Prof. Dr. Bardhyl Çipi: Sekreti mjekësor në përgjithësi dhe ai pas vdekjes së pacientit

130
Sigal

Prof. Dr. Bardhyl Çipi
Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë

1.Hyrje

Ruajtja e sekretit është një çështje shumë e rëndësishme për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, që parashikohet edhe në Kushtetutë, sipas të cilës garantohet mosndërhyrja jashtë ligjit në jetën private të njeriut (neni 35). Në Kodin Penal Shqiptar janë paraqitur disa nene që dënojnë përhapjen e sekreteve vetjake (neni 122), ndërhyrjen e padrejtë në jetën private (neni 121), pengimin ose shkeljen e fshehtësisë së korrespondencës (neni 123) etj. Ky parim është shumë i vlefshëm edhe në mjekësi, i parashikuar edhe në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore të Shqipërisë. Aq më tepër sot, që  rreziku i shkeljes së tij është bërë më i madh nga zhvillimi i mediave elektronike, kompjuterave, mesazheve zanore etj. Në këto kushte, ka filluar që në shumë vende të përpunohet një legjislacion i ri mjekësor, për këto çështje. Por fusha e sekretit mjekësor pas vdekjes, nuk është e njohur aq sa duhet. Aspektet e ndryshme të tij është e rëndësishme të njihen edhe në vendin tonë, sepse kohët e fundit ka pasur te ne mjaft botime, të shoqëruara me diskutime dhe kritika sidomos në lidhje me sëmundjet dhe vdekjet e disa personave publikë. Në këtë prezantim analizohen përveç të tjerave edhe disa të dhëna të karakterit etik, filozofik dhe juridik mbi këtë çështje, që kanë të bëjnë kryesisht me interesat e personit të vdekur, kohën që ka kaluar nga vdekja, ndikimin negativ nga mosruajtja e të dhënave mjekësore në kujtim të tij, të pasuara me paraqitjen e disa rasteve të njohura etj.

  1. Njohuri të përgjithshme mbi sekretin mjekësor

A është e lejueshme të botohet gjithçka mbi studimet mjekësore, që kryhen në trupin e njeriut? A mund të shpallen të gjitha të dhënat mjekësore mbi sëmundjet dhe shkakun e vdekjes nga ana e mjekëve? A duhen bërë përpjekje për zbulimin pas vdekjes e të dhënave mbi trupin e njeriut, si pasoja të veprimeve kriminale apo dyshimeve të kryerjes së tyre? A ka mundësi që zbatimi i parimeve të etikës mjekësore: konfidencialitetit, konsentit, respektit të trupit të njeriut pas vdekjes të kushtëzohen nga periudha kohore që ka kaluar? Kohët e fundit këto pyetje kanë filluar të bëhen edhe në vendin tonë sidomos në lidhje me të dhënat mjekësore dhe vdekjen e personave publikë të regjimit të mëparshëm, si p.sh. të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Nako Spirut etj, apo atyre të persekutuar dhe të vrarë në atë periudhë. Për t’i kuptuar ato duhet analizuar në fillim parimi i rëndësishëm i konfidencialitetit mjekësor, i cili nga një detyrim moral u transformua në një detyrim ligjor dhe në fund si një nga të drejtat fondamentale të njeriut. Sipas këtij parimi, në mbrojtje të interesave të pacientit, informatat, që doktori merr prej tij gjatë ushtrimit të praktikës së tij mjekësore, nuk duhet t’ja u tregojë personave të tjerë, ose t’i përhapë ato. Në mungesë të garancisë që sekreti i tij do të ruhet nga mjeku, pacienti mund të mbajë të fshehur të dhëna të rëndësishme që mund të ndikojnë negativisht në mjekimin e tij, apo të personave të tjerë. Kohët e fundit çështjeve të sekretit mjekësor po u kushtohet një vëmendje gjithnjë e më e madhe në lidhje me aspektet e tyre etike dhe juridike. Zhvillimi i madh i mediave elektronike kanë ndryshuar kuptimin e transmetimit tradicional të informacionit mjekësor. Përdorimi i telefonave celularë dhe aparaturave të sotme elektronike: kompjuterave, fakseve etj, kanë krijuar mundësinë që të ndodhin shkelje të paqëllimshme të sekretit mjekësor. Mesazhet zanore të dërguara në mënyrë elektronike mund të dëgjohen edhe nga persona të tjerë përveç pacientëve. Po kështu kompjuterizimi i të dhënave mjekësore, që ka shumë avantazhe, rrezikon në shkeljen e konfidencialitetit të tyre. Për këtë në shumë vende është përpunuar një legjislacion i ri mjekësor për mbrojtjen e konfidencialitetit në rrethana të ndryshme.

