Presidenti i Unversitetit Mesdhetar/ Akademik Prof.Dr.Anastas Angjeli: Lamtumirë Prof.Alqi Naqellari, kujtimi juaj do të mbetet i paharruar

17
Sigal

Nga Akademik, Prof. Dr. Anastas Angjeli,

Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë

Studentët e Ekonomikut në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë,  nuk do munden më të ndjekin leksionet e ditëve të para të javës nga Prof.Asoc.Dr. Alqi Naqellari, i cili u nda para kohe nga jeta këtë javë,  duke ndërprerë papritur një karrierë shumëvjeçare.

Për shumë vjet me radhë prof. Alqi hynte në auditor në orën 9 në mëngjes dhe bashkë me njohuritë e ekonomiksit, politikës monetare apo lëndëve të tjera, ju përcillte studentëve të Mesdhetarit edhe modelin e njeriut që ka dëshirë dhe vullnet të punojë e studiojë vazhdimisht, të jetë qytetar i mirë dhe kontribues për vendin e tij. Por figura e tij nuk do t’i mungojë vetëm studentëve.

Kolegët e afërt të fakultetit do të ndjejnë mungesën e profesorit, por do ju mbetet në kujtesë me sa vullnet e këmbëngulje Prof. Alqi përgatiste leksionet, si ishte gjithnjë në mbështetjen e pedagogëve të rinj, fillimisht asistentë të tij në UMSH, që më pas u bënë kolegë të afërt të tij dhe që me siguri, do ndjekin modelin e punës së suksesshme që ai ju tregoi. Në rolin e tij si dekan i prof. Alqi ishte kontribues i rëndësishëm për hapjen e programeve të reja në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të UMSH-së. Gjurmët e punës së tij gjenden jo vetëm në tekstet dhe materialet që mbajnë emrin e tij në bibliotekat fizike e elektronike të UMSH, por edhe në dokumentacionet që shoqërojnë punën e përditshme në fakultet dhe institucion, duke bërë që kolegët ta kujtojnë prof. Alqin për shtrirjen e gjerë të aktivitetit dhe kontributin e tij.

Prof. Alqi ishte diplomuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës në vitin 1976 dhe që nga ajo kohë për më shumë se 20 vjet punoi si kuadër i lartë ekonomist, specialist dhe drejtues në ndërmarrje dhe institucione të sektorit bujqësor dhe sektorit bankar. Nga fundi i viteve ’90 ka punuar për disa vjet pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe njëkohësisht si gazetar në shtypin e kohës. Aktivitetin shkencor e ka filluar herët dhe e vazhdoi me këmbëngulje e prodhimtari të lartë deri në fund të jetës së tij. Në maj 1992 ka marrë gradën “Doktor” në Shkenca Ekonomike, në Universitetin e Tiranës. Me përvojën e larmishme teorike dhe praktike, ka kontribuar për një kohë të gjatë në arsimin e lartë, për përgatitjen e brezave të studentëve kryesisht në profilet ekonomike. Nga viti 2001 ka punuar në universitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, të cilat e kane vlerësuar mjaft pozitivisht. Nga viti 2012 e në vijim ka qenë pedagog në Universitetin “Mesdhetar i Shqipërisë”. Në janar 2016 Universiteti i Tiranës i ka dhënë titullin Profesor i Asociuar, ndërkohë që për disa vite (2014-2019) ka kryer detyrën e Dekanit të Fakultetit të Shkencave Ekonomike, në Universitetin “Mesdhetar të Shqipërisë”.

Profesor Alqi ka qenë i përfshirë në mësimdhënie në një numër lëndësh të fushës së ekonomiksit, menaxhimit, marketingut, investimeve. Por fusha e preferuar e tij, ku edhe ka dhënë kontribut të çmuar përmes shumë botimeve universitare, mbetet ekonomiks: mikroekonomia dhe makroekonomia, ekonomiksi konkurencial dhe ai menaxherial, ekonomia monetare dhe teoria e çmimeve. Në këto fusha ka dhënë leksione, ka udhëhequr studentë diplomantë dhe ka përgatitur materiale të shumta.

Aktiviteti botues ka qenë pjesë e pandarë e jetës dhe e ka shoqëruar prof. Alqin që nga fillimi i viteve ’90. Nga viti 2003 e në vazhdim ka botuar 11 tekste universitare në shërbim të studentëve ku ka lektruar, në veçanti tek UMSH, ku na ka lënë punimet e tij në lëndët e mikro dhe makroekonomiksit, marketingut bankar, investimeve dhe të tjera fusha të ndërlidhura. Ishte vëzhgues i kujdesshëm dhe kërkues shkencor aktiv, punë të cilën e ka materializuar si autor i 35 artikujve shkencorë të botuar në revista kombëtare dhe ndërkombëtare, me faktor impakti dhe të rankuar ndërkombëtarisht. Gjatë viteve të aktivitetit të tij kërkimor ka qenë pjesëmarrës me referime në mbi 50 konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit dhe redaktor i 6 monografive në fushën e ekonomisë. Në 10 vitet e fundit të aktivitetit të tij kërkimor e shkencor ka botuar disa monografi, dy përmbledhje me artikuj shkencorë, si edhe disa libra publicistikë. Njohja e disa gjuhëve të huaja (anglisht, frëngjisht, italisht dhe spanjisht) e ndihmonte të ishte gjithnjë në ndjekje të të rejave më të fundit në fushat e tij të interesit, përfshirë edhe përparimet e teknologjisë së informacionit me efektet e tyre në ekonomi dhe mësimdhënie.

Prof. Alqi ishte i ndjeshëm ndaj ngjarjeve dhe fenomeneve, që preknin ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në tërësi dhe ka shprehur opinionet e tij për to përmes shumë artikujve në shtypin periodik. Shpesh herë kolegët mblidheshin e diskutonin me prof. Alqin për temat, të cilat ai i bënte pjesë të faqeve kryesore të gazetave shqiptare. Dhe nuk linte jashtë vëmendjes as zhvillimet ekonomike e politike botërore, të cilat i lidhte me ndikimin që mund të sillnin për vendin e tij.

Përtej dhimbjes për ndarjen e tij nga jeta, në vazhdim të gjithë në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, do e kujtojnë gjatë, me respekt e vlerësim të veçantë profesorin e nderuar Alqi Naqellari. Për familjaret, të afërmit e miqtë, kolegët dhe studentët e Tij, kujtimi dhe vepra e Prof. Alqit do mbeten të paharruara!

Do na mungosh Prof. Alqi! Lamtumirë!