290

Sulmuesi i Teutës ishte në garë me Gjergji Muzakën e Nuredin Orelesin dhe Faton Sefën

  Daniel Xhafaj fiton “Topin e Artë”

 Daniel Xhafaj fitoi “Topin e Artë”, duke qenë ai lojtari më i mirë i kampionatit shqiptar për vitin futbollistik 2013. Sulmuesi veteran i Teutës u përzgjodh nga votat e marra nga trajnerët dhe kapitenët e skuadrave të Kategorisë Superiore. Në garë për të fituar këtë trofe ishin katër futbollistë, që kanë bërë mirë gjatë këtij viti: Daniel Xhafa i Teutës, Nuredin Orelesi dhe Gjergji Muzaka të Skënderbeut, si dhe Fatjon Sefa i Besës janë të nominuarit për të fituar çmimin e futbollsitit më të mirë për vitin 2013. Daniel Xhafaj ka shënuar në 10 gola sezonin e kaluar ndërsa në pjesën e parë të këtij viti është në krye së bashku me Bushic në kuotën e 9 golave. Veterani është treguar një nga lojtarët kryesor tek Teuta, e cila siguroi dhe pjesëmarrjen në Europa League sezonin e kaluar. Nuredin Orelesi tregoi se është një nga më të mirët e Kampionatit Shqiptar. Pjesë e rëndësishme në sukseset e Skënderbeut jo vetëm në kampionat por edhe në ecurinë europiane, Orelesi është konfirmuar edhe në pjesën e parë të sezonit aktual. Një tjetër futbollist i nominuar ishte Gjergji Muzaka, i cili vitin e ndan me dy fanella. Me Flamurtarin sezonin e kaluar, Muzaka ishte protagonist me 12 golat e shënuar duke u renditur si goleadori i tretë më i mirë edhe pse luan si mesfushor krahu. Rikthimi në Korçë i ka ulur ritmin e golit duke qenë se deri më tani ka shënuar vetëm 3 herë, por krahu i djathtë i kampionëve tashmë duket i blinduar. Lojtari i fundit në garë ishte sulmuesi i Besës, Fatjon Sefa, që duket se ka rilindur në këtë sezon të dytë në Kavajë. 6 gola ka shënuar sezonin e kaluar me verdhezinjtë sulmuesi Lushnjar, një kuotë që është arritur në këtë pjesë të parë të sezonit. Golat e tij këtë sezon kanë qenë të rëndësishëm për Besën pasi i ka dhënë pikë skuadrës, duke u votuar në listën për Topin e Artë.

  Kukësi, skuadra e vitit

 Skuadra e Kukësit u nderua me çmimin “Vlerësim dhe mirënjohje për përfaqësim dinjitoz në Kupat e Europës”. Kukësianët u bënë skuadra e parë shqiptare, që kaluan tre ture në Ligën e Europës, duke u ndalur vetëm nga turqit e Trabzonsporti në turin e katërt. Ata eliminuan me radhë estonezët e Flora Talinit, boshnjakët e Sarajevos dhe ukrainasit e Metalurg Donteskut. Kuksianët arritën deri të fitojnë deri në 540 mijë nga ballafaqimet ndërkombëtare.

   Skënderbeu kërkon Hair Zeqirin

 Edhe pse na ndan një javë nga hapja zyrtare e merkatos dimërore,  skuadrat shqiptare kanë filluar të mendojnë për përforcimet në repartet ku ato kanë konstatuar mangësi. Trajneri Mirel Josa dëshiron me çdo kusht Hair Zeqirin në ekip. Vlonjatin e duan gjithashtu dhe klubet e kryeqytetit Tirana dhe Partizani. Skënderbeu nuk do ta ketë te lehte te marrë Zeqirin, pasi vetë lojtari deklaroi para disa ditësh në një intervistë për një blog sportiv në internet se nuk ka ndërmend të largohet nga Vlora pikërisht në këto momente jo të mira që po kalon Flamurtari. Hair Zeqiri është një nga lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar dhe më një eksperiencë të shkurtër në Turqi. Zeqiri ishte autori i golit të vetëm të Flamurtarit në fitoren 1-0 ndaj Partizanit, ndërkohë që vlonjati ka shënuar gola shumë të rëndësishëm për ekipin e tij.

 Andi Lila, heroi i Janinës

 Andi Lila, një hero shqiptar në Janinë. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare realizoi golin e fitores 2-1 të PAS Janinës me Arisin e Selanikut në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të të Superligës greke. Skuadra e shqiptarëve Lila e Vila ka fituar 2-1 në një ndeshje me tension, ku nuk munguan kartonët e kuq, nga një për secilën skuadër, që në pjesën e parë. Të dy shqiptarët dje ishin titullarë në fushë, Vila nga e djathta e mesfushës, ndërsa Lila në qendër të mbrojtjes. Kavajasi ishte autor i golit të dytë, në minutën e 73-të. Pas ndeshjes së fundit për këtë vit, Janina mban vendin e shtatë, me 23 pikë, tri më pak se Asteras Tripolis në zonën e Europa League.