3.Sekreti mjekësor pas vdekjes

Sekreti mjekësor pas vdekjes së pacientit dhe ai për personat publikë përbën një fushë të veçantë, jo shumë të studiuar. Ruajtja e tij  është e domosdoshme për të mbrojtur individin, qoftë për jetën private apo pozitën e tij shoqërore, për shkak të demit, që mund t’i shkaktohet pacientit kryesisht moral, në rast se këto të dhëna mjekësore do të zbuloheshin. Shqetësimet e sotme mbi konfidencialitetin kanë të bëjnë kryesisht me çështjen kur mjeku zbulon një sëmundje veneriane (seksualisht të transmetueshme), ose që personi ka qenë i alkoolizuar ose të dhëna të tjera që mund të jenë përbuzëse për publikun, apo nëse zbulimi është kryer për t’u mbrojtur nga një veprim shpifës ndaj pacientit. Po kështu grupet e gjakut në vetvete mund të mos jenë informata që duhen mbajtur sekret, por në rastet e çështjeve të përcaktimit të atësisë së bashku me ato të ADN-së, ato mund të jenë shumë të rëndësishme. P.sh. në rastet e identifikimit të kufomave të masakrës së Srebrenicës, të kryer nga serbët në Bosnjë, nëpëmjet të ekzaminimit krahasues të të dhënave të ADN-së me ato të prindërve të tyre të gjallë, rezultoi që në disa raste babai i një viktime nuk ishte babai i vërtetë biologjik. Ky konstatim ishte e domosdoshme që të mbahej sekret për të shmagur konflikte të rënda familjare të mëvonshme. Ose në rastet e personave të prekur nga HIV/AIDS, kjo sëmundje duhet mbajtur sekret edhe pas vdekjes së tyre. Mosruajtja e konfidencialitetit mjekësor pas vdekjes mund të ndodhë për shkak se mjekët nuk i kanë bërë ndonjë premtim pacientit të tyre për t’i ruajtur të dhënat mjekësore pas vdekjes së tij. Në të vërtetë, pavarësisht se kjo parashikohet në kodet etike, pak mjekë e kanë shfaqur detyrimin për ruajtjen e konfidencialitetit të pacientëve të veçantë, dhe akoma më pak për sekretin mjekësor pas vdekjes. Sipas literaturës mjekësore të huaj, mbrojtja e konfidencialitetit mjekësor pas vdekjes është në vartësi të interesave që ka pasur i ndjeri para vdekjes, për ta ruajtur atë.

Pra, nëse mosruajtja e konfidencialitetit mjekësor post mortem do të jetë në favor të personit të vdekur, kjo mund të mos kundërshtohet.

