33-Vjetori i rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës

29
Sigal

Ish-Ministri Mbrojtjes, Kiço Mustaqi: Për Ramiz Alinë, 20 shkurti ishte një nga ditët më dramatike e më të rënda në jetën e kryeqytetit

Operatori Fatmir Çepani: Rrëzimi i Monumentit dita më e vështirë, edhe pas 33-vjetësh e drejta e autorit nuk respektohet

 

Albert Z. ZHOLI

/Telegraf.al/ Kur vjen 20 shkurti, të gjithë diskutojnë për monumentin e Enver Hoxhës në Tiranë.  Sot përkujtohet 33-vjetori i rrëzimit të përmendores të ish-diktatorit Enver Hoxha. Më 20 shkurt të vitit 1991, mijëra qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik. Rrëzimi i shtatores së Hoxhës u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij.

Askujt nuk i besohej se do rrëzohej statuja. Dhe vetë turma e irrituar nuk po u besonte syve, ndërsa dhjetëra qen kufiri dhe zjarrfikësja  kishin blinduar sheshin dhe mundoheshin të çanin radhët për t’i bërë njerëzit të tërhiqeshin. Megjithatë, askush nuk u tërhoq. Sapo mblodhën veten nga paniku, të paktën 100 mijë njerëzit që ndodheshin në sheshin “Skënderbej”, morën sërish drejt shkallëve të mermerta. Trysnia që krijonte turma prej 100 mijë veta, kishte arritur kulmin. Monumenti u rrëzua. Turma brohoriste. Sheshi dukej plot hapësirë. Dy nga protagonistët e kësaj date janë dhe Fatmir Çepani dhe ish-Ministri Mbrojtjes, Kiço Mustaqi…

Ish-Ministri Mbrojtjes, Kiço Mustaqi: Për Ramiz Alinë, 20 shkurti ishte “një nga ditët më dramatike e më të rënda në jetën e kryeqytetit

Kushdo që ka ndjekur edhe televizionin, edhe gazetat e nesërme, pas datës 20, Ramiz Alia theksoi se “janë vënë në rrezik liria, pavarësia dhe sovraniteti kombëtar”. Për Ramiz Alinë, 20 Shkurti ishte “një nga ditët më dramatike e më të rënda në jetën e kryeqytetit”. Në një mesazh që u transmetua sidomos nga televizioni mbrëmjen e po asaj date, ai do të jepte alarmin e madh se “janë vënë në rrezik liria, pavarësia dhe sovraniteti kombëtar”. Ramiz Alia ka thënë disa herë se ai dha urdhër të mos qëllohet kundër turmës, për të mos shkaktuar gjakderdhje e vëllavrasje. Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai pretendoi në një intervistë (në korrik 1991), se Ramizi i dha urdhër të qëllonte, por ai nuk e zbatoi. Vetë Ramiz Alia ka deponuar edhe para hetuesit për këtë çështje. Në librin “Ditari i burgut” ai e riprodhon këtë deponim: “Kur demonstruesit dolën në sheshin “Skënderbej” dhe kishte gjasa që ata të sulmonin për të rrëzuar përmendoren e Enver Hoxhës, Hekuran Isai më mori në telefon: “Ç’të bëjmë?”. I them: “Sipas ligjit, kundër atyre që përpiqen të prishin monumentet, si edhe kundër organizatorëve të demonstratave të paligjshme, policia duhet të ndërhyjë. Mirëpo, a mund të bëhet kjo atje, në sheshin “Skënderbej”!? A mund të evidentohen organizatorët?” “Është e pamundur, -m’u përgjigj Hekurani, – në shesh ndodhen mbi 10.000 vetë, prandaj nuk mund të dallohen organizatorët, përveçse nëse bëhet kasaphanë”. Atëherë i thashë: “Kasaphana dhe gjaku nuk na nevojiten, prandaj përpiquni ta shmangni të keqen me mënyra të tjera. Kur mbërriti lajmi se përmendorja ishte rrëzuar, unë ndodhesha në mbledhjen e Komitetit Qendror të Partisë dhe ua thashë edhe të tjerëve”. Këtu Ramiz Alia gabon. Nëse Hekurani kishte vepruar kundër urdhrave, domethënë se ai nuk lejoi të përdoreshin armët, ndonëse e kishte urdhrin që t’i përdorte, atëherë gjëja më e thjeshtë që do të bënim ne, Ramizi apo çdo anëtar tjetër i Komitetit Qendror, do të ishte të thirrej Hekuran Isai e të jepte llogari apo t’i bëhej një vërejtje, siç e parashikonin rregullat e kohës. Mirëpo asgjë nga këto nuk u bë. Pse? Sepse të gjithë shokët e dinin se ishte mendim unanim i Komitetit Qendror që të mos përdoreshin armët kundër popullit. Kjo ishte vija e Partisë, jo e Ramiz Alisë.