 Valmir Berisha: “Milani më ofroi shumë pak”

 Sulmuesi me origjinë shqiptare i Halmstads, Valmir Berisha komentoi zërat që e lidhin me skuadra të mëdha europiane. 17-vjeçari pranoi interesimin e Milanit, por shtoi se kuqezinjtë nuk kishin rënë dakord për shumën e kartonit të tij. Gjithsesi ai tha se në futboll nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë. Valmir Berisha ka mohuar lajmet nga Italia se ai ka rënë dakord të bashkohet me Milanin, që është një nga skuadrat më të interesuara për sulmuesin e ri shqiptar, i cili luan për Suedinë. “Ibrahimoviçi i ri” është ndër talentet më të kërkuar pas botërorit të moshës, ku ai ishte golashënuesi më i mirë, por ka shprehur disa herë dëshirën që të mos shkojë menjëherë në një klub të madh, pasi i duhet të fitojë përvojë në një nivel më të ulët. Sipas shtypit të huaj, klubet e interesuar për Berishën ishin midis 30 e 35 dhe midis tyre janë gjigantë të tillë si Liverpul, Totenham, Ajaks, Real, Juventus, Inter, Milan e të tjerë, ndërkohë që vetë sulmuesi nuk ka pranuar të shkojë në periudhë prove te Manchester United dhe Arsenal.

Ndriçim Babasi, Refik Halili dhe Lulzim Morina do të vazhdojnë të financojnë bardheblutë

 Basha konfirmon tre donatorët e Tiranës

 Tirana e mbylli pjesën e parë të sezonit në vendin e fundit, diçka që ndodh për herë të parë në historinë e 75 kampionateve të Kategorisë Superiore. Tirana është ekipi i vetëm që nuk e ka “shijuar” rënien një kategori më poshtë, por mesa duket ecuria e dobët e këtij sezoni, ndërrimi i trajnerëve, Nevil Dede, Alpin Gallo dhe tani në bankinë Gugash Magani ende nuk u kanë mundësuar dritën jeshile të shpëtimi 24 herë kampionëve të vendit. Gjithsesi, ana financiare, e cila për hir të së vërtetës ka krijuar jo pak probleme me bardheblutë duket se tashmë është garantuar. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka pritur në zyrën e tij dy nga tre donatorët e klubit Bardheblu, Refik Halili dhe Lulzim Morina. Në këtë mbledhje ku mungonte donatori i tretë Ndriçim Babasi, numri një i kryeqytetit ka konfirmuar se në vijim 24 herë kampionët do të financohen rregullisht nga treshja e donatorëve. Një mbledhje urgjente në përfundim të pjesës së parë të sezonit ishte mëse e nevojshme, duke qenë se në orët e fundit, është përmendur shumë dhe rikthimi në rolin e donatorit të klubit të ish presidentit Lutfi Nuri. Por mesa duket në këtë mbledhje gjithçka është kristalizuar, me tre donatorët që konfirmohen në mbështetje të skuadrës, duke i dhënë njëkohësisht dhe fuqinë e vendim marrjes për të mirën e ekipit. Në mbledhje ka qenë i pranishëm edhe administratori i klubit bardheblu, Krenar Alimehmeti, i cili ka bërë një raportim të situatës duke marrë më pas dhe mbështetjen nga donatorët për lëvizjet në merkato. Në këtë mënyrë zërat e largimit të Ndricim Babasit nuk konfirmohen, edhe pse ka qenë vetë donatori ai që ka treguar se ndjehet i lodhur dhe mendon tërheqjen nga drejtimi i skuadrës, për të qenë thjesht një sponsor. Gjithashtu me këtë mbledhje është konfirmuar mungesa e rikthimit të ish presidentit Nuri, që shihet nga fansat bardheblu si njeriu që mund të shpëtojë skuadrën nga kriza e thellë. Pas kësaj mbledhjeje, drejtuesit më të lartë të 24 herë kampionëve vijojnë punën, ku në qendër të vëmendjes mbetet përforcimi i skuadrës për të kaluar kolapsin në të cilën gjendet. Teuta morri një pikë të çmuar në kryeqytet ndaj bardhebluve që drejtohen nga ish trajneri Magani. Barazimi pa gola erdhi në një sfidë të luftuar, ku rastet për shënim nuk munguan. 24 herë kampionët tregojnë rritje në lojë por rezultatet janë ato që mungojnë. Ndeshjet e fundit të vitit në kampionatin shqiptar konfirmuan edhe një herë se ky sezon do të jetë i egër dhe shumë i luftuar. Përjashtim bën Skënderbeu që duket në rrugën e duhur për t’u konfirmuar si kampion i vendit, pasi edhe pse ka luajtur me një futbollist më pak rreth një orë, ka mposhtur Lushnjen në shtëpi. Një humbje që lë lagunarët në zonën e rënies. Korçarët kanë përfituar dhe nga humbja e Partizanit në Vlorë për të thelluar më tej diferencën me ndjekësit. Të kuqtë e kryeqytetit e kanë mbyllur me humbje vitin 2013, por në transfertën ndaj Flamurtarit kanë treguar një lojë në rritje.

KATEGORIA SUPERIORE

Java XVII

1 shkurt 2014

Besa-Laçi

Bylis-Flamurtari

Partizani-Kukësi

Kastrioti-Tirana

Teuta-Lushnja

Skënderbeu-Vllaznia

RENDITJA

1    Skënderbeu      16   +12  33

2    Partizani       16   +3   26

3    Kukësi          16   +1   25

4    Laçi            16   +3   25

5    Flamurtari      16   +4   24

6    Teuta           16   +0   24

7    Besa            16   -3   21

8    Vllaznia        16   +1   21

9    Bylis           16   +2   21

10   Lushnja         16   -6   18

11   Kastrioti       16   -6   16

12   Tirana          16   -11  12