Pikëpamjet filozofike në lidhje me interesat pas vdekjes së personit

Interesi i njeriut të vdekur është që t’i ruhen informacionet, në qoftë se shpallja e tyre pas vdekjes do ta dëmtonte atë, p.sh. nga mosmbajtja e premtimit për ruajtjen e sekretit mjekësor, që mund të prekë kujtimin e njeriut kur ka qenë gjallë, apo nga shpifjet që mund t’i shkaktojnë atij një dëm moral. Në të vërtetë njeriu i vdekur, ndërgjegjia e të cilit është zhdukur, nuk ka pse të ketë interesa. Por, ai kur ka qenë gjallë ka pasur interesa, që duhet të vazhdojnë të ruhen edhe pas vdekjes së tij. Edhe të afërmit e të vdekurit kanë interesa, që përcaktohen nga fakti se i vdekuri jeton në memorien e tyre. Kështu dëmtimi i memories së të vdekurit nga mosruajtja e të fshehtës mjekësore prej mjekëve, do të dëmtojë interesat e njerëzve të gjallë për të ruajtur në mendjet e tyre virtutet e personit të vdekur. Mund të ndodhë që për një njeri që gjatë jetës së tij ka qenë shumë korrekt, nxjerrja e të dhënave mjekësore konfidenciale, të ndryshojë opinionin e gjithë të njohurve të tij që ata të kuptojnë tani, që ai ka qenë një njeri me të meta, i shtirë. Nga pikëpamja filozofike dhe etike, ka dy qëndrime ndaj ruajtjes së konfidencialietit pas vdekjes: -qëndrimi i parw, sipas të cilit, ruajtja e konfidencialitetit pas vdekjes duhet të jetë shumë më e fuqishme, të ketë një karakter absolut, në krahasim me sekretin mjekësor para vdekjes. Kjo, sepse personi që ka vdekur, tani nuk ka më mundësi që ta miratojë këtë mosruajtje të konfidencialitetit, ose të mbrojë reputacionin apo identitetin e tij. Qëndrimi i dytë, sipas të cilit, interesi i personit të vdekur për të ruajtur konfidencialitetin e tij do të jetë më i vogël se ai, kur ky person ka qenë gjallë. Kjo, për arsyen se personi që ka vdekur nuk mund të dëmtohet, në kuptimin që ai nuk e ndjen më dhimbjen, lumturinë ose emocione të tjera. Ndërsa te personi i gjallë, mosruajtja e konfidencialitetit, p.sh. atij mjekësor do ta dëmtojë dhe do ta bëjë të vuajë nga ky veprim, për pasojat nga kjo mospërfillje për dëshirat e tij.

Disa situata të tjera të mosruajtjes të konfidencialiteti mjekësor pas vdekjes.

-rastet e denoncimeve për ndjekjen mjekësore të personit para vdekjes,-në rastet e kundërshtimit të testamenteve,-kur kërkohen dokumentet mjekësore të shoqërive të sigurimeve, nga ana e të afërmve, të nevojshme këto për përfitime financiare, që përcaktohen nga shkaku mjekësor i vdekjes të njeriut të tyre që ka qenë i siguruar në këto shoqëri; nevoja e të afërmve për t’u njohur me diagnozat e sëmundjeve të trashëguara të personit të vdekur, me qëllim që ata të marrin masa mjekësore për parandalimin e tyre; interesi i studimit të ecurisë dhe shpërndarjes të sëmundjeve të ndryshme (mosruajtja e konfidencialitetit është vetëm për studiuesin dhe jo për personat e tjerë); interesi i publikimit p.sh. për ngjarje me vdekje të shumta nga sëmundje të veçanta, ose kur personi i vdekur është një person public; rastet e informatave mjekësore, që kërkohen nga media, bibliografët për interesa të përgjithshme, zbulimin e ngjarjeve kriminale etj.

Ndikimi i kohës që ka kaluar nga vdekja në ruajtjen ose jo të sekretit mjekësor

Me kalimin e kohës, kujtimi për të vdekurin, që ruhet në mendjen e një të gjalli fillon dhe dobësohet. Po kështu edhe interesi i anëtarëve të familjes së të vdekurit, me kalimin e viteve, do të vijë duke u ulur. Me këtë rast, nuk duhet harruar që memoria e njerëzve, që e kanë njohur të vdekurin është shumë më e rëndësishme se ajo që ka mbetur në gjeneratat e mëpasme. Pra: mbrojtja e konfidencialitetit mjekësor pas vdekjes do të pakësohet me kalimin e kohës, deri në zhdukjen e plotë të saj. Në literaturën e huaj, ka një pikëpamje, sipas të cilës, nuk duhet ruajtur më konfidencialiteti, kur ka kaluar një kohë, që i korrespondon një ose dy gjeneratave pas vdekjes së personit. Në legjislacionin francez kjo kohë ka qenë 150 vjet. Më pas është pakësuar në 120 vjet dhe është tendenca që kjo kohë të pakësohet edhe më shumë. Por theksohet që edhe me kalimin e kohës së nevojshme, kjo nuk do të thotë që informacioni të bëhet publik. Kjo vështirësi për ta ruajtur ose jo këtë sekret mund të ndodhë edhe për shkak se mjekët e këtij rasti mund të kenw vdekur me kalimin e kohës, apo se dokumentet mjekësore të këtij rasti janë asgjësuar.