Fatmir Çepani, operatori që ka ekzluzivitetin e regjistrimit të rrëzimit: Rrëzimi i Monumentit dita më e vështirë, edhe pas 33-vjetësh e drejta e autorit nuk respektohet

Fatmir Çepani është operatori që ka patur fatin të  filmojë gjithë ngjarjen e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë. Ndoshta ky filmim egzekutiv që sot jepet nga dhjetëra televizione private egziston si dokument vetëm në sajë të këtij xhirimi të operatorit të talentuar. Por megjithse kanë kaluar 33-vjet askush nuk ja njeh të drejtën e autorësisë këtij njeriu që ka lënë një xhirim që aq shumë diskutohet sot. Ja si shprehet ai për këtë ditë:

Ajo ditë mbetet e veçantë për shumë arsye. Së pari se situata ishte tejet e vështirë në gjithë Shqipërinë. E dyta, sepse flitej për rrëzimin e statujës së Enverit dhe më kryesorja tensionet politike pas formimit të PD kishin arritur acarime të mëdha me PPSH dhe grupet vullnetare të mbrojtjes së figurës së Enver Hoxhës. E mbaj me mend si sot, pse ishte ditë e veçantë dhe unë kam qenë me gazetaren Amalia Dhamo ku drejtori e TVSH na kishte caktuar të shkonim te Komuniteti Mysliman pasi për herë të parë pas rënies së diktaturës po rikrijohej Komuniteti Mysliman. Pikërisht atë ditë Amalia dhe unë ishim caktuar për të filmuar dhe shoqëruar kryetarin e opozitës, Sali Berishën. Në Pallatin e Kulturës ku do zhvillohej takimi shkuam rreth orës 9 -30 në mëngjes dhe bëmë kronikën e zakonshme. Dihet se në atë kohë punohej me film dhe montimi kishte tjetër procedurë: Pra; pasi bëhej aktiviteti, çohej në laborator, lahej, pritej, montohej dhe më pas materiali çohej në transmetim. Sa mbaruam aktivitetin duke pasur parasysh këto kërkesa Amalia mori materialin dhe shkoi në TVSH, ndërsa unë I thashë se do rri këtu pasi kemi dëgjuar do ketë zhvillime. Kur mbaruam më Amalinë ishte ora 10:00 dhe unë rrija tek kafeneja e Pallatit të Kulturës deri në orë14:00 kur filloi të zhvillohej ngjarja. Ishte situatë e vështirë sidomos për ne që ishim të vetmit operatorë pasi ishim i vetmi televizion në Shqipëri. Pra ngjarjet regjistroheshin vetëm nga ne. Pra deri në orën 13:30 vende-vende kishte grupime njerëzish, që rrinin rreth përmendores, ndërsa fluksi i madh i njerëzve mbërriti në orën dy. Pas kësaj ore njerëzit filluan të vinin nga të gjitha anët kryesisht nga rruga “Bajram Curri”, nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga rruga e “Kavajës”, nga rruga e Durrësit, pra të gjitha kryqëzimet që vijnë dhe bashkohen te qendra e Tiranës. Shikoja se si vinin dhe habitesha për organizimin pasi dukej se vinin si me komandë. Pra një demonstratë e mirëorganizuar. Më thënë të drejtën pozicionimi im te Pallati i Kulturës, më jepte shansin që unë të kontrolloja të gjitha kryqëzimet e Tiranës, që mblidhen te qendra ndaj dhe habitesha. Në ora 14: 00 në shesh mund të ishin 100 mijë veta. Fillova xhirimin. Djersët më vinin dhe më iknin. Momente shumë të vështira. Përmendorja mbrohej. Por nga ora 14-40, turma u nis drejt Enverit. Një turmë e papërmbajtëshme. Dhe them se i kishte ardhur fundi asaj historie, asaj kohe. Ishte një sistem totalisht i dështuar. Situata e rënduar