Prof.Dr. Alqi Naqellari: Në kapitalizëm nuk ka “Bashkëqeverisje”

Miratimi nga parlamenti i ligjit për “Bashkëqeverisjen” me qytetarët , përmes slloganit “Me ty për Shqipërinë që duam”, është një ligj tipik i socializmit për të realizuar sundim të përjetshëm të atyre që me mendësi socialiste kërkojnë të ndërtojnë kapitalizmin. Përse nuk pyeten qytetarët për PPP, rritjen e çmimeve, naftën, borxhin, korrupsionin, kufijtë, “Ballkanin e Hapur” apo marrjen e muxhahidinëve, afganëve etj. Ja pra që popullin nuk e pyet askush

 

Sigal

Parlamenti së fundi miratoi një ligj mbi BASHKËQEVERISJEN.“Qëllimi i këtij ligji është të krijojë kushtet për bashkëqeverisje me qytetarët nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tyre në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse dhe rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së administratës shtetërore, përmes platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”.Ky ligj i shekullit të XXI është tipik i socializmit shqiptar të shekullit të XX, i mbështetur në Kushtetutën e 1976, i atyre njerëzve që nëpërmjet slloganit të “bashkëqeverisjes” kërkojnë sundim të përjetshëm, të atyre njerëzve që me mendësi socialiste kërkojnë të ndërtojnë kapitalizmin. Për këtë ligj ka pasur shumë debate, nga deputetë, ish- deputetë, ministra, ish -ministra, ekonomistë, juristë, gazetarë etj. Mendimet e tyre ndahen ndy grupe: grupi i parë që i takon qeverisë mbron ligjin për dialog e bashkëqeverisje, ndërsa grupi i dytë e hedh poshtë këtë ligj. Mendimet e mija janë me grupin e dytë. Në ekonominë e tregut, në kapitalizmin liberal- neoliberal, në kapitalizmin e tregut, në kapitalizmin e mirëqënies, në kapitalizmin e kontrolluar dhe jo të kontrolluar nuk ka terma të tilla dhe koncepte të tilla si “bashkëqeverisja” me popullin. Nuk ka në SHBA, nëGjermani, në vendet Skandinave, në Britaninë e Madhe, në kapitalizmin e kontrolluar dhe jo të kontrolluar bashkëqeverisje. Nëse do kishte ligj të tillë në këto vende edhe unë do isha dakort për këtë ligj, por derisa nuk ka në këto vende edhe unë nuk jam dakort. Ligje mbi bashkëqeverisjen kanë vende të tilla si Venezuela, Hungaria, Greqia etj. Parime ka pas dhe ka në vendet socialiste. Shqipëria duhet të marrë shembull Gjermaninë, SHBA-në, Britaninë e Madhe, vendet Skandinave, apo Greqinë, Venezuelën, Hungarinë etj?

Përse nuk ka bashkëqeverisje në kapitalizëm, por ka në socializëm, në sistemet e centralizuara?

