Specialisti Fadil Kepi: Pensionet për minatorët e nëntokës, emigrantët, mësueseit, punonjësit e hekurudhave dhe ish-kooperativistët

1372
Sigal

Si bëhen sigurimet vullnetare për minatorët e nëntokës që nuk kanë plotësuar vitet e punës. Pensioni për mësuesit e drejtorët e shkollave, punonjësit e hekurudhave, ish-kooperativistët dhe marrja e lejes së lindjes

Kushtet e përfitimit të pensionit të reduktuar

Pyetje

  1. Halit Kamberi nga Zalldajti shkruan: Jam i datëlindjes 18.07.1957 dhe aktualisht kam 38 vjet punë i siguruar. Pyes, kur i plotësoj kushtet për të përfituar pension të plotë dhe të reduktuar?

Përgjigje

Ju në pension të plotë do të dilni në moshën 65 vjeç, më 18 korrik 2022, po të keni 37 vjet e 8 muaj punë të siguruara në vendin tonë, nga mosha 16 vjeç, në ish-kooperativë bujqësore, periudhën që keni qenë ushtar, asistencë, sigurime si fermer dhe ato vullnetare. Masa e pensionit varet nga vitet e punës dhe paga mesatare bruto mujore për të gjitha periudhat e siguruara. Me dëshirën tuaj, deri 3 vjet para plotësimit të moshës për pension të plotë, pra nga data 18 korrik 2019 ju mund të kërkoni të dilni në pension të reduktuar, po të jeni pa punë, i pa vetëpunësuar, të mos jeni punëdhënës dhe të mos keni tokë sipas ligjit. Pensioni i reduktuar ulet me 0.6% për çdo muaj që mund të dilni para moshës 65 vjeç baras me 7.2% më pak po dolët 64 vjeç (0.6×12 muaj), 14.4% më pak po dolët 63 vjeç ose 2 vjet para pensionit të plotë (0.6×24 muaj), dhe në moshën 62 vjeç pensioni ulet me 21.6% (0.6×36 muaj). Ky pension shtohet sa herë indeksohen pensionet e tjera me të njëjtën përqindje, por mbetet i reduktuar edhe mbas moshës 65 vjeç.

 

Njohja e periudhës së asistencës si vite pune për pension

Pyetje

Znj. Shqiponja Shkurti nga Vlora në bisedë telefonike tha: Jam e datëlindjes 16.04.1960 dhe kam 42 vjet punë të siguruara gjithsej, nga të cilat 35 vjet fatorino në hekurudhë. Kohët e fundit më kanë njoftuar për të dalë në pagesë papunësie, pasi më kanë shkurtuar vendin e punës. Pyes, kur e plotësoj moshën për pension? Meqenëse kam marrë 2 herë asistencë, a njihen këto periudha pune për pension?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension 62 vjeçe e 2 muaj më 16 qershor 2021, dhe për pension të plotë duhen 37 vjet e 4 muaj. Periudha pune njihen: koha e punuar dhe e siguruar nga mosha 16 vjeç, në sektor privat dhe shtetëror, leje të zakonshme, ditët me raporte mjekësore të pagueshme dhe gjithë koha që keni përfituar asistencë. Sqarime më të hollësishme për dokumentet që duhen plotësuar dhe afatet e dorëzimit, do të merrni në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Vlorë.

 

