Andrea Marko: Futbolli shqiptar nuk prodhon më shumë paraqitje në Europë

KONFERENCË LIGË/ Dinamoviti Andrea Marko, Mjeshtri i Madh, tregon për “Telegraf” dritëhijet e skuadrave

Agron KAJA

Agron Kaja

Si vijnë skuadrat në përgatitjet e tyre në këtë prag të sezonit të ri 2025-2026?

Sigal

Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se skuadrat që janë përballur në Europë, e kanë një avantazh fizik dhe do jenë në 70-80% të formës. Janë përgatitur edhe në vënde malore brënda dhe jashtë Shqipërisë, dhe kjo ka ndikim pozitiv. Aty rikuperojnë më shumë.

Në ndikimin e një moti me të nxehtë ekstreme, sa kanë përfituar skuadrat në këto situata klimatike?

Me motin e nxehtë nuk ka skuadër futbolli që dëshiron të përgatitet. Asnjëherë nuk është i pëlqyeshëm, por tashmë përgatitjet bëhen në çdo stinë si pjesë e sistemit të futbollit. Përfitimet më shumë janë rikuperimet dhe përgatitje fizike në tonus.

Në këtë sezon, rrugëtimi në Europë nisi me katër skuadra, ku mendoni se gabuan tre skuadrat e tjera?

Skuadra e parë ishte Partizani, mendoj se ishte e konfirmuar se do ndalej, për shkak të largimit të shumë lojtarëve. Te Vllaznia më vjen çudi se si nuk e mbajtën rezultatin në ndeshjen me Vikingur, aty tregoi edhe lodhje e përgatitje jo maksimale.

Po Egnatia që provoi Ligën e Kampioneve dhe Konferencë Ligë, çfarë vlerash tregoi?

Tek Egnatia, ndoshta inferioriteti numerik solli eliminimin, sepse pasi rikuperuan me Dinamon e Minskut, ndaluan. Por edhe eksperienca e frenoi. Më mirë është në kampionat se sa në Europë, por mund ta shohim edhe në grupet e Europës sezonet e tjerë.

Në turin e katërt të UEFA Konferencë Ligë, Shqipëria mbeti me një skuadër (Dinamo City), cili është komenti juaj?

Dinamo është skuadër shumë simpatike, ku janë gërshetuar gjithë elementët në kollonën e saj. Nga Presidenti, stafi teknik e menaxhues, lojtarët e deri te trajneri Ilir Daja, një profesionist me eksperiencë. Skuadër e konsoliduar në grup.

Referuar ecurisë së 4 ndeshjeve të Dinamos, ishte me fat deri në këtë tur, apo me meritë erdhi deri këtu?

Drejtuesit e Dinamos e quajtën dritë jeshile kalimin e turit të parë. Pavarsisht emrave të skuadrave, mendoj se kishte edhe fat me Andorrën, ndërsa me Hajdukun ishte gërshetimi i mirë fizik e taktik të skuadrës dhe vlerësimi i kundërshtarit pa inferioritet. Ana psikologjike nuk tregoi inferioritet.

Tashmë është në Play-off-in e grupeve përballë polakëve të Jagellonias, si e mendoni ndeshjen e parë në transfertë?

Në të gjitha ndeshjet që ka luajtur, Dinamo ka luajtur mirë dhe bukur, e besoj se kështu do vazhdojë. Polakët luajnë fort, kështu e kanë nisur edhe kampionatin. Kanë një stadium me 22 mijë vënde dhe do kenë shumë tifozë. E shoh ndeshje delikate, por mund të arrihet objektivi.

Dinamos ju largua sulmuesi kryesor Baton Zabërgja, do ta ndjejnë skuadra dhe trajneri Daja mungesën e tij?

Në ndeshjen me Jagellonian, te Dinamo janë dy largime shumë cilësore, e ndoshta kjo do krijojë raport psikologjik. Por besoj se do ta menaxhojnë mirë, sepse Dinamo prodhon lojtarë cilësorë, njëherësh edhe merkaton e ka bërë të tillë.

Këtë fundjavë do të nisë sezoni i 87-të iAbissnet Superiore, sa do jenë në gjëndje fizike Dinamo që do të luajë edhe në Europë?

Një skuadër është e mirë kur ka edhe stol të mirë. Këtë mendoj se Dinamo e ka me 20-25 lojtarë. Këta duhet të jenë të përgatitur njësoj e besoj se trajneri i ka bërë këto llogari. Ndeshja me Teutën në Durrës do ketë ngarkesë, por pres rezultat pozitiv.

