Agron KAJA/ Në Portugali, jo për shëtitjen e fanellave

883
Sigal

EURO 2016/ Portugali-Shqipëri, Kombëtarja jonë në startin e ndeshjes së parë eliminatore, “mikeshë” e luzitanëve

Pas dy javëve intensive me futbollin vendor të Superiores, nesër Kombëtarja shqiptare do ta bëjë sefte me ndeshjet eliminatore të Kampionatit Europian “Euro 2016”. Dhe kalendari në Grupin I eliminator e ka çuar në Portugali, atje ku luzitanët pa Kristiano Ronaldon do të kërkojnë nisjen pozitive në këto eliminatore, ndërkohë që Kombëtarja jonë në historinë e saj nuk njeh asnjë rezultat pozitiv në startet eliminatore të Europianeve ku ka marrë pjesë. Gjithsesi, për këtë sfidë, trajneri i Kombëtares shqiptare Xhani de Biazi ka thirrur 24 futbollistë, të cilët nga dita e hënë i ka grumbulluar në La Korunja të Spanjës. Po çfarë mund të presim nga kjo sfidë? Nëse do t’i referohemi historisë së përballjeve me Portugalinë, goja të shkon vetëm tek humbja dhe fanellat e lojtarëve tanë atje do të duken si për një shëtitje, ndërkohë që nëse do ti lutemi fatit, mund të themi se e marrim edhe një barazim, sikundër ndodhi në 15 tetor të vitin 2008 në shifrat 0-0 (atëherë Shqipëria dhe Portugalia ishin në Grupin 1 eliminator për “Botërori 2010” që u luajt në Afrikën e Jugut). Por që të shënjestrosh një prognozë, qoftë edhe të përafërt për sfidën Portugali-Shqipëri, natyrisht që duhet të mbështetesh në realitetin e të dyja skuadrave. Parë kështu, skuadrës sonë nuk mund t’i bëhet misioni i vështirë për një rezultat pozitiv, pasi lojtari kryesor i tyre, Kristiano Ronaldo, njëherësh edhe lojtari më i mirë në Botë, do të mungojë në këtë sfidë. Ky është lajmi i parë i realitetit të skuadrës portugeze, duke mos harruar që e gjithë pjesa tjetër e saj që ishte edhe në Botërorin “Brazil 2014” do të jetë prezente në fushë. Nëse pa Ronaldon, formacioni i Portugalisë mund të quhet edhe i vjetër në moshë, kjo nuk mund të heqë kujdesin e përvojës që kanë lojtarë si Pepe, Karvalho e Nani. Ndërsa në këndvështrimin e aktualitetit të skuadrës sonë, mund të themi se për këtë ndeshje ajo do të jetë më shumë me formacion të vjetër dhe me më pak elemente të rinj. Ky është formacioni më optimal që mund të gjente De Biazi në të gjithë hapësirën shqiptare në Europë, dhe me lojtarë si Berisha, Cana, Mavraj, Kaçe apo Xhaka, nuk mendohet që të ndjehemi inferiorë ndaj emrave që Portugalia do të servirë në fushën e lojës për këtë ndeshje. Dhe duke ecur më tej, referuar deklaratës së djeshme të Presidentit të FSHF-së, Armand Duka për mediat portugeze, se “Ne do të surprizojmë Europën si Kosta Rika në Botërorin e Brazilit. Për rezultat pozitiv ndaj Portugalisë do të japim një premio ekstra”, duhet menduar se të dielën nuk mund të dalim pa gjë nga stadiumi “Municipal Aveiro”. Por, duke ju referuar edhe deklarimeve që kanë dhënë në mediat vendase protagonistë të Portugalisë, veçohet deklarata e kapitenit Nani, i cili e mendon Shqipërinë si një kundërshtar që më shumë do të mbrohet e që nuk e bën të lehtë fitoren. “Nuk është e lehtë të shënosh ndaj një skuadre që më shumë di të mbrohet, por ne do të luajmë të uritur për të marrë fitoren”. Ka edhe një këndvështrim tjetër nga ku mund të udhëtosh në ide e mendime rreth takimit Portugali-Shqipëri, që është pozicioni si skuadër vendase dhe skuadër udhëtuese. Portugezët si skuadër pritëse e këtij takimi, duhen veçuar se kanë luajtur 4 ndeshje në stadiumin e Averios, ku 3 herë kanë fituar dhe 1 herë kanë barazuar, ndërsa skuadra jonë Kombëtare në ndeshjet e transfertës në Europianet, ku ka marrë pjesë, gjithmonë ka dalë me rezultate negative. Në këtë këndvështrim, nuk duhet të harrojmë edhe barazimin 0-0 që Shqipëria i mori Portugalisë në vitin 2008, por ajo nuk ishte ndeshje hapëse e një eventi të tillë. E për ta mbyllur përsëri me historinë,  po i referohemi bilancit që këto skuadra kanë arritur të shënojnë në ballafaqimet mes tyre. Janë takuar 5 herë, ku Shqipëria nuk ka mundur të fitojë asnjë ndeshje, ka barazuar 1 dhe ka humbur 3 prej tyre. Kështu, të gjithë këto detaje do ta bëjnë edhe më interesante ndeshjen Portugali-Shqipëri, ku gjithë shqiptarët do të jenë me sy e veshë në “Municipal Averio” të dielën e 7 shtatorit 2014, ora 20:45. Mes tyre, të shpresojmë që Kombëtarja jonë do të thyejë tabutë e historisë  negative dhe të ketë “gatuar” një rezultat pozitiv.

