Tajar Agolli: Me Dritëroin, kujtime pëmes dialogut

Z.Agolli, si është të jesh vëlla i Dritëroit? Çfarë mund të kujtoni nga fëmijëria juaj?

Unë dhe Dritëroi kemi pasur vetëm një vit diferencë moshe. Madje kujtoj që shumë na quanin binjakë. I vetmi ndryshim mes nesh në aspektin fizik ishte që unë paraqitesha disi i bëshëm, ndërsa Dritëroi i hollë dhe elegant. Me humor e shpjegoj se kjo diferencë peshe vinte ngaqë unë kisha oreks për ushqim, ndërsa ai uri të madhe për libra. Im vëlla nisi të lexonte qysh herët në shkollën Unike të Bilishtit dhe për këtë spikaste mes shokëve. Edhe unë përpiqesha të lexoja ndonjë gjë, por Dritëroi ishte fantastik dhe në këtë drejtim s’mund të arrihej. Sot mund të duket për të qeshur, por dashuria për librin i shkonte deri aty sa në mungesë të parave çonte fasule në shkollë dhe i shkëmbente me tekste. Kjo mënyrë të menduari qysh në hapat e parë, e bënte atë të veçantë. Ndaj unë e kam nder të them që e kisha gjithçka, vëlla, shok, mik, baba dhe njeri të shpirtit.

Sigal

Një pjesë e rëndësishme e fëmijërisë kanë qenë edhe gjyshërit tuaj të cilët Dritëroi i përmendte shpesh…

Edhe pse është e vështirë të përmbledh kujtimet tona të vegjëlisë në  pak fjalë, unë do të përpiqem të koncentroj disa momente që më janë shënjuar në memorie. Dashuria e gjyshërve ishte tejet e madhe, sidomos e gjyshit ndaj Dritëroit. Kujtoj që na merrte pas gjithnjë. Në verë e shoqëronim te një kolibe dy katëshe prej druri dhe prej aty vështronim të gjithë vreshtin. Dukej aq bukur ajo kasolle sa flinim dhe zgjoheshim aty, ku padyshim s’mungonte as qeni ynë Balo.  Ndërsa me gjyshen e kishim ndryshe, pasi tek ajo ishte e vështirë të kuptohej se cilin nga ne të dy e kishte më të preferuar. Zakonisht flinim bashkë me të dhe ajo përgjatë gjithë natës kthehej sa nga njëri krah te tjetri, në mënyrë që të mos na ngelte hatri. Në fund e zinte gjumi me kurriz që asnjë prej nesh të mos mërzitej.


Të parët tuaj kur kanë mbërritur në Menkulas? Kemi dëgjuar që emrin e fshatit ata ja kanë vendosur sipas një shprehje “Ment’ ku i lashë”. Sa e vërtetë është kjo?

Dritëroi ka shkruar aq shumë për Menkulasin, sa s’besoj se ka ngelur ndonjë guralec pa i dedikuar vargje. Ne jemi mjaft të lidhur me të. Referuar historisë që tregonin më të vjetrit, i pari që ka mbërritur në fshat rrjedh nga trungu i fisit tonë dhe quhej Ahmet. Kjo solli edhe mbiemrin Ahmetli të cilin më herët e ka mbajtur edhe familja jonë. Ndërkohë sa i përket emrit të fshatit, një dokument i zbuluar në arkivat e Stambollit nga një miku ynë, tregon se kur kaloi përmes Menkulasit një kolonel turk i quajtur Mehmet, u shpreh: “Ment’ ku i lash”. Ishte kjo shprehje që u ngulit fort dhe më pas ngeli si emërtim për fshatin tonë.

Në rrëfimin tuaj, më bëri përshtypje që dikur keni ndërruar mbiemrin nga Ahmetli, në Agolli. Çfarë fshihet pas kësaj zgjedhje?

