Bashkim Koçi: 85 vjetori i lindjes së piktorit Sulejman Prenjasi

910
Sigal

Në 85 vjetorin e lindjes

Sulejman Prenjasi, piktori që i ktheu ngjyrat në dritë

Nga Bashkim Koçi

Një vepër arti është një rrëfim. Kur sjell këtë thënie, e cila u dedikohet njerëzve të fushës së artit, me del përpara portreti i Sulejman Prenjasit (xha Sulos), një ndër njerëzit më të “çuditshëm” që kam njohur, nga ata që, si njeri i lire, ka ditur të zgjedhë “skllavërinë” e tij, pikturën.

Ai u lind këtu e 85 vjet më parë në fshatin “sa një pëllëmbë” të krahinës së Tomorricës, në Përrenjas, emrin e të cilit do ta mbante e gjithë familja për mbiemër sapo u zhvendosën për të banuar e jetuar në fshatin Lubonjë të Korçës. Prrenjasi sot nuk ekziston, u shua, siç thonë banorët e asaj zone. Nga 18 familje që kishte ai fshat në vitin 1950, në vitin 1990 numëroheshin vetëm tre. Ndërsa viti 2012 do të shënohet si viti i vdekjes së tij dhe tani e tutje do të mbahet mend vetëm si emër, e që do thonë se në Tomorricë paska ekzistuar një fshat me emrin Përrenjas. Nuk dimë të themi se si e qysh është marrë “vendimi” që familja e tij të ndërronte mbiemrin, por logjika ta thotë se kjo gjë u ka dalë nga zemra për të mos harruar kurrë, brez pas brezi, vendlindjen, Përrenjasin. Madje marrja e vendimit për të ndryshuar mbiemrin duhet të ketë qenë shumë i vështirë sepse nëse sjellim faktin që ai i mëparshmi, i trashëguar nga gjyshër e stërgjyshër, ishte goxha sojli, Jaubelli. Jaup-beu, ka qenë i pari i tyre, pra racë e zgjedhur, gjë për të cilën piktori ndjehet mirë kur bie fjala për origjinën dhe rrënjët e fisit të tij. Ai gjen rehat kur sjell edhe një emër tjetër nga ky fis, edhe ai piktor me emër, Nuri Jaupin, ai i galerisë “Tomorri” në qytetin e Durrësit. Ai u largua familjarisht nga Prrenjasi për në Lubonjë kur ishte vetëm 5 vjeç, moshë që ja la disi të mjegulluara kujtimet për vendlindjen. Por njeriu gjen forca për t’ju përshtatur botës, vendit dhe mjedisit ku i bie për pjesë të përballet me jetën. Ashtu si u përshtat Sulejman Prrenjasi me Lubonjën, fshatin që ndikoi fuqishëm për t’u bërë, piktor. Kur sjell e përmend emrin e piktorit Sulejman mendja më shkon tek Sulltani me histori të madhe, tek Sylejman Kanuniu (1494-1566), apo siç është njohur në perëndim, Sulejmani i Madhërishëm. Këtë ndjesi ma ka dhënë e jep portreti i tij prej burri babaxhan e sidomos pamja e fytyrës që i ngjan një cope shkëmbi shkëputur nga mali i Tomorrit e që atë, pra fytyrën, e bëjnë të magjishme e plot lezet ca mustaqe nga ato që i mbanin dikur rilindësit tanë. Është vërtet një çudi kur merret vesh se Sulejmani ynë, i cili ka arritur të bëhet njeri i artit me emër, frymëzimin e parë, ëndërrimin për t’iu futur magjisë së pikturës, e ka marrë në kishat e Lubonjës. E merrni vesh çka ngjarë? Një mysliman me emrin Sulejman na e paskan frymëzuar kishat, aty ku kryejnë ritet fetare krishterët. Ky fshat, me banorë të besimit ortodoks, na paska pasur tri kisha. Sulejmani, edhe pse fëmijë, e kishin magjepsur muret e kishave plot afreske, me pikturat, të cilat mbanin në vetvete ngjyrat e një arti herë-herë të pakapshëm. Sipas tij, ai pasi mbaronte orët e mësimit në shkollë, shkonte gati çdo ditë në kishë. Jo si besimtar, por si një “i marrosur” pas ngjyrave ylberiane të cilat e kishin bërë për vete aq shumë, sa ai një ditë filloi t’i “kopjonte”, të bënte ca zhkarravina me mendimin se po ngjiste diçka që formatohej e “merrte frymë” nga ngjyrat. Ai