Agron KAJA/ Dhuna në Shkodër, të mos fshihet pas politikës

583
Sigal

Në një opinion të muajit mars të këtij viti, kur në Ballsh u demonstruan elementë të dhunës në futboll, këtu në gazetën “Telegraf” e nisëm atë me një pyetje: Ku ndryshon boksi nga futbolli…? Dhe, ku ndryshon realisht? Po, nëse boksi nis më grushte e përfundon me përqafime, futbolli në Shqipëri po nis me përqafime dhe na përfundon me dhunë! Pra, nisur nga skenat e dhunës në Shkodër, duket që edhe boksi s’ka asnjë të përbashkët me dhunën në futboll, sepse ai është një sport burrëror që zhvillohet në kohën e vendin e duhur. Pse u tha kjo parantezë? Jo vetëm për të rikujtuar kronikën e zezë të ndodhur gjatë dhe pas ndeshjes Vllaznia-Tirana, kronikë e cila na detyroi të rishkruajmë për fenomenin e dhunës me elementët e saj që u rishfaqën si “emblema” tradicionale, por edhe për të dhënë kontributin profesional në raste të tilla kur vetë futbolli kërkon ndihmë. Këtë sezon futbollistik, radha e dhunës erdhi shumë shpejt, pikërisht në javën e tretë të Kategorisë Superiore, që me keqardhje të kujtohemi e t’i rikthehemi përsëri diskutimit të fenomenit të dhunës në fushat e stadiumet tona. Aq më keq, ku për të bëlbëzuar fjalën “dhunë” na duhej një ndeshje mes dy skuadrave nga më të mirat të futbollit tonë, Vllaznia-Tirana, të cilat së bashku kanë rreth 32 tituj kampionë të fituar, nga 75 Kampionate të luajtura. E skenari atje tregoi një kthim prapa, tregoi një katrahurë si në vitin 1997, pikërisht në këtë Shkodër e cila quhet ndryshe “djepi i futbollit shqiptar”, apo edhe “djepi i kulturës qytetare shqiptare”. Ndoshta nuk e teprojmë nëse krahasimisht aludojmë të themi se të enjten në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër u duk sikur po ndesheshin fiset në Irak e Siri. Kjo katrahurë ka 48 orë që ka ndodhur, por asnjëherë nuk është vonë dhe asnjëherë nuk del i vonuar po të flasësh për fenomenin e dhunës, brenda dhe jashtë fushave të futbollit. Jo vetëm për të thënë se çfarë ndodhi, pasi ajo dhunë është parë e treguar këto ditë, por ndoshta me këto radhë duhet thënë edhe ndonjë shkak që e prodhoi atë dhunë në Shkodër. Ardhur kësisoj, ndoshta duhet parë edhe në një këndvështrim të tillë kjo dhunë “alla-shqiptarçe” në stadimin “Loro Boriçi”, duke thënë së pari se masat organizative të tifozerive kanë qenë në parametra shumë amatore. Kjo për të dy klubet e futbollit, Vllaznia e Tirana, pasi janë ato që zyrtarisht koordinojnë angazhimet e tyre në çdo ndeshje, brenda e jashtë fushës. Ky detyrim nuk është përmbushur dhe gjëma ndodhi, kësisoj duhet thënë se ky ishte njëri nga shkaqet që e prodhoi këtë dhunë, për të  pasuar me selektimin që duhet të bënin klubet e futbollit në radhët e tifozerisë. Le të kërkojmë në këto radhë një listë të klubeve të futbollit për tifozët më të veçantë që ato kanë, për karakteristikat e tyre në stadium, të shoqëruar edhe më CV-në e tyre qytetare. Kjo ndoshta nuk mendohet, por kështu duhet të ndodhë në këto kushte kur edhe demografia shqiptare ka pësuar ndryshime shumë të mëdha. Sepse në radhët e tifozëve shkodranë mund të kenë hyrë edhe lezhjanë, pukjanë apo koplikas, ndërkohë që në radhët e tifozëve të Tiranës mund të kenë hyrë nga çdo cep i Shqipërisë, të cilët e kanë devijuar qytetarinë e tyre në fushat e stadiumet e futbollit. Kjo përzjerje, ku janë bashkuar me pjesën vitale të tifozerisë edhe njerëz me precedentë penalë, njerëz të alkoolizuar, pse jo edhe të droguar, e të tjerë problematikë për komunitetin ku jetojnë, është një element real që duhet parë e vlerësuar me seriozitet. Ndoshta kjo pjesë e tifozerisë në Shkodër, nga të dyja krahët, mund të ketë qënë edhe “fitili zjarrpërcjellës” i dhunës, pa harruar edhe gjendjen sociale të shumë prej tyre, të cilët janë edhe të papunë, apo edhe të pastrehë në Tiranë e Shkodër. Gjithsesi, në këtë dhunë u pa se policia u gjend e papërgatitur për t’i bërë ballë. Nëse themi se kemi shtet, ai duhet të ndjehet edhe në stadium, pasi edhe kontrata e përbashkët polici-klub futbolli për këtë arsye është nënshkruar. Policia në Shkodër bëri pak për ta ndalur këtë dhunë, që në ndërprerjen e parë të lojës, apo edhe kur në ndonjë moment u sulmua nga huliganët e rastit. Dhe si për të barazuar përgjegjësitë, ajo arrestoi 6 tifozë shkodranë, 6 tifozë tiranas, ndërkohë që janë plagosur 6 pjestarë të forcave të policisë. Por, kjo dhunë duhet parë edhe në këndvështrimin e protagonizmit të saj. Sepse nisi në shkallët e stadiumit e përfundoi në fushën e saj, e cila kështu bëhet e rrezikshme jo vetëm për futbollin. Këtu duhet të ndahen edhe përgjegjësitë e përbashkëta të aktorëve e të faktorëve që merrem me organizimin e drejtimin e futbollit në qytete të Shqipërisë, jo të deklarojnë “hidh e prit” me komunikata shtypi sa në Shkodër e Tiranë. Ndërkohë që e lamë në fund dëmin financiar që shkaktoi kjo dhunë në stadiumin e Shkodrës, ku jo vetëm Vllaznia, por edhe Tirana kanë marrë një goditje që do të ndikojë doemos në xhepat e futbollistëve, do të ndikojë më shumë edhe në infrastrukturën e stadiumit, një nga më të kompletuarit në Shqipëri. Ndryshe, nga kjo gjëmë e ndodhur dy ditë më parë në Shkodër nuk duhet harruar edhe FSHF-ja, e cila përgjegjësinë më të madhe e ka në masat ndëshkuese ndaj këtyre elementëve. Këtë herë duhet një dorë më e “hekurt” në ndëshkimin e saj, se ndryshe më shumë e ledhatojmë se sa e ndëshkojmë si element i zi në rrethin e gjerë të futbollit tonë. Se edhe ndëshkimet që parashikon KDS-ja, nuk janë të vetmit që do ta ndalojnë këtë fenomen në futboll. Nuk duam stadiume peng të dhunës, sepse ato janë ndërtuar që të jenë pengu i lojës së futbollit, dhe kështu duhet t’i përjetojmë të gjithë në komunitet. Këtë herë, kjo dhunë do të jetë edhe si një “faturë me TVSH” për drejtësinë shqiptare, e cila nuk duhet të “fotokopjojë” veten për raste analoge të së shkuarës.