Në vitin 1945 doli një vendim nga institucionet e kohës ku ofrohej mundësia e ndryshimit të mbiemrit. Ndër ata që menduan ta ndryshonin ishim edhe ne. Disa nga fisi ynë e vendosën “Flaka” dhe disa të tjerë “Zjarri”. I gjendur mes vendimeve të tyre, në inat e sipër babai si variant të parë mendoi ta vendosë “Shkrepësja” duke treguar se bën bashkë flakën edhe zjarrin. Ndërkohë me argumentin se vinim nga shtresa e mesme, ai propozoi që të vendosej Agolli (nga Aga), dhe ky mbiemër u pranua nga të gjithë.

Dritëroi, ka plot një libër me poezi për kalin, ka poezi për shpendët, për tokën dhe për punën. Si ndikoi natyra e fshatit në formimin e tij?

Që në moshë të hershme Dritëroi spikaste për talentin që kishte. Kjo në një farë mënyre reflektohej edhe nga dashuria e madhe për natyrën, kafshët, shpendët dhe insektet. Kujtoj që në vegjëli vraponte buzë jazit të fshatit për të kapur flutura, hynte mes bimëve barishtore dhe kapte zogj të bukur me leqe. Madje kur shkonim për mëllenja, ai zgjidhte t’i vendoste me zgjuarsi kurthet në pullaze ku kishte shkrirë bora. Kujtoj kur zuri njëherë një mëllenjë, e mori mbi duar dhe pasi e vëzhgonte plot dashuri e puthte në kokë.

Pas pak, u drejtua nga unë dhe më tha: “-Tajar, do ta lëshoj këtë që kapëm”. Unë e miratova me kokë pasi ai ishte “përgjegjësi” për mua dhe vendimmarrja i përkiste atij.  Pasi e liroi, e shihte në fluturim dhe përplaste duart gjithë gaz. Kjo më bënte të kuptoja se çfarë shpirti mbarte ai njeri. Dashuria ndaj kalit apo kafshëve të tjera, shihet edhe në orientimin që kishte zgjedhur të merrte në jetë. Pas përfundimit të gjimnazit “Asim Zeneli”, mes degëve që kërkonte të ndiqte ai zgjodhi zooveterinerinë . Falë këmbënguljes së Karaman Yllit që kishte ndjekur krijimtarinë e tij dhe insistonte që të ndiqte letërsinë, Dritëroi ndoqi letrat por pa harruar kurrë të kthejë kokën pas nga pasioni për tokën e natyrën.

Po nga Lufta Nacional-Çlirimtare, çfarë mund të kujtoni? Cili ishte roli i Dritëroit paçka se ishte i vogël?

Dritëroi iu bashkua luftës që fëmijë ku shkoi një javë dhe qëndroi tek partizanët. Ata kur e panë, u habitën dhe i thanë se ishte tepër i vogël për të qëndruar aty. Nëna qante e merakosur dhe ne duke parë gjendjen në shtëpi i dërgonim letra duke i kërkuar që të kthehej. Vërtet ai u kthye pas insistimit tonë, por ama vijonte të ishte korrier për të transportuar mesazhet  e partizanëve si dhe simpatizant i këngëve që ngriheshin për heroizmin  e tyre. Kjo i shërbeu edhe në krijimtari ku shpesh herë ngjarjet i ka gërshetuar aq bukur me luftën.

Po baba Rizai, në raport me Ndritin (siç e quanit ju), si sillej?