tashmë, pas kaq dekadash, pranon se muret e kishave të Lubonjës, me plot afreske dhe piktura, u bënë e para dhe e fundit akademi artesh për të arritur ky që është sot. Madje guximin e moshës së fëmijërisë për t’u bërë piktor, ai e konsideron “aventurë të mendjes”, por që i doli për mbarë falë këmbënguljes dhe dashurisë për të “luajtur” me penel. Në një bisedë të kahershme me Sulejman Prrenjasin mbaj mend të më ketë përmendur diçka nga Van Gongu: “Ëndërroj sikur po pikturoj dhe pastaj pikturoj atë që ëndërroj”. Çuditërisht, edhe pse në miniaturë, tek krijimtaria e tij gjen vend kjo thënie e piktorit të madh. Magjia e pikturës Sulejman Prenjasin e ndoqi tërë jetën. Edhe tani në moshën 85 vjeçare. Por në rrugën e tij, në përpjekjet për t’u bërë dikushi si piktor, ka hasur ca të përpjeta të vështira, të lodhshme e me shumë rreziqe. Fati nuk e deshi asnjëherë pasionantin Sulejman. Ashtu si aktori ynë i famshëm, Kadri Roshi, i cili në konkursin e parë u shkualifikua për të vijuar shkollën për aktor, edhe Sulejman Prrenjasi dështoi në një konkurs të organizuar enkas për ata që synonin t’i futeshin artit të pikturës. Por ai nuk u trishtua, nuk u thye apo të brengosej për të hequr dorë nga ajo çka ëndërronte të bëhej. Sigurisht, që iu mbyll dera e Liceut e më pas ajo e Akademisë së Arteve, por atë të pasionit për botën e madhe të ngjyrave, kurrë. Njerëzit nuk janë robër të fatit, por vetëm robër të mendjes së tyre. Në motin e largët kur Sulejman Prenjasi përfundoi shërbimin ushtarak në Tiranë ja tha mendja të qëndronte në Kryeqytet, aty ku mund t’i jepej mundësia për të ushtruar me tej dorën si piktor. Ai, kur dilte nga Liqeni Artificial, magjepsej pas ngjyrave të natyrës gjë që e shtynte të hidhte në telajo, qoftë dhe në copa letre a kartoni, “fotografi” të stampuara nga peneli i tij. Mirë që qëndroi e nuk i jepte kujt llogari për vendimin që mori për të mos u larguar nga Tirana, por çështja shtrohej se ku do të strehohej, ku do ta fuste kokën për të fjetur, për të ngrënë e për t’u larë, për të jetuar si njeri? Nga kujtimet e tij të kohës së rinisë zbulohen vërtet xhevahire, të cilat të mahnisnin për jetën e tij edhe si bohem. Meqë nuk kishte pasaportizimin në qytetin i Tiranës, nuk kishte as të drejtën për të kërkuar shtëpi. “Ishte viti 1960. Nuk më hodhi kush dorën, kujton Sulejman Prenjasi. I vetmi zemërbardhë paska qenë një rom, i cili e mbajti plot dy vjet në barakën e tij aty në lagjen e Brakës. Edhe pse kanë kaluar rreth 60 vjet nga humanizmi që tregoi romi simpatik, ai nuk e ka harruar mirësinë e tij, të cilin e ka “shpërblyer” me një portret të realizuar në pikturë e që e mban si gjë të çmuar varur në murin e dhomës ku pret miq. Ky njeri “i luajtur”për të arritur realisht të bëhej piktor, duhet thënë se ishte mjeshtër i vërtetë për të vjelë apo edhe për “të vjedhur” praktikën dhe përvojën e mjeshtrave të mëdhenj të asaj kohe. Sulejman Prrenjasi u njoh dhe u përpoq të mësonte nga korifenjtë e kohës si Sali Shijaku, Kujtim Buza, Foto Stamo etj., pa u trembur nga fakti se mund të shihej nga sy inferiorësh. Tashmë Sulejman Prrenjasi radhitet tek piktorët me emër, tek ata që kanë realizuar vepra të vlerësuara nga kompetentë të kritikës, siç mund të sjellim në këto radhë atë të të madhit Ibrahim Kodra. Piktori me famë botërore mori frymë thellë, u mahnit, shfaqi entuziazëm të pazakontë kur u njoh me pikturat e Sulejman Prrenjasit, duke e konsideruar si zbulim që vendi