Anthulla Gjika Ikonomidhi, notarja që garoi si “Arusha” në detin e kaltër 

60

PROFIL/ Historia ka njohur shumë notare, por sot sarandiotja vjen në gazetën “Telegraf” me madhështinë si model i teknikës, si kampione dhe rekordmene absolute

Sigal

Takimi me Anthullën ishte i pari në karrierën time si gazetar sportiv në më shumë se 45 vite, por jam befasuar me thjeshtësinë e saj të paraqitjes së karrierës sportive, një karrierë e kampiones absolute në stilin e lirë. Në bisedë për gazetën “Telegraf”, Anthulla u shpreh çiltër e qartë me portretin e një kampioneje. “… Në karrierën time si notare e Butrintit të Sarandës, dhe më pak e Studentit, unë kam thyer mbi 39 rekorde kombëtare dhe kam zënë mbi 60 vënde të para …”, kështu u shpreh kampionia në këtë bisedë, duke na lënë mirëkuptimin se kishim të bënim me “Ajkën” e notit femëror në Shqipëri. Notare, trajnere dhe gjyqtare e Kategorisë së Parë, kjo është Anthulla e këtij Profili të veçantë të karrierës së saj elitare në notin shqiptar.

 

Agron KAJA

Duke qënë notare e elitës, si e mbani mënd një shkrim apo kronikë sportive që është folur për ju?

Po, dhe janë shumë. Kujtoj që nga viti 1968 ku në gazetën “Sporti Popullor”, komentatori i Madh Ismet Bellova më krahasonte me një Arushë që notonte! Ndërkohë që është shkruar edhe herë të tjera dhe kjo bisedë më ju është e radhës.

Ju keni qënë notare e njëherësh jeni marrë edhe me trajningun në not, si jeni ndjerrë?

Jo vetëm notare, por për një periudhë kam qënë edhe notare dhe trajnere te Butrinti. Si notare ndjehem e plotësuar dhe karrierën ia dedikoj babait tim Konstandinit, pasi kisha pasion muzikën. Përvoja si notare më ndihmoi edhe të trajnoja.

E keni ndjerrë veten si pjesë e notarëve që kanë ditur të notojnë, por dhe të garojnë si kampionë? 

Duke ju referuar karrierës sime, njëherësh edhe rezultateve që kam arritur, mendoj  se si vajzë sarandiote i kam patur të dyja. Karrierën time si notare e kam nisur si kampione, dhe po si kampione e kam përfunduar. Saranda “prodhonte” kampionë në not.

Jemi kureshtarë, kur ka nisur rrugëtimi juaj sportiv, në cilën moshë e kujtoni?

E kam nisur që kur isha fëmijë 12 vjeç, gjithmonë në stilin e lirë. Notonim në det dhe përgatiteshim në stinët pranverë-verë. Por unë jam larë shpesh edhe në vjeshtë e dimër, dhe kjo mendoj se më ka shërbyer në paraqitjen fizike gjatë karrierës.

Kur ka nisur karriera juaj që të notonit me një ekip të elitës në Shqipëri?

Unë karrierën time e kam të lidhur me Butrintin e Sarandës dhe ndjehem me fat që jam pjesë e shkollës që ky qytet ndërtoi në sportin e notit në Shqipëri. Në moshën 15 vjeçare kam garuar në elitë me ekipin e të Rriturave të Butrintit.

Garën e parë në karrierë, apo rekordin e parë që keni thyer, si e kujtoni?

Unë që në garën e parë kam thyer rekord kombëtar. Në vitin 1965 në 800m Stil i Lirë, thyeva rekordin kombëtar të notares së madhe Makbule Llagami të 17 Nëntorit. Ishte një garë që nuk e prisnin, sepse Makbulja ishte kampione absolute.

Cili ka qënë trajneri juaj i parë, a mbeti ai një shembull për rezultatet tuaja?

Unë trajner të parë kam patur Stavri Cakën, sepse aty më “dorëzoi” babai. Ai ishte trajneri i parë në Sarandë që krijoi ekipin e notit të femrave të Butrintit, dhe realisht mbeti shëmbull në rezultatet që arrita gjatë gjithë karrierës sime si notare.

Keni garuar në 100, 200, 400 dhe 800 m stil i lirë dhe në stafeta, cilat ishin rivalet tuaja në gara dhe në rekordet kombëtare?

E them me sinqeritet se atëhere rivale në gara kisha vetëm veten time. Por në vitin e fundit të karrierës, më rivalizoi bashkëqytetarja ime Suzana Mehmeti, e cila ishte një notare e fortë dhe këmbëngulëse në çdo garë. Një rivale e denjë si kampione.

