Si nisi Gjenocidi i egër grek ndaj çamëve më 27 qershor 1944

446
Sigal

Barbarët e Zervës hynë në Paramithi dhe vranë 673 burra, gra, fëmije, në Filat 1286, në Igumenicë 192, në Parge 620 dhe rrafshuan mbi 5800 shtëpi

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

-78-vjetori-

Genocidi i popullsisë çame është komentuar pak në raport me të pashfaqurën e heshtur për arsyet e situatës së vështirë midis dy akademive tona, Greke dhe Shqiptare. Situata jo bashkëpunuese mes akademive tona shkencore, e bënë të vështirë pasqyrimin e realitetit pasi dokumentacioni i masakrave ndodhet i izoluar në arkivat greke. 

Kur nisi barbarizmi grek ndaj popullsisë çame?

Si konsiderohej popullsia çame prej politikës greke? Cili ishte reagimi i Fuqive të Mëdha, kur Greqia përzuri nga trojet shqiptare mbi 80 mijë shqiptarë, ku një pjesë i dërgoi në Turqi, të tjerë i shpërndau nëpër ishujt e vdekjes, duke u mohuar së bashku me emrin shqiptar, të cilin çamët shqiptarë u kishin rezistuar katër perandorive të egra? Traktati Shqipëri-Greqi i 1926-së nuk shpuri në mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të popullsisë çame nga ana e Greqisë. Me ardhjen e fashistëve në pushtet në Greqi, më 1936-ën, klika e Metaksait e keqësoi më shumë gjendjen e çamëve. Cili ishte preteksti i grekëve kundrejt Shqipërisë në lidhje me pushtimin fashist? Masakra e gjeneralit famëkeq grek mbi çamët. Si reaguan organizmat ndërkombëtarë ndaj kërkesës së vazhdueshme të Komitetit Çlirimtar të Çamërisë për spastrimet greke?

Shovinizmi grek, që kishte për ideologji të gllabërimit, megaloidenë e aventurierit Jan Katalisis, në ndërtimin e politikës së fqinjësisë, do tregohej edhe i pabesë, edhe mosmirënjohës ndaj rolit të shqiptarëve të Jugut. Mosmirënjohja helene do të kalonte edhe në urrejtje, egërsia e së cilës do të shfaqej qysh se fitoi revolucioni i 1821-shit. Shqiptarët, veçanërisht ata çamë, që ishin me afër, vunë në ballin e luftës për çlirimin e Greqisë nga pushtuesit osman, prijësit e pavdekshëm Zguraj e Vranaj, Basharët e Pjetër Buajt, Kladet e Kolokotronet, Alisa Peletheu e Mitesh, Manol Bloshi dhe Andriucio, Andrea Verushi e deri tek Ali Pasha, por do quheshin të pavlere, ose do përvetësoheshin si luftëtarë greke. Edhe pse ndodhte kështu, është fakt se shqiptaret e mesit të Shqipërisë dhe shqiptarët çamë, e ndezën më shumë luftën çlirimtare të Greqisë dhe heroizmi shqiptar shkëlqeu, ku nga 100 heronjtë, që lindën nga revolucioni grek, 90 ishin shqiptarë, që luftuan si miq të popullit grek, se shtypeshin nga i njëjti pushtues dhe, liria e njërit popull, shpejt do të bëhej shembull edhe për tjetrin. Por greku, ndaj heroizmit shqiptar për çlirimin e Greqisë, nuk e shfaqi asnjëherë miqësinë, mirënjohjen.

Me mohimin e gjakut të shqiptarëve, që u derdh në tokën greke, shovinizmi përgatitej për gllabërimin e territoreve etnike shqiptare, ku gjuhën, fustanellën, besën, krenarinë ia kishin njohur shekujt e panumërt.
Egërsia barbare, më e pamëshirshmja e heleneve, do derdhej mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare të Çamërisë. Pastaj mbi tërë territoret e banuara nga shqiptarët etnikë. Nga 1830-1838, viktima e parë u bë popullsia shqiptare, që banonte në ishujt Joniane, ku Rusia, Anglia, Franca e detyruan Turqinë t’ia lëshonte Greqisë tërë ishujt Joniane. Më vonë, në vitet 1863, 1913 u rrëmbyen toka të tjera, ku banoheshin nga shqiptarët, duke përfshirë Ambrakinë, Kosturin, Pindin, Konicën, që është viktima e dytë e shqiptarëve për nga barbaria e shovinizmit grek. Ndërsa më 1913, greku pushtoi tërë Çamërinë dhe e ktheu në një çiflik të andartëve.

