë?

Nuk them se Ishujt Faroe ishin modestë, sepse në fushën e lojës ata treguan një bagazh të mirë teknik dhe lojë shumë të organizuar. Ishin 90 minuta festive dhe kolauduese, pasi trajneri Silvinjo bëri disa ndryshime në formacionin bazë.

Kualifikimi i përket gjithë skuadrës. Ju çfarë veçoni te Kombëtarja jonë në këtë përballje?

Të gjithë lojtarët që u aktivizuan luajnë në skuadra profesioniste në Europë dhe të tillë u treguan. Mitaj dhe Asani, janë dy zbulimet e këtij Europiani, por do dëshiroja të ishin edhe Kumbulla me Brojën.

Nisur nga rrugëtimi në Grupin E, nga Polonia te Ishujt Faroe, cilën sfidë e veçoni?

Nuk i ndaj të gjitha ndeshjet që Shqipëria luajti në Grupin E. Sepse të gjithë kundërshtarët u vlerësuan në maksimum, sepse ishin ekipet të përgatitur e seriozë. Këtë e tregoi ndeshja e fundit me Ishujt Faroe, e të gjithë ishin seriozë në grup.

Me Kumbullën e Brojën që rikthehen pas dëmtimeve, do jemi më të plotë si skuadër në Gjermani?

Duke patur shumë talente në përbërje, Kombëtarja jonë mendoj se do shkojë e kompletuar në Gjermani. Trajneri Silvinjo këtu do ta ketë sikletin më të madh në krye të skuadrës, sepse përzgjedhja të limiton edhe në numër.

Në këtë sukses, çfarë do të thonit për trajnerin Silvinjo dhe stafin e tij?

Është si të themi se çfarë roli ka një komandant në një betejë të fituar. Edhe Silvinjo u tregua një komandant shumë i zoti në menaxhimin, organizimin e drejtimin e skuadrës në të gjitha sfidat. Unë e vlerësoj maksimalisht.

Ky është Europiani i dytë që do marrim pjesë, si e mendoni Shqipërinë këtë herë?

Ndryshe nga Euro 2016, këtë herë kishim një ekip më të konsoliduar, por kemi edhe një trajner me më shumë kualitet. Ndërkohë që kemi rritje, është shtuar bashkërendimi kolektiv në lojë e ka progres të admirueshëm në goditjet në portë.

E mendoni se këtë herë do të ketë rrugëtim më të gjatë se në Europianin 2016?

Duhet të jemi me këmbë në tokë kur të shkojmë në Gjermani. Deri atëhere koha për trajnerin është e mjaftueshme të përzgjedhë lojtarët më të mirë. Kështu do jemi besimplotë se ne do ta kalojmë grupin, ku do preferoja të kishim Gjermaninë, Serbinë e Zvicrën si kundërshtarë.

Trajneri Silvinjo, timonier i Kombëtares

Trajneri Silvinjo është timonieri i Shqipërisë, por edhe FSHF-në me Presidentin Duka do t’i veçoja në këtë sukses. Duhet të jemi me këmbë në tokë kur të shkojmë në Gjermani dhe deri atëhere koha për trajnerin është e mjaftueshme të përzgjedhë lojtarët më të mirë. Sepse ishin ata që ja lehtësuan punën trajnerit në këtë rrugëtim.

“EURO 2024” / GRUPI E

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Shqipëria                  8          15

2.Rep. Çeke                8          15

3.Polonia                     8          11

4.Moldavia                  8          10

5.Ishujt Faroe  8          2

TË KUALIFIKUARA

Shqipëria dhe Rep. Çeke

Golashënuesit tanë, me golat më të bukur europianë

Në tetë ndeshjet që Kombëtarja e Shqipërisë luajti në fazën kualifikuese të grupit E eliminator, shënoi 12 gola dhe pësoi 4. Me +8 gola diferencë, kjo është mesatarja më e lartë që Shqipëria ka arritur gjatë pjesëmarrjeve në eliminatoret e grupeve të Kampionateve Europianë. Dy janë futbollistët që kanë shënuar më shumë gola, Bajrami dhe Asani me nga 3, ndërsa Seferi 2 gola dhe me nga 1 gol janë Asllani, Muçi, Daku, Cikalleshi. Por veçohen golat e Jasir Asanit me Poloninë e Çekinë, si dhe i Asllanit me Ishujt Faroe.

Bastet dështuan me kuotat për kuqezinjtë

Në kompanitë e basteve në Europë ndryshuan ndjeshëm koefiçientët në favorin e kuqezinjve. 1=1.20; X=5.60 dhe 2=12.00, këto ishin kuotat para ndeshjes, ndërsa pas pjesës së parë që ishte në barazimin 0-0, ulën koefiçientët e fitores së Shqipërisë, nga 1.20 në 2.50 dhe u rritën ato të barazimit në 6.00. Me këto kuota, bastet dështuan në parashikimin Shqipëri-Ishujt Faroe.