Sakip Cami: Komandant Haxhi Lleshi dhe 77-vjetori Çetës së Dibrës

1068
Sigal

Populli dibran i strehoi dhe i mbështeti djemtë e tij në Luftën Nacionalçlirimtare dhe komandantin e Çetës së Dibrës, Haxhi Lleshi

Çeta Partizane e Dibrës – 77 vjet më parë

Nga Sakip Cami

U formua më 20 qershor 1942 në fshatin Zogje të Dibrës në shtëpinë e Haxhi Lleshit. Në çetë u rreshtuan 20 partizanë. Përveç anëtarëve të celulës, të pranishëm ishin Demir Gashi, Xhavit Hatipi, Beshir Laçi, Ilmi Çausholli, Musa Lala, Ali Pepa, Sulë Muça, Rrahman Dervishi, Bajram Buci, Nuz Majtara, Shefki Riza Lleshi, Ymer Lleshi, Hamdi Lleshi, Bajram Neziri, Sulë Lleshi etj. Komisar u caktua Qazim Prishtina, ndërsa komandant Haxhi Lleshi. Çeta u krijua në Kodrën e Limume, përballë “Vishkullit”, një pemë shekullore dëshmitare e shumë ngjarjeve të mëdha historike të fshatit Zogje (sot monument natyre ). Pas lajmit të formimit të çetës, fashistët italianë morën të gjitha masat që ta shuanin çetën. Ato nisën drejt fshatit Zogje, forca të armatosura të milicisë fashiste të komanduara nga majori italian Verdi. Arrestuan shumë fshatarë dhe dogjën disa shtëpi. (Ushtima e Maleve, 22.06.1968) Një aeroplan italian bombardonte pothuaj çdo ditë, ato ditë qershori, fshatin Zogje dhe shtëpitë e fisit Lleshi. Por populli dibran i strehoi djemtë e tij dhe i përkrahu. Çeta u shumua me djem të tjerë. Deri në qershor të vitit 1943 në territorin e Dibrës ishin krijuar edhe çeta të tjera si çeta e Grykës së Madhe, e Grykës së Vogël, e Gollobordës dhe e Sllovës dhe më 26 korrik 1943 në Gjoricë formohet batalioni partizan i Dibrës me komandant Haxhi Lleshin. (Ushtima e Maleve, 22.06.1968).

Pesë partizanë kanë qenë baza e kësaj çete, shtylla vertebrale e saj, shoqëruesit më besnikë të Haxhi Lleshit në Dibër dhe jashtë Dibrës deri në Përmet. Ata kanë qenë Musa Lala nga Strikçani, Sulë Muça nga Selishta, Ali Pepa, Rrahman Dervishi dhe Bajram Buci nga Lukani i Katër Grykëve. Pas kalimit të Haxhi Lleshit në detyrën e komandantit të batalionit të Dibrës, më 26 korrik 1943 drejtimin e kësaj çete e mori Ymer Lleshi. Aksioni i parë i Çetës, goditja e postës ushtarake italiane, tek “Gurët e Skënderbeut” , 27 qershor 1942 . Natën e formimit të Çetës u vendos të organizohej aksioni i parë tek Gurët e Skënderbeut afër Bulqizës. Partizanët dhe vullnetarët ishin të armatosur me pushkë të ndryshme,” italiane, serbe, austriake, greke etj. Kishim edhe një mitraloz të lehtë të markës çeke “Bërno, të cilin e mbante Haxhi Lleshi. Pa gdhirë data e 27 qershorit njësiti i ndarë në grupe u nis nga shtëpia e Mustafa Çakallit e Dullë Gjinit dhe zunë pritë tek Gurët e Skënderbeut. Sapo u shfaq kamioni i Postës ushtarake u dha sinjali dhe plasi pushka. Partizanët kishin bërë edhe një bllokim rruge me gurë, që të mos kishte mundësi shoferi që të manovronte me shpejtësi. Në këtë aksion luftarak u vranë 3 italianë e disa të tjerë u plagosën. Gazeta “Tomorri” që transportonte posta, u bë shoshë nga plumbat dhe kështu u shpërnda në Dibër të Madhe, gjë që bëri jehonë të madhe dhe tronditi mjaft autoritetet italiane. (H.Lleshi, kujtime, faqe94)

