“Addio” e fshehur e italianit: Prisnit largimin tim?

479
Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri i Kombëtares sonë Xhani De Biazi, edhe pse pranoi se do të qëndronte deri në mbylljen e kontratës në stolin e përfaqësueses sonë, në artikulimet e tij vihej re edhe “addio” e tij e fshehur prej muajsh. Ai ka deklaruar se nuk do të rinovojë kontratën me FSHF-në, duke e lënë të hapur mundësinë e largimit. Edhe pse në hyrje ai foli për ndryshimin e skuadrës në fitoren me Izraelin, më shumë fokusi i pyetjeve ishte tek marrëdhëniet e tij me Presidentin e FSHF-së. “Mendoj se në Izrael kishte më shumë bindje e vendosmëri në lojë. Por, nëse mendojmë se jemi në lartësinë e Spanjës dhe Italisë, e kemi humbur dimensionin dhe kemi gabuar gjithçka. Për situatën që kishim para kësaj fitoreje, them se duket si një histori e vezës me pulën. Puna ime është të qetësoj lojtarët, dhe pastaj të vlerësoj atë që ishte ndërtuesi i vërtetë i kësaj, presidenti që më mbajti, i cili vazhdoi me mua edhe pas dyvjeçarit të parë. Jo gjëra stratosferike, por ai kishte parë te puna që bëmë atë që duhej bërë dhe arritur në pjesën e dytë”, theksoi De Biazi në përgjigjet e para të tij, duke qenë shumë i vëmendshëm në dëgjimin e përkthimin e pyetjeve me pak “spec” nga gazetarët e pranishëm. “Nuk duhet të flas me askënd, aq më pak me mediat. Unë jam këtu prej 5 vite e gjysmë, e di që secili nga ju ka një ide se cila ka qenë sjellja e Xhani De Biazit dhe nuk kam pse jap shpjegime. Kur të marr ndonjë vendim, do t’jua shpjegoj, sot nuk kam çfarë t’ju them. Flitet për lëvizje, por nuk është problemi im. Unë për aq sa do të jem këtu do të jap 110%, nuk mund të vihet në diskutim përkushtimi nga pikëpamja e punës, nga përfshirja në kauzën shqiptare”. Dhe ja se si e justifikoi dje De Biazi, “addio”-n e tij nga Kombëtarja jonë, nëpërmjet fjalëve nënkuptuese, që në këtë rast drejtoheshin tek Presidenti i FSHF-së. “Me presidentin kam një raport të mirë, është personi me të cilin jam ndjerë mirë, nga pikëpamja e punës, një person i këndshëm me të cilën mund të kalosh kohën me gëzim. E di që unë kam një aspekt profesional dhe një njerëzor që ecin përkrah, por kur u përgjigja një ditë para ndeshjes, mendova me vete se historia me Shqipërinë do përfundonte këtu, nëse humbnim në Izrael. Këtu nuk jam ndjerë asnjëherë i tradhtuar nga askush, por e kam vendosur në mendjen time që, në fund të kualifikueseve të iki. Ky është një proces natyral, ka fillim dhe një fund, që për mua është momenti të kërkoj sfida të reja”. Ndërsa në stilin e tij ironik De Biazi e mbylli me mundësinë se, kur të ketë ikur nga Shqipëria, të vijë për pushime. “Nëse me ftoni, vij. Mund të ishte e bukur, duke shpresuar që nuk jam i impenjuar në Kinë. këto janë gjëra që nuk i kam folur asnjëherë, i lexoj nga mediat, se Kapelo më ka zënë vendin me10 milionë euro e këtu mua më japin vetëm një!”, ka mbyllur deklarimet e tij De Biazi, duke qenë edhe ai sot në pritje të reagimit zyrtar të Presidentit Armand Duka.
Nëse do të ishte një Federatë tjetër, do të isha shumë më i pasur, por kjo punë është si një ndërmarrje, që merr dikë dhe e paguan 10 mijë euro në muaj, por nga ai përfiton 100 mijë euro në muaj. Falë meje që komunikoj mirë dhe i kam bërë reklamë, FSHF-ja ka bërë biznes, sepse ka shpenzuar pak dhe ka fituar shumë
NDESHJET E DE BIAZIT
28.02.2012-11.06.2017 
Ndeshje zyrtare
Nd 28, F 11, B 4, H 13, Golat 30:27
Ndeshje miqësore
Nd 18, F 6, B 5, H 7, Golat 21:17
Ndeshje në total
Nd 46, F 17, B 9, H 20, Golat 41.:44
Mediat italiane: De Biazi largohet në tetor
Dje, në mediat e ndryshme italiane, ka gjetur hapësirë lajmi se, Xhani De Biazi do t’i japë lamtumirën Kombëtares shqiptare në muajin tetor 2017, me takimin e fundit të eliminatoreve, ndaj Italisë. Të gjithë e cilësojnë vendimin si pasojë e një marrëdhënieve jo edhe aq të mira të krijuar së fundmi me presidentin Duka, apo rrjedhojë të kritikave pas humbjeve radhazi.

La Gazzetta Dello Sport
Shqipëria, De Biazi largohet në tetor: Është momenti të kërkoj sfida të reja

Tuttomercatoweb
Shqipëri, De Biazi largohet pas kualifikueseve: Dua sfida të reja

Sport e Vai
Shumë kritika, De Biazi largohet nga Shqipëria pas 5 viteve e gjysmë

Goal.com
De Biazi, lamtumirë Shqipërisë pas kualifikueseve: Nuk kanë besim te unë

Eurosport
De Biazi lajmëron: Lë Shqipërinë pas kualifikueseve

Il Mattino
De Biazi: Lë Shqipërinë pas kualifikueseve botërore

SportMediaset
De Biazi: Lë Shqipërinë pas kualifikuesve të Botërorit
Sigal