Keni garuar në det të hapur dhe në maratonë, ku e keni patur më të lehtë garimin?

Kudo ku kam garuar kam fituar dhe gjithmonë e kam patur të lehtë garimin, garë-maratonë. Duke garuar vetëm në det, nga gara në garë kam patur përmirësime të dukshme që sollën rezultate të larta dhe rekordet kombëtare.

Cila është periudha e kohëzgjatjes së karrierës tuaj si notare, dhe cilët ishin ekipet që përfaqësuat?

Me ekipin e të Rriturave kam garuar me Butrintin në vitet 1965-1970 dhe me Studentin 1970-1971. Me të dy këto ekipe asnjëherë nuk jam renditur në vendet e dyta, gjithmonë kam dalë e para dhe për këtë karrierë ndjehem shumë krenare.

Sa mbahet mënd në mamorrien tuaj gara e fundit që keni bërë si notare e  elitës?

Kampionati Kombëtar i vitit 1971 në Sarandë, për mua do mbahet mënd gjatë. Aty i dhashë fund karrierës si notare, por thyeva edhe rekordin kombëtar. Në Sarandë e nisa karrierën si notare me rekord kombëtar, dhe po në Sarandë e mbylla me rekord kombëtar në 800 m Stil i Lirë.

Në kohën kur ju keni garuar, si ka qënë infrastruktura në sportin e notit? 

Për ne deti ishte infrastruktura kryesore. Aty përgatiteshim dhe aty i zhvillonim të gjitha garat. Kur unë kryeva studimet e larta në Tiranë, më mbajti përgatitja fizike që kisha bërë, dhe vazhdoja ta bëja në Sarandë. Deti ishte pishina jonë.

Ju keni edhe një karrierë si trajnere, me fëmijët e të Rriturat, si e kujtoni?

E kujtoj si një pjesë të bukur dhe të rëndësishme në karrierën time, e cila më ka shërbyer shumë në formimin tim profesional. Ka qënë një periudhë që më krijonte emocione, por edhe përgjegjësi të mëdha, sepse të gjitha notaret i kisha kampione e rekordmene. Si te Butrinti dhe tek 17 Nëntori, përgatita kampione e rekordmene.

Cilët janë notaret që i keni trajnuar gjatë karrierës si trajnere, dhe në cilin ekip?

Baza e trajniningut tim mbetet Butrinti, dhe aty janë shumë. Të gjitha vajzat që kam trajntuar ishin kampione e rekordmene, si Tatjana Sheshmini, Pranvera Rrapushi, Violeta Zharka, Marjana Cakuli, Efigjeni Zhupa, Antoneta Nini, Natasha Mici, etj.

Si e mban mënd garën e fundit që keni drejtuar si trajnere në notin shqiptar?

Unë e përmënda më sipër dhe po e ritheksoj, se karriera ime si notare dhe si trajnerë ka folur me gjuhën e kampioneve e rekordmeneve. Kur unë u largova isha te 17 Nëntori trajnere dhe Brunilda Petrela shkëlqeu me rekord kombëtar në atë garë.

Kur u larguat nga aktiviteti, e ndoqët ritmikën e garave të notit në Shqipëri?

Unë edhe sot që jam në pension jetoj me ritmikën e notit në Shqipëri. Sipas mundësive notoj, kryesisht kur shkoj në Sarandë, madje në vitin e kaluar fitova Kupën për Veteranë në Maratonën 2 km, që ishte Kupa “Idriz Muço”.

Në këtë moshë që jeni sot, e keni dëshirën që të trajnoni një ekip noti?

Më shumë merrem me pasionin kur shkoj në det e shikoj kryesisht fëmijët se si notojnë. U them ndonjë detaj teknik, ose ju bëj ndonjë vrejtje. Edhe kur shkoj në pishina, gjithmonë mundohem t’u jap ndonjë ndihmë fëmijëve që notojnë.

Në këto vite dhe në këtë moshë, me se merreni sot?

Aktivitet të drejpërdrejtë nuk kam, por e përmënda më sipër se nuk qëndroj indiferente kudo që më jepet mundësia të jem pranë detit dhe në pishina. Noti mbetet një dashuri që do shuhet me jetën.