Në praktikë ndeshen raste të studimit nga ana jonë të aspekteve mjekësore apo mjekoligjore të kufomave apo mbetjeve skeletike të mëparshme. Ato nuk kanë qenë “pacientë”, sipas kuptimit të mirëfilltë të këtij termi. Në legjislacionin mjekësor në përgjithësi, ruajtja e sekretit mjekësor si për së gjalli ashtu dhe pas vdekjes i takon zakonisht mjekut kurues të pacientit. Pra, në këto raste, këta do të konsiderohen si “persona të vdekur”, pa jetë, por që dhe ato duhet të respektohen. Prandaj, në botimet e ekzaminimeve të këtyre rasteve, duhet të ruhet të paktën anonimati i tyre.

Kush e ka detyrimin për ta ruajtur ose jo sekretin mjekësor pas vdekjes.

Ky detyrim i takon në radhë të parw mjekut kurues të pacientit që ka vdekur; por ky mund të jetë edhe për mjekun që ka kryer autopsinë e personit të vdekur, apo personelit tjetër mjekësor. Kërkesa për mosruajtjen e sekretit mjekësor mund të bëhet nga të afërmit e personit që ka vdekur, apo nga vetë personi para se ai të vdiste. Zbulimi i sekretit mjekësor mund të kryhet edhe nga mjeku në rrethanat e përmendura më parë, si p.sh në rastet e informatave mjekësore që kërkohen nga media, bibliografët për interesa të përgjithshme, sqarimin e ngjarjeve kriminale etj.

4.Raste nga literatura

Në vitin 1965, miku dhe mjeku personal i Churcillit, Lordi Moran (Charles McMoran Wilson) botoi menjëherë pas vdekjes së Churcillit, librin: “The struggle for survival 1940 – 1965”, një biografi e jetës së Churcillit, në bazë të ditareve që Morani kishte mbajtur gjatë gjithë periudhës nga viti 1940 deri në vitin 1965 të vdekjes së Churchillit. Libri mbështetej në ditaret e Moranit gjatë gjithë kësaj kohe dhe përmbante dy lloje argumentesh; ngjarjet e radhitura në mënyrë kronologjike për ato që Churcilli kishte bërë dhe shprehur në takimet e tij me Ruzveltin dhe Stalinin; vërejtjet e tij mbi luftën, kundërshtarët e tij në Parlament etj. Kjo, sepse Lordi Moran, si mjeku personal i Churcillit, kishte qenë i pranishëm në të gjitha këto konfidenca, jo në rolin e mjekut, por në atë të mikut të besuar.-argumentet mbi gjendjen shëndetësore të Churcillit, të cilat po të bëheshin publike që në gjallje të tij, ai nuk do të shpresonte që të vazhdonte detyrën e tij edhe dy vjet të tjera si kryeministër. Botimi i këtij libri, u shoqërua me kritika të rrepta në shtypin britanik të asaj kohe. Sipas tyre: Doktor Morani duhet të kishte heshtur për aq sa kishte parë. Në revistën e njohur Lancet, me rastin e daljes së këtij libri theksohej se, “Besimi i publikut në profesionin e mjekësisë rrjedh kryesisht nga bindja se ajo që ndodh midis pacientit dhe mjekut nuk duhet të përhapet” dhe se, “Në qoftë se konfidencialiteti ruhet për së gjalli, ai duhet të respektohet dyfish për të vdekurin”. “Duke shkruar publikisht për gjendjen shëndetësore të një personi të identifikueshëm, Lordi Moran ka krijuar një precedent, i cili nuk duhet bërë pwrswri”.Ndërsa te Shoqata e njohur britanike mjekësore (British Medical Association), në takimin e saj vjetor pas këtij botimi, organi i saj përfaqësues, i përbërë nga 560 anëtarë, mori vendimin, me vetëm tri vota kundër, në të cilin nuk përmendej Lordi Moran, ku theksohej: “Vdekja e një pacienti nuk e çliron mjekun nga detyrimi për ruajtjen e sekretit”. Pavarësisht nga këto qëndrime kundërshtuese për këtë libër, në diskutimet dhe shtypin e kohës u dhanë edhe shumë mendime dhe argumente në favor të tij. Sipas tyre, “dëshmitë e Lordit Moran janë shumë të çmuara, sepse nëpërmjet tyre janë zbuluar aspektet e munguara të jetës së Churcillit, në radhë të parë, nëpërmjet bërjes publike të dëshmive mjekësore”..“Një figurë si Churcilli nuk mund të ketë asnjë privaci. Ai i përket të gjithë botës, i gjallë apo i vdekur dhe gjithçka që ka të bëjë me të, sidomos problemet shëndetësore, kanë një interes universal”.“Ne jetojmë në një kohë, kur figurat publike, të gjallë apo të vdekur, bëhen subjekte të biografëve, sekretarëve, asistentëve, apo familjarëve. Kur të gjithë lejohen të shkruajnë për këto raste, atëherë, përse mjekëve u ndalohet kjo gjë?” I njëjti arsyetim mund të bëhet edhe në rastin e Lordit Moran, i cili e botoi këtë libër pas vdekjes së pacientit, kryesisht për mjekimin e Churcillit, pa e diskredituar të ndjerin. Në literaturën mjekësore shëmbuj të tillë janë të panumërt: Rasti i Maratit, një nga udhëheqësit e revolucionit francez të viti 1789, që u vra duke bërë banjo, por që nga mjeku i tij rezultoi se ai vuante nga dermatiti (infeksion i lëkurës) së skrotumit dhe perineumt. Banja e qetësonte atë nga sëmundja prej së cilës vuante. Kjo e bëri më të lehtë atentatin ndaj tij. Rasti i mjekut, që kishte përpiluar raportet mjekësore mbi përparimin e sëmundjes dhe sjelljen e Napoleonit para se të vdiste. Rastet e sëmundjeve dhe vdekjeve të shumë presidentëve të ShBA etj.

