‘5-lekëshi shqiptar na solli fat’, si reaguan mediat polake pas fitores: Skandal në Tiranë

97
Sigal

“Skandal në Tiranë”. Kështu shkruajnë mediat polake pas fitores në “Air Albania” dhe skenës që dhuruan tifozët shqiptarë kur Świderski shënoi gol, duke pasuar me ndërprerjen e ndeshjes për rreth 20 minuta.

“Ishte minuta e 77 e ndeshjes mes Polonisë dhe Shqipërisë, kur Mateusz Klich bëri një kros të bukur nga e djathta e fushës. Karol Świderski mposhti portierin shqiptar me një gjuajtje tokazi dhe çoi në avantazh kombëtaren polake. Pas kësaj, nisën të ndodhin gjërat skandaloze”.

Rasti i golit nuk ishte episodi i vetëm i hedhjes në fushë të sendeve të ndryshme. Më herët, tifozët kishin lëshuar sende në drejtim të mesfushorit të Napolit, Piotr Zieliński, teksa kryente një goditje këndi. Në këta rast, arbitri franzez Clement Turpin, e ndali për pak minuta ndeshjen derisa u morën shënimet përkatëse nga delegati i UEFA-s.

Siç duket, polakët e kishin ndjerë presionin nga tifozëria shqiptare që në fillim të ndeshjes. “Air Albania” ishte mbushur plot e për plot dhe në mediat polake nuk kanë mbetur pa u folur edhe rastet e vërshëllimeve kundër lojtarëve, tifozëve e madje edhe folësit të ekipit kombëtar që në gjuhën polake u bënte thirrje tifozëve të tij.

“Që nga fillimi i ndeshjes mes Polonisë dhe Shqipërisë, kishte tension. Kur folësi në stadium bëri thirrje për qetësi dhe po këndohej himni i Polonisë nuk kishte qetësi. Përkundrazi, tifozët shqiptarë, veçanërisht ata pas porte filluan të bërtisnin dhe të vërshëllenin. Kur arbitri ndërpreu ndeshjen për më shumë se 15 minuta, tifozët nuk bënë asgjë, njësoj sikur të kishin harruar se kishin pësuar një gol. Fillimisht ndezën dritat e celularëve dhe filluan që të këndojnë dhe të duartrokasin njëkohësisht”, shkruan sport.pl.

Media polake nuk ka lënë pa dokumentuar çdo rast ofendimesh ndaj tifozëve polakë. Të tjera media ndalen tek strategjia e Edoardo Rejas që ishte përpjekur për të thyer kundërshtarët polak.

“Fillimisht, skuadra nuk u la shumë mundësi kundërshtarëve. Shqiptarët nuk kishin asnjë mënyrë për të shkuar drejt portës sonë. U përpoqën me pasimet e gjata pas mbrojtësit Kamil Glik, duke besuar se ai ishte i ngadaltë dhe ku fakt të përdorej, por lojtari ynë luajti shkëlqyeshëm, njësoj si mbrojtësit e tjerë Paweł Dawidowicz dhe Jan Bednarek”, shkruan një tjetër media polake.

E njëjta media raporton se e gjithë bota ka shkruar për këto sjellje të tifozërisë shqiptare. UEFA pritet që së shpejti të marrë masa disiplinore dhe Shqipëria do të përballet me disa ndëshkime. Në stadiumin “Air Albania” ka qenë edhe Presidenti i Federatës Polake të Futbollit, Cezary Kulesza. Ai është takuar me njerëzit më të rëndësishëm në vend, ndër ta edhe Presidentin Meta. Kulesza ka folur për mediat dhe ka thënë se çfarë fjalësh ka shkëmbyer me Metën.

“Një moment para ndeshjes shkëmbyem disa fjalë dhe mund ta dëgjoje qartë në zërin e tij se besonte shumë fort në fitoren e ekipit. Fatkeqësisht pas golit që shënuam dhe situatës në lidhje me tifozët mund ta ndjeje ankthin dhe sikletin në lidhje situatën. Të dy e dimë që vërshëllimat e tifozëve gjatë këndimit të himneve nuk duhet të ndodhin”, është shprehur ai.

Një tjetër media është ndalur për të dokumentuar çdo send që është hedhur në fushë kundër lojtarëve polakë. Shishe uji, çakmakë, e madje edhe telefonë. “Ishte ky arsenali që përdorën tifozët shqiptarë”, shkruan nowiny24.pl. Madje ata kanë vënë re edhe detajin e portierit të Juventusit, Wojciech Szczęsny, ndaj të cilit u hodhën sende pas përfundimit të ndeshjesh.

“Ai mori një prej shisheve dhe bëri gjestin “gëzuar” ndaj tifozëve”, shkruhet më tej. Madje për shkak të situatës së tensionuar, mediat polake pretendojnë se nuk kanë pasur mundësi që të marrin në intervista lojtarët pasi gjendeshin shumë pranë tribunave të tifozëve. Situatën, polakët e kishin parashikuar dhe këtë e ka shprehur për mediat zëdhënësi i ekipit Jakub Kwiatkowski.

“Ditën e ndeshjes biseduam në drekë. U thashë: Do ta shikoni, ka për të qenë një ndeshje që do të ndërpritet të paktën një herë. Prisnim një ndeshje të vështirë, me atmosferë të vështirë, sepse jemi në Ballkan dhe e dimë se çfarë mund të bëjë audienca shqiptare. Dhe rezultoi që çdo gjë të ishte e vërtetë”, tha zëdhënësi. Ai ka treguar me humor se fitorja e Polonisë erdhi pasi gjeti një monedhë 5 lekëshe, ç’ka për të thotë se i solli fat.

Ndeshja e të martës ishte shumë e rëndësishme për të dyja ekipet pasi varej fati i vendit të dytë në grupin I. Me humbjen 1 me 0 Shqipëria ndodhet tashmë 2 pikë pas Polonisë në vendin e tretë. Shqipëria ka kalendarin më të vështirë pasi në ndeshjen e radhës do të duhet të ndeshet me Anglinë e më pas me Andorrën. Ndërsa Polonia ka në listë Andorrën e më pas Hungarinë.