Prof. Dr. Ago Nezha: Betimi i Barçallasë

66

Paria e fshatrave të Labërisë, më 29 Maj 1920, u mblodhën si bletët në sheshet e Barçallasë të fshatit Dukat

BETIMI  I  BARÇALLASË

 

HOMAZH NË  NDERIM TË  100 -VJETORIT  TË  LUFTËS  SË  VLORËS

 

Kuvendi i Barçallasë, është një pishtar që u ndez nga patriotët e Labërisë, që bënë fli jetën, për liri e Atdhe, për të shkruar një faqe të artë në historinë e popullit tonë. Një popull pa histori, pa të kaluar, vdes shpejt, shuhet nga memoria historike. Të mohosh të shkuarën, ta harrosh atë, apo aq më keq ta shkatërrosh me dorën tënde në emër të së resë, siç po ndodh në këto 30 vjet në tranzicionin  e çoroditur  të vendit tonë, është  ndoshta krimi më i madh, nga të gjitha krimet që i bëhet kombit. Paria e fshatrave të Labërisë, më 29 Maj 1920, u mblodhën si bletët pa u kuptuar në sheshet e Barçallasë të fshatit Dukat, që i qëndrojnë si një kurorë e gjelbër mbi krye. Ata s’ishin delegatë,  as krushq e dasmorë, por vullnetarë të lirisë, që shkonin drejt flijimit të jetës, për të luftuar, derdhur gjak e mbrojtur vullnetarisht trojet e të parëve që ishin pushtuar nga të huajt. Këta burra që nuk kërkonin lavdi, ofiqe e pasuri, por veç liri, i bashkoi ideali, morali, e krenaria, për të mos qenë të nënshtruar. Iu drejtuan Kuvendit të Barçallasë, pa u bërë kush thirrje, secili një hero më vete, me ndjenjën e sakrificës personale. Këtu shfaqej dukshëm struktura mijëravjeçare patriotike, atdhetare e shoqërore e Labërisë, e ngritur mbi panteonin e zotësisë, trimërisë,  mençurisë e barazisë sociale. Intelektuali e patrioti i shquar Ago Agaji, e ka quajtur Kuvendin e Barçallasë, “Parlamentin e Labërisë”, nga ku mund të merrnin shembull shumë parlamente të botës. Qindra burra, të mbledhur në malin e Barçallasë rreth prijësit Osman Haxhiu, u betuan në Kuran: “më thertë me gjithë çkam” e më pastaj nën armë: “më vraftë, më marrtë në zemër”… Vendimi unanim u firmos e vulos prej përfaqësive të 60-të e ca fshatrave të Prefekturës së Vlorës. Ky Kuvend ishte një kushtrim që mobilizoi gjithë trevat e Labërisë, që të siguronin armë në të gjitha mënyrat për t’u rreshtuar në luftë kundër pushtuesit fashist italian. Në Barçalla, për të përballuar luftën e Vlorës, u krijua Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, i  zgjedhur nga populli i Labërisë, i përbërë prej 12 anëtarësh, të cilët përfaqësonin gjithë  krahinat, përfshirë dhe qytetin e Vlorës. Kryetar u zgjodh  Osman Haxhiu, ndërsa anëtarë ishin Duro Shaska, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Qazim Koculi, Qazim Kokoshi, Beqir Sulo, Ahmed Agalliu, Hamit Selmani, Hysni Shehu, Myqerem Hamzaraji, Murat Tërbaçi dhe Sali Bedini. Për organizimin e formacioneve luftarake u formua dhe një komision ushtarak, i kryesuar nga Ahmet Lepenica. Më 2 Qershor, në Beun u bë organizimi i çetave në bazë fshatrash,  ku vërshuan vullnetarë që mbushën çetat me luftëtarë nga gjithë vendi. Komiteti i dërgoi ultimatum  gjeneralit  italian Settimio Piaçentinit, që të hiqte dorë nga planet ogurzeza për  copëtimin e Shqipërisë, sipas  traktatit famëkeq të fuqive të mëdha në Londër, në 1913-tën, si dhe pazareve të pista të lakmitarëve Italo-Greko-Serbe. Në rast të kundërt, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, nuk do mbajë përgjegjësi për atë çka do ndodhi me ngritjen e popullit në luftë. Në ultimatumin që i  dërgoi Komandantit të forcave pushtuese italiane thuhet: “ Sot populli shqiptar i bashkuar më shumë se çdo herë, duke mos mundur të durojë të shitet si bagëtia në pazaret e Europës, si shpërblim ndaj italo-greko-serbëve, vendosi të marrë armët në dorë dhe të kërkojë nga Italia administratën e Vlorës, Tepelenës, dhë Himarës, të cilat do t’i dorëzohen me të shpejtë qeverisë kombëtare të Tiranës”.  Kjo jehonë, përfshiu gjithë popullin e Jugut, e pastaj u shtri tejembanë Shqipërisë, nga Gjirokastra në Shkodër. Në këtë truall patriotik e atdhetar, nisi lufta e Vlorës në 1920-ën, që u përhap shpejt, e mori përmasa kombëtare e ndërkombëtare. Në Luftën e Vlorës mori pjesë dhe shkrimtari dhe kleriku Shtjefën Gjeçovi, që luftoi përkrah vlonjatëve. I befasuar nga cilësitë e lebërve i shkruante Kryepeshkopit të Shkodrës se:  “kur të vij në Shkodër do t’u mësoj të flisni labçe, se vlonjati për Shqipërinë djeg shtëpinë, fal pasurinë dhe jep fëmijën”. Këto cilësi përcaktojnë shpirtin patriotik të krahinës së Labërisë.

