Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Kapriçiot e fatit

212
Sigal

Askush nuk e di se si biseda kaloi te tekat e fatit të njeriut. I pari tregoi: – Kishim një punonjës në Opera që e quanin Xhepi. Ai kishte një djalë nja pesëmbëdhjetë vjeç, i cili si gjithë djemtë e asaj kohe, herë me leje dhe herë pa leje, ia hipnin trenit dhe shkonin për plazh në Durrës. E mbani mend se sa kallaballëk kishte dhe shpesh qemë të detyruar të udhëtonim në vagonin e mallrave. Edhe ai, një ditë, në një vagon të tillë kishte hipur dhe ishte ulur te dera, që rrinte hapur për ajrosje, me këmbët e varura jashtë. Aty nga mesi i rrugës, diku i ngeci këmba dhe sa hap e mbyll sytë fluturoi nga treni. U turrën shokët të alarmuar dhe arritën ta ndalin trenin. Kërkuan nëpër kanalet gjithë ferra dhe më në fund e gjetën pa ndjenja. Por për kënaqësinë e tyre, vunë re se ai i ishte gjallë, veçse kishte humbur ndjenjat. E ngritën dhe e  shpunë urgjent në spitalin ushtarak dhe aty pas nja katër a pesë ditësh ai u bë qiqër. Mirëpo aso kohe në biletë shënohej edhe detyrimi që kishte Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, i cili në raste dëmtimesh duhej të paguante një shumë parash. Kështu që edhe Xhepi, si u qetësua nga që i shpëtoi i biri, u paraqit me biletën në dorë në zyrat përkatëse dhe ata i akorduan pesëmbëdhjetë mijë lekë që aso kohe nuk ishin pak. Shkoi në shtëpi dhe e pyeti të birin: – Tani që shpëtove dhe morëm këto lekë, thuaj babait tënd se çfarë do të të blejmë? Djali, pa u menduar shumë i tha: – Një biçikletë dua.

Biçikleta erdhi në darkë dhe të nesërmen djali gjithë qejf nisi të bëjë xhiro. Shtëpinë e kishin diku andej nga konviktet e universitetit që janë mbi një sistem kodrash të buta dhe ai preferonte të zbriste me shpejtësi asfaltit të asaj rrugës me kthesa. Mirëpo diku, se nga del një veturë dhe e përplas aq fort, sa djalit i dalin trutë sheshit. Të gjithë shokët e punës i shkuam djalit në varrim dhe Xhepit në shtëpi për ngushëllim.  Dhimbja ishte e madhe edhe për ne, dhe Xhepit nuk kishim ç`t`i thoshim. Ai vetë rrinte i dëshpëruar me kokën ulur dhe herë pas here, pasi psherëtinte, thosh me gjysmë zëri: – E vrava djalin me dorën time. Ne e dinim se asnjë faj nuk kishte ai në këtë që ngjau, por janë ca trille të çuditshme dhe nganjëherë të pabesueshme të fatit, të cilat askush nuk i ka në dorë.