Somario

Në radhët e tifozëve shkodranë mund të kenë hyrë edhe lezhjanë, pukjanë apo koplikas, ndërkohë që në radhët e tifozëve të Tiranës mund të kenë hyrë nga çdo cep i Shqipërisë, të cilët e kanë devijuar kështu qytetarinë e tyre në fushat e stadiumet e futbollit. Kjo përzjerje, ku janë bashkuar me pjesën vitale të tifozerisë edhe njerëz me precedentë penalë, njerëz të alkoolizuar, pse jo edhe të droguar, e të tjerë problematikë për komunitetin ku jetojnë, është një element real që duhet parë e vlerësuar me seriozitet

KATEGORIA SUPERIORE

Ndeshjet-Java e 3-të

Datë 10 shtator 2014

Elbasani-Teuta               1-5

Flamurtari-Apolonia      3-0

Laçi-Kukësi                    0-0

Datë 11 shtator 2014

Vllaznia-Tirana              1-1

Partizani-Skënderbeu     1-0

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Kukësi               3        7

2.Tirana               3        7

3.Flamurtari                   3        6

4.Skënderbeu       3        6

5.Partizani            3        4

6.Teuta                 3        3

7.Apolonia           3        3

8.Laçi                             3        2

9.Vllaznia             3        1

10.Elbasani          3        0

Ndeshjet-Java e 4-t

Datë 14 shtator 2014

Kukësi-Partizani            14:00

Teuta-Laçi                      17:00

Flamurtari-Vllaznia       17:00

Tirana-Elbasani             17:00

Apolonia-Skënderbeu    20:00