Çamëria është viktima e tretë e barbarisë greke dhe, deri diku, plotësohet mbi gjysma e planit të megaloidesë. Greqia, sa e pushtoi Çamërinë dhe e vendosi brenda kufijve, që caktuan të mëdhenjtë, çamët i ktheu në skllevër, pa asnjë të drejtë. Por shovinizmi përsëri nuk ishte i qetë. Popullsinë çame e quante si një minë me plasje të ngadaltë. Se Greqia nuk i trembej aq popullsisë çame…, gati 120 mijë, se sa tre milionë arvanitasve shqiptarë, që u kishte mohuar me kohë të drejtën, lirinë, gjuhën, shkollimin shqip dhe kombësinë shqiptare.

Shovinizmi ortodoks mesjetar grek, bënte planet për pastrim total etnik, në Greqi të mos ngelej asnjë mysliman, duke i përzënë për në Turqi dhe Shqipëri, ndërsa një pjesë tjetër i dërgonte nëpër ishujt e Egjeut. Ata që do ngeleshin do ndërronin edhe fenë, edhe kombësinë.

Nga viti 1913-1922, kohë në të cilën Shqipërisë së copëtuar në pesë shtete i kishte munguar shteti i konsoliduar, Greqia vazhdoi të bënte pastrimin etnik të shqiptareve. Fuqitë e Mëdha heshtën kur Greqia përzuri nga trojet shqiptare mbi 80 mije shqiptare, ku një pjesë i dërgoi në Turqi, të tjerët i shpërndau nëpër ishujt e vdekjes, duke u mohuar se bashku me të drejtat dhe emrin shqiptar, të cilat çamët shqiptarë i kishin mbrojtur dhe u kishin rezistuar katër perandorive të egra. Me krijimin e konsolidimin e shtetit shqiptar, i cili përfaqësonte atë territor, që i lanë Shqipërisë Fuqitë e Mëdha dhe shovinistët, domethënë 28 mijë kilometra katrore nga 96 mijë kilometra katrore gjithsej, prape se prape, popullsia shqiptare tej kufijve nuk u gjend e braktisur nga shteti amë. Qysh me 1926, qeveria shqiptare bënë deklaratën: “Procesi i shkëmbimit të popullsisë ka përfunduar. Tani e tutje, çamët do kenë të drejtat që gëzojnë qytetarët grekë!”. Kjo binte ndesh me politikën e ortodoksisë shoviniste greke.

Traktati Shqipëri-Greqi i 1926 nuk shpuri në mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të popullsisë çame nga ana e Greqisë. Në mars të 1928, Ministria e Jashtme shqiptare, me anë të një memorandumi, që i drejtoi të ngarkuarit grek me punë në Tiranë, me fakte tregohej shqetësimi i Tiranës për padrejtësitë dhe shtypjen, që i bëhej popullsisë shqiptare të Çamërisë nga vetë autoritetet qeveritare greke dhe nuk u jepte asnjë të drejte, si pakicë kombëtare. Qeveria greke, jo vetëm që e hodhi poshtë protestën shqiptare, por e akuzoi qeverinë shqiptare se ndërhynte në punët e brendshme dhe se çamët, sipas grekëve, ishin qytetarë grekë në tokën greke dhe se Shqipëria po shpërfillte të drejtën sovrane të Greqisë. Me ardhjen e fashistëve në pushtet në Greqi, më 1936, klika e Metaksait e keqësoi më shumë gjendjen e çamëve. Me urdhër të vetë Metaksait, zona çame u kolonizua. Shumë prona të mëdha të çamëve u konfiskuan. Masakrimi mbi çamët nisi me egërsi dhe nuk ndalej. Lidhja e kombeve, shtetet “demokratike” e dinin shtypjen që u bëhej çamëve në vatrat e tyre, po asnjë nuk shqetësohej.

