Rajna Kovaçi: Koronavirusi dhe karantina rritën dhunën ndaj grave dhe fëmijëve

105

Koronavirusi dhe karantina rritën Dhunën dhe Krimin në Familje kundër Grave dhe Fëmijëve

Familjet u mbyllën nëpër shtëpi, dhe do të mbyllen pjesërisht apo më tepër. Fëmijët dhe prindët u izoluan nga bota. Kjo gjë i  zmadhoi konfliktet dhe agresivitetin në kushtet e shtëpisë. Kush janë më shumë të rrezikuar? Angela Merkel i bënte thirrje gjermanëve të qëndronin nëpër shtëpitë e tyre. Por ‘NGO’-t që merren me mbrojtjen e grave informonin se janë rritur rastet e dhunës seksuale dhe dhunës kundër fëmijëve -sidomos pasi u mbyllën shkollat dhe kopshtet e fëmijëve. Pra  egziston rreziku i rritjes së dhunës në familje?  Për shumë fëmijë shkolla është vendi për të mësuar,  por edhe për të takuar bashkëmoshatarët. Por  ka  fëmijë për të cilët shkolla është vendi ku ata ndihen të sigurt e të mbrojtur. Të tillë janë fëmijët nga familje ku  janë të ekspozuar ndaj dhunës dhe abuzimit.

 Rrezik real për jetën. Sipas të dhënave të policisë gjermane, gjatë vitit 2018 në Gjermani u regjistruan  4000  raste të dhunës kundër fëmijëve. Akoma më e lartë ka qenë dhuna seksuale kundër fëmijëve – në total rreth 14 000. Këto raste janë një rrezik real, edhe për jetën e fëmijës, thotë kryetari i unionit të fëmijëve, R. Rettinger. Bëhet fjalë për ata fëmijë që kanë prindër përdorues  të  pijeve alkoolike si dhe të lëndëve narkotike. “ Në krizën aktuale të Covid- 19, fëmija gjendet i vetëm me prindët. Askush  nuk mund ta vërejë gjendjen e vështirë si të prindërve, ashtu edhe të fëmijës. Askush nuk mund t’i ndihmojë.”- tha ai. Një numër organizatash humanitare dhe shoqatave të ndryshme paralajmërojnë rrezikun e rritjes së dhunës në familje, por edhe ndaj moshës së tretë. Shumë njerëz punojnë nga shtëpia, të tjerë janë në rrezik papunësie ose tashmë e kanë humbur punën. E gjithë kjo situatë rrit stresin. Megjithëse shteti kujdeset për të papunët, si dhe për gjendjen aktuale, por përsëri stresi egziston. Duke qenë të ndërgjgegjshëm se Gjermania i mori të gjitha masat për ta përballuar me sukses Coronën, sepse ka një Kryeministre shumë të suksesshme, ka një shëndetësi nga më të përparuarat në botë. Nuk dua të krahasoj me vendin tim, sepse jemi shumë shumë  larg. Por ne nuk krahasohemi dot as me vendet e Ballkanit. Kam mbledhur të dhëna për disa vende të Ballkanit dhe kam dalë me këtë konkluzion. Por edhe në Gjermani dhuna në familje është rritur me gjithë masat e rrepta për ta eleminuar atë.

Raportoni dhe lajmëroni policinë për rastet e dhunës në familje Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në Kinë, ku dhuna në familje u trefishua në javët e para të  izolimit. Për shkak të rrezikut të infektimit të Covid-19, organizatat mbështetëse dhe shërbimet sociale në Gjermani i kanë ulur vizitat e tyre nëpër shtëpi. “Ne u bëjmë thirrje fqinjëve tanë të jenë vigjilentë. Le të raportojnë rastet e mundshme të dhunës në familje në polici,” -tha K. Griger i Shoqatës  së “Gratë Kundër Dhunës”. Nëse vendoset një izolim total, situata do të përkeqësohet edhe më shumë. Viktimat e dhunës në familje do të jenë të burgosur së bashku me autorët e krimit. Ministria e Politikave Familjare, të Moshuarve, Grave dhe Rinisë bën me dije se i njeh këto probleme. Sidoqoftë, presioni mbi politikën do të rritet, sepse ajo e ka për detyrë të mbrojë më të dobëtit dhe më të pambrojturit e shoqërisë  -duke u siguruar mbrojtjen e tyre. Pra qeveria gjermane është e përgatitur dhe e përballon me suksess këtë situatë. Qeveria nuk e ka  abandonuar kurrë popullin e vet në këto situata, por e mbështet me ndihma, përkrahje financiare etj.

