Rexhep Alimemaj: Përulje në ditën e njerëzve të pavdekshëm

843
Sigal

5 Maj, Dita e Dëshmorëve të Atdheut, dita e njerëzve të pavdekshëm.

Qemal Stafa, simboli i luftës çlirimtare.

 

Rexhep G. Alimemaj

Shembuj heroizmi

Një nga çështjet për të cilat po flitet kohët e fundit është dhe vlerësimi historik i Qemal Stafës, i cili ka rënë dëshmor në luftë, me milicë kuisligë të Mustafa Krujës, më 5 maj 1942. Historia e Shqipërisë shquhet, ashtu si dhe historia e vendeve të tjera, për faktin se nderon, i respekton heronjtë apo dëshmorët e saj që kanë dhënë jetën për lirinë e pavarësinë dhe përparimin e atdheut. Brezat e sotëm kanë nevojë për simbole, të cilët me shembullin e tyre, i frymëzojnë ata të duan atdheun dhe t’i shërbejnë atij, po të jetë nevoja edhe me jetën. Mjafton të sjellim këtu disa shembuj. Lidhja shqiptare e Prizrenit, midis dëshmorëve të shumtë që dhanë jetën për çështjen e shenjtë të atdheut, njeri prej tyre, historia e ka ngritur në piedestalin e heroit. Është Mic Sokoli, i cili më 20 prill 1881, u hodh në sulm kundër baterisë së ushtrisë osmane në Silovë (Kosovë), dhe me këtë veprim heroik dha jetën për të mos vdekur kurrë. Dua të kujtoj gjithashtu, Petro Nini Luarasin, i cili dha jetën e vet më 17 gusht 1911, jo në fushën e luftës, por në betejën e shenjtë për shkollën shqipe. Më tej më 11 qershor 1920 dha jetën Selam Musai, një trim i rrallë, i cili në sulmet që fshatarët lab ndërmorën me guna përmbi tela, kundër ushtrisë italiane, simbolizon heroizmin e Luftës së Vlorës. Vijmë në fund në ditët tragjike të 7 prillit 1939. Atë ditë u vranë mjaft djem trima shqiptarë, në Durrës, Vlorë, Shëngjin, në luftë për të mbrojtur atdheun nga legjionet fashiste italiane. Më i shquari prej tyre ishte Mujo Ulqinaku. Të gjithë këta heronj, tashmë janë kthyer në simbole. Secili prej tyre përfaqëson heroizmin dhe atdhedashurinë e popullit shqiptar në momente të caktuara historike. Askush nuk ka pyetur dhe nuk pyet se çfarë bindje politike kanë pasur këta heronj të pavdekshëm. Askush nuk do t’ja dijë nëse këta qenë të djathtë apo të majtë, monarkist apo republikan, intelektualë apo fshatarë, veriorë apo jugorë. Nuk ka pra rëndësi nëse dëshmori është i djathtë si Mujo Ulqinaku, apo i majtë si Qemal Stafa, mjafton që të luftojë okupatorin. Të gjithë ata që bien në luftë janë dëshmorë.

Qemal Stafa ndriçon

Megjithatë ka midis tyre heronj si Qemal Stafa që ndriçojnë më tepër se të tjerët. Kush ishte Qemal Stafa? Qemal Stafa kur ra dëshmor ishte 21 vjeç. Ai kishte një inteligjencë të jashtëzakonshme, aq sa vitet e fundit të gjimnazit, çdo vit kalonte dy klasë menjëherë. Kur mori dëftesën e matures në gjimnazin e Tiranës, dinte 5 gjuhë të huaja. Ajo që habiste shokët e tij, ishte se ai kishte përvetësuar me një punë këmbëngulëse edhe latinishten. Jo vetëm nga gjuhët, por edhe për nga kultura e përgjithshme ai shquhej mbi të tjerët. Kishte kulturë klasike dhe moderne. Gjuhët që zotëronte e ndihmonin të lexonte veprat më të fundit që shtypeshin në Francë dhe në Itali. Ai kishte edhe një veti që shquhej mbi të tjerët. Ishte trim. Trim në fushën politike dhe trim në jetën sociale. Ai u bë i njohur për publikun në shkurt të vitit 1939. Ishte 19 vjeç kur doli para gjyqit politik së bashku me 70 të rinj të tjerë, të cilët akuzoheshin si komunistë. Gjyqi zhvillohej në sallën e ndërtesës së Bashkisë së Tiranës (sot ëshët shembur) në sheshin”Skënderbej”. Gjatë seancave gjyqësore, disa nga shokët e tij e kundërshtuan akuzën, duke ngulur këmbë se nuk ishin komunistë. Kur u pyet nga prekurori Kiço Visha, nëse ishte apo jo komunist, Qemal Stafa u përgjigj në mënyrë dinjitoze:” Kam qenë dhe jam komunist sepse kam bindje të thellë se komunizmi do të shpëtojë vendin tonë të varfër nga padituria dhe mjerimi”. Atëherë idetë komuniste në Shqipëri njiheshin në mënyrë mjegullore. Megjithatë, fjalët e Qemal Stafës, u pritën me simpati jo për idetë komuniste, por për kurajën që pati, të shpallte hapur idetë e tij, të cilat e dinte mirë se do ta mbërthenin në burg. Qemal Stafa ishte me të vërtetë komunist.