Çamët nuk ishin kolaboracionistë

Sulmi i Italisë fashiste mbi Greqinë, u përdor si pretekst ndaj shqiptarëve dhe atë, viktimat e para të fashizmit, do quheshin “agresorë” ndaj Greqisë?! Egërsia greke nuk u ndez ndaj vetë agresorit, por ndaj shqiptarëve, që ishin të sulmuar. Pas kësaj lufte, Greqia do të kishte edhe gurin, edhe arrën. Do vendoste ligjin e luftës dhe do thuhej: “Greqia ishte sulmuar nga Shqipëria dhe jo nga Italia”. Ky ligj i hiles dhe i paarsyes do vinte edhe kushtin tjetër: “Ligji do qëndronte për aq kohë sa të harrohej çështja çame dhe të vendosej kufiri i Vorio – Epirit në Shkumbin!”.

Në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, midis qeverisë shqiptare (regjencës), gjermanëve dhe italianëve, u lidh marrëveshja e bashkimit etnik të Shqipërisë. Kjo marrëveshje ishte si një kundërvënie dhe në diplomacinë e gjermanëve dhe italianëve ndaj Francës dhe Anglisë, se “ato kishin marrë vendimin e copëtimit të Shqipërisë” dhe për ta tërhequr pas Shqipërinë. Pavarësisht në ç’kushte dhe me cilët lidhej marrëveshja, Italia dhe Gjermania ishin superfuqi të luftës dhe ëndrra e shqiptarëve u realizua. U bë bashkimi etnik i tërë kombit, nga viti 1941-1944 u krijua administrata shqiptare, në tërë trojet shqiptare në Ballkan. Shqipëria nuk mori asnjë thërrime me tepër nga ç’i kishin marrë. Gjermanët dhe italianët, pavarësisht se ishin kundërshtarët e koalicionit, shqiptarëve u dhanë atë që u ishte marrë padrejtësisht. E vërteta është se edhe pas kësaj, çamët u bashkuan me qeverinë e Tiranës (Regjencën), që pranoi bashkimin etnik dhe kundërshtoi pushtimin italian, por shqiptarët çamë nuk besonin shumë te regjenca, te ky bashkim. Çamët nuk ishin kolaboracionistë në shërbim të armikut të përbashkët, pushtuesve nazi-fashiste, por krerët shovinistë grekë ishin kolaboracionistë. Për këtë ka fakte historike, që nuk fshihen dot nga grekët. Grekët shovinistë, që akuzojnë shqiptarët çamë, se ishin bashkëpunëtore të pushtuesve, kolaboracionistë, nuk qëndron. Është një shpifje e ulët e vetë kolaboracionistëve greke, të cilët, qenien e tyre të tillë e kanë të dokumentuar. Në muajin maj 1941, në Greqinë e pushtuar, u krijua qeveria e parë kuislinge, në krye të së cilës u vu gjenerali Çollakoglli. Ky gjeneral, pasi mori kryesimin e forcave pushtuese; menjëherë nxori qarkoren, që u bënte thirrje turmave të çmobilizuara të shkonin në kazerma, të visheshin, të armatoseshin dhe të qëndronin përkrah forcave gjermane. Këto të vërteta për kolaboracionistët shkruheshin edhe në gazetat “Vima” dhe ”Proia”. Pas një viti, pra në maj 1942, për ta forcuar me tej bashkëpunimin me pushtuesin gjerman, u formua qeveria që kish për kryetar Ralin. Kjo qeveri ra në ujdi me gjermanët dhe menjëherë krijoi forcat e armatosura, të përbëra nga tre divizione, me një efektiv që e kalonte 30-mijëshen. Këto trupa i komandonin gjeneralët kolaboracionistë: Bakos, Kocimitos, Llogothetopulos, Raftis, Zerva etj. Ndërkohë këta gjeneralë kishin rënë në ujdi që, bashkë me gjermanët të shuanin çdo shkëndijë për liri e demokraci. Egërsia e këtyre gjeneralëve, ndizej nga idetë e priftërinjve shovenë: Shen Kozmo, Kotoko, Evllogji, Kurilla, etj., dhe frymëzoheshin nga ata që drejtonin ortodoksinë: Sarafim, Sebastiano, Janullatos etj, egërsi e cila do shfrente mbi forcat përparimtare demokratike, që përfaqësoheshin nga EAM-i dhe mbi shqiptarët çamë të pambrojtur. Me këto fakte, hidhen poshtë akuzat dhe shpifjet helene dhe të gjeneralëve të tjerë, se çamët ishin bashkëpunëtorë të pushtuesve gjermanë.