Aksioni tjetër i çetës, prerja e telave telefonikë , 24 korrik 1942

Më 24 korrik u bë prerja e linjave telefonike që njihet si aksion kombëtar në shkallë vendi. Çeta e Dibrës së bashku me fshatarë vendas preu 10 shtylla të linjës telefonike Maqellarë-Peshkopi-Sllovë e Dibër e Madhe-Zerqan-Bulqizë. Mungesa e lidhjeve telefonike vuri në alarm të madh garnizonet ushtarake dhe administratën e forcave pushtuese.
Përpjekja tek Ura e Topojanit, 24 gusht 1942, plagosja e Haxhi Lleshit Përpjekja me italianët tek Ura e Topojanit ku u plagos komandanti i Çetës Haxhi Lleshi u bë duke u gdhirë më 24 gusht 1942. Partizanët e Çetës së Dibrës të drejtuar nga Haxhi Lleshi zbresin nga Luznia për tek Ura e Topojanit për të shkuar në Dibër të Madhe. Lumi i Drinit të Zi ishte plot e përplot nga shirat e shumtë që kishin rënë. Kalimi në va’ ishte i pamundur. Dihej që ura ruhej nga italianët, të cilët kishin ngritur edhe një vendroje të fortifikuar. Ishte natë, por hëna ndriçonte mirë. I pari ishte Haxhi Lleshi me mitraloz në dorë. Musa Lala i doli përpara. Qëndro pas meje, o Haxhi, se ti duhesh ma shumë se unë për luftën. Në krah i dolën edhe Rrahman Dervishi dhe Qazim Prishtina, komisari i çetës. Kur arritën në mesin e urës , partizanët diktohen dhe qëllohen nga rojet italiane. Haxhiu plagoset në këmbë, por vazhdoi të qëllojë me mitralozin e lehtë që kish me ehte, duke i vendosur edhe karikatorin e ri. Rrahman Dervishi dhe Musa Lala godasin fort me granata dore në drejtim të italianëve dhe të pozicionit të tyre të fortifikuar. Vendi u bë tym e flakë. Haxhiu, Rrahmani dhe Musai arrijnë të kalojnë urën dhe të shkojnë tek Kadri Demiri në Allajbegi. Nëna e Kadriut ishte halla e Haxhiut , e cila i mjekoi me shpejtësi plagën, Haxhiut. Pjesa tjetër e Çetës tërhiqet në Shpukth ku vendoset tek Mersin Skarra e Mersin Biçi. Mersini ishte mjek popullor dhe ja mjekoi plagën Haxhiut. Kuestura e Dibrës më 24.08.1942 i raporton Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë: “Në orën 01. 45 të natës një grup banditësh tentuan të kalonin Urën e Topojanit mbi lumin Drin… Nga intensiteti i zjarrit mendohet që banditët të kenë qenë në numër të konsiderueshëm dhe me sa duket kishin edhe armë automatike. Aksioni për dëbimin e italianëve nga miniera e Bulqizës, 16 – 17 shtator 1942 .Më 16-17 shtator u organizua aksioni në Minierën e Bulqizës, ku u dëbuan punëtorët italianë të firmës italiane “AMMI” dhe u ndërpre prodhimi. Udhëheqës i aksionit ishte Nazmi Rushiti i cili bashkë me Demir Gashin u kthyen në Zerqan, ndërsa një pjesë e grupit shkoi në Martanesh në pritje të shokëve që ktheheshin nga Konferenca e Pezës.

LUFTA E MAQELLARËS (14 GUSHT 1943)

Në mëngjesin e datës 14 gusht 1943, nga qyteti i Dibrës së Madhe doli një autokolonë e madhe ushtarake e shoqëruar para dhe pas nga autoblinda. Pasi kaloi Bllatën, autokolona po i afrohej Maqellarës. Çeta e grykës së Vogël ishte në Gjoricë, Çeta e Grykës së Madhe në Homesh dhe Çeta e Sllovës në Reshan. Me të parë këtë autokolonë forcat e dy çetave partizane të Grykës së Vogël dhe të Grykës së Madhe  me shpejtësinë më të madhe , megjithëse terreni ishte fushor dhe i ekspozuar, kaluan Drinin e Zi dhe rrugën automobilistike dhe nga Kërçishti dhe Pocesti arritën në kodrat e Pesjakës dhe në Obok. Zunë pozicione të forta mbi kodrat e Pesjakës dhe pritën autokolonën. Pasi u lanë që të kalojnë autoblindat, kur makinat me ushtarë hynë në rrezen e veprimit të armëve partizane, filloi një zjarr i fuqishëm që tronditi armikun. Autokolona e armikut ndaloi dhe filloi lufta tokësore midis partizanëve dhe fashistëve italianë. Lufta filloi në orën 09.00 të mëngjesit dhe vazhdoi deri në mbrëmje. Italianët arritën të organizohen , të zënë pozicione dhe me ndihmën e autoblindave të kundërsulmojnë në drejtim të pozicioneve të Çetës së Grykës së Vogël. Me gjithë zjarrin e autoblindave dhe të mitralozave të armikut , sulmet e italianëve u thyen dhe komanda italiane kërkoi ndihmë nga Dibra e Madhe dhe nga Peshkopia. Nga Dibra e madhe erdhën edhe tre autoblinda, të cilat morën pjesë në luftime, por pa dobi për armikun. Çeta e Sllovës ndodhej në Reshan dhe prej andaj kaloi nëpër Allajbegi për t’u ardhur në ndihmë forcave partizane që luftonin në Maqellarë. Italianët duke parë se nuk po përparonin dot me gjithë epërsinë në forca dhe mjete, vendosi të kthehej mbrapsht nga kishte ardhur, nga Dibra e Madhe. Në këtë betejë armiku la 100 të vrarë, shumë të plagosur, dy automjete të djegura dhe disa të dëmtuara. Forcat partizane nuk patën humbje. (Ushtima e maleve, datë 26 korrik 1969) U dogj Posta e xhandarmërisë në Maqellarë. Në kthim për në Dibër të Madhe dogji disa shtëpi në Maqellarë, ndër to edhe shtëpinë e Fiqiri Dines, për të cilën italianët kërkuan ndjesë se nuk e dinin se ishte shtëpia e tij dhe e zhdëmtuan Fiqiri Dinen për dëmin e shkaktuar, një kamion me ushqime dhe para‘. Fiqiri Dineja po kthehej nga Dibra e Madhe ku kishte qenë në takim me krerët e Ballit Kombëtar dhe nuk u fut në luftë me italianët, megjithëse i dogjën edhe shtëpinë e tij. (Sipas librit “Lufta Antifashiste e popullit dibran, faqe 101 – 104“)