Sistemet ekonomike dallohen nga njeri tjetri nga raporti që kanë individët ndaj mjeteve të prodhimit. Kapitalizmi është një sistem ekonomik që bazohet në pronën private mbi mjetet e prodhimit. Kjo do të thotë se në themel të këtij sistemi qëndron prona private. Qeveris ai që ka pronën, kapitalin dhe jo populli. Në kapitalizëm kemi luftë të ashpër klasash. Lufta e klasave ka filluar me lindjen e klasave, pas shthurjes së komunës primitive, dhe jo në kohën e Marksit. Historia e shoqërisë njerëzore është histori e luftës së klasave. Kemi klasën e pronarëve që zotërojnë mjetet e prodhimit dhe klasën e proletariatit të zhveshur nga këto mjete. Në shekullin e XXI kemi një klasë punëtore, një proletariat që ka të drejtën të blejë aksione dhe të quhet pjesëmarrëse në fushën e kapitalit, pra të jetë pronare e mjeteve të prodhimit. Në këtë mënyrë në kapitalizmin e sotëm perëndimor, kemi shumëpronarë. Por kush qeveris në këtë sistem? Populli apo pronarët e kapitalit? Në këtë sistem qeverisin pronarët e kapitalit dhe gjithka është në shërbim të tyre. Populli vetëm teorikisht qeveris, sepse qeverisja e vërtetë bëhet prej atyre që sundojnë mbi mjetet e prodhimit. Si mund të qeverisi populli në një sistem kur sundon prona private mbi mjetet e prodhimit? Populli duhet të luftojë nëpërmjet organizimeve të tij për ta detyruar kapitalin të miratojë ligje në interes të nevojave të tij. Populli duhet të krijojë sindikata, shoqata, mundësi për ta detyruar kapitalin ta thërrasi në vendimmarrje, në bordet drejtuese të kompanive, për ta detyruar qeverinë të miratojë ligje për mbrojtjen e punëzënies, e përgjithësisht për mbrojtjen sociale. Kapitalizmi është një sistem shfrytëzues i njeriut nga njeriu. Bën ligjin më i forti, ai që ka mjetet e prodhimit dhe jo populli ku jep mendimin e tij. Në Parlament ulen përgjithësisht, njerëzit përfaqësues të kapitalit dhe jo të popullit, ulen ata që sundojnë, përfaqësues të oligarkisë financiare dhe jo të popullit. Votuesit janë ata që ligjërojnë sundimin e tyre, me çfardo lloj forme, me forcë, me para, me premtime etj. Kështu, në shekullin e XXI kemi dy lloj kapitalizmi, të kontrolluar dhe jo të kontrolluar. I kontrolluari ka për synim maksimizimin e fitimit, por nëpërmjet respektimit të konsumatorit, të fuqisë punëtore, nëpërmjet bashkëvendimmarrjes, si organizimi spektakolar gjerman, nën shembullin e menaxhmentit Japonez. Gjermanët e kanë me ligj për ndërmarrjet që kanë mbi 500 punonjës bashkëvendimarrjen. Nuk kanë sindikata të fuqishme, por kanë ligje për mbrojtjen e konsumatorit, të vendeve të punës dhe të pagës. Vendet Skandinave kanë Sindikata shumë të fuqishme, ndryshe nga Gjermania, kanë ligje për mundësinë e barazimit të pagës reale midis konsumatorëve, ashtu si në Britaninë e Madhe. Pra individët konsiderohen si të barabartë si qenje shoqërore. Në këtë mënyrë nuk mund të presupozohet se mund të ketë “bashkëqeverisje” me popullin, qeveris ai që zotëron kapitalin. Bashkëqeverisja është një fenomen që ekziston në sipërmarrje si bashkëvendimmarrje. Kjo ndodh në sipërmarrje, por jo në “Qeveri”. Nuk ka në vendet perëndimore koncept “bashkëqeverisje”, këto janë reminishenca të sistemit socialist. Asnjë qeveri, e asnjë vendi kapitalist nuk bashkëqeveris me popullin. Nuk mund të bashkëqeverisësh me një klasë që nuk posedon mjetet e prodhimit, nuk mund të bashkëqeverisë pronari me sanitaren, fshesaxhien, konsumatorin e subjektet e tjerë të varur, ndryshe nuk ke kujt i jep llogari. Nëse pretendon të bësh një veprim të tillë do thotë që jemi të gjithë “bashkëfajtorë” në gjëndjen ku është ekonomia. Jemi bashkëfajtorë në gropën financiare ku është zhytur ekonomia shqiptare. Ju, popull nuk keni të drejtë të na kërkoni llogari, sepse juve keni qënë bashkëqeverisës me ne pushtetarët. Me këtë koncept që nuk ke kujt t’i japësh llogari, sepse janë të gjithë përgjegjës, legalizohet sundimi i përjetshëm i një klase të caktuar, i një partie të caktuar. Me këtë logjikë qeveria e PS duhet të jetë e përjetshme, sepse ajo bashkëqeveris me popullin. Edhe kur ka arritje edhe kur nuk ka, populli është pjesë e përgjegjësisë, prandaj t’i kërkojë llogari vetes së tij dhe joqeverisë. Kjo lojë që bëhet për bashkëqeverisjen është e sistemeve të centralizuara, e Venezuelës, e disa prej vendeve ish socialiste që dëshirojnë të tërheqin në përgjegjësi edhe popullin nëpërmjet shoqatave dhe “patronazhistëve”, AGBV-ve në të gjitha sistemet. Bashkëqeverisje do thotë ta pyesësh popullin për gjithëçka, të organizosh referendum për çështje të rëndësishme, gjë që është realisht e pa mundur.

            Sipas kësaj bashkëqeverisje:

-A e pyet njeri popullin për PPP-të?

-A e pyet njeri popullin për koncensionet e shpenzimet e tjera?

-A e pyet njeri popullin për marrëveshjen e “Ballkanit të Hapur”?

-A e pyet njeri popullin për vendosjen e çmimit tavan për bukën?

-A e pyet njeri popullin për ardhjen e muxhahedinëve dhe afganistanëve në Shqipëri?

-A e pyet njeri popullin për drejtimin prioritar të ekonomisë shqiptare?

-A e pyet njeri popullin për Kombinatin e Ballshit që është sot i pa punë?

-A e pyet njeri popullin për marrjen e 500 milionë euro borxh?

-A e pyet njeri popullin për parcelat e tokës për ushtarët grekë të rënë në luftën e 14-tës?

-A e pyet njeri popullin pse 50% e tij jeton në nivelin e varfërisë”?