Po në Ballkan si është gjendja? Por fatkeqësisht të dhënat tregojnë se shkalla e dhunës në familje është rritur ndjeshëm në vendet e Ballkanit, që nga vendosja e kufizimeve, lëvizjeve dhe izolimit në shtëpi në këtë periudhë. Në Serbi, kufizimet e lëvizjes, karantina, qëndrimet në shtëpi është e vërtetë se kanë ndihmuar frenimin e përhapjes së Covid-19. Por nga ana tjetër këto masa kanë përkeqësuar gjendjen e shumë grave që janë viktima të dhunës në familje, thonë ekspertë e të drejtave të njeriut.

Në Moldavi, në tre muajt e parë të vitit 2020, policia regjistroi 267 vepra penale të lidhura me dhunën në familje, krahasuar me 231 që u regjistruan për të njëjtën periudhë një vit më parë. Urdhërat për mbrojtje nga policia u aplikuan në 173 raste në tre muajt e parë të vitit 2020, nga 157 që ishte në tremujorin e parë të 2019, tha për “BIRN” Dorel Nistor, kreu i Seksionit të Ndërveprimit me Komunitetin i Inspektoratit të Përgjithshëm të Policisë së Moldavisë. Në Malin e Zi, M. Raiceviç, drejtuese e “Qendrës për të Drejtat e Grave”, deklaroi se në mars-prill 10 telefonatat në OJQ-në e saj raportuan se dhuna në familje u rrit me 20%. Në Kosovë, policia raportoi 169 raste dhunë në familje, në mars 36 % më shumë se i njëjti muaj 1vit më parë.

Policia Kroate, i tha OBSH-së se numri i rasteve të dhunës në familje u rrit nga 94 në mars 2019 në 120 në mars të këtij viti. Ministri i Brendshëm D. Bozinoviç tha në një konferencë për shtyp më 8 Prill se: “Nuk është regjistruar rritje në aktet kriminale të dhunës në familje. “Por në të vërtetë ata që gjenden në terren thonë se kjo gjë ka sjellë rritje të thirrjeve për t’u akomoduar nëpër streha”. Në Zagreb në shkurt, mars dhe prill  kishin marrë 19 kërkesa nga gratë për pranim në strehë dhe kishte rreth 10 thirrje çdo ditë. Shoqata “Domine” në qytetin e Splitit në Kroaci, raportoi rritje të thirrjeve të grave që kërkonin urgjent strehim. P. Zore nga Platforma për të “Drejtat Riprodhuese”, tha se divergjenca në numër dhe interpretimi i ndryshëm i statistikave të tilla pasqyron “trajtim problematik”nga organet shtetërore.“Ata nuk e marrin seriozisht dhunën e grave dhe nuk e kuptojnë situatën që solli rritjen e dhunës në familje”. Është fakt që OJQ-të dallojnë rritje të dhunës në familje se po e dallojnë autoritetet shtetërore që tregon mungesë besimi për institucionet shtetërore.

Në Rumani, avokatja Giulia Crisan e OJQ-së ‘ANAIS’, tha se nga 13 marsi-13 prill shoqata e saj kishte marrë 74 thirrje që kërkonin mbështetje ligjore dhe psikologjike, krahasuar me 50 të tilla në janar-shkurt. Ajo thotë se “Po marrim thirrje të drejtpërdrejta nga viktimat që duan të dinë a mund t’i marrin fëmijët me vete ose të fillojnë procedurat e divorcit”. Po në Rumani statistikat e publikuara nga policia në 13 prill të këtij viti treguan rritje prej 2.3% të rasteve të dhunës në familje, si dhe në mars të këtij viti krahasuar me marsin e  2019.

Në Maqedoninë e Veriut, Shoqata për ‘Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave’, i kërkoi qeverisë këtë muaj mbrojtje më të madhe për viktimat e dhunës në familje, duke nxjerrë një “fond krize” për të siguruar mbështetje financiare. Ka raste kur gratë janë nën kontrollin e bullizmit të burrave dhe nuk janë në gjendje të raportojnë dhunën, tha N.Goluboviç, drejtuese e bordit drejtues të fondacionit “Gratë e Bashkuara”, për të përditshmen “Nezavisne novine” në 13 prill në Republikën Serbe.

Ka raste kur gratë nuk mund të telefonojnë sepse kanë frikë nga partnerët e tyre të dhunshëm, ata mund  t’i zbulojnë dhe dhuna mund të përshkallëzohet shumë, dhe ato nuk mund të largohen nga shtëpia. Në 16 Prill të këtij viti,  në Maqedoninë e Veriut ato gra, vajza dhe fëmijë që jetojnë në familje me probleme në këto kohë të vështira izolimi, rrezikojnë të dhunohen më shumë, sepse rritja e nivelit të stresit, frustrimi, tensioni që sjell izolimi forcojnë modelet e sjelljes së dhunës mes anëtarëve të këtyre familjeve ose bashkëshortëve abuzivë. Kështu që në këto raste një person i dhunshëm mund të bëhet akoma më i dhunshëm. Sipas të dhënave shifrat tregojnë rritje të dhunës në familje. Ndërkohë që statistikat zyrtare tregojnë që në disa vende të Ballkanit ka rritje të dhunës në familje, ekspertët dhe OJQ-të thonë se të dhënat rrallë pasqyrojnë shkallën e vërtetë të problemit, pasi viktimat shpesh nuk raportojnë dhe disa nuk pranojnë se po abuzohen. Sipas Shoqatës “Animus”, një nga organizatat më të vjetra që ofron mbështetje dhe strehim për viktimat e dhunës në familje, deklaroi se kishte marrë më shumë se 550 thirrje në linjën e saj të ndihmës që nga 1 janari, një normë dukshëm më e lartë se normalisht.