Përfitimi i pensionit për mësuesit

Pyetje

Mësuesi Bektash Bajrami nga Përmeti me banim në Kamëz, në mesazhin që na ka dërguar sqaron: Jam i datëlindjes 1 gusht 1954 dhe kam 42 vjet punë i siguruar, nga të cilat 7 vjet nëndrejtor shkolle, 10 vjet drejtor, dhe 4 vjet kryetar Komune. Aktualisht, punoj mësues matematike në një shkollë publike. Pyes, kur e plotësoj moshën për pension, dokumentet që duhen plotësuar dhe si llogaritet pensioni?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e plotësoni në 1 gusht të këtij viti, ditën që bëni 65 vjeç, dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara gjithsej, përfshirë edhe periudhën e zborit ushtarak mbas mbarimit të studimeve të larta ditën. Para daljes në pension, duhet të dorëzoni dokumentacionin shkollor, të merrni lejen e zakonshme për periudhën që keni punuar këtë vit, deri ditën që do të dilni në pension si dhe 1 rrogë shpërblim. Sipas ligjit të sigurimeve shoqërore, masa e pensionit nuk ka kufi maksimal, por varet nga vitet e punës dhe paga mesatare bruto për të gjitha periudhat e siguruara, mbasi sigurimet shoqërore pagat e çdo viti i shumëzojnë me koeficientet rritës të caktuar. Meqenëse pagat që keni marrë si nëndrejtor, drejtor dhe kryetar komune janë më të larta se pagat e mësuesit, do të ndikojnë në rritjen e pagës mesatare të të gjitha periudhave të punuara. Dokumentet kryesore që duhet të plotësoni për pension janë këto: libreza e punës, fotokopje e kartës së identitetit, vërtetimi i pagës bruto nga 01.01.1994 deri më 1 gusht 2019. Pagat bruto para kësaj periudhe, sigurimet shoqërore i marrin nga vendimi i qeverisë nr.561, datë 12.08.2005, të cilin ju mund ta gjeni në internet etj.

 

Kohëzgjatja dhe kushtet për të marrë leje lindjeje me pagesë

Pyetje

Zonja Merita nga Tirana shkruan: së shpejti marr lejen e paralindjes mbasi pres të bëhem nënë për herë të parë. Pyes, cilat janë kushtet për të përfituar lejen e lindjes me pagesë, sa zgjat ajo dhe sa ditë është e detyrueshme? Meqenëse, qendrën e punës e kam afër shtëpisë, pyes, a mund të filloj punë para mbarimit të lejes së lindjes?

Përgjigje

Leja e lindjes kur nëna në shtatzëni ka një fëmijë është 365 ditë kalendarike dhe merret kur keni 12 muaj punë të siguruara gjithsej para fillimit të lejes në qendra pune shtetërore, private ose të vetësiguruara në bujqësi, gjithashtu gjatë shtatzënisë duhet të keni një muaj punë të siguruar. Leja e detyrueshme është 35 ditë kalendarike para lindjes dhe 63 ditë pas lindjes. Nga dita e 64-t, ju keni të drejtë të rifilloni punë dhe të paguheni me rrogë në qendrën e punës dhe pagesa e lejes së lindjes ju ndërpritet. Mbështetur në nenin 46 të ligjit nr.136/2015, botuar në fletoren zyrtare 220, ”Për disa ndryshime në Kodin e Punës”, nëse gruaja me dëshirën e saj dëshiron të punojë pas 63 ditëve të paslindjes, në marrëveshje me punëdhënësin, ka të drejtë që derisa fëmija të bëhet një vjeç të marrë një pushim të paguar, prej 2 orësh, brenda kohëzgjatjes normale të punës.

 

Pensioni familjar pas vdekjes së bashkëshortit

Pyetje

Një lexues i gazetës “Telegraf” nga Librazhdi në letrën e tij trajton këtë problem: Kohët e fundit ndërroi jetë babai im, i cili përveç pensionit të pleqërisë merrte edhe një shtesë mbasi ka qenë partizan në luftë për çlirimin e vendit. Nëna merr pension kooperative. Pyes, a ka të drejtë nëna të lërë pensionin e saj dhe të marrë pension e plotë të babait meqenëse është më i lartë? Po shtesa mbi pension që përfitonte babai si partizan a i takon nënës?

Përgjigje

Babait tuaj i takuar pension deri ditën që ka jetuar. Sigurimet shoqërore në këtë rast japin edhe një ndihmë financiare 13 mijë lekë. Nëna ka të drejtë të vazhdojë të marrë pensionin e saj ose 50% të pensionit të atij të bashkëshortit që quhet pension familjar, ndërsa shtesa mbi pension që ka marrë babai si partizan është meritë vetëm e babait dhe nuk i trashëgohet nënës dhe pjesëtare të tjerë të familjes. Nëna po të jetë e vetme në certifikatën e gjendjes familjare, përfiton edhe kompensimin e energjisë elektrike që merrte bashkëshorti prej 648 lekë në muaj.

