Agron Kaja
Historinë sportive të FK Tomori e kanë shkruar të gjithë ata futbollistë, trajnerë, drejtuesa të klubit e punonjësit e tyre, të cilët mbeten krenaria e këtij sporti në Berat. Ndërkohë, për këtë histori kanë shkruar disa autorë, por Vlashi Pambuku bëri përmbledhjen e parë historike me rastin e 75 vjetorit të krijimit të FK Tomori, nëntor 1998. Ndërsa në 100 vjetor, 25 Nëntor 2023, libri “Rrugëtimi shekullor i Tomorit” i bashkon të gjithë brezat e topkëmbës beratase, madje me më shumë detaje dhe thënie të protagonistëve në periudha të ndryshme. Natyrisht që ky libër për historinë e futbollit të Tomorit nuk është i pari për tifozerinë e qytetarinë beratase, ndoshta nuk do të jetë as edhe i fundit. Por FK “Tomori” tashmë do ta ketë një “libër të artë” me histori, mbresa, kujtime e bilance të futbollit të tij shekullor, për të qenë ai i gjallë edhe 100 vjetët pasardhës, pse jo edhe më gjatë. Ky libër, realisht hyn në ciklin e trashëgimisë sportive shekullore në futbollin beratas dhe titulli “Rrugëtimi shekullor i Tomorit” e sjell sa më pranë historinë, si një rrugë që duhet ta mbajë lexuesin dhe përjetuesit e saj në emocionet që të sjell kjo lojë magjike. Duke ditur se beratasit kanë ndjeshmëri të madhe për futbollin, për të luajtur e për ta ndjekur, ky titull mendoj se duhet të mbetet edhe si një trase e shtruar për dekada e shekuj të tjerë. Të dhënat kryesore për përgatitjen e këtij libri, kryesisht pas vitit 1980, janë pjesë e shënimeve në karrierën time si komentator e gazetar sportiv, ndërsa periudha para këtij viti është nxjerrë nga arkivat e FSHF-së, nga të dhënat e gazetarit sportiv italian Giovanni Armillotta (deri në sezonin 2008-2009), me të cilin kam pasur fatin të njihem personalisht në disa evente sportive ndërkombëtare në Tiranë dhe Europë. Por të dhënat historike janë edhe nga bashkëpunimi me gazetarin sportiv beratas Vlashi Pambuku, ku në pjesë të veçanta i jam referuar edhe librit të tij “Enciklopedia sportive e qytetit tim”, pasi si bashkëpuntor i tij në këtë libër, e kisha miratimin e Vlashit që kur ai ishte ende gjallë.
Aktualisht sot pas një shekulli nga krijimi i FK “Tomori”, në Berat nuk ka më dëshmi të gjalla të startit të krijimit të klubit dhe të paktë janë ata që u përkasin dekadave të shkuara të ecurisë së futbollit në qytetin tonë. Ndërsa festimet për këtë histori shekullore duken të zbehta, në një shekull futboll, Tomori e meriton respektin!

OBJEKTET DHE SIMBOLET
Stadiumi “Tomori”, impianti për rekord
Që nga krijimi i tij në qershorin e vitit 1923 e deri në muajin maj të vitit 1985, Tomori i ka luajtur të gjitha ndeshjet e tij zyrtare dhe miqësore tek fusha në stadiumin e vjetër, i cili ka disa muaj që është tjetërsuar! Pas 62 viteve, u ndërtua stadiumi i ri “Tomori”, me parametrat më të mirë të kohës dhe përurimi i tij u bë më 15 maj 1985, ku prania e qytetarisë beratase në stadium i ka kaluar 16.500 vetë në atë ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë, të cilën Tomori e fitoi 3-1.
Stema e flamuri, ndryshimet dhe realiteti

Skuadra e futbollit Tomori në 86 vite është quajtur “Tomori”, dhe më pak herë “Muzaka” e “Puna”. Gjatë aktivitetit të saj në kampionate e kupa është paraqitur edhe një stemë dhe një flamur sportiv, por nuk është zyrtarizuar një stemë e qëndrueshme para vitit 1990. Me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, edhe stemës e flamurit të klubit koha u kërkoi ndryshim. Në nëntor 1998 është miratuar zyrtarisht stema e flamuri, në kuadrin e 75-vjetorit të krijimit të FK Tomori.
Beratas “Këpuca e Artë”, Kovaçi kapiten

Përparim Kovaçi në Sezonin 1979-1980 me 18 gola; Arben Arbri në Sezonin 1986-1987 me 14 gola; Kliton Bozgo në Sezonin 1990-1991 me 29 gola; Altin Çuko në Sezonin 1995-1996 me 21 gola; Klodian Arbri në Sezonin 1999-2000 me 18 gola
Beratas në Kombëtare, kryeson Uzuni

Andon Zaho 1963-1964 (3), Astrit Ziu 1969-1974 (8), Kristaq Mile 1985-1986 (2), Arben Arbëri 1986-1990 (6), Dashnor Dume 1992-1993 (5), Kliton Bozgo 1993-2000 (15), Emiliano Veliaj 2005-2006 (2), Myrto Uzuni nga 2018- (35), Eneo Bitri nga 2022- (3)
FORMACIONET E SHEKULLIT
Tomori A/ Periudha 1930-1979
1-3-5-2
Valentin Karaja
Sabri Dyli Stavri Janinoti (Kap) Astrit Ziu
Robert Alabaku
Spiro Valle Ajet Hoxha Pirro Xheblati
Teli Zaho
Novruz Hodo Fatbardh Buzi
Trajnerë: Sabri Behri e Thanas Jançe
Tomori B/ Periudha 1980-2023
1-4-3-3
Madrit Muxhai
Roland Halili Petrit Çilingiri (Kap) Ylli Karkanjozi
Robert Kokalari
Arben Arbri Kristaq Mile Agim Matrapazi
Klodian Arbri
Kliton Bozgo Përparim Kovaçi
Trajnerë: Guxim Mukli e Kristaq Mile






