Tjetri nga ana e tij filloi të rrëfejë: – Kishim një shofer kamioni në Peshkopi që i binte rrethit pash më pash. Një herë, duke shkuar për Bulqizë, pranë një fshati në anë të rrugës, pa se ishin grumbulluar shumë njerëz. Nga lëvizjet e pakontrolluara dhe të folurit me zë të lartë e pa radhë, kuptohej se aty kishte ndodhur diçka që duhej ndalur. Kurreshtar, zbriti nga makina dhe pyeti se ç`kishte ngjarë. Kur i thanë se kishte rënë në pus një djalë nja dhjetë vjeç, nuk e zgjati dhe ashtu siç qe u fut në të. Ishte i gjatë, dhe duke u mbështetur fort në duart e vendosura në faqet e murit të pusit, ashtu gur më gur, zbriti dhe e ngriti djalin. Pastaj kërkoi t`i hidhnin litarin dhe si e lidhi mirë e mirë për trupi, u tha atyre që rrinin sipër që ta tëhiqnin lart. Pastaj, u ngjit edhe vetë dhe duke e vënë mbi gju, i nxorri djalit ujin që kishte pirë. Kishte mësuar qysh në ushtri se si duhej dhënë ndihma e parë dhe i bëri frymëmarrje derisa ai u përmend. S`kishin të mbaruar falenderimet për shoferin që u tregua aq i guximshëm. Babai i djalit, i lumturuar, i tha atij se tani e tutje ti do të jesh miku im më i mirë, prandaj sonte do të qëndrosh te ne për darkë dhe nesër do të shkosh. Do të therr dashin dhe do thërres gjithë fshatin. Mirë, mor vëlla,- pranoi shoferi por njëherë duhet të shkoj e të shkarkoj në Bulqizë mallin, pastaj, kur të kthehem, po ndaloj këtu. Ashtu e lanë. Shoferi ia hipi makinës dhe u nis. Kur mbërriti në Bulqizë, shkarkoi arkat në magazinë, piu një kafe si për t`u qetësuar dhe pasi bleu një kuti me llokume, u nis  Dielli ishte më të perënduar, dhe flladi i lehtë, që vinte nga xhami i hapur i gabinës e solli një gjendje të mirë shpirtërore. Ia mori dhe një kënge.  Kur iu afrua atij fshatit ku do qëndronte për darkë, pa një turmë të madhe burrash e grash. “Epo, tha, janë ata që po më presin. Po si shumë paska thirrur miku i ri.” Po kur u gjend mes tyre, pa se diçka e keqe kishte ngjarë. Zbriti dhe pyeti burrat, që kishte pranë: – Po përse jeni mbledhur? Përse jeni kaq të shqetësuar? Dhe s`po u besonte veshëve kur njeri nga ata i tha: – Lëre si ka ndodhur. Hataja! Duke u përgatitur për darkën ku qenë thirrur burrat e fshatit për nderin tënd, babai i tha të birit që të shkonte te shtëpia e kushëririt aty pranë për të marrë nja dy tepsi. Teksa ai kapërcente rrugën, e godet me sa fuqi kishte rrota e një “Skode” që po kalonte në atë moment. Nuk dihet sesi u shkëput nga makina ajo dreq rrote, por djalin e la në vend të vdekur. – Pra, një shofer e shpëtoi dhe tjetri i mori jetën, brenda një dite. Hajde e gjeje me mend këtë punë. Po të qe me radhë, duhej të kisha vdekur unë – u fut në bisedë një plakë kockë e lëkurë, që s`kishte asnjë dhëmb në gojë dhe ishte vetë personifikimi i vdekjes mbi dhe. I treti fola unë: – Kjo që do t`u them, nuk ka shumë që ka ngjarë. Me gazetarin Bashkim Hoxha dhe dy vëllezërit Jaupi, Luanin dhe Arin, ishim ulur dhe po hanim një drekë. Pinim nga një gotë verë, dhe qeshnim me shakatë që bënim. Nuk e di si fjala shkoi te djali i madh i Luanit, Klodi, i cili kishte pasion të madh për motorrat. – Edhe kur u martua – tha Luani – ai e mori nusen me motorr. Mendoni; dhëndrri e hipën nusen me fustan të bardhë mbrapa motorrit dhe fluturon nëpër rrugët e mbushura të Durrësit. Se ta marrësh nusen me limuzinë, sot nuk çuditet njeri, por me motorr, s`kishte bërë vaki. Atë e njohin të gjithë, se as akrobatët e cirkut nuk bëjnë numrat e tij, dhe të gjithë ndalonin dhe e uronin megjithë zemër.

