11 skuadrat e dënuara me heqje pikësh

559
Sigal

 Kjo është hera e dytë në këtë sezon që, një skuadre te Kategorisë Superiore i zbriten pikët

Dënimi i Kukësit me heqjen e tri pikëve nga klasifikimi i përgjithshëm, pas incidenteve të tifozëve me gjyqtarin Enea Jorgji dhe trajnerin e Skënderbeut, Mirel Josa nuk është një rast pa precedent në Shqipëri. Madje ky është rasti i dytë brenda këtij sezoni, kur Flamurtarit u dënua heqjen e tri pikëve nga klasifikimi i përgjithshëm, pas incidenteve të tifozëve me presidentin e Skënderbeut, Artan Takaj. Në total janë 11 skuadra që e kanë provuar këtë shije: Flamurtari (2 herë), Vllaznia, Kastrioti, Elbasani, Gramozi, Dinamo, Laçi, Pogradeci, Shkumbini dhe Bylisi. Për vlonjatët kjo është hera e dytë që, i hiqen tri pikë, pas rastit me Laçin (1-1) në sezonin 2010-2011, kur Flamurtari braktisi ndeshjen. Sezonin e kaluar (2011-2012), Komisioni i Disiplinës (më 9 maj 2012) ndëshkoi Shkumbinin me heqjen e tri pikëve, pas një ndeshjeje të fituar 1-0 me Flamurtarin në fushë, por më pas të homologuar 0-3 në favor të vlonjatëve. Disiplina e mori vendimin e ashpër të bazuar në relacionin e gjyqtarëve Jubicaj, Dervishi dhe Qeseri, të delegatit Petrit Brahja dhe vëzhguesit Astrit Mema, për shkak të kërcënimeve të zyrtarëve të Shkumbinit ndaj zyrtarëve të ndeshjes, ku mbizotëroi incidenti i provokimit me një pistoletë lodër nga ana e deputetit të Peqinit, Dashnor Sula. Disiplina u hoqi edhe tri pikë peqinasve nga klasifikimi i përgjithshëm, pikë që i çuan peqinasit në zonën “play-off”, një javë përpara përfundimit të sezonit. Interesant është fakti, se sezoni i kaluar do të mbahet mend si “kampionati i heqjes së pikëve”, pasi katër skuadra u ndëshkuan me heqje të pikëve: Laçi (-6 pikë), Pogradeci (-3 pikë), Shkumbini (-3 pikë), të tri nga Komisioni i Disiplinës, ndërkohë që në listë është dhe Dinamo (me –3 pikë), por kësaj të fundit iu hoqën tri pikë nga FIFA për shkak të mospagimit të ish-lojtarit të saj kroat, Dario Bodrusiç. Kroati ishte pjesë e bluve në sezonin 2007-2008 dhe në fazën e parë të sezonit futbollistik 2009-2010.

 VLLAZNIA

U ndëshkua me heqjen e tri pikëve, për shkak të një gabimi teknik në protokoll, gjatë ndeshjesh Vllaznia-Skënderbeu (sezoni 2009-2010).

 KASTRIOTI

Krutanëve iu hoqën tri pikë nga Komisioni i Disiplinës (FSHF), për braktisjen e lojës në takimin me Flamurtarin në Vlorë (Superliga 2009-2010).

 GRAMOZI

Skuadrës kolonjare iu hoqën pikët, pas incidenteve në ndeshjen Gramozi-Skënderbeu, të mbyllur para kohe (më 27 mars 2010), në sezonin 2009-2010.

 ELBASANI

Në sezonin 2010-2011, Elbasanit iu hoqën tri pikë nga FIFA për mospagimin e lojtarit kroat, Darko Periç.

 FLAMURTARI

Skuadra vlonjate u ndëshkua me -3 pikë pas braktisjes së ndeshjes me Laçin (1-1) në edicionin 2010-2011.

DINAMO

Bluve iu zbriten tri pike nga FIFA, për shkak të mospagimit e të lojtarit kroat Dario Bodrusiç (Superliga 2011-2012).

 LAÇI

U ndëshkua me heqjen e gjashtë pikëve nga Komisioni i Disiplinës, për shkak të dhunës ndaj gjyqtarit Lorenc Jemini (Superliga 2011-2012).

 POGRADECI

U ndëshkua me zbritjen e tri pikëve nga Disiplina, për shkak të dhunës ndaj gjyqtarit Enea Jorgji (Superliga 2011-2012).

 SHKUMBINI

Shkumbinit iu hoqën 3 pikë nga Disiplina, për shkak të dhunës psikologjike ndaj arbitrave në ndeshjen Shkumbini-Flamurtari, java e 25-të e sezonit 2011-2012.

 BYLISI

Ballshiotëve iu hoqën tri pikë, për shkak të aktivizimit të gjashtë lojtarëve të huaj në ndeshjen Skënderbeu-Bylisi (java e 16-të e sezonit 2012-2013).