Baza ligjore e marrjes së pensionit për emigrantët

Pyetje

Dy pensionistë me banim në Greqi shkruajnë: kemi dalë në pension para 8 vjetëve, unë në pension të plotë sepse kisha 35 vjet punë të siguruara dhe bashkëshortja pension të pjesshëm mbasi kishte 26 vjet punë të siguruara. Sa herë kemi ardhur në Shqipëri kemi marrë pensionet dhe shtesat që u janë bërë. Së shpejti kemi dëshirë të kthehemi në Atdhe përfundimisht. Pyesim, a kemi të drejtë të kërkojmë sqarime më të hollësishme, për shtesat e pensioneve gjatë viteve, shpërblimet e fundvitit, dhe nga data e kthimit meqenëse jemi dy pensionistë a do përfitojmë kompensim të energjisë elektrike dhe cilat janë procedurat që duhet të ndjekim?

Përgjigje

E drejta për të kërkuar pensionin dhe sqarime për shtesat e bëra për çdo vit përfshirë dhe shpërblimet nuk parashkruhen, sqaron specialisti Fadil Kepi.. Sipas nenit 62 të ligjit të sigurimeve shoqërore nr.7703, datë 11.5.1993, pensionet e caktuara por të paguara më pak jepen në çdo kohë por jo më shumë se 3 vjet. Kur janë dy pensionistë, sipas certifikatës së gjendjes civile, përfitojnë edhe kompensim të energjisë elektrike që është 648 lekë në muaj dhe e merr vetëm pensionisti në emër të të cilit është kontrata me OSHEE. Për këtë duhet të paraqiteni në agjencinë e sigurimeve shoqërore të bëni deklaratën përkatëse e cila është e gatshme dhe ti bashkëngjitni, certifikatën e gjendjes familjare, fotokopjen e nënshkruar të kartës së identitetit, fotokopjen e librezës së energjisë elektrike që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara. Personat që banojnë në shtëpi me qira qofshin dhe pensionistë nuk përfitojnë kompensim të energjisë elektrike. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në ASSH Tiranë.

 

Vazhdimi i punës mbi moshën e pensionit

working old pensioner with carpenter

Pyetje

Lexuesi i gazetës “Telegraf” Qamil Skënderi nga Tirana në bisedë telefonike tha: Jam i datëlindjes 30 gusht 1954. Kam 26 vjet punë i siguruar pa përfshirë dhe 2 vjet që kam qenë ushtar dhe 10 vjet jam i vetëpunësuar në biznes të vogël. Pyes, kur i plotësoj kushtet për pension, dhe mbas daljes në pension a kam të drejtë të punoj përsëri dhe a duhet të vazhdoj të paguaj kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension 65 vjeç, më 30 gusht 2019, dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara nga 38 vjet që ju keni aktualisht bashkë me kohën që keni qenë ushtar. Sipas ligjit të sigurimeve shoqërore sa më shumë vite punë të siguruara të kesh aq më i lartë del pensioni. Edhe mbas daljes në pension, ju mund ta vazhdoni punën në biznesin tuaj, dhe të merrni njëkohësisht pensionin dhe shtesat që bëhen nga indeksimi i pensioneve me vendime Qeverie, por jeni i detyruar të vazhdoni të paguani përsëri kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore mbi bazën e pagës minimale bruto mujore e cila nga 1 janari i këtij viti është 26.000 lekë. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në drejtorinë e sigurimeve shoqërore dhe të tatimeve.