Masakra e gjeneralit grek mbi çamët

Ky ishte amaneti i shovinistit përbindësh ndaj shqiptareve, gjeneralit kolaboracionist Japolan Zervës. Në prag vdekjen e tij, antishqiptari i tërbuar thotë: “Vdes i qetë se bëra atë që doja. Pas lashë rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadhë, uturima fëmijësh, nuse dhe gra nudo, që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin me shqiptarë… burra të varur, shpuar me bajoneta, gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo më kënaq mua, ashtu siç kënaq tërë shpirtrat helene!”.

Zerva dhe gjeneralët e tjerë ishin lëshuar si bisha mbi shqiptarët çamë të pambrojtur. Si qeveritë kolaboracioniste, edhe ato që vazhduan pas ikjës së gjeneralëve, po me ata ministra e gjeneralë, pjella të ortodoksisë shovene, kishin marrë urdhër që popullsinë çame prej 30-35 mijë banorësh ta asgjësonin. Ndër përfaqësuesit e aleatëve, koloneli Kris Voodhanse, shef i misionit ushtarak aleat, deklaronte: ”Me inkurajimin e misionit ushtarak aleat, që unë drejtoja, Zerva dëboi çamët nga shtëpitë e tyre!”.

 

Gjenocidi i egër grek nisi me 27 qershor 1944.

Ushtarët e Zervës rrënonin gjithçka që gjenin përpara… popullsia e Parathimisë u kap në befasi dhe nuk gjeti dot mjete mbrojtëse. Barbarët e Zervës hynë natën në qytet dhe vranë 673 burra, gra, fëmije, në Filat 1286, në Igumenicë 192, në Prage 620. Zervistët rrafshuan mbi 5800 shtëpi në 68 fshatra. Qindra fshatra të tjera u shkretuan. Pronarëve të bagëtive ju grabitën 120 mijë dhen, 24 mijë një thundrakë, 18 mijë kuaj. Nga hambarët e fshatarëve të pasur çamë u rrëmbyen 250 mijë kg grurë etj…Pas grabitjes dhe gjenocidit, misionit aleat sikur i “erdhi keq” për tragjedinë mbi shqiptaret çamë. Dhe, kjo “keqardhje” u ndez, kur çamët nga mosha 15-70 vjeç, të ngelur aty – këtu, kapeshin nga grekët dhe internoheshin në ishujt e Egjeut dhe i masakronin. Kur shefi i misionit amerikan në Shqipëri, 1945-1946, pa këto barbari u shpreh: “Në mars 1945, njësi të forcave të shpërndara të Zervasit, kryen një masakër ndaj çamëve në zonën e Filatit dhe, praktikisht e pastruan atë nga shqiptarët çamë!”. Përveç dëbimit nga vatrat e të parëve, ajo do shkundte nga themeli edhe kulturën çame, do mohonte edhe historinë, besimin fetar mysliman. Dhe menjëherë u dha urdhri për djegien e 102 xhamive, 28 teqeve, mijëra tyrbeve dhe vakëfeve. Kur u siguruan se ishte dëbuar edhe këmba e fundit e çamëve, barbaria helene do nxirrte ligjin absurd. Sipas këtij ligji, çamët nuk do ktheheshin më dhe pronat e tyre ua ndanë kolonëve. Ndërsa ndaj çamëve të mbetur në Greqi, si ata ortodoksë e myslimanë, ligji antinjerëzor i vitit 1945 ua mohonte identitetin kombëtar shqiptar. Nga shqiptar që ishin, do ktheheshin në grek dhe “pranonin” kombësinë helene. Greqisë i duhej medoemos të ndryshonte përbërjen demografike të krahinave çame veri-perëndim, sepse u trembej shumë arvanitasve dhe shumë çamëve të mbetur ose të kthyer në ortodoksë dhe “grekë” me forcë.