Numur “rekord” në thyerjen e rekordeve kombëtare

Në karrierën e saj si notare, Anthulla Gjika Ikonomidhi mbetet një ndër notaret e rralla femra në Shqipëri, e cila ka thyer rreth 40 rekorde kombëtare në karrierë, e njëherësh, ka dalë mbi 60 herë kampione e Shqipërisë në garat ku ajo ka marrë pjesë. Në një periudhë jo shumë të gjatë në kohë të karrierës, Anthulla mbetet një “Guniess” për notin femëror shqiptar.

MYRTEZA DIDATI, MJESHTËR SPORTI

Në garë, Anthulla ishte model i teknikës së garimit

Mjeshtri i Notit shqiptar Myrteza Didati, e vlerëson Anthulla Ikonomidhin si një notare që vështirë se do përsëritet në notin shqiptar. “Unë Anthullën e gjeta rekordmene në notin shqiptar dhe në kujtesën time ajo e tillë ka mbetur e do të mbetet. Me Butrintin ajo ka qënë një notare, por edhe një trajnere shëmbullore, dhe për shumë kohë do kujtohet në historinë e Notit shqiptar me madhështinë që krijoi. Në garë, ajo kishte një model teknik të notimit që i dha superioritetin ndaj çdo rivaleje të kohës. Por Anthulla ishte edhe një sportiste me trup sportiv shumë të bukur. Sot është e vështirë që të gjesh një femër notare në notin shqiptar që të ketë karaketristikat e modelit që krijoi Anthulla”, kështu e kujton Myrteza Didati këtë “perlë” të notit shqiptar.

Fituese e Anketës kombëtare “10 Sportistët më të mirë”

Kur shfleton Historikun e Notit shqiptar, në rreshtat e vlerësimeve që u është bërë notarëve, Federata Shqiptare e Notit nuk ka harruar që të veçojë shumë detaje, ku midis tyre qëndron me hijeshi edhe Anthulla Gjika Ikonomidhi. Ndaj dhe sot në këto rradhë është detyrim profesional që ta paraqesin Anthullën edhe si notare dhe si fituese e Anketës kombëtare sportive “10 Sportistët më të mirë të vitit”. Që një notare të ishte fituese në këtë Anketë, aq më shumë në sportin e Notit që në atë periudhë nuk gëzonte popullaritet si sportet e tjera, në radhë të parë ishin rekordet e saj dhe titujt kampionë që e çuan në atë pod nderi, mëse të merituar.

Bashkëshorte e ish-futbollistit “Gjigant”, Spiro Gjika

Teksa me Anthullën bisedojmë për Profilin dedikuar karrierës së saj si notare elitare, ajo me një krenari e çiltërsi tregon edhe për familjen e saj. Bashkëshorti i saj Spiro Gjika, i cili ka qënë një ndër mbrojtësit më të dalluar, më të fortë e të talentuar te skuadra e Partizanit, tek e cila shkoi si një ushtar marinar në Pasha Liman të Vlorës. Por ai u godit në kulmin e karrierës nga regjimi i kohës, në moshën 26 vjeçare, ku për një akuzë 20 dollarëshe, nga titullar i Partizanit përfundoi në gjyq, dhe më pas erdhi dënimi që i dha fund karrierës së tij kur ishte vetëm 26 vjeç. Emri i tij në futbollin shqiptar mbetet i lartësuar edhe sot.

CV Sportive Anthulla Ikonomidhi Gjika

Datëlindja: 06.04.1950  Vendlindja: Sarandë  Vendbanimi: Tiranë

Arsimi: ILKF “Vojo Kushi”, Tiranë  Profesioni: Arsimtare e Edukimit Fizik Sporti që ka ushtruar: Not  Starti i karrierës në elitë: Në vitin 1965  Skuadra e parë elitare në karrierë: Me Butrintin 1962-1971  Stili i preferuar në gara: Stil i Lirë  Skuadrat të tjera në karrierë: Me Studentin 1971-1972  Gara e parë kombëtare në karrierë: Në vitin 1965 me të Rriturat e Butrintit, në 100-200-400 dhe 800 m Stil i Lirë  Rekordi i parë kombëtar: Në vitin 1965 në Sarandë, 800 m Stil i Lirë  Gara e fundit kombëtare në karrierë: Në vitin 1972 në 800 m Stafetë-Stil i Lirë Rekordi i fundit kombëtar: Në vitin 1971 në Sarandë, 800 m Stil i Lirë (Ka thyer mbi 40 Rekorde Kombëtare-Mbi 60 herë Kampione)  Fituese  në garat e Stilit të Lirë: 100m (Rekordi 1.22.4), 200m (Rekordi 3.09.7), 400m (Rekordi 7.07.4), 800m (Rekordi 14.05.4), si edhe në stafetat në Stilin e Lirë dhe në Maratonën për Femra Tituj e trofe si notare: Në periudhën 1965-1971 kampione absolute  Karriera si trajnere: Në 1968-1971 Notare dhe Trajnere me fëmijët dhe femra të Rritura, Butrinti; Në periudhën 1988-1991 Instruktore e Notit në Qëndrën Sportive (Pishinat); Në këtë periudhë rindërton ekipin e femrave të 17 Nëntorit në Not  Tituj e trofe si trajnere: Kampione me të Rriturat e Butrintit, Trajnere e Kategorisë së Parë dhe Gjyqtare e Kategorisë së Parë në sportin e Notit  Vlerësime, tituj e dekorime: Mjeshtre e Merituar e Sportit, Nderi i Notit Shqiptar, Nderi i Qarkut Vlorë Aktualisht: Pensioniste