 

Kategoritë që përfitojnë pension social

Pyetje

Pensionistja Hanke Bushi nga Korça shkruan: Jam 76 vjeçe dhe ka mbi 10 vjet që përfitoj pension familjar nga bashkëshorti që nuk jeton. Masa mujore e pensionit është 6.000 lekë në muaj. Pyes, a më takon pension social dhe cilat janë procedurat që duhet të ndjek?

Përgjigje

Sipas nenit 5/1 të ligjit nr.104/2014, botuar në fletoren zyrtare 137, nga data 1 janar 2015, filloi aplikimi për pension social të cilin e përfitojnë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 70 vjeç (pavarësisht nga gjinia) dhe janë me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën pesë vitet e fundit të dokumentuar nga gjendja civile. Pensioni social nga 1 prilli i këtij viti është 7.465 lekë në muaj. Masa e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka zonja Hanke. Pra 7.465 lekë minus 6.000, baras me 1.465 lekë në muaj. Ju rekomandoj të paraqiteni në agjencinë e sigurimeve shoqërore Korçë me librezën e pensionit familjar dhe të plotësoni dokumentet që duhen sipas legjislacionit të sigurimeve shoqërore. Sa herë shtohen pensionet në vendin tonë me vendim Qeverie rriten edhe pensionet sociale. Kur ndryshon gjendja ekonomike e personit që merr pension social, ky pension rillogaritet.

 

Sigurimet vullnetare të minatorëve të nëntokës     

Pyetje

  1. Bajram Vuca nga Tropoja me banim në Tiranë në letrën e tij pyet: Kur nuk i ke 30 vjet punë të siguruara gjithsej për të përfituar pension të plotë si minator i nëntokës, a mund të bësh sigurime vullnetare? Po kur ke punuar në miniera në nën tokë më pak se 12 vjet e 6 muaj që duhen për pension të plotë, a bëhen sigurime vullnetare ose si i vetëpunësuar në bujqësi për të shtuar vitet e punës në miniera në nëntokë?

Përgjigje

Mbështetur në ligjin nr.150/2014, datë 6.11.2014, botuar në fletoren zyrtare 182: “Kanë të drejtë të kërkojnë pension pleqërie si punonjës të minierave në nëntokë, punonjësit të cilët: a)arrijnë moshën 55 vjeç, b)kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, c) jo më pak se 12 vjet e 6 muaj në procese pune në miniera në nëntokë, me përjashtim të ish punonjësve të nëntokës, që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, të cilët do të përfitojnë pension sipas këtij ligji kur të arrijnë moshën 55 vjeç dhe të kenë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, përfshirë këtu edhe kohën e trajtimit të veçantë financiar dhe kohën që keni qenë ushtar, nga të cilat, jo më pak se 11 vjet e 6 muaj të jenë në procese pune në miniera në nëntokë”. Për të shtuar vitet e punës të siguruara gjithsej, ju mund të bëni sigurime vullnetare duke paguar 67.392 lekë në vit, baras me 5.616 lekë në muaj dhe nëse keni tokë në qarkun e Tiranës të blerë apo të marrë me qira sipas ligjit, mund të bëni sigurime si të vetëpunësuar në bujqësi duke paguar 38.400 lekë në vit për sigurime shoqërore. Po të keni marrë tokë sipas ligjit nr.7501 datë 19.7.1991 në Tropojë nuk mund të bëni sigurime vullnetare si i vetëpunësuar në bujqësi mbasi aktualisht ju banoni zyrtarisht në Tiranë, thotë Fadil Kepi. Ndërsa, nëse nuk i ke të plota 12 vjet e 6 muaj punë të siguruara në miniera në nëntokë, për diferencën duhet të shkoni e të punoni në këto miniera, mbasi nuk mund të bëni sigurime vullnetare ose si i vetëpunësuar në bujqësi për të shtuar periudhat e siguruara. Me punën e minatorëve të nëntokës, nuk barazohet as puna e bërë në tunelet e hidrocentraleve, të ushtrisë kur keni qenë ushtar, as puna e kryer në tunelet e rrugës së Kombit etj. Sqarime më të hollësishme me librezën e punës do të merrni në ASSH ose DRSSH Tiranë.