5.Sekreti mjekësor në Shqipëri

Çështja e sekretit mjekësor në vendin tonë, paraqitet në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, i cili përmban nenin 22 (ruajtja e sekretit mjekësor) dhe nenin 23 (zbulimi i sekretit mjekësor).Pra, sipas këtyre neneve, sekreti mjekësor i mjekut, përbën një parim shumë të rëndësishëm, por jo me karakter absolut, sepse mund të zbulohet kur rrezikohet jeta e pacientit ose e kërkon ligji. Kështu mosruajtja e sekretit mjekësor, nga kërkesa e ligjit, është dhe ai i parashikuar në Kodin e Procedurës Penale të vendit tonë. Sipas nenit 282 (kallzim nga personeli mjekësor), personeli mjekësor për një mjekim që ai kryen dhe dyshon se lidhet me një vepër kriminale, është i detyruar ta denoncojë atë në organet e prokurorisë. Para disa muajve, në zbatim të këtij neni të procedures penale, u arrestuan dy mjekë dhe një infermier në Fier me akuzat penale “moskallzim i krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Kjo për arsye, se ata kishin mjekuar një person që kërkohej nga drejtësia, pas përplasjes së tij me armë zjarri në një fshat të Elbasanit. Pra në këtë rast, ata nuk kishin zbatuar nenin 282 të Kodit të Procedures Penale, sipas të cilit ata ishin të detyruar të kallëzonin mjekimin që i kishin kryer këtij personi në organet e drejtësisë.

6.Sekreti mjekësor pas vdekjes i personave publikë

Çështja e sekretit mjekësor pas vdekjes përmendet në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore (viti 2012) të vendit tonë vetëm në paragrafin e dytë të nenit 22 (ruajtja e sekretit): “……..Madje edhe pas vdekjes të të sëmurit, me përjashtim të rasteve kur ajo (e fshehta mjekësor) përbën rrezik për shëndetin dhe jetën e të tjerëve, mjeku duhet të mos zbulojë sekretin profesional”.Siç shihet, kjo çështje trajtohet shumë pak në legjislacionin mjekësor Shqiptar.