Babai kishte një komunikim e mënyrë të foluri ndryshe pasi kishte qëndruar rreth 15 vjet në Amerikë. Ai ishte njeri i qejfit në sebepe, mjaft i afrueshëm dhe nderonte çdokënd. Në dasma dhe fatkeqësi, im atë e merrte Dritëroin me vete duke ia mësuar sjelljet e të rriturit që në vegjëli. I vëmendshëm ndaj tyre, ai i reflektonte herë pas here duke marrë një pamje më të pjekur në sytë tanë. Madje, në ato sofra Dritëroi mësoi të këndojë aq bukur. Kur filloi shkollën, bënte shkrime në gazetën e murit dhe babai krenohej pasi mblidheshin të gjithë fshatarët me kureshtje që ta lexonin. Aty ai shkruante me humor për ndonjë vjedhje që bëhej në fshat apo ndonjë dembel. Poezitë e tij të para, babai i merrte nga gazeta, i priste me kujdes dhe i vendoste në kutinë e duhanit. Teksa lavdërohej mes miqsh, thoshte: “Djali im vërtet është poet, por jo si Naimi. Po t’i krahasosh ata të dy është njëlloj si të krahasosh Menkulasin me Tiranën…”

Po nënë Hatixheja?

Nëna kishte shumë shprehje që vërtet të habisnin. Dritëroi e përmendte shpesh ku thoshte se pjesën e djathtë të trurit ku qëndron talenti, e kishte të trashëguar nga nëna me origjinë prej Kolonje, ndërkohë pjesën e karakterit i vinte nga babai. Dritëroi ka shumë kujtime me ne dhe unë kur i rrëfej kam emocione. Natyrshëm më vjen në mendje koha kur prashisja dhe korrja me drapër sepse isha i fuqishëm, ndërsa Dritëroi bënte më tepër punë logjike dhe profesionisti si të lëronte tokën, hidhte farën apo kujdesej për prodhimet.

Pse u shpërngulët nga fshati?

Babai vendosi që ne të shpërnguleshim nga Menkulasi veç për arsimimin tonë pasi shkollat ishin pak larg. Fillimisht u vendosëm në fshatin Shamoll ku im atë më regjistroi tek “Shkolla e Kuqe” në Korçë. Duke qenë se vija nga fshati, shokët më shihnin me skepticizëm dhe më rrinin larg. Duke parë gjendjen time, babai u detyrua të kërkojë një shkollë tjetër ndaj u vendosëm në fshatin Rrëmbec. Aty jetuam disa vite dhe më pas unë, babai, nëna dhe motra erdhëm në Sukth të Durrësit ku xhaxhai ynë Mehmeti kishte zënë vend në fermë bashkë me bashkëshorten.  Qëndruam një periudhë deri sa unë u rregullova në Tiranë dhe më pas i tërhoqa të gjithë.

Në kohën kur Dritëroi erdhi nga ish Bashkimi Sovjetik, ai jetonte tek shtëpia juaj në ish Kinostudio? Si ishte jeta e përbashkët?

Kur Dritëroi u kthye nga studimet në ish-Bashkimin Sovjetik, vendosi të banonte me mua duke ndërtuar një bashkëjetesë të shkëlqyer. Ai, unë, bashkëshortja, nëna dhe babai, jetonim në zonën e Kinostudios brenda një apartamenti 1+1. Fillimisht u kthye në Shqipëri për të parë situatën dhe më pas do të sillte ish-gruan e tij Nina dhe djalin e madh Arjanin. Them me bindje që gjeti tek ne një ngrohtësi të veçantë pavarësisht se ishim pak ngushtë ku unë flija në korridor, Dritëroi në dhomë dhe babai me nënën në kuzhinën e vogël.

Cilat ishin raportet tuaja me ish-gruan e Dritëroit nga Rusia? Si ishte Nina?

Nina ishte një njeri pozitiv dhe raporti ynë u ndërtua mjaft i fortë. Në vitet e para të ardhjes në Tiranë ajo jetonte bashkë me ne. Për fat, unë munda ta shkëmbej shtëpinë me një banesë më të madhe të një mikut tim major, pasi atij mund t’ja merrnin duke qenë se jetonte veç me bashkëshorten. Pas akomodimit në të, kishim një jetë të qetë. Dritëroi vinte me një biçikletë “Riga” te puna në “Zërin e Popullit”, ishte korrekt  dhe kishte gjithnjë e më shumë sukses me krijimtarinë. Ndërkohë unë përpiqesha ta lehtësoj disi me aq sa mundja. Duke njohur mirë gjuhën ruse, Ninën dhe djalin i shëtisja në teatër, parqe dhe i mësoja rrugët e Tiranës. Nga ish-bashkëshortja e Dritëroit ruaj kujtime interesante ku një prej tyre është edhe martesa ime. Në kohën që shkonim për ta marrë gruan time Vahide, ajo bashkë me Dritëroin këndonin këngë të Operës ruse.

