Prodhuesit e mollës në Korçë nuk gjejnë treg shitjeje

444

Pa mundësi tregtimi edhe prodhuesit e Korçës

Shqetësimi i prodhuesve të mollës në Devoll: Nuk po gjejmë treg shitjeje

 

Nga Vepror Hasani

 

Ashtu si prodhuesit e mollës të rrethit Korçë, të cilët po synojnë braktisjen kësaj kulture, sepse gjetja e tregut të shitjes mbetet e vështirë, edhe fermerët e rrethit Devoll po gjenden të njëjtin hall. Sipas tyre, shitjet që kanë bërë deri më tani, kanë qenë të pakta, kurse çmimi i shitjes i ulët; krahasuar me çmimin e mollës që vjen nga jashtë, pasi çmimi i shitjes së mollës për fermerët e Devollit dhe të Korçës është i përgjysmuar. Madje ata nuk arrijnë ta kuptojnë pse ndodh kështu, sepse për prodhimin e këtij fruti tregohet i njëjti kujdes me atë të kolegëve të vendeve fqinje dhe të njëjtat preparate që përdoren prej tyre, ashtu sikurse edhe teknologjia e punimit të tokës, e ujitjes dhe e proceseve të tjera janë të njëjta si eksperiencë e marrë nga vendet më të suksesshme, por ndërsa molla e tyre tregtohet normalisht, molla e prodhuesve të Devollit dhe Korçës mbetet stok. Për më tepër, as prodhuesit e mollës, as tregtarët e saj dhe as ata që ruajnë frutat në dhoma frigoriferike, nuk dinë me çfarë çmimi do të shitet dhe do të blihet molla e këtij viti. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në vitet e kaluara.

 

Loja në kurriz të prodhuesve

 

Jo vetëm tregtarët e grumbullimit të mollëve, por edhe biznesi i frigoriferëve e ushtron aktivitetin e vet në kurriz të prodhuesve. Oferta që ofrojnë ata për prodhuesit e mollës është: Na i jepni mollët pa çmim dhe më vonë bëjmë likuidimet, kur të marrim vesh se ku do të qëndrojnë çmimet e shitjes dhe të blerjes!” Sipas prodhuesve të rrethit Devoll, shumë prej fermerëve e pranojnë edhe këtë ofertë, sepse molla po bie përdhe, ndërsa mundësi ruajtjeje për një kohë të gjatë nuk kanë. Veç kësaj, prodhimi duhet shitur në kohë me qëllim sigurimin e të ardhurave për familjen, sepse është punuar një vit të tërë për marrjen e këtij prodhimit, pasi në të kundërt i gjithë malli do të kalbet. Për të gjitha arsyet e mësipërme, prodhuesit e mollës kanë filluar të ndihen të zhgënjyer sepse jo vetëm që nuk po sigurojnë të ardhurat e pritshme, por po dalin dhe me humbje. Megjithatë, sipas specialistëve të bujqësisë, deri më tani janë regjistruar si eksport rreth 200 tonë mollë industriale me destinacion Bullgarinë dhe Greqinë, dhe 40 tonë mollë të cilësisë së parë ose ekstra për konsum drejt shtetit grek; por këto sasi mbeten të vogla po të kihet parasysh fakti që Korça prodhon çdo vit nga 80 mijë deri në 100 mijë tonë mollë.

Fajin e ka breshëri i pranverës!

 

Gjithashtu, specialistët e bujqësisë e justifikojnë mosshitjen e mollës me breshrin e pranverës së këtij viti. Sipas tyre, molla u godit dhe për pasojë humbi cilësinë; kjo bëri që kërkesa për këtë mollë të jetë më e ulët. Kjo mund të jetë deri diku e vërtetë, por sipas fermerëve, jo të gjitha sipërfaqet e mbjella u dëmtuan nga breshëri, sepse pati zona të tëra që mbetën të paprekura nga reshjet, megjithatë as për mollët që nuk u dëmtuan, nuk po gjendet treg. Të gjendur në këto rrethana, prodhuesve të mollës dhe specialistëve të bujqësisë u mbetet vetëm të shpresojnë. Megjithatë specialistët në fjalë, ende ndihen optimistë përsa i takon gjetjes së tregut dhe eksportit të mollëve, ata besojnë se do të ketë treg jo vetëm për mollën industriale, por edhe për atë për konsum, madje sigurojnë se tregu do të jetë më i mire nga ai një viti më parë, por e vërteta është se prodhuesve të mollës çdo vit u kanë mbetur sasi të mëdha molle pa shitur. Vetëm 15% e prodhimit merret nga frigoriferët.

Edhe Devolli, ashtu si fermerët e Dvoranit

 

Ashtu siç dihet aktualisht, fermerë të fshatit Dvoran të rrethit Korçë, të njohur në mbarë Shqipërinë për prodhimin e mollës cilësore, vendosën t’i thonë lamtumirë njëherë e përgjithmonë prodhimit të këtij fruti. Prodhimin e mollës do ta zëvendësojnë me prodhimin e arrave dhe lajthive. Arsyet e braktisjes së mollës janë të shumta: vitet e fundit nuk ka pasur treg për mollën e tyre, subvencioni për prodhimin e mollëve nuk ka qenë i mjaftueshëm, molla e importuar, e cila vjen më e lirë në krahasim me mollën e prodhuar në Dvoran, bën që ata të mos marrin as shpenzimet për prodhimin e tyre. Për të gjitha këto arsye, banorët e fshatit në fjalë, kanë qenë të detyruar, që ose ta hedhin në lumë, ose ta dhurojnë në kisha dhe xhami për njerëzit e varfër, pa futur asnjë qindarkë në xhep. Veçanërisht, gjatë tre viteve të fundit nuk kanë mundur të shlyejnë as shpenzimet e bëra për prodhimin e një molle të mirë. Humbjet kanë qenë të mëdha, mundi i shkuar kot, kurse familja pa asnjë të ardhur. Të lodhur nga kjo punë pa fitim, pa treg të sigurt dhe pa ndihmë nga institucionet përgjegjëse, më në fund vendosen t’i thanë “jo” prodhimit të mollës. Tashmë e në vijim ata nuk do të merren më me kultivimin e mollës, por me arrat dhe lajthitë. Shpresojmë të mos ndodhë kështu edhe me fermerët e Devollit.