Prandaj për këto raste, sidomos për personat publikë, që kanë filluar të analizohen edhe te ne, duhen zbatuar rregullat e rekomanduara nga literatura e huaj, një pjesë e të cilave u paraqitën më parë në këtë studim.Nga ana ime unë kam pjesë në disa raste vdekjesh mjekoligjore, rezultatet e të cilave i kam shpallur dhe botuar në shtyp, duke mos ruajtur kështu sekretin mjekësor, por pa shkelur rregullat e veçorive të këtyre rasteve.-Kështu në disa botime për vdekjet e Mehmet Shehut, Nako Spirut, që përfshihen në grupin e vdekjeve kriminale dhe si të tilla ato do të konsiderohen si raste kur sekreti pas vdekjes nuk ruhet. Sidoqoftë përpara botimit, unë kam marrë edhe lejen e familjarëve të tyre.-Çështja e viktimave të bombës së në ambasadën sovjetike në Tiranë në vitin 1951, përbën edhe ajo një rast kriminal, ku nuk ka qenë nevoja e ruajtjes së sekretit mjekësor; edhe për këtë çështje është marrë prej meje leja e familjarëve të viktimave, të cilët kanë ndihmuar edhe në zbulimin dhe ekzaminimin e tyre.-Ndërsa rasti i zhvarrimit të Enver Hoxhës në vitin 1992, të drejtuar prej meje, botimi i tij në vitet 2000, u bë për të përgënjeshtruar shpifjen e publikuar në atë kohë, sipas të cilës gjatë ekzumimit (nxjerrjes nga varri), kufoma u godit në kokë dhe u dëmtua nga kavoja e vinçit që po e nxirrte. Për këtë botim unë pata mbështetjen edhe nga një prej njerëzve të rrethit familjar të Enver Hoxhës.Në lidhje me të dhënat e ndjekjes mjekësore së Enver Hoxhës, mund të përmenden këto publikime:-Shënimet mbi ndjekjen mjekësore të Enver Hoxhës, të lëna nga  Prof. Dr.Fejzi Hoxha (të botuara pas vdekjes së tij nga Prof. Dr. Lluka Heqimi), bashkëmoshatar, nga Gjirokastra dhe ai, që e kishte njohur Enver Hoxhën që në fëmijëri dhe e kishte kuruar, pavarësisht nga vështirësitë e këtij mjekimi, për një kohë shumë të gjatë. Botimi i këtyre shënimeve, pas vdekjes së autorit të tyre, përbën një nga ato raste kur sekreti mjekësor mund të mos ruhet për personat publikë shumë të njohur. Në të vërtetë, në 10 vitet e fundit të jetës së tij, Enver Hoxha ka qenë nën kujdesin shëndetësor të një ekipi mjekësor të përzgjedhur, në të cilin bënin pjesë edhe Prof. Dr. Isuf Kalo dhe Prof. Dr. Ahmet Kamberi. -Vitet e fundit janë botuar dy libra me detaje të hollësishme nga ana e këtyre dy mjekëve që e kanë kuruar Enver Hoxhën: “Blloku” i Prof .Dr. Isuf Kalo, viti 2019. “Pacienti ynë i veçantë” i Prof. Dr. Ahmet Kamberi, viti 2020. Të dy librat, në lidhje me ruajtjen ose jo të sekretit mjekësor pas vdekjes, janë të justifikuara, sepse kanë të bëjnë me udhëheqësin kryesor të diktaturës komuniste 40 – vjeçare; prandaj problemet mjekësore të tij, do të ishin të nevojshme të njiheshin në radhë të parë nga publiku i gjerë i vendit tonë. Nga ana tjetër është marrë dhe leja e të vesë së Enver Hoxhës, për botimin e librit “Pacienti ynë i veçantë” të Prof.Dr.Ahmet Kamberi. Në këto libra janë ruajtur dhe respektuar në përgjithësi interesat e pacientit.  