FLAMURTARI

Vlonjatëve i hoqën tri pikë nga klasifikimi i përgjithshëm, për shkak të incidenteve të tifozëve me presidentin e Skënderbeut, Artan Takaj (java e 2-të e sezonit 2013-2014)

 KUKËSI

Kuksianëvë iu hoqën tri pikë nga klasifikimi i përgjithshëm, për shkak të incidenteve të tifozëve me gjyqtarin Sino dhe trajnerin e Skënderbeut, Mirl Josa (java e 14-të e sezonit 2013-2014)

FSHF-ja u heq tri pikë kuksianëve pas dhunës ndaj gjyqtarit Jorgji dhe trajnerit Josa

 Disiplina “internon” Kukësin

  Komisioni i Disiplinës u tregua i pamëshirshëm ndaj Kukësit, për shkak të akteve të dhunës, që ndodhën në fund të sfidës së javës së 14-të të Kategorisë Superiores, Kukësi-Skënderbeu në “Zeqir Ymeri”, ku nga punonjës së Bashkisë së Kukësit pati tentativa të qarta për të dhunuar arbitrin kryesor, Enea Jorgji, se e mbylli sfidën disa sekonda para se duhej, apo goditja e ndonjë lojtari korçar në mjediset e brendshme të stadiumit. Komisioni i Disiplinës vendosi që Kukësi t’i luajë katër ndeshjet e ardhshme si pritës jashtë stadiumit të vet, skuadrës t’i hiqen edhe tri pikë nga klasifikimi i përgjithshëm. Tashmë, Kukësi është në kuotën jo më të 22 pikëve, por të 19 pikëve duke zbritur në vendin e 6-të. Për Kukësin kjo është hera e dytë që dënohet të luajë katër ndeshje jashtë fushe. u dënua me katër ndeshje jashtë fushe, për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar ndërprerje përfundimtare të ndeshjes Kukësi-Vllaznia (Vendimi: 17 shtator 2013). Gjyqtari kryesor u detyrua ta mbyllë lojën pa u konsumuar 90 minuta të plota.

Tetë ekipe me pezullime fushash

Bylisi është i ndëshkuari i radhës i Komisionit të Disiplinës. Ballshiotët do të luajnë një ndeshje pa shikues në “Adush Muça” (atë me Laçin) pas incidenteve të tifozerisë në takimin me Partizanin. Vetë Partizani do të luajë një ndeshje pa shikues (atë me Besën), për shkak të sjelljes së gabuar dhe në raste të përsëritura të spektatorëve gjatë ndeshjes së Kupës së Shqipërisë, Partizani-Vllaznia. Dënimi i Bylisit e çon në 16 numrin e klubeve të dënuara në të gjithë kompeticionet dhe në tetë të atyre të Superligës. Nuk mungon në listën e dënimeve edhe lideri i kampionatit, Skënderbeu, që u dënua të luajë një ndeshje pa praninë e shikuesve, për shkak të sjelljes së tifozerisë së kuqe në ndeshjen e fundit kundër Partizanit. Kampionët në fuqi luajtën  pa praninë e “ujqërve” ndeshjen me Flamurtarin (të fituar 2-0). Me një ndeshje pa shikues është dënuar edhe Laçi pas incidenteve në takimin me Kukësin. Pra, 2/3 e ekipeve të Kategorisë Superiore (8 nga 12) janë dënuar ose zhvillimin e ndeshjeve pa shikuese (6 skuadra: Besa, Vllaznia, Skënderbeu, Laçi, Partizani, Bylisi) ose jashtë fushe (Flamurtari, Kukësi). Kukësi mban edhe rekordin këtë vit, pasi është dënuar dy herë me nga katër ndeshje për të luajtur jashtë fushe, ose gati gjysmën e ndeshjeve që do të luante brenda (8 nga 16 ose 17, në bazë të skemës së fazës së tretë).

Tetë dënimet e ekipeve

Pa spektatorë

Besa       2 ndeshje

Vllaznia   2 ndeshje

Skënderbeu 1 ndeshje

Laçi       1 ndeshje

Partizani  1 ndeshje

Bylis      1 ndeshje

Jashtë fushe

Kukësi     8 ndeshje

Flamurtari 4 ndeshje

Skuadrat e gjobitura

 Deri tani janë dënuar me gjobë nëntë klube, ku pesë prej tyre janë nga Kategoria Superiore, përkatësisht Vllaznia (50 mijë lekë), Laçi (50 mijë lekë) dhe Tirana (dy herë nga 50 mijë lekë), Skënderbeu (50 mijë lekë) dhe Teuta (50 mijë lekë).

 Shensoi “burgoset” me 12 ndeshje

  Trajneri i Kukësit, Naxhi Shensoj, u dënua nga Komisioni i Disiplinës, për të mos e drejtuar (zyrtarisht) për 12 ndeshje ekipin e tij (në kampionat e Kupë). Kosovaro-turku u pezullua, për shkak të protestave ndaj gjyqtarit Enea Jorgji, çka edhe nxiti dhunën ndaj arbitrave dhe zyrtarëve të ekipit të Skënderbeut në përfundim të ndeshjes Kukësi-Skënderbeu (1-1), të vlefshme për javën e 14-të. Shensoj është trajneri i dytë që dënohet këtë sezon, pas atij të Vllaznisë, Agim Canaj, këtë të fundit që është pezulluar dy herë nga dy ndeshje, pas protestave ndaj zyrtarëve të ndeshjes në takimet Vllaznia-Bylis (1-1, për kampionat) dhe Partizani-Vllaznia (0-0, për Kupë). Me pezullimin prej 12 ndeshjesh, Kukësi ndoshta duhet të mendojë për një trajner të ri, që do ta përfaqësojë skuadrën verilindore në protokollin e ndeshjeve. Shensoji duhet të kthehet në bankinë në javën e 27-të të Superligës.

 Trajnerët e ndëshkuar

Naxhi Shensoj   12 ndeshje

Agim Canaj      4 ndeshje

RENDITJA E RE

 

1    Skënderbeu      14   +10  27

2    Partizani       14   +2   23

3    Laçi            14   +1   22

4    Flamurtari      14   +3   20

5    Teuta           14   -1   20

6    Kukësi          14   +1   19

7    Besa            14   -2   18

8    Bylis           14   +2   18

9    Vllaznia        14   +2   18

10   Lushnja         14   -3   18

11   Kastrioti       14   -5   15

12   Tirana          14   -10  11

– Flamurtarit dhe Kukësit u janë zbritur nga tri pikë nga Komisioni i Disiplinës