-A e pyet njeri popullin pse pesëqind e tridhjetë e gjashtë mijë bijë të tij u larguan nga Shqipëria në dhjetë vitet e fundit?

-A e pyet njeri popullin pse jemi vendi më i varfër në e Europë?

-A e pyet njeri popullin pse jemi vendi me korupsionin dhe evazionin fiskal më të madh në Europë?

Popullin, si “bashkëqeverisës” nuk e pyet askush. Prej tij kërkohen informacione.

Si mund të quhet bashkëqeverisje informacioni i letrave dhe ankesave nga populli? Informacioni nuk është bashkëqeverisje. Shuma e tyre tregon për shkallën e korrupsionit në qeverisje dhe jo për bashkëqeverisjen. A kemi në socializëm bashkëqeverisje? As në socializëm nuk kemi bashkëqeverisje reale, por e kemi vetëm teorike, sepse edhe në këtë sistem komandon Partia-Shtet. Askush nuk e ka pyetur popullin pavarësisht nga parulla “Çdo Populli bën Partia dhe çfarë thotë Partia bën Populli”. Në socializëm kemi disa parime ndryshe nga kapitalizmi, sepse këtu, në këtë sistem nuk kemi pronë private mbi mjetet e prodhimit, por kemi pronë shoqërore mbi mjetet e prodhimit. Në socializëm kemi parimin e mbështetjes në forcat e veta, centralizmin demokratik, vijën e masave, kontrollin punëtor e fshatar, llogaridhënien e kuadrove para masave, kemi qarkullimin, kemi ngritjen në përgjegjësi nga klasa punëtore etj. Kemi Bashkimet Profesionale në vendin e Sindikatave të sotme etj. Kështu që termi “bashkëqeverisje” është ekskluzivitet i sistemit socialist sesa i sistemit kapitalist shqiptar, i cili nuk ngjason me asnjë sistem tjetër në botë. Në Komitetet e Partive para ’90 kishin zyra të sekretarëve, të marrëdhënieve me popullin, ku mblidheshin dhe analizoheshin letrat nga populli. Pikërisht edhe ADB që krijohet sot, zëvendëson këto zyra, merr rolin e tyre, ajo dublon organizma të tjera dhe rrit shkallën e centralizmit, sepse varet direkt nga ministri i parë i qeverisë. Cili ka qenë reagimi për këtë projektligj? Për këtë projektligj kanë folur shumë. Unë kam zgjedhur të citoj një pjesë prej tyre. Esenca qëndron pikërisht në faktin se kemi të bëjmë me mendësi socialiste në ndërtimin e kapitalizmit, ekonomisë së tregut. Kemi të bëjmë me vijën e masave, me llogaridhënien para masave, me kontrollin punëtor e fshatar etj.

Monika Kryemadhi: “Ka një mbivendosje përsa i përket shumë ligjeve që i kemi miratuar. Përsa i përket mbivendosjes me direktivën e BE mbi ligjin për nëpunësin civil. Mos ka ardhur koha për të krijuar një sindikatë të administratës publike gjë që do ta bënte të mundur reagimin e mënjëhershëm ose oponencën ndaj një projektligji të tillë që vjen nga qeveria?

Neni 52, cënon autonominë vendore. Nëpunësi i bashkisë kujt do t’i përgjigjet, kryetarit të bashkisë, këshillit Bashkiak, agjencisë së kryeministrit: do t’i përgjigjet prokurorisë apo gjykatave? Neni 12, neni 56, cënojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë. “… institucionet tona të llogaridhënies nuk ekzistojnë, institucionet tona të kontrollit nuk ekzistojnë, këtu bëhet fjalë për prokurorinë dhe gjykatat.

Silva Caka: “Ky ligj antikushtetues  dhe antiligjor, tashmë i miratuar në rresht nga deputetët rilindas, ngre një Agjenci, e cila është në grushtin e kryeministrit dhe nuk ka asgjë më pak se komitetet e dikurshme të partisë.  “Ky ligj i shpikur nga halli është në konflikt dhe kundërshtim të hapur me disa ligje njëherësh. Kjo monstër ligjore merr në mënyrë arbitrare rolin e oficerit të policisë gjyqësore, të prokurorit dhe të gjyqtarëve të gjykatave administrative. Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje nuk është asgjë tjetër përveçse një organizëm gjobëvënësish shtetërorë, apo më saktë sekserë të gjobave, për të mbajtur gjallë klientelën e Kryeministrit”.

Endrit Brahimllari: “Ajo që unë do të them me bindje të plotë është që ky ligj është antikushtetues. Për çfarë arsye u krijua SPAK, për çfarë arsye u krijua reforma në drejtësi? Ku keni parë ju kryeministër i cili jep urdhra me telefon? Kjo kërkon të vendosë gjithçka nën kontroll të kryeministrit, një agjenci që është në kontroll të tij. Tani do bëhet Edi Rama prokuror, gjykatës ?”