– Po tani që është i martuar dhe ka një vajzë, vazhdon me motorrat? – pyeta unë. Luani, me atë qetësinë e zakonshme dhe pak si i menduar m`u përgjigj: – Njësoj. S`ka zot ta bindë që të heqë dorë nga motorri. Motoçiklist si ai vështirë t`i gjendet shoku, por hajde e më thuaj mua!  Unë prap në timen: – Dhe ti fle i qetë? – Po hë, ç`të bëj? Ai tani është tridhjetë e dy vjeç. Klodi, ishte vërtetë i shkathët dhe s`kishe pse t`ia kishje merakun. Familjar i mirë dhe marrosej pas së bijës, Megit dy vjeçare. Jetën e kishte rregulluar për bukuri se ishte dhe mjaft punëtor. Por ashtu sikurse treguat edhe ju, të vjen nga s`e pandeh.  Nja dy ditë pas asaj drekës që përmenda, kur ngrihem në mëngjes, hapa televizorin për të dëgjuar titujt e gazetave, në atë programin “Koha për t`u zgjuar” që aq këndshëm e drejtonte Bashkimi. Ju e dini, se anash, me titra, jepen lajmet e fundit. Kur… s`po u besoja syve: Aksidentohet me motorr Klodian Jaupi nga Durrësi. Djersë të ftohta më shkuan dhe për momentin e humba fillin, sidoqë mendja më shkonte se edhe mund të jetë ndonjë fatkeq tjetër. Sido që të ishte, Luanin nuk e pyesja dot në telefon. Pastaj, u kujtova se mund t`i telefonoja Bashkimit sapo të mbaronte emisionin. Më zunë të dridhurat, kur ai plot emocion, tha “Po, Klodi është!” U vesha me një frymë dhe u gjenda në shtëpinë e Luanit. Atje qenë grumbulluar shumë njerëz, por mbizotëronte ajo heshtja e përzishme e rasteve të tilla. Si ta ngushëlloja shokun tim që kishte varur kokën dhe mekanikisht u zgjaste dorën atyre që vinin. Megjithatë, m`u duk se në raport me atë që i kishte ngjarë, përsëri gjente forca ta mbante veten disi. Zura vend dhe kur m`u afrua Ari, e pyeta me zë të ulët, si e qysh. Ja ç`më tha: – Sot, do shkonin për ca ditë pushime në Dhërmi të gjithë së bashku. Ishim gjithë qejf. Mbrëmë shkuam te Bardhi deri aty nga ora dymbëdhjetë. Kur erdhëm në shtëpi, Klodi nuk u ul, por tha se do dilte edhe një herë sa të bënte një zhiro me motorr. S`desh ta linte Luani, duke arsyetuar se nuk ka kuptim, pasi nesër do ngrihemi herët dhe po na kap mëngjesi. Jo, jo, u përgjigj, nuk më zë gjumi pa bërë një shëtitje. Ju bini, se unë… ja erdha! Por, erdhi vetëm lajmi nga spitali se ai kishte vdekur. Kur shkuam atje, dhe pamë Klodin të pa jetë në morg, mësuam nga ata të policisë se ai që ecte nëpër rrugët e mbushura të qytetit, me aq shpejtësi dhe me një rrotë, ishte përplasur dhe kishte mbetur pa ndjenja, në bulevardin e madh dhe të boshatisur në mes të natës. Kur Ari mbaroi së treguari, sesi ngrita kokën dhe sytë e përlotur më vajtën te një vajzë e vogël, që u gëzohej gjithë atyre që shihte rreth e rrotull. Ajo endej si një flutur, si një gonxhe e bardhë, si vetë jeta. Ishte Megi e pafajshme që kërkonte babanë e saj. Të pranishmit, e merrnin në prehër dhe e përkëdhelnin, por ajo nuk e dinte se do t`i mungonte përjetë përkëdhelja e babait të saj që aq shumë e deshi. Sikurse nuk e dinte se ata kishin ardhur për të përcjellë pas pak, për në varr, atë që e kishte aq pasion motorrin dhe që nga ai pasion do pikëllonte atë nusen e re që ditën e dasmës e kishte marrë mbrapa atij motorri të mallkuar, gjyshërit, vëllanë dhe të gjithë ne që e njohëm. Ai që i gëzohej aq shumë vajtjes me pushime me njerëzit e tij të shtrenjtë në atë vend magjepsës dhe plot dritë.