Si erdhi ndarja e tyre? Çfarë mban mend nga gjendja e Dritëroit në atë periudhë?

Fill pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, ish-bashkëshortja e Dritëroit pësoi një tronditje të thellë pasi kishte një lloj admirimi për udhëheqësin e asaj kohe, Hrushovin. Pavarësisht se nuk u përzu nga regjimi siç u veprua me shumë të tjerë, Nina nisi të ndjehej e paragjykuar në ambientet ku punonte apo shoqërohej pasi nuk gjente mbështetje për bindjet e saj. Shkëputja e lidhjeve shtetërore, krijoi në popullatë një urrejtje ndaj rusëve që ngelën në Shqipëri. Ndaj nisur nga klima e krijuar, një ditë ajo shprehu vendimin për t’u larguar përfundimisht duke argumentuar se s’mund të vazhdonte me atë gjendje. Im vëlla insistoi që të qëndronte bashkë me djalin, por Nina zgjodhi të ikë ku shpjegoi se një nga arsyet ishte që ta linte Dritëroin të kultivonte talentin i qetë dhe të mos shqetësohej nga sulmet kur prodhonte letërsi.

Ke marrë pjesë në shoqërimin e Ninës dhe Arjanit në aeroport? Çfarë mban mend nga ai moment. Dritëroi çfarë bënte rrugës, fliste?

E kam ende të freskët në memorie momentin kur Dritëroi më njoftoi mbi vendimin e Ninës për të braktisur Shqipërinë. Isha duke pushuar në plazh kur e mësova dhe i çuditur nxitova drejt Tiranës. Ajo kishte bërë valixhet gati ndërsa Dritëroi ishte kujdesur që t’i bënte të gjithë dokumentacionin e nevojshëm përmes Ambasadës Çeke që kryente procedurat për shtetasit rusë.  Kur u nisëm për në Rinas,  rrugës në Vorë Nina u pendua dhe kërkoi që  të kthehemi. Dritëroi e vëzhgoi gjatë por nuk ktheu mendje duke i shpjeguar  se ajo tashmë kishte marrë një vendim dhe s’mund të luhej për t’iu rikthyer konflikteve. Kurrë nuk e kisha parë tim vëlla aq rënde sa në atë ditë. Gjatë gjithë kohës, ai nxirrte lot dhimbjeje për djalin 7 vjeç të cilin nuk do ta shihte për shumë vjet. Prej atij momenti, të vetmet informacione rreth tij vinin nga letrat që Nina i dërgonte kujdesshëm motrës sonë dhe i rrëfente për Arjanin.

Çfarë bënte Dritëroi ato kohë pas ndarjes? Po prindërit tuaj si e përjetuan?

Pas ndarjes nga bashkëshortja, unë shkoja vazhdimisht ta vizitoja në apartamentin te rruga e “Dibrës”, pasi siç mund të kuptohet ai e përjetoi shumë keq. Të vështirë e patëm edhe ne. Dritëroi, i zhytur në vetminë e asaj kohe, më kërkoi që prindërit të shpërnguleshin dhe të jetonin në një banesë me të për të plotësuar disi boshllëkun. Babai dhe nëna pësuan një dëshpërim të madh pasi ishin mjaft të lidhur me Arjanin. Dhe të mos mjaftonte dhimbja e kësaj ndarje, im vëlla ndiqej nga sigurimsat për të zbuluar se kush shkonte në shtëpinë e tij.

Ju thoni se Dritëroi ishte i ndjekur nga “Sigurimi”. Keni ndonjë provë për këtë?

