Agim Çiraku: Pasioni për sportin, tregues real që notit shqiptar i ka dhënë progres

457
Nga Agron KAJA
NOT-KUPA “PERSPEKTIVA”/ Në pishinën 25 m te AN “Te Stela”, dje u bë një mbyllje e bukur e vitit 2017 me 24 Rekorde Kombëtare, flasin protagonistët dhe Presidenti i FSHN-së
Për notin shqiptar, dje viti 2017 u mbyll me 24 rekorde kombëtare të thyera nga të gjitha kategoritë e moshave, por 4 prej tyre ishin për të rritur. Në këtë veprimtari që organizohet ne iniciativën e AN “Te Stela”, por që mbështet nga FSHN-ja, të gjithë notarët treguan seriozitet e përkushtim, dhe jo vetëm ata që u shpallën rekordmenë. Për dy ditë më radhë, pishina 25 m “Te Stela”, gumëzhiu me gjithçka që të ofron një event i tillë, i cili për nga organizimi e zhvillimi, meriton një “Bravo”! Këto vlerësime ishin edhe nga Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, i cili në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, këtë realitet e quajti pjesë të progresit. 
Në dy ditët e garave në Kupën “Perspektiva”, u ndjetë shumë entuziast dhe optimist gjatë zhvillimit të tyre, pse?
Sepse ishin gara shumë të bukura dhe me rivalitet në të gjitha kategoritë. Të gjitha ekipet dhe notarët që ata kishin në përbërjet e tyre, treguan seriozitet, duke e mbyllur vitin 2017 në mënyrën më të shkëlqyer.

E keni fjalë për 24 Rekordet Kombëtare që u thyen në të gjitha kategoritë që garuan?
Rekordet Kombëtare janë bërë si të modës në veprimtaritë e notit shqiptar në tre-katër vitet e fundit. Ato janë pjesa më e dukshme, por në këtë veprimtari, të gjithë garuesit treguan se stërvitja gjithëvjetore i ndihmon realisht për rezultate të mira. Kjo po i shërben shumë cilësisë së garimit në veçanti, njëherësh edhe përmirësimit të rekordeve kombëtare.

Për ju si President i FSHN-së, çfarë tregojnë më shumë këto rekorde në këtë stinë dimri?
Të gjitha rekordet që u thyen, janë pjesa më e bukur, janë shpërblimi final i notarëve, trajnerëve dhe prindërve të tyre. Me këto rezultate, të gjithë notarët nderuan në radhë të parë veten, por edhe e ndihmuan FSHN-në për një program më të veçantë në vazhdimësi.

Ka ndonjë të veçantë tjetër me këto rezultate rekord që u arritën në Kupën “Perspektiva”?
Natyrisht që po, sepse në stinën e dimrit, stërvitshmëria e notarëve është paksa e kufizuar. Kjo është e veçanta që më bën më optimist mua, dhe gjithë komunitetin e notit në Shqipëri, ndërsa vetë thyerja e rekordeve kombëtare e bën të veçantën më evidente. 

Në tërësi, ju si e quani vitin kalendarik 2017, për veprimtaritë kombëtare që keni organizuar, njëherësh edhe për ato ndërkombëtare ku keni marrë pjesë?
Duke ju referuar rezultateve që janë arritur në këtë vit, unë do ta quaja “vitin e Rekordeve” 2017-ën. Sepse në të gjitha kategoritë ka kaluar shifra e mbi 100 Rekordeve Kombëtare të thyera

Pa e prishur traditën e falënderimeve në çdo fundviti, për ju ku adresohen ato?
Si President i FSHN-së, unë i falënderoj të gjithë garuesit që morën pjesë në veprimtaritë e notit gjatë vitit 2017. Por, nuk mund të le pa përmendur trajnerët e tyre, e në veçanti prindërit, të cilët me sakrifica ekonomike e pasion për sportin, bënë të mundur që noti shqiptar të ketë progres periodik.
1
Të gjitha ekipet dhe notarët që ata kishin në përbërjet e tyre, treguan seriozitet, duke e mbyllur vitin 2017 në mënyrën më të shkëlqyer
2
Në veçanti falënderoj prindërit, të cilët me sakrifica ekonomike e pasion për sportin, bënë të mundur që noti shqiptar të ketë progres periodik
EKIPET MË TË MIRA
Meshkuj “Te Stela” 655 pikë
Femra “Te Stela” 610 pikë
NOTARËT MË TË MIRË
Kategoria A
Meshkuj 
Franci Aleksi Studenti 1297 pikë

Femra
Miralba Sula ALB 1081 pikë

Kategoria B
Meshkuj
Paolo Priska Studenti 962 pikë

Femra 
Miralba Sula ALB 1081 pikë
24 rekorde
Në garat e Kupës “Perspektiva” u thyen 24 rekorde kombëtare për të gjitha kategoritë: 4 Kategoria A dhe 20 Kategoria B
Sigal