Jehona e Luftës së Vlorës në arenën ndërkombëtare.

Lufta e Vlorës, e vitit 1920, ishte një luftë e armatosur dhe e organizuar, që e kishte nismën e vet në rrjedhën e ngjarjeve historike që po kalonte vendi. Vendimet e Kongresit të Berlinit më 1878 dhe ato të Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, duke ngushtuar së tepërmi tërësinë territoriale të vendit tonë, kishin prekur thellë, ndjenjat kombëtare të mbarë popullit shqiptar. Po fuqitë imperialiste, nuk u mjaftuan me kaq. Në Traktatin e Fshehtë të Londrës, të nënshkruar më 26 prill 1915, ato po përgatitnin një aventurë të tretë, e cila do të çonte në një copëtim tërësor të truallit shqiptar dhe në zhdukjen e Pavarësisë.

Dokumenti i 9 Dhjetorit 1919, hartuar në frymën e Traktatit të Londrës nga përfaqësuesit e SHBA, Anglisë dhe Francës, i njihte qeverisë  së Romës, sovranitetin mbi Vlorën dhe krahinat e saj dhe mandatin mbi shtetin e gjymtuar shqiptar; Jugosllavisë respektimin e kufijve të 1913-tës dhe një dalje tregtare në Shqipërinë e Veriut, Greqisë pushtimin e Gjirokastrës dhe të tokave që shtriheshin në perëndim të Nemërçkës, duke përfshirë Tepelenën dhe Kurveleshin. Përfaqësuesit e Anglisë dhe Francës, Lloid Xhorxh dhe Klemanso, duke dashur të kënaqnin dhe pretendimet Jugosllave, më 13 Janar 1920  me përfaqësuesin e Italisë Nitin, gatuan kompromisin sipas të cilit Shqipëria copëtohej midis tri shteteve fqinje pak a shumë siç ishte parashikuar në Traktatin e Fshehtë të Londrës. Me largimin e trupave franceze dhe të garnizoneve ndëraleate nga Shkodra e Korça dhe me marrëveshjen e Kapshticës, u shmangën përkohësisht konfliktet midis forcave kombëtare dhe ushtrive të armatosura jugosllave dhe greke. Ndërkohë, përplasjet me garnizonet italiane nga dita në ditë po mernin përmasa të reja. Ata mbeteshin të vendosur të mbanin të pushtuar Vlorën, Himarën, Tepelenën dhe po punonin për ta paralizuar veprimtarinë e qeverisë kombëtare për bashkimin kombëtar. Në debatet e organizuara në parlamentin italian më 10 Korrik 1920, Kryeministri Xholiti shprehet: “Vlora është një shenjë strategjike e cila po të zihet prej një shteti që nuk është mik i Italisë, do të ish një rrezik i vërtetë për Italinë”. Nga Roma, Kastoldit (komisar i lartë italian i atashuar në Shqipëri) i jepen urdhëra të prera, se Vlora e rrethuar nga një hinterland i mjaftueshëm, të mbetej në duart e tyre në mënyrë të qëndrueshme dhe pa pengesa.