Në Kosovë, Ish-kryeministri Albin Kurti shprehu shqetësim për efektin e pandemisë ndaj dhunës në familje. Kurti tha: “Si drejtues të institucioneve, ne jemi të shqetësuar  me situatën e izolimit për shkak të pandemisë së koronavirusit, dhuna në familje është rritur”, dhe bëri rritje të fondeve shtetërore për strehat me 900,000 EU. Ndërsa N. Abdullahu Leku, punonjëse sociale në Qendrën e Rehabilitimit të Kosovës për Viktimat e Torturës, tha se situata ishte vështirësuar  edhe për viktimat e dhunës seksuale të kryera gjatë luftës në Kosovë 1998-1999. “Por tashti  janë shtuar konfliktet në familje”, ky është një “ri-traumatizim jo vetëm i viktimave, por edhe i fëmijëve, anëtarëve të tjerë të familjes.” Egzistenca e strehave u jep viktimave “një ndjenjë sigurie”, ato mund të mbështeten më shumë te ndihma e shoqërisë civile, dhe jo nga shteti.”

Po në Shqipëri çfarë po ndodh?  Policia e Shtetit ka deklaruar  se në  mars 2020 ka pasur rënie të rasteve të dhunës në familje në të gjithë vendin, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. “Gjatë muajit mars 2020 janë evidentuar gjithsej nga policia  249 raste të dhunës në familje. Nga këto: Janë trajtuar me kërkesë–padi ‘Për lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes’, 141 raste, ndërsa 90 raste janë proceduar penalisht dhe janë arrestuar 33 autorë. Gjatë  muajit mars 2019 u evidentuan gjithsej nga ana e policisë, 390 raste të dhunës në marrëdhëniet familjare. Nga këto: Janë trajtuar me kërkesë–padi. ‘Për lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes’ 247 raste, ndërsa 104 raste janë proceduar penalisht dhe janë arrestuar 41 autorë, deklaroi Policia e Shtetit. Nga shifrat e policisë vihet re se në marsin e sivjetshëm janë evidentuar 141 raste më pak, ndërkohë që respektivisht dhe Urdhërat e Mbrojtjes kanë qenë në nivel më të ulët.

Por sipas OJQ-ve ky nuk është realiteti. Gjatë muajve të karantinës dhuna në familje është rritur, thirrjet tregojnë një realitet të dhunshëm dhe aspak të qetë. Gjatë muajve të karantinës gratë janë detyruar të qëndrojnë me dhunuesin, por ka patur raste kur gratë nuk kanë mundur të flasin në telefon nga dhuna dhe vrojtimi i vazhdueshëm i dhunuesit. Mungesa e strehave është një problem tjetër shumë i rëndësishëm. Mungesa e mjeteve financiare, varfëria e tejskajshme pra gjendja e rëndë ekonomike,  janë faktorë  kryesorë  për rritjen e dhunës në familje. Kunati vrau kunatën, burri, gruan etj.

Po pas karantinës si është niveli i dhunës në familje dhe i kriminalitetit?  Ne të gjithë jemi dëshmitarë të dhunës së vazhdueshme në familje dhe me bazë gjinore, që viktima kryesore është gruaja. Dhuna ka marrë përmasa të mëdha, dhunuesit tashmë nuk kursejnë as fëmijët. Vriten nënat në sy të fëmijëve nga baballarët apo nga të afërmit e tyre. Gjendja është shumë e rëndë. Fatkeqësisht dhuna po bashkëjeton dhe po na shoqëron si pa u ndjerë, e pakontrolluar gati si një epidemi. Shoqëria shqiptare po e përjeton dhunën, si viktimë,  apo si dëshmitare. Po  mësojnë të kenë frikë, ta evitojnë atë ose ka raste që bëhen njësh me dhunën dhe dhunuesin. Dhuna është tragjedi, e në rastet më të tmerrshme ajo na shoqëron si hije në jetën tonë. Jetojmë në një shoqëri të dhunshme, ka shumë  dhunë, krim, harbutëri, bulizëm, arrogancë, dhuna me bazë gjinore po rritet dita ditës. Ku gjinia më e prekur janë gratë dhe fëmijët, ato mbeten viktimat e dhunës në familje.

Rajna Kovaçi