Kështu në librin “Blloku”, Prof. Dr. Isuf Kalo shkruan midis të tjerave: “Kam mendimin se nëse Enver Hoxha nuk do të jetonte në atë kohë, nuk do të ishte bërë diktator, por do të ishte bërë një mësues shumë sharmant, sepse ishte shumë simpatik si njeri; në një farë mënyre pozita e mori në qafë atë…. U bë një pacient bashkëpunues që ia lehtëson punën mjekut. ….Ai nuk ka dashur që ne ta diktojmë as sëmundja ta diktojë, por ka pasur inteligjencën edhe mundësinë që të bashkëpunonte në lidhje me mjekimi e tij”.Ndërsa në librin “Pacienti ynë i veçantë”, Prof. Dr. Ahmet Kamberi, duke u mbështetur kryesisht në marrëdhënien mjek-pacient, thekson se: “në marrëdhëniet me mjekët Pacienti ishte i përzemërt. Nuk ka ndodhur kurrë që ai të shprehte pakënaqësi me fjalë ndaj ndonjërit prej nesh, madje edhe atëherë kur ai nuk ishte i kënaqur me këshillat tona. Pakënaqësinë ai e shprehte thjesht me ngrysjen e fytyrës, me mungesën e dëshirës për ta zgjatur diskutimin dhe me mosbindje….”.  Por në librin e parë “Blloku” të Isuf Kalos, jepen disa të dhëna dhe mendime mbi jetën intime, që unë kam mendimin që Pacienti vetë dhe bashkëshortja e tij, nuk do të ishin dakord që ato të shpalleshin pas vdekjes së Pacientit. Po kështu në librin “Blloku” jepen mendime dhe argumente kryesisht të karakterit psikologjik nga ana e autorit të librit, për ngjarje të ndryshme të asaj kohe, mendime këto të cilat nuk i ka shprehur Pacienti dhe me të cilat  vetë Pacienti kur ishte gjallë, besoj se nuk do të ishte dakord.Këto mund të kenë qenë disa nga arsyet që për botimin e librit: “Blloku”, nuk është marrë miratimi i familjes së Enver Hoxhës.Në lidhje me këto dy botime, unë kam këto vërejtje dhe sugjerime:-Botimi i këtyre librave, të dy mjekëve të njohur: Prof.  Dr. Isuf Kalo dhe Prof. Dr. Ahmet Kamberi, do të ishte mirë që të shoqërohej edhe me publikimin e plotë të raportit të autopsisë, sikurse është vepruar me udhëheqësit e B.S., Leninit dhe Stalinit. Kjo më shumë për të vërtetuar ose hedhur poshtë hipotezën që ai mund të jetë eliminuar. -Do të ishte më e përshtatshme që libra të tillë, të botoheshin në një kohë më të vonë, sikurse rekomandohet nga literatura përkatëse, sipas të cilës kujtesa e njerëzve që e kanë njohur të vdekurin është shumë më e rëndësishme se ajo që ka mbetur në gjeneratat e mëpasme, prandaj mbrojtja e konfidencialitetit mjekësor pas vdekjes do të pakësohet me kalimin e kohës, deri në zhdukjen e plotë të tij. Kjo, për arsye se botimi i këtyre dy librave sidomos i librit “Blloku” u shoqërua, përveç lavdërimeve të shumta, edhe me një reagim të rreptë kundërshtues ndaj paraqitjes simpatike të Enver Hoxhës në marrëdhëniet me mjekët që e kuronin atë, ndërkohë që në mendjet e njerëzve si atyre të moshuar por edhe atyre më të rinj janë ende të freskëta dëshmitë shumë negative të jetës së Enver Hoxhës, një pjesë nga ato të publikuara nga ata që e kanë njohur që në rininë e tij, si dhe ato të krimeve monstruoze të urdhëruara prej tij, shumë prej tyre ende të pazbuluara  etj.

7.Përfundime

-Parimi i rëndësishëm i konfidencialitetit mjekësor, i cili nga një detyrim moral është kthyer në një detyrim ligjor dhe në fund si një nga të drejtat fondamentale të njeriut, përmban edhe të fshehtën mjekësore pas vdekjes, të njohur jo aq sa duhet.-Kjo e fundit përmban aspekte të ndryshme që i përkasin argumenteve kryesisht filozofike, interesave të personit të vdekur, rrethanave kur kjo e fshehtë nuk ruhet, kohës që ka kaluar nga vdekja, personave që kanë detyrimin për ruajtjen ose jo të saj, rasteve të ruajtjes ose jo të saj për personat e njohur etj.-Kjo lloj e fshehte mjekësore, sidomos ajo e një personi publik për vendin tonë, përbën një çështje shumë delikate që kërkon një kujdes shumë të madh në rastet e shpalljes së saj.