Lela Dardha: Qielli duhet të presë edhe ca. Mirënjohje për Dr. Euglent Hoxha

89

Hyra në sallë. Dy ditë më pas vinte ditëlindja e djalit tim të vetëm. Unë, tashmë kisha blerë dhuratën dhe kisha marrë masat që ajo t’i binte në dorë në datën e lindjes. Kjo, në rast se ditëlindjen e tij do ta shihja nga qielli! Por Zoti kish bekuar duart e doktor Genos dhe bashkë me to edhe mua. Tashmë, pak nga pak, po marr veten. Po risjell ndër mend tërë çfarë kalova: dhimbje dhe mësime, vuajtje dhe lehtësime, luftë dhe mirënjohje.

Sigal

Ndoshta, vërtet jam disi e moshuar, por ja që jeta u dashka shumë. Gjithmonë kam qenë e vetëdijshme se një ditë do të më duhet të largohem nga kjo botë. Por, kur ndjen se ajo ditë është prapa derës, zë e pushtohesh nga drithërima. Ne njerëzit e dimë se jemi të vdekshëm, flakë kashte në hapësirë. E dimë mirë se vdekja pret diku – në një hap, a në një kthesë dhe pandehim se kemi rrokur kuptimin e përkohshmërisë. Por, një ditë të ftohtë marsi, kur ndjeva pranë fëshfërimën e saj, kur ajo erdhi hijerëndë e mbante një emër, kuptova se ende nuk isha gati. Përveç, frikës, pata edhe ndjesinë e çuditshme se një dorë e ftohtë po më rrëmbente përjetësinë.

Me këtë ndjesi trokita në derën e doktorit. Nga kërkimet që kisha bërë në internet dhe sipas asaj çfarë ishte shkruar në fletën e rekomandimit, ai quhej Euglent Hoxha. Por, ndërsa prisja jashtë, dëgjova punonjësin e sigurisë, infermiere dhe pacientë t’i referoheshin atij me emrin ‘’Geno’’. Mund të shembëllejë marrëzi, por pata një si lehtësim – se kështu e ka njeriu, kur s’i ka ngelur më asgjë, kapet pas fijes së merimangës dhe e bën atë kavo shpëtimi. Geno – Ky emër i thjeshtëzuar dhe ledhatues për veshin, qe melhemi im i parë. Emri është ndër gjërat më të çmuara për njeriun. Kam vënë re se kur një individ ngjit shkallët e suksesit dhe arrin një farë pozite në shoqëri, nuk lejon lehtë që dikush, aq më pak vartësit, t’i hajnë shkronjat e emrit, të emrit të tij të mirë, të madh e të shtrenjtë. Të gjithë kemi pasur rastin të përjetojmë, ose të dëgjojmë për pacientë, hallexhinj, që, përveç sëmundjes së tyre, duhet të përballen edhe me fodullëkun, humorin e keq, shpesh…, dhe di se ç’flas – harbutllëkun e lakminë e mjekëve. Prandaj, ndjeva nevojën të bind veten se kisha rënë në një doktor të mirë, por edhe në një njeri që jep diçka nga vetja, në një profesionist që në gjithçka vë zemrën dhe fytyrën e tij. Ditë më pas, kuptova se s’isha gabuar aspak.

Mëngjesin e ditës së operacionit, teksa merreshim me procedurat e nevojshme, dikush pa takt, më tha se operacioni im ishte më i madhi që bëhet në fushën e gjinekologjisë. Madje, më tregoi edhe se ku dhe sa do të duhej të pritsha. E mbuluar nga një valë tmerri dhe amullie, shkova të flisja me kirurgun, doktor Euglent Hoxhën. Ai u ul përballë meje, la stilolapsin mbi bllok dhe me tha se po më dëgjonte. ‘’Doktor – i’u drejtova – kam nevojë të bisedoj edhe një herë me ju, nëse më lejoni, dua të flas si me djalin tim. Unë jam 74 vjeçe dhe gjithsesi jam në fundin e jetës sime. Por, këtë pak kohë që mund të më ketë mbetur dua të jetoj dhe të vdes me dinjitet. Ju lutem, më thoni, a ia vlen ta bëj këtë operacion? Se më thanë që është i madh e i vështirë! Sa garanci kam, që me gjithë këtë vuajtje, t’ia dal mbanë? Nëse nuk ka shpresë për përmirësim, ju lutem, mos më çani kot, lejomëni të jetoj ato pak ditë pranë familjes në gjëndje të kthjellët’’!

Ai më dëgjoi me kujdes dhe me një ton të butë e serioz njëkohësisht, pranoi se operacioni vërtet ishte i tillë. Më shpjegoi me qetësi procesin duke u munduar të më qetësonte sa mundej. Nuk u zotua e nuk premtoi asgjë shprehimisht, por diçka e pakapshme, një lloj vale e pandijueshme, e përbërë nga nuk e di çfarë, që dilte nga sytë dhe shprehia e tij, më dha një fije besim. Pyetjes sime, nëse sërish do bëhesha mirë, ai i’u përgjigj se synonte që për dy ose tre javë të çohesha në këmbë. Dola duke e falenderuar dhe duke persiatur. Të dy më kishin thënë, në thelb, të njejtën gjë, por në një rast isha dëshpëruar dhe në tjetrin lehtësuar. Ç’të jetë vallë? Sugjestion? Por edhe nëse është kështu, kjo do të thotë diçka, përderisa sugjestioni herë është rëndues, e herë lehtësues. Çështje arti, çështje metode!

Hyra në sallë. Dy ditë më pas vinte ditëlindja e djalit tim të vetëm. Unë, tashmë kisha blerë dhuratën dhe kisha marrë masat që ajo t’i binte në dorë në datën e lindjes. Kjo, në rast se ditëlindjen e tij do ta shihja nga qielli! Por Zoti kish bekuar duart e doktor Genos dhe bashkë me to edhe mua. Tashmë, pak nga pak, po marr veten. Po risjell ndër mend tërë çfarë kalova: dhimbje dhe mësime, vuajtje dhe lehtësime, luftë dhe mirënjohje. Mendoj për kryeinfermieren, Kristianën dhe buzëqeshjen e saj. Nuk po zgjatem shumë, se kurrë do mund t’i gjej fjalët e duhura për të shprehur respektin për të. As nuk po përmend të tjerë, infermierë, mjekë e personel shërbimi, druaj se harroj ndokënd dhe do ishte mëkat. Shumë gjëra mund të mungojnë në shërbimin Gjinekologjik të Spitalit Onkologjik ne QSUNT, thonë se mungojnë edhe medikamente, por për sa i takon personelit dhe anës njerëzore, mbeta e befasuar, e shërbyer, e respektuar. Ka edhe njerëz të mirë! Ka edhe njerëz të ndershëm! Ka edhe shpresë! Faleminderit Zotit dhe të gjithë juve që u shqetësuat, interesuat, që më shërbyet mua! Lavdi Zotit jemi përsëri bashkë! Qiellit do t’i duhet të presë edhe ca.