ekonomike i detyroi njerëzit ta përmbysnin atë sistem. Ngarkesat e çdo familje, çdo qytetari, çdo shqiptari shkonin deri aty sa thoshin se ai sistem duhej përmbysur. Ky është kontribut i popullit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Pa frikë them sot se, në shesh atë ditë mund të ishin 100 mijë veta. Por isha dhe vetë në situatë të vështirë. Shumë njerëz afër më shihnin me dyshim. Më shihnin me urrejtje. Me të drejtë se mendonin se i shërbenim vetëm sistemit monist sikur nuk ishim pjesë e tyre. E them mes anthit se që në momentin e parë që jam pozicionuar për regjistrim dhe deri në momentin që kam shkuar në TVSH dhe më vonër në shtëpi, mua më është dashur të përballem me turma dhe njerëz të ndryshëm. Prej tyre shumë ishin ekstremistë. Disa me ironi thoshin ja erdhi ky i TVSH, erdhën këta komunistët e TVSH, t’ia thyejmë aparatin. Më është dashur natyrisht të integrohem shumë mirë me ta, duhet të tregoja shumë kujdes në mënyrë që të më jepnin mundësinë të regjistroja atë për të cilën isha nisur. Kur ju hodh litari në qafë përmednores të gjithë shpërthyen në urrraaaa. Pastaj momenti i rrëzimit. Ç’të shikoje! Sa ra statuja filluan t’i binin me çfarë të kishin. Pastaj e ndanë trupin nga koka. Turma ishte e irrituar. Nuk përmbaheshin. Shfrynin mllefe. Pasi mundën ta copëtonin sa mundën trupin e statujës filluan ta tërheqin zvarrë me një kamion drejt Qytetit Studenti. Ishin moment frike, pasigurie, ankthi, mëdyshje. Situata kishte dalë jashtë kontrollit. Kur turma po largohej nga sheshi u nisa në TVSH. Drejtor ishte Virgjil Kule. I tegova situatën dhe filmimet. Në zyrën e tij kishte disa gazetarë. Dhe ai dukej në dilemë, por vendosi ta transmetojë. Nga Byroja Politike filluan presionet. I pari Adil Çarçani na quajti tradhëtarë. Atë periudhë Adil Çarçani dhe Ramiz Alia kanë qenë dy krerët më të lartë, dhe presioni ka ardhur nga ata. Disa minuta para se të fillonte të dilte sigla e TVSH, është marrë vendimi për transmetim. Një situatë e rënduar. Askush nuk e dinte çdo ndodhte më pas kur dihej se ne kishim familje. Fati ynë, i familjes, i shokëve, nuk dihej. Rriskimi ka qenë shumë i madh pasi nuk pranohej realiteti. Në orën gjashtë pa pesë është vendosur kronika. Pra në lajmet e para të mbrëmjes dhe më vonë në Emisionin Qëndror të lajmeve. Sigurisht frika ka qenë e madhe, sepse ne nuk kishim as numër të madh njerëzish rreth vetes dhe dera qëndronte e hapur, që do të thotë se ne ishim në dorë të Zotit. Për këtë situatë të vështirë mund të përmend Gazmir Shtinon, Fiqiri Sejdian, Bujar Koren, Amalia Dhamon, Virgjil Kulen, etj. TVSH ishte e detyruar që çfarë ndodhte në Shqipëri, ta pasqyronte për shkak të detyrave që kishin marrë. Por nuk ishte e thjeshtë. 20 Shkurti ka qenë pika më kulminante ku mund të them pa frikë se ishte një ditë shumë kaotike, një situatë tepër e rënduar. Aty rrezikohej jeta, gjithçka. Ajo ditë mbetet dita më e paharruar në RVSH. Një ditë ankthi sa edhe më pas pati pasoja. Kur shkova në shtëpi isha tjetërsuar. Të nesërmen na prisnin të papritura të tjera. Edhe sot pas 33-vjetësh e drejta e autorit për këtë xhirim nuk respektohet.