Qemali ishte komunist i bindur

Mori pjesë në themelimin e PKSH më 8 nëntor 1941. U zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj dhe u ngarkua me detyrën e sekretarit të përgjithshëm të organizatës së Rinisë komuniste, e cila u formua më 23 nëntor 1941. Qemali ishte një komunist i bindur, por si komunist ai ishte ushqyer me literaturë marksiste që botonte partia komuniste franceze. Ai adhuronte Elitën intelektuale të asaj kohe, e cila anonte nga idetë humane të majta.

Jeta e Qemal Stafës u ndërpre më 5 maj 1942, kur partia komuniste nuk kishte në program vendosjen e diktaturës së proletariatit, por rimëkëmbjen e pavarësisë së humbur dhe vendosjen në Shqipëri të regjimit demokratik popullor. Nuk ka fallxhor në botë që të thotë se çfarë do të ndodhte me të pas luftës, kur në Shqipëri u vendos diktatura staliniane. Historia ka të drejtë të flasë për të derisa Qemal Stafa ra dëshmor në luftë për çlirimin e atdheut, dhe për vendosjen e një regjimi demokratik. Ai nuk ka përgjegjësi për ato që ndodhën në Shqipëri pas Lufëts Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ata që nuk e dinë le ta mësojnë se më 5 maj 1942, Qemal Stafa kur u rrethua brenda në Tiranë nga milicia fashiste e Mustafa Krujës, nuk u dorëzua. Qemali nxorri revolen dhe hapi zjarr me qëllim që t’i jepte mundësi shokëve dhe shoqeve që ndodheshin në atë banesë, të largoheshin nga oborri i prapmë i saj. Shkëmbimi i armëve vazhdoi gati një orë deri sa ai më në fund dha jetën burrërisht dhe rimërisht.

Guxim politik dhe kurajo luftarake

Kush ka jetuar në Tiranë atë ditë e mban mend mirë tronditjen që pësoi kryeqyteti kur mori vesh se po zhvillohej një luftë mes milicisë fashiste të Mustafa Krujës dhe atij çunaku të vitit 1939, i cili pranoi se nuk kishte vetëm guximin politik, por edhe kurajo luftarake. Nuk besoj se është harruar se 77 vjet më parë, më 5 maj 1942, kur u hap lajmi se Qemal Stafa ra dëshmor, tregu i Tiranës u mbyll në shenjë nderimi ndaj tij. Është e tepërt të thuhet se ky respekt buronte nga adhurimi që kishin qyetarët e Tiranës për heronjtë e luftës patriotike, e cila pavarësisht se ka hyrë në histori me emrin Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, ishte në thelb një luftë e mirëfilltë patriotike në Shqipëri. Kush guxon të përbuzë emrin e Qemal Stafës, ai mohon gjakun e atyre mijëra dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë dhe pavaërsinë e atdheut. Nëse Qemal Stafa duhet përbuzur se ishte komunist, atëherë ne duhet të përbuzim të gjithë ata komunistë që i shërbyen komunizmit. Nëse Qemal Stafa u bë simbol i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nuk e ka fajin Partia Komuniste. Fajin e kanë partitë nacionaliste, Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit të cilat nuk nxorrën nga radhët e tyre heronj të staturës së Qemal Stafës apo të Vojo Kushit, qoftë edhe të staturave më të vogla.

Jeta e Qemal Stafës

Lindi në vitin 1920 dhe u bë figurë e shquar e LANÇ-it, militant komunist, Hero i Popullit. Mësimet e para i mori në vendlindje, në Elbasan, e më pas ndoqi gjimnazin e Shkodrës. Shkoi në Itali për studime të larta për drejtësi në Firence. U organizua me Grupin Komunist të Shkodrës më 1937. Në janar të vitit 1939 u arrestua dhe u dënua me burgim nga gjyqi zogist, ku nga i akuzuar u kthye në akuzues të regjimit. U arratis nga burgu dhe u mor me organizimin e qëndresës antifashiste, sidomos me radhët e rinisë. Mori pjesë në mbledhjen themeluese të PKSH dhe më vonë të RKSH, ku u zgjodh sekretar politik i saj. U vra më 5 maj 1942 në një përpjekje me forcat fashiste në Tiranë. U bë simbol i luftës për liri dhe shembull trimërie e vetmohimi. Dita e vrasjes së Qemal Stafës është shpallur “Ditë e Dëshmorëve”. Qemai ishte edhe letrar i pasionuar e me talent. Shkroi poezi, skica, tregime, disa prej të cilave i botoi në shtypin e kohës me pseudonimin “Brutus”. Trashëgimnia e tij letrare është përmbledhur në vëllimin “Qortimet e vjeshtës” në vitin 1961. Shumë sheshe, rrugë, shkolla, qendra pune mbajnw emrin e tij.