Jorida Tabaku tha në Parlament: “Tashmë zyra e kryeministrit po kthehet në një kullë kontrolli duke mbledhur funksione e përgjegjësi, duke zëvendësuar dhe duplikuar punën që kanë institucionet e linjës, duke eliminuar kontaktin që kanë qytetarët me institucionet e linjës, mediat me institucionet e linjës, agjensitë ligjzbatuese në rastin e zbatimit të fondeve, me çdo lloj instance tjetër shtetërore, duke i mbledhur këto, në një kullë kontrolli në zyrën e kryeministrit”.

Fatmir Mediu: “Në parim unë jam kundër shtimit të agjencive, pasi kufizohen liritë dhe të drejtat e qytetarit. Meqë kam një moshë që kam jetuar dhe në sistemin tjetër, ky parim i vijës së masave nuk ka qënë një parim që ka funksionuar siç duhet. Do t’ju lutem të më thoni një vend europian ku funksionon një agjenci e tillë? Sepse një vend i Amerikës Latine ku është aplikuar, në Venezuelë, arriti dhe shkatërroi gjithë sistemin, duke e çuar në vendin më të varfër që u trafikua më pas nga Hugo Çavez.

Saimir Korreshi: “Unë do ta konsideroja një çorape leshi e veshur në behar që është grisur nga gishti. Mungon një hierarki në këtë ligj, si ka funksionuar.

Në Platformën e MSH: “Bashkëqeverisje me njerëzit e zakonshëm për Shqipërinë që duam”: “Kjo platformë është një instrument praktik i bashkëqeverisjes  mbi të majtën dhe mbi të djathtën. Shteti që duam është i qytetarëve, jo i pushtetarëve.

Fatmir Xhafaj në Parlament: “Projektligji duhet mbështetur dhe ka një qëllim të mirë, por përmbajtja e ligjit sa e kam lexuar unë është i shkruar keq. Edhe relacioni është i thatë dhe i paargumentuar për qëllimet që ka ligji.

Disa Nene nga ligji mbi “Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje”. Ky Ligj është i denjë për vitet ’70. Do ta kishin zili edhe juristët e asaj kohe”.

Neni 1. Objekti. Ky ligj përcakton rregullat për bashkëqeverisjen me qytetarët nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tyre në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse, rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së administratës shtetërore përmes platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”, si dhe organizimin e funksionimin e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

Neni 2 /Qëllimi.1. Qëllimi i këtij ligji është të krijojë kushtet për bashkëqeverisje me qytetarët nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tyre në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse dhe rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së administratës shtetërore.

Qëllimi 2. Ky ligj ka për qëllim të nxisë ndërveprimin ndërmjet administratës shtetërore dhe individëve, organizatave të shoqërisë civile, pavarësisht formës së tyre të organizimit, si dhe tregtarëve, shoqërive tregtare.

KREU III. STRUKTURA PËRGJEGJËSE PËR BASHKËQEVERISJEN.

  1. a) Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje;b) Institucionet e administratës shtetërore. Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje, ka këto kompetenca:
  2. a) Zhvillon mekanizmat dhe monitoron zbatimin e tyre për gjithëpërfshirjen e qytetarëve në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse dhe rritjen e përgjegjshmërisë e të llogaridhënies së administratës shtetërore;
  3. b) Koordinon, nëpërmjet mekanizmave të posaçëm institucionalë, institucionet e administratës shtetërore për zhvillimin e praktikave të mira dhe përdorimin e tyre në të gjithë administratën shtetërore për gjithëpërfshirjen e çdo qytetari në politikëbërje.

Neni 17.Metodat e bashkëqeverisjes. a) Metoda e kontrollit, b) Metoda e ndërveprimit, c) Metoda e gjithëpërfshirjes,

KREU VII. KONTROLLI I VEPRIMTARISË ADMINISTRATIVE. Neni 34. Kontrolli i veprimtarisë administrative. 1. Veprimtaria administrative e institucioneve të administratës shtetërore, përveç kontrollit administrativ, i cili kryhet në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative mbi mjetet ligjore administrative dhe të legjislacionit në fuqi, si dhe të kontrollit të gjykatës, i nënshtrohet edhe kontrollit nga Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

  1. Nëse paraqitet me shkrim, nëpunësi i Agjencisë regjistron të dhënat në formatin e platformës.

Kushdo mund të japi mendimet e tij për këtë p/ligj që të duket se është miratuar në vitet 1970, kur Enver Hoxha ishte gjallë dhe jo në vitin 2021. Vetë Enver Hoxha, Josif Broz Titua dhe Visarjanoviç Stalini do ta kishin për zili, bile Lenini do ta kishte dekoruar Parlamentin Shqiptar për këtë arritje madhore.