Lufta e Vlorës, si një luftë çlirimtare, gjeti përkrahje edhe në qarqet përparimtare jashtë vendit. Ajo u mbështet nga shqiptarët me banim në Zvicër, Francë, SHBA e kudo. Fitoret e njëpasnjëshme të kryengritësve, u dhanë të kuptonin pushtuesve se shqiptarët ishin të vendosur në luftën e tyre për çlirimin e Vlorës. Si rrjedhim i kësaj gjendjeje, filluan bisedimet italo-shqiptare, të cilat përfunduan më 2 Gusht me nënshkrimin e një protokolli, në bazë të cilit qeveria e Romës respektonte sovranitetin shqiptar mbi Vlorën dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë. Duke shprehur keqardhjen për këtë disfatë, Benito Musolini, shkruante më 28 Korrik 1920: “Kaporetoja shqiptare është shumë më e rëndë se tjetra që u zhvillua midis Isokons e Piavës: atëherë humbëm pozita materiale, njerëz dhe dy krahina, por nuk humbëm vullnetin për të rifilluar dhe rifituar; këtë herë disfata jonë është e rendit moral dhe tanimë diplomatikisht e kemi vulosur si një fakt të pranuar dhe të kryer: pak mijëra shqiptarë pa artileri na hodhën me furi në Vlorë dhe për të shmangur hedhjen në det, hapëm bisedimet pa ndonjë rezultat…”.

Për luftën e Shashicës, gazeta  “Dielli”, organ i Vatrës në Amerikë, shkroi një artikull, në të cilin lavdëronte luftën dhe trimëritë e luftëtarëve të Shashicës: Ata ishin trima të tërbuar. Kështu lavdëroheshin gjithë trimat e Luftës së Vlorës.

Në qytete të Italisë shpërthyen greva dhe demonstrata, me kërkesë për të ndaluar luftën dhe për tërheqjen e trupave italiane nga Shqipëria. Në qytetet e bregdetit Adriatik u afishuan thirrje, me anën e të cilave ftoheshin ushtarë italianë të mos pranonin të niseshin për në Shqipëri. Pati përleshje me forcat e armatosura qeveritare. E përgjakshme ishte veçanërisht ajo në qytetin e Ankonës, ku më 26 Qershor 1920 një repart bersalierësh që refuzonte të nisej për në Shqipëri, së bashku me punëtorët, shpërthyen në një demonstratë, e cila përfundoi me thyerjen e forcave qeveritare që ndërhynë për ta shtypur.

Në artikullin “Ç’shkruajnë korrespodentët italianë nga Vlora” me autor Mastrovitin, botuar në gazetën “Kuvendi” të Romës, datë 23 Korrik 1920, Baron Aliotti ka dhënë një intervistë, në të cilën tërë nervozizëm flet për “ca rrebelë që ndodhen në Korfuz”. Bëhej fjalë për Hamza Isain dhe përfaqësues të tjerë të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, të cilët kishin vënë në dijeni diplomacinë e Europës dhe presidentin Ëillson të SHBA, për të vërtetat e ngjarjes së Luftës së Vlorës. Mbas dështimit të ofensivës së arditëve në Shashicë e gjetkë dhe rrëzimit të aeroplanit nga pushtuesit italianë në Vlorë, pati një tronditje. Edhe qeveria e Romës e kryesuar nga Xholiti u shqetësua. Vetë populli italian, sidomos punëtorët dhe gazetat e tyre si “Avanti”, po e kritikonin qeverinë italiane, dënonin politikën e qeverisë së Xholitit dhe nuk lejonin të dërgoheshin fuqi të tjera në Shqipëri. Për Luftën e Vlorës, jehona në arenën ndërkombëtare erdhi duke u rritur, që nga Amerika, Anglia, Parisi, Roma, si dhe vendet Ballkanike, të cilat ishin të interesuar së tepërmi. Ishte koha kur populli vendosi të luftojë me armë dhe për rrjedhojë, çliroi Vlorën dhe krahinat e saj.

Ky ishte faktori tjetër, i katërt politik,këtë radhë i jashtëm, që ndikoi në atë që përfaqësuesit italianë të mjaftoheshin me ruajtjen e ishullit të Sazanit dhe me heqjen dorë nga pretendimet e tjera ndaj vendit tonë.