Asaj periudhe, në bilardon e shtëpisë së oficerëve luaja me njërin pa e njohur se cili ishte pasi prezantohej si nëntoger. Njëherë duke shkuar te banesa e Dritëroit, rastësisht e pashë që shëtiste rreth saj. Unë në cilësinë e kapitenit të dytë, e pashë së largu dhe e thërrita.

“- Baxhul, pse je këtu? Ti survejon vëllain tim? Unë nuk kam pse ta ruaj nga rreziqet sepse e di se kush është dhe ai nuk ka nevojë për mbrojtje”. Me aq sa kuptova, qëllimi i tij ishte të gjente njerëz që kishin lidhje me Dritëroin pasi u largua bashkëshortja. Unë e mbajta mend Baxhulin dhe kur ja shpjegova Dritëroit situatën më pa gjatë në sy dhe më tha: “-Janë të zakonshme, le të bëjnë çfarë të duan se nuk e çaj kokën për këtë punë”. Siç e thoshte shpesh edhe vetë im vëlla, ai nuk ishte ndonjë trim i madh por ama as frikacak nuk ishte.

Ritakimi i Dritëroit me djalin dhe ish-bashkëshorten u bë pas prishjes së sistemit diktatorial. Çfarë ju ka treguar vëllai juaj lidhur me këto emocione?

Merita të veçanta për ritakimin e Dritëroit me djalin dhe ish-gruan ka bashkëshortja e tij e jetës, Sadija. Për hir të Arjanit ajo kërkoi dhe gjeti informacione të sakta mbi adresën e Ninës dhe vendosi takimin e parë në Shën Petërburg pranë një hoteli. Dritëroi u prek shumë kur i biri e zuri përqafe dhe i vendosi kokën afër zemrës dhe vetëm qante. Më pas im vëlla takoi ish-gruan në shtëpinë e saj ku ajo e mërzitur i fliste mbi vështirësitë e martesës së dytë me një njeri që nuk e donte. Edhe hera e dytë e takimit ka qenë mjaft e veçantë, ku Dritëroi i shoqëruar nga Moikom Zeqo shkoi ta vizitonte dhe qëndronte gjatë me të. Më herët Arjani ishte takuar me djalin e dytë të Dritëroit, Artanin dhe vajzën Elona të cilët ia kaluan mjaft mirë.

Po kur u bë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, si e prite ti si vëlla?

Kur i propozuan të bëhej kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, duhet thënë se Dritëroi nuk donte. Ai u sugjeroi që më mirë të vendosnin dikë tjetër në atë post, pasi sipas tij në këtë emërim do të merrej më tepër me punë administrative dhe do ta pengonte në krijimtari. Ndërkohë, vendimi kishte ardhur nga Ramiz Alia dhe ai kishte ofruar mbështetje maksimale. Natyrisht që unë u gëzova shumë, pasi nuk ishte pak të mbaje atë detyrë në atë kohë.

Dihet se pija i bën njerëzit disi më “gojëlirë”. A kishe frikë si vëlla që Dritëroit mund t’i ndodhte ndonjë gjë për këtë shkak?

Dritëroi ishte i kujdesshëm, ndaj edhe nuk frikesha se ai mund të thoshte ndonjë gjë prej pijes. Nga një anë, unë ruhesha më tepër pasi kam pasur mjaft njerëz që më provokonin për të nxjerrë sekrete. Gjithnjë përpiqesha të tregoj kujdes për vete dhe për atë në mënyrë që mos i krijoja shqetësime. Megjithëse nuk pija pasi ushtarakët s’para pinin, kujtoj një histori shumë interesante. Një ditë kisha marrë një shishe raki të mirë dhe shkoj te Dritëroi për vizitë. Ai pasi e provoi, veçoi gjysmë litri dhe ma vendosi përpara në tryezë: “- Këtë e ke, – tha, – nëse e pi atëherë ke mësuar diçka nga pija”.