Sezoni 2025-2026 nis më 22 gusht, cili është urimi juaj për skuadrat e Superiores dhe Kategorisë së Parë?

Në radhë të parë unë i uroj futbollit shqiptar e skuadrave suksese në kampionat. Ato që kanë investuar e punuar, do ti marrin frutet më të mira. Trajnerët besoj se nuk do penalizohen që në start. Gjithë aktorët e kësaj shfaqie të madhe të përfaqësohen me dinjitet. Në veçanti Dinamo!

Te Dinamo prezantohet pasardhësi i Zabërgjas, Bernard Berisha

Pas largimit të sulmuesit Baton Zabërgja, Dinamo City ka bërë një afrim të njohur me Superioren shqiptare. Ky është Bernard Berisha, zyrtarisht lojtar i Dinamos me fanellën numur 23, i cili rikthehet në futbollin shqiptar pas afro 10 viteve, ku luajti me Besën e Skënderbeun. Berisha konsiderohet si dhurata e presidentit Adrian Bardhi për trajnerin Ilir Daja. Sulmuesi iu bashkua skuadrës, e cila është në përgatitjet për ndeshjet e Play-off-it të Konferencë Ligë, kundër Jagiellonias.

SKUADRAT NË EUROPË – SEZONI 2025-2026

E G N A T I A

Liga e Kampioneve

Turi parë kualifikues

Egnatia-Briedablik                  1-0

Brideablik-Egnatia                  5-0

Liga e Konferencës

Turi i dytë kualifikues

Dinamo M-Egnatia                 0-2

Egnatia-Dinamo M                 1-0

Turi i tretë kualifikues

Olimpija L-Egnatia                 0-0

Egnatia-Olimpija L                 2-4

 

V LL A Z N I A

Liga e Konferencës

Turi i parë kualifikues

Vllaznia-Daugavpils                0-1

Daugavpils-Vllaznia                2-4

Turi i dytë kualifikues

Vllaznia-Vikingur (Ice)          2-1

Vikingur (Ice)-Vllaznia           4-2

P A R T I Z A N I

Liga e Konferencës

Turi i parë kualifikues

Kalju-Partizani                        1-1

Partizani-Kalju                        0-1

 

D I N A M O  C I T Y

Liga e Konferencës

Turi i dytë kualifikues

Atletik E-Dinamo City           1-2

Dinamo City-Atletik E           1-1

Turi i tretë kualifikues

Hajduk (Kro)-Dinamo C        2-1

Dinamo-Hajduk (Kro) 3-1

Tyri Play-off

E enjte, 21 gusht 2025

Jagellonia (Pol)-Dinamo         20:15

Në sfidën në Poloni, Dinamo do arbitrohet nga rumunë

Në ndeshjen e parë ndaj Jagellonias në Poloni, Dinamo City do të drejtohet nga arbitra rumunë, me kryesor Marian Aleksandru Barbu, i cili më parë ka drejtuar ndeshje të skuadrave të Ilir Dajës në Europë. Më saktësisht, Ballkanin në fazën në grupe të Ligës së Konferencës ndaj Viktoria Plzen në nëntorin e vitit 2023, ndeshje, e cila u fitua nga çekët me rezultatin 1-0. Asistentë të tij në këtë sfidë janë bashkëqytetarët e tij George Florin Neaçshu dhe Imre Lazlo Buksi, ndërsa gjyqtar i katërt është Konstantin Sebastian Çoltesku. Në sallën e VAR si kryesor, do të jetë Katalin Sorin Popa me Iulian Dima si asistent, të gjithë nga Rumania.

Jagellonia favorite në baste, luhet në stadium me 22 mijë vënde

Takimi i parë i turit Play-off të Konferencë Ligë mes polakëve të Jagellonias dhe Dinamo City, do të luhet ditën e enjte, ora 20:15 në stadiumin “Chorten Arena” të qytetit Bialistok, i cili ka një kapacitet prej 22 432 vënde. Sipas kompjuterit të “Football Meets Data”, Jagiellonia është favorite absolute për kualifikimin e mëtejshëm, me 86% mundësi për të vazhduar në fazën në grupe të turneut, dhe për Dinamon mbeten vetëm 14% shanse kualifikimi. Skuadra e Jagellonias është pjesë e elitës së futbollit polak, Extra Klassa me 18 skuadra. Këtë sezon ka luajtur pesë  ndeshje, tre prej të cilave në kampionat dhe dy në Konferencë Ligë.