i tij, Shqipëria na paskësh piktorë të nivelit shumë të lartë. Madje mbahet mend shpërthimi e Maestros Kodra kur, pasi u njoh me ekspozitën e hapur në qytetin e Milanos, nxori një “ahh!” ngazëllimi, duke i folur zemra e shpirti: Ja ku e keni Shqipërinë- dhe drejtoi dorën nga punimet mbresëlënëse të Sulejman Prrenjasit. Takimi i dy personaliteteve shqiptarë të fushës së pikturës krijoi hapësira që deri atëherë nuk priteshin. Me ndihmën e Ibrahim Kodrës filluan t’i vijnë ftesa për të hapur ekspozita ngado, në të gjithë Italinë. Nëse fillesat e profesionit të tij si piktor datojnë herët, Sulejman Prrenjasi ekspozitën e parë si i tillë e çeli në vitin 1997 në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës. Po brenda atij viti ai çeli ekspozitën e tij të dytë, por kësaj here në qytetin e Milanos nën kujdesin e Ibrahim Kodrës. Por, nisur edhe nga ideja se qëllimi i artit është që t’i japë formë jetës, ekspozitat shoqëruan njëra tjetrën. Të gjitha të suksesshme. Është vendi të përmendim disa prej tyre si ajo e titulluar “Shqipëria, sa larg dhe sa afër”, e cila u ekspozua në qytetin e Palermos (1998); “Kosova kërkon liri”, komuna Dikomo, Itali (1998); “Shqipëria dhe kostumet shqiptare”, Milano (1998), si dhe katër ekspozita të tjera në Komo, Paderno Dugnano, Piancenza etj. Jo më pak të suksesshme kanë qenë ekspozita “Kosova e lirë” që u shëtit në Palermo, Milano, Picenza të Italisë (1999); “Ballkani i nesërm” në Sicili (1999); Mostra personale di Prenjasi S.”, Milano (2002); L’arte per la pace, “Percorsi e contrasti”, Milano (2004) etj. Ekspozita po kaq të dëshiruara nga artëdashësit janë çelën edhe në Korçë, në Skrapar dhe në fshatin ku ai kaloi vitet e rinisë së hershme, në Shtyllë të Vakëfeve. Nëse do të bënim “inventarin” e veprave të këtij piktori pasionant numri është aq domethënës sa cilitdo artdashësi do t’i gëzonte shpirti për arritjet e këtij piktori të suksesshëm. Ai ka realizuar rreth 300 punime në teknikën e vajit, ku disa dhjetëra prej tyre janë bërë pronë e koleksionistëve në disa shtete të si Itali, Zvicër, Suedi e gjetkë, por edhe në vendlindje, në Shqipëri. Një ndër shumë piktura të piktorit është edhe ajo kushtuar Heroit të Kosovës, Adem Jasharit, të cilën ua dorëzoi familjarëve me dorën e tij atje në Prekaz me rastin e Festës Kombëtare të 28 Nëntorit në vitin 2017. Nuk ka mjerim më të madh se sa të jesh i pakënaqur me fatin tënd, gjë që nuk ka ngjarë me piktorin Sulejman Prrenjasi. Atë vërtet e ndoqën ca prapësi në vitet e rinisë, por falë këmbënguljes dhe talentit të tij, ai ka arritur të ngjitet në lartësi të admirueshme dhe të “pikturojë” mjeshtërisht portretin e tij. Sepse, siç ka thënë poetja amerikane Emily Dickinson (1830-1886) “Fati nuk është i rastësishëm, është mundim. Buzëqeshja e suksesit fitohet.” Ndaj e ka të  merituar atë çka ka arritur gjatë jetës së tij 85 vjeçare, është produkt i mundimit. Ai tashmë, veç admirimit dhe respektit të artdashësve, u gëzohet edhe vlerësimeve të larta që i janë bërë nga institucione prestigjioze të artit. Sulejman Prrenjasi është anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura të Milanos dhe anëtar i Akademisë Evropiane të Artit, seksioni shqip. Pesë vjet më parë, kur ai festoi 80-vjetorin e lindjes, iu kushtua filmi me titull “Një jetë me dashuri për pikturën”. Një jetë me plot dashuri i urojmë edhe ne Sulejman Prrenjasit, të gjithë admiruesit e pikturës së tij, në këtë 85-vjetor të lindjes!