KONSIDERATA DHE VLERËSIME NGA ISH-KAMPIONË

SUZANA MEHMETI, MJESHTRE E SPORTIT

Anthullën e vlerësoj si notare dhe trajnere absolute

Një nga koleget dhe shoqet e Anthulla Ikonomidhit në ekipin e notit të Butrintit në Sarandë, ishte edhe Mjeshtrja Suzana Mehmeti, e cila në vlerësimin e paraqet Anthullën si notare të kompletuar, një Mjeshtre e Madhe në sportin e Notit. “Me Anthullën jam rritur në sport dhe në moshë, sepse të dyja kemi qënë kolege dhe shoqe të mira në ekipin e femrave të Butrintit, me trajnerin Esat Mamaca. Anthulla ishte një notare e kompletuar, i zhvillonte garat me shumë pasion e dëshirë dhe ka qënë rekordmene e fituese në të gjitha garat e Stilit të Lirë. Për atë kontribut dhe ato vlera që ajo tregoi si notare dhe trajnere e notit, ka mbetur si një Mjeshtre e Madhe në notin shqiptar. Për këtë kontribut, ajo gëzon respektin e qytetarisë saradiote, pse jo, edhe në Tiranë ajo mbetet e tillë. Nuk harroj të them se Anthulla ishte edhe një mësuese e dalluar e edukimit fizik, pasi në breza ajo edukoi kulturën e lartë sportive në sportet shqiptare të kohës”.

SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH

Anthulla mbetet modeli më i mirë në elitën e notit shqiptar

Sadik Mema është nisiator dhe udhëzues i rrugëtimit me Profilet e notarëve shqiptarë ndër vite, ndaj dhe për Anthulla Ikonomidhin nuk do mungonte vlerësimi i tij. “Unë e nisa garimin tim në sportin e notit në Shqipëri kur Anthulla ishte “Ikona” e notit femëror në vëndin tonë. Ka qënë një sportiste me një fizik të admirueshëm të bashkuar me portretin femëror. Në karrierën e saj ajo kryesonte kudo ku merrte pjesë dhe prioritet kishte Stilin e Lirë. Kujtimet dhe vlerësimet e veçanta për Anën unë i kam në periudhën 1988-1991, kur së bashku punuam si Instruktorë të Notit në Qëndrën Sportive “Tirana”. Mua kjo periudhë më jep të drejtën të them se Anthulla mbetet modeli më i mirë, prej së cilës kam mësuar shumë në profesion. Me punën e saj plot pasion, me karakterin dhe mirësinë që ajo tregonte kur priste dhe përcillte klientët dhe me ekipin e notit që krijoi te Tirana në atë periudhë, mbetet një kampione dhe rekordmene absolute në Notin shqiptar”.

Instruktorja e parë e Aerobisë shqiptare

Edhe pse sot Anthulla Gjika Ikonomidhi vlerësohet me objekt karrierën e saj në sportin e notit si rekordmene e kampione, ajo me thjeshtësi tregoi për gazetën “Telegraf” se ka qënë edhe një instruktore e Aerobisë në Tiranë. “Aerobia në Shqipëri nisi të zhvillohej në vitet 1989-1992. Unë isha instruktorja e parë femër, pozicion që më dha shumë ngarkesë, sepse atëhere vinin shumë vajza e gra shqiptare, nga ambasadat e huaja. Në Aerobi kam trajnuar edhe fëmijë e të rritur të ish-Bllokut, e për mua mbetet një periudhë e bukur, të cilën e shtriva njëherësh edhe në shkollat e mesme të Tiranës”.