Ardhja e shqiptarëve çamë në Shqipëri dhe heshtja e ndërkombëtarëve.

Shqiptarët çamë, që i shpëtuan barbarisë greke, më të shumtët erdhën në truallin amë. Shqiptarët hapën shtëpitë për viktimat e barbarisë. U hapën edhe dyert e shkollave për fëmijët e humbur. Për t’u njohur padrejtësia e madhe, krerët çamë dhe qeveritë, përfshi edhe atë shqiptarë, paditën barbarinë greke dhe iu bë e njohur edhe organizmave ndërkombëtare. Padrejtësia ndaj çamëve u shtrua edhe në Konferencën e Paqes në Paris, me 1946, por nuk u arrit që të pranohej krimi i madh njerëzor, gjenocidi grek mbi popullsinë çame. Doli që shumë nga shtetet mike të Greqisë, të cilat i kishin rrëmbyer me forcë 23 mijë kilometra katrorë të Shqipërisë dhe ia kishin dhënë Greqisë, në fillim u hoqën sikur u pëlciste zemra nga dhimbja për çamët martirë dhe, për të mos u shfaqur si mbrojtës të hapur të padrejtësive, që kish bërë greku, ngritën dorën dhe thanë me gjysmë zëri: “Çamët e përzënë të kthehen në vendin e tyre!”. Po kjo ishte vetëm demagogji, që çamët të ktheheshin në trojet e të parëve, që t’u kthehej pasuria e grabitur, do të thoshte të paditej mikja e tyre për krimet barbare. Të pranonte egërsinë, që kish shfaqur dhe të përgjigjej për gati 3000 të masakruarit, dëmet e shkaktuar, rrëmbimet e pallogaritura. Po qysh të nesërmen e konferencës u pa demagogjia politike. Shtetet e mëdha, që ngritën dorën, harruan ç’thanë, sepse ata nuk këmbëngulën të zbatohej vendimi që morën dhe të përbuzej gënjeshtra e kolaboracionistëve helenë, që akuzonin çamët si të tillë. Megjithëse Konferenca e Parisit dështoi dhe iu shmang dënimit të padrejtësisë greke, çamët nuk i hodhën armët, për të gjetur përkrahës dhe për ta ndërkombëtarizuar tragjedinë e luajtur mbi ta. Ata s’e kishin humbur shpresën për t’u rikthyer në pragjet e të parëve. Për ta intensifikuar ndërkombëtarizimin e çështjes çame në vjeshtën e vitit 1944, në Konispol organizohet Kongresi i parë çam, i cili u drejtohet përfaqësuesve të misioneve aleate, shteteve asnjanëse, B.Sovjetik që ta ndihmonin popullin shqiptarë të Çamërisë dhe të njihej padrejtësia e bërë ndaj tij. Shteti shqiptar dhe ai grek, bënin pjesë në dy kampe të kundërta. Propaganda komuniste thoshte shumë gjëra të pavërteta, madje arrinte të “argumentonte”, borgjezia nuk i mbronte interesat, liritë dhe të drejtat e popujve. Tani edhe krerët çamë u vunë në trysninë e propagandës komuniste. Duhej të bënin siç u thonin shefat shqiptarë. Krerët komunistë i kërcënonin çamët dhe u thonin se dy kampet ishin në luftë dhe çështja çame, gati ishte mbyllur edhe për kampin borgjez edhe për atë komunist. Në të vërtetë acarimi midis dy shteteve ishte keqësuar, kur Greqia shtypte forcat e EAM-it dhe komunistët shqiptarë u jepnin armë dhe ushqime, duke e harruar Çamërinë. Shqiptarëve çamë ju dha nënshtetësia shqiptare që të heshtnin përgjithmonë…