 

 

 

Të grumbulluar

PORTIERË

Etrit Berisha          Lacio, Itali

Orges Shehi         Skënderbeu

MBROJTËSA

Andi Lila               PAS Janina, Greqi

Lorik Cana            Lacio, Itali

Mërgim Mavraj     Këln, Gjermani

Debatik Curri        Tirana

Elseid Hysaj         Empoli, Itali

Ermir Lenjani        St. Gallen, Zvicër

Taulant Xhaka      Bazel, Zvicër

Ansi Agolli            Karabak, Azerbaixhan

MESFUSHORË

Ervin Bulku           Tirana

Ergys Kaçe           PAOK, Greqi

Burim Kukeli         Zyrih, Zvicër

Odise Rroshi         Frankfurt, Gjermani

Amir Abrashi         Grasshoper, Zvicër

Herolind Shala      Od Grenland, Norvegji

Jahmir Hyka          Luzern, Zvicër

Emiljano Vila         Partizani

SULMUESA

Hamdi Salihi          Hapoel Hakre, Izrael

Shkëlzen Gashi     Bazel, Zvicër

Sokol Cikalleshi     RNK Split, Kroaci

Edmond Kapllani   Frankfurt, Gjermani

Armando Vajushi   Liteks, Bullgari

Bekim Bala            Sllavia, Çeki

Formacioni i mundshëm: 1-4-5-1

Portier                  Berisha

Mbrojtësa             Hysaj, Mavraj, Cana, Agolli

Mesfushorë          Xhaka, Kukeli, Lenjani, Kaçe, Shala

Sulmues               Balaj

Skuadrat në Europianë

PORTUGALIA

Pjesëmarrje           14 herë

Finaliste                  1  herë

Gjysmëfinaliste       3  herë

Çerekfinaliste          2  herë

Nuk kualifikohet      8  herë

SHQIPËRIA

Pjesëmarrje           11 herë

Finaliste                   0 herë

Gjysmëfinaliste        0 herë

Çerekfinaliste           0 herë

Nuk kualifikohet     11 herë

Bilanci Shqipëri-Portugali

Ndeshje 5, Fitore 0, Barazime 1, Humbje 4, Golat 3-9

Stadiumi

Ndeshja Portugali-Shqipëri do të luhet ditën e dielë datë 7 shtator 2014, ora 20:45, në stadiumin “Municipal de Averio”. Kapaciteti i stadiumit është 30.120 vende, i ndërtuar në vitin 2003 dhe në të skuadra portugeze ka luajtur 4 herë duke shënuar 3 fitore dhe 1 barazim.

Gjyqtarët

Ndeshja Portugali-Shqipëri do të arbitrohet nga gjyqtarë francezë. Arbitri kryesor do të jetë 37- vjeçari Rudi Buke me asistentë Frederik Kano e Gijom Debart. Arbitër i katërt do të jetë Stefan Luzi, ndërkohë që arbitrat prapa portave do të jenë Fredi Fotrel dhe Benua Milo

Somario

Nga 14 Kampionate Europianë që janë zhvilluar, Shqipëria ka marrë pjesë 11 herë. Në vitin 1960 nuk ka marrë pjesë, ndërkohë që në vitet 1976 e 1980 nuk merr pjesë pasi regjimi komunist kishte bojkotuar eventin. Në të gjitha pjesëmarrjet e saj në Kampionatet Europiane, Shqipëria asnjëherë nuk ka arritur që të kualifikohet në grupet eliminatore.

KALENDARI/ GRUPI I

 

7 shtator 2014

Danimarkë-Armeni

Portugali-Shqipëri

 

11 tetor 2014

Armeni-Serbi

Shqipëri-Danimarkë

Francë-Portugali

 

14 tetor 2014

Serbi-Shqipëri

Danimarkë-Portugali

Armeni-Francë

 

14 nëntor 2014

Portugali-Armeni

Serbi-Danimarkë

Francë-Shqipëri

 

29 mars 2-15

Shqipëri-Armeni

Portugali-Serbi

Francë-Danimarkë

 

13 qershor 2015

Armeni-Portugali

Danimarkë-Serbi

Shqipëri-Francë

 

4 shtator 2015

Danimarkë-Shqipëri

Serbi-Armeni

Portugali-Francë

 

7 shtator 2015

Armeni-Danimarkë

Shqipëri-Portugali

Francë-Serbi

 

8 tetor 2015

Shqipëri-Serbi

Portugali-Danimarkë

Francë-Armeni

 

11 tetor 2015

Armeni-Shqipëri

Serbi-Portugali

Danimarkë-Francë