I vënë në sedër, e piva me mezet që na kishte përgatitur Sadija dhe prita se çfarë do të më thoshte. Ai pasi më vështroi se në çfarë gjendje isha, më tha që prej asaj dite mos kem më merak për raki pasi e kalova provën.

Dritëroi doli edhe kundër sistemit komunist në Kongresin e 10-të të partisë. Si e prite ti?

Unë e prita mjaft mirë dhe nuk kisha asnjë problem pasi kisha besim te aftësitë e tij. Është normale që merakosesha si vëlla ndaj përpiqesha të shkoja për ta vizituar shpesh. Dritëroi i kishte nuhatur ndryshimet që në vitin 1984 dhe më shprehte se do të përmbysej sistemi komunist. I merakosur unë i thosha që një kapërcim i tillë do të ishte fatal për ne, por ai më jepte siguri që gjithçka do të shkonte mirë dhe ashtu ndodhi.

Nisur nga bisedat me të, gjithnjë kam pasur bindje të plotë se Dritëroi ishte demokrati i parë, i pastër dhe jo aventurier. Për këtë dua t’ju sjell disa kujtime nga një udhëtim i yni në Ersekë ku ai shkonte si kryetar i LSHA dhe unë e shoqëroja si oficer mbrojtës nëse do të kishte ndonjë rrezik. Teksa përshkonim aksin në Bradashesh me përfaqësues të Lidhjes, ku kujtoj Teodor Laçon mes tyre, Dritëroi me vështrim nga fushat përreth tha: “Shikoni si hazdisen gomerët! Në vend që barin ta hajë lopa ja hedhin si ushqim gomarit i cili nuk prodhon as qumësht dhe as punë”…

Këto dhe të tjera deklarata që nuk ishin aspak normale për atë kohë, më trembën shumë pasi na gremisej familja. Përpiqesha t’i bëja ndonjë shenjë Dritëroit, por më kot, ai vazhdonte të fliste hapur duke i numëruar të gjitha ato që mendonte.

Kur mbërritëm në hotel, s’mund t’i harroj fjalët e një gruaje që u afrua për të shërbyer ushqimin dhe ndonjë pije. E çuditur nga sjellja e Dritëroit, ajo na vëzhgon dhe thotë: “Ah o djemtë e nënës, juve jeni shumë ndryshe. Këtu vijnë mjaft njerëz që thonë se duan të përfytyrojnë zhurmën e stanit dhe tundjen e kosit në pëti për t’i zënë gjumi. Ndërsa ti Dritëro as çaj nuk do!”

Pas rrëzimit të sistemit dhe kritikave të Dritëroit ndaj gjendjes së partisë, ai ishte në qendër te sulmeve të komunisteve fanatike por edhe të forcave antikomuniste, demokratëve e të persekutuarve. A kishe frike për jetën e tij ato kohë?

Me përjashtime të vogla, në momentin që doli kundër sistemit komunist, Dritëroi u tradhtua thuajse nga të gjithë. Madje kundër tij dolën edhe ata që i kishte vendosur anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ishte një situatë e vështirë për të cilën akademiku Ali Aliu me të drejtë thotë: “Sulmet që ju bënë Dritëro Agollit në fillim të demokracisë ishin të tilla që vetëm një njeri me kapacitete të mëdha si Dritëroi mund t’i përgjigjej”.

Ju si i gjykoni qëndrimet dhe sulmet ndaj Dritëroit? Shihnit frikë tek ai?

Frikë nuk kishte por ama ruhej shumë pasi dëgjonte vërshëllima rrugaçësh ngado. Ai nuk ka lënë gjë pa ja thënë në sy për sy dhe jo si të tjerët mbas shpine. Edhe pse gjendja ishte e tensionuar, im vëlla e menaxhoi pozitivisht ku përpiqej t’i përgjigjej me kujdes dhe mprehtësi në shtyp çdokujt që e sulmonte.  Kujtoj që artikullin e parë kundër Dritëroit e botoi Sabri Godo. Fill pas kësaj, Dritëroi shkroi disa faqe si reagim ku i kujtonte të shkuarën dhe Godo nuk foli më. Që prej atij artikulli, ai ndryshoi sjellje duke dalë në intervista bashkë me Dritëroin dhe vinte shpesh në shtëpi. Ndonjëherë me shaka im vëlla i thoshte: “Ti je i mirë Sabri, por kjo e mirë të vjen ngaqë e ke gruan bejlereshë”.

Po Ismail Kadare?

Ismaili u nda vetë nga Dritëroi. Që nga koha kur u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Kadare pati njëlloj paragjykimi duke menduar se Dritëroi ishte veçuar nga shoqëria. Kjo s’është aspak e vërtetë pasi vëllai im ishte një paqësor i madh. Këtu vlen të përmend edhe disa detaje gjatë një takimi të mëvonshëm mes të dyve ku dialoguan në një interviste me Pirro Milkanin: Ai i tha:

“Pa debat nuk ka përparim, ndaj debati është i rëndësishëm. Nëse ta bëjnë shesh me lule atëherë kjo është shenjë treguese se ke të meta. Prandaj, debati i zgjidh kritikat. Edhe një filiz që del mbi shkëmb ka nevojë të ketë shoqëri me pemë të tjera rreth e rrotull pasi i vetëm është i destinuar të thahet”.

Historinë me Sali Protopapen, një personazh real që jetonte në USA dhe vizitën e tij tek Dritëroi, a e di?

Theksoj se te Sali Protopapa nuk ka ndonjë personazh të caktuar dhe real. Letërsia është përgjithësuese që çdokush ta gjejë veten aty, ndaj s’duhet marrë sikur ka dashur të shigjetojë një njeri konkret. Nëse krijimtaria s’është e tillë, atëherë duhet thënë se nuk është letërsi. Ardhja e Sali Protopapës në shtëpinë e Dritëroit ishte surprizuese dhe dera për të qëndroi e hapur si për të gjithë njerëzit pa dallim. Nisur nga ato që më ka thënë Dritëroi, im vëlla i ka thënë se nëse s’e kupton letërsinë nuk i përgjigjet dot duke i shpjeguar se qëllimi i personazhit ishte të demaskonte të gjithë personat që punuan kundër Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Pas tij, në banesë trokiti edhe nipi i Lefter Ruços për t’u ankuar mbi personazhin Lefter Lefteri që Dritëroi e sjell te libri “Komisari Memo”. Atij i shpjegoi se në Korçë kishte mjaft emra të ngjashëm që shërbenin si spiunë në kohën e luftës, ndaj e këshilloi që para se të dilte në konkluzione të ulej dhe të rilexonte librin me kujdes.

Ju keni mbaruar fakultetin e Inxhinierisë dhe keni punuar ne “Uzinën e tankeve”, nëse nuk gaboj. Sa ju ka ndihmuar Dritëroi në karrierën tuaj?

Njëherë, dikush më preku kur më tha se munda të mbaroj studimet veç se kisha në krah Dritëroin. Kjo nuk ishte aspak e vërtetë dhe karriera ime e ka dëshmuar këtë gjë. Pasi e dëgjova me kujdes, i thashë se në 9 veta nga komisioni i vlerësimit dhe në çdo provim apo pedagogë që kishte universiteti, s’mund të ishin të gjithë miq të Dritëroit. Edhe nëse do të ishin, vëllai im mund të ndihmonte që nga katër të vendoste pesë. Kjo nuk qe e nevojshme pasi unë dola shkëlqyeshëm dhe me fletë lavdërimi. Nuk doja ta shfrytëzoja emrin e tij, ndaj me sedër ulesha të punoja. Kam shërbyer me ndershmëri 36 vjet në Ushtri sepse çdo arritje e kisha me merita dhe përpiqesha të isha model për ta